| E shtune, 26.09.2015, 04:55 PM |
Bubulinoja
shkon të blejë një kokërr lakër
Nga Viron Kona
- Bubulino, merr lekët te komodina dhe shko e bli një kokërr lakër, - i tha gjyshja.
- Sa të madhe ta blej kokrrën e lakrës? - e pyeti ai.
- Sa koka jote, - i tha gjyshja me shaka.
Bubulinoja shkoi në treg dhe u ndal përpara një tezge të mbushur plot me lakra të llojeve dhe madhësive të ndryshme.
- Çfarë do, o vogëlush? - e pyeti tregtarja.
- Dua një kokërr lakër.
- Sa të madhe e do kokrrën e lakrës?
- Sa koka ime.
Tregtarja bëri pakëz buzën në gaz. Pastaj, duke parë herë kokën e Bubulinos dhe herë kokrrat e lakrave, zgjodhi njërën prej tyre dhe e vuri në peshore. Ishte një kokërr lakër shumë e madhe. Bubulinoja u habit: “Pse, kaq të madhe e kam kokën unë?!” - pyeti veten dhe kushedi pse i erdhi turp. Pastaj, si do ta çonte në shtëpi atë kokërr lakër aq të madhe?!
Nuk guxoi që ta kundërshtonte tregtaren. Druante se mos ajo e tallte. Mori lakrën dhe, me shumë vështirësi e shpuri në shtëpi. E la në mes të tavolinës dhe duke fshirë djersët, pyeti gjyshen:
- O gjyshe, pse, kaq të madhe e kam kokën unë?!
Gjyshja u habit: “E paska mashtruar ajo tregtarja! Hajt pa ia rregulloj unë qejfin asaj!” - tha me vete. U vesh shpejt e shpejt, mori Bubulinon për dore dhe shkoi drejt e tek tregtarja. Iu ankua se kishte përfituar nga një fëmijë për të shitur mallin...
Tregtarja e dëgjoi me vëmendje dhe pa u shqetësuar aspak. Kur gjyshja mbaroi, tregtarja nisi të shpjegojë:
- Moj zonjë e dashur, ky vogëlushi faqekuq erdhi dhe më tha: “-E dua kokrrën e lakrës sa koka ime!” Dhe unë ia plotësova dëshirën.
- Po ti e shikon, sytë në ballë i ke! - u nxeh gjyshja, - kjo kokërr lakër është shumë më e madhe sesa koka e vogëlushit tim!
-
E ke gabim moj zonjë e dashur, - iu kthye tregtarja qetësisht. - Koka e këtij
vogëlushi nuk është e vogël, por është e madhe sepse ka shumë mend. Madhësia e
kokës së njeriut varet nga mençuria. Nuk ke dëgjuar ti kur thonë: “Ai njeri
është kokë e madhe!” Kështu që unë, s’mund të pranoj që ky vogëlush topolak dhe
kaq simpatik, na e paska kokën të vogël. Prandaj zgjodha këtë kokërr lakër dhe
jo një tjetër.”.
Gjyshja e Bubulinos dëgjonte arsyetimin e tregtares dhe s’fliste. Mbase po i vinte mirë nga fjalët e saj për mençurinë e vogëlushit.
Ndërkaq, tregtarja që po e vëzhgonte gjyshen me bisht të syrit, i tha:
- Ti moj zonjë e dashur, bëj si të duash, unë s’e kam problem shitjen e mallit, se e kam më të mirin në treg. Po deshe, ma kthe atë kokërr lakër, të peshojë një tjetër, - dhe duke thënë këto fjalë ajo gjoja zgjati dorën, por gjyshja e tërhoqi lakrën prapa dhe iu përgjigj:
- Këtë do të mbaj, sepse është fati i Bubulinos!