E shtune, 27.04.2024, 09:30 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Faruk Tasholli: Selanik, te shtëpia e Hasan Prishtinës

E diele, 03.05.2015, 08:00 PM


NË SELANIK, TE SHTËPIA E HASAN PRISHTINËS

(Udhëpërshkrim)

Nga Faruk TASHOLLI

Kosovë, fund prilli, ditë me shi. Ime shoqe, Xhevahirja, me pyet në jam i gatshëm ta vizitojmë Selanikun. Po, i them, pa hezituar, Ajo ka hasur në disa shkrime se mu në qendër të Selanikut është  e mbetur një shtëpi, jo shtëpi dosido, por pallat në pronësi të patriotit demokrat Hasan Prishtina. Konsultojmë edhe një herë shkrimet për këtë shtëpi, të njohur vonë. Falë shkrimit besnik të historianit Arben Llalla, nisemi drejt Selanikut.Sapo lëmë prapa Ferizajn, për pak minuta na shfaqet pamja e Kaçanikut, të kësaj qyteze sa të lashtë dhe aq të bukur, ku si në vendet përrallore, zhvillohet jeta ne peizazhet e bukura malore. Magjia e Grykës së Kaçanikut me rrjedhën e Lepencit, të këtij lumi që vjen nga Sharri me njërin krah të Nerodimjes, sikur na jep forcë për një udhëtim të mbarë drejt Egjeut. Pas kalimit të pikës kufitare,vijnë Bllaca, pastaj Stankoveci, toponime të dhimshme këto që kanë hyrë në historinë më të re shqiptare.Më shumë se një gjysmë Kosove doli këtyre anëve, sa me tren, sa me vetura, sa këmbë, e  përndjekur nga tytat e policisë dhe ushtrisë serbe në vitin 1999, kur po zhbëhej a po ribëhej Kosova. Nuk ka si të mos e kujtojë njeriu gjithë atë zallamahi të shpërngulurish, gjithë ato vaje e dënesje, kur në sytë e shqiptarit, po pritej të merrte fund shekulli i lotëve. Por mrekullia ndodhi, kur pikërisht Grykës së Kaçanikut, hyri turma e rraskapitur drejt lirisë së pritur. Që nga ai çast e sot, unë, shqiptari i vogël, SHBA-të i çmoj si një perëndi tokësore të kombit tim.

Ende pa iu afruar Shkupit, në pjesën e përparme të veturës, vendosim sistemin e navigimit, ku në ekran shënojmë cakun e synuar:Greqi, Selanik, Rruga Vasilis Olgas. Futemi autostradës dhe rrëshqasim drejt Egjeut, këtij deti të historive të pafund, ndërsa gjatë gjithë udhës na shoqëron Vardari, që tashmë e ka me vete edhe ujin e Lepencit, edhe ato pak valë e stërkala të Nerodimjes. Fryma e jugut na mbush shend. Sa më poshtë, aq më ngrohtë. Jemi të sigurtë se do ta shohim,  se do të shkelim oborrit, se do ta prekim shtëpinë e Hasan Prishtinës, aq të bukur e madhështore si dukej në fotografi. Derisa lëviz makina, ku më shpejt e ku më ngadalë, pas na mbeten fushat, kodra e malet me përroje. Vetëm Vardari vjen me ne.

Kur kalojmë kufirin e fundit që Maqedoninë e ndau në dy pjesë, atë Maqedoninë e vjetër, zënë e më shfaqen ato pamjet paksa të zbehura nga kryeqyteti i saj Selaniku. Por unë në këtë qytet di vetëm dy rrugë: Via Egnatia dhe Tsimiski. Në një hotel në rrugën e vjetër Via Egnatia, të bërë nga romakët, këtu e tridhjetë vjet më parë, kemi kaluar dy net derisa po ktheheshim nga Stambolli, në një ekskurzion që organizoi Instituti Albanologjik i Prishtinës. Ai ishte një udhëtim i papërsëritshëm në jetën time, me autobusin e atëhershëm të  agjensisë Turist Prishtina. Në atë udhëtim ishim mbi dyzetë veta, studiues, profesorë e gazetarë. Disa prej tyre tashmë kanë kaluar në amshim, por ka edhe që janë bërë pjesë e historisë kombëtare. Aty ishin Ibrahim Rugova, Bardhyl Qaushi, Shaqir Berani, Gani Luboteni, Shefkije Islamaj, Murat Blaku, Mehmet Halimi, Qemal Murati, Ibrahim Goçi, Shkëlzen Raça... , të gjithë me grada të larta shkencore. Isha edhe unë, ishte edhe Liri Loshi, por ishte edhe Hazir Reka, fotografi që me syrin e kamerës së tij zuri historinë. Por si nuk e diti askush që në atë kompleks lagjesh të zemrës së Selanikut, zë vend edhe shtëpia e Hasan Prishtinës?! Madje unë,në 50-vjetorin e vrasjes së Hasan Prishtinës, kisha bërë një shkrim në revistën „Zëri i rinisë“ të Prishtinës. Për ta bërë atë shkrim, kisha lexuar shkrime biografike  për Hasan Prishtinën, por nuk kisha hasur kund që ai të kishte shtëpi në Selanik.  Aso kohe e kërkova vetëm rrugën Tsimiski, që nga shkrimet që përshkruanin atentatin, kisha krijuar një përfytyrim për të, por që kur e qita hapin e parë, u ndjeva krejt ndryshe nga atmosfera e leximit...

Kryqëzimi i autostradave, sa në drejtim të Athinës, sa në atë të Kavallës që çon pastaj në Stamboll apo Izmir, na bëjnë me dije se jemi në hyrje të Selanikut. Kemi kaluar mbi tri orë udhëtim. Zbresim nga kodrat, ndërsa në të dy anët, drejt detit, pasdita me diell, shquan bukurinë e këtij qytetit me një milion banorë, Edhe tetë kilometra kemi deri te caku. Pastaj udha na qet nga qendra e qytetit. Jemi pjese e lumit të veturave rrugëve të gjera të Selanikut. Ndezje dhe fikje semaforësh. Startime makinash. Ndalje në vendet e caktuara. Gjithkush ngutet për një cak. Caku ynë është i veçantë. Për disa minuta futemi në rrugën Vasilis Olgas.Ku të ndalemi? Nuk kemi numër të shtëpisë. Ime shoqe mundohet të identifikojë shtëpinë nga pamja e fotografisë.Ndale, më thotë! Mezi e gjej një vendparkim në atë grumbull të pafund veturash. Zbresim. Ndalemi para një shtëpie.Është apo nuk është ajo që kërkojmë. Tutje shtrihen ndërtesat shumëkatëshe. Shtëpia gjason me ndërtesën që kemi parë në fotografi. Trikatëshe, me shkallë të qitura jashtë. Mos të harrojmë, nga shkrimet që kemi lexuar, shtëpia e Hasan Prishtinës, tash e përvetësuar nga shteti grek, shërben si qendër shkollore e të verbëve. Futem në oborrin e saj dhe aty takoj një njeri që pastron makinën e vet. E kuptoj që shtëpia është private. E pyes njeriun në është diku një shkollë e të verbëve në këtë rrugë, por ai nuk kupton gjermanisht, ndërsa unë greqisht di vetëm pak fjalë, apo vatëm sa për të sharë, si thotë poeti Dritëro Agolli. Largohem i dëshpëruar. Ngadalë po bie mbrëmja. Ecim rrugës Vasilis Olgas. Kërkojmë. Nuk e gjejmë dot shtëpinë e Hasan Prishtinës. Pa e parë atë, nuk na vlen ardhja ne Selanik. Dalim bregut të detit. Nuk na bën aq përshtypje shëtitorja e gjerë dhe e pafund, e stolisur me drita të kuqe dhe të verdha. Jemi afër cakut, nuk e kemi larg shtëpinë e Hasan Prishtinës, të këtij njeriu që bëri histori dhe u bë pjesë e historisë, por nuk e gjejmë dot. Është bërë vonë. E zëmë një hotel për ta kaluar natën që të nesërmen ta vazhdojmë kërkimin. Nuk na bëhet të kthehemi dot pa e realizuar qëllimin.

Mëngjesi i ditës së fundprillit agon me diell. E vazhdojmë kërkimin. Vetëm në rrugën Vasilis Olgas. Futemi në një shitore. Shitësja na pret me dashamirësi. Kërkesës sonë për ta gjetur shtëpinë e të verbërve, i përgjigjet me dëshirën për të na ndihmuar.Me pak fjalë gjermane që din, na thotë se nuk kemi më shumë së një kilometër. E kërkon në celular dhe e gjen. Na thotë:Shkolla Tyflon,si i thonë grekët, ka numrin 32 në rrugën Vasilis Olgas.Mezi presim t'i themi lamtumirë shitëses greke.Tashmë jemi të sigurtë. E kemi edhe numrin e shtëpisë. Ec e ec por trotuaret janë plot njerëz. Do ta gjejmë si duam apo do na dalë ndonjë pengesë. U kuptuam mirë apo jo me shitësen greke. Numrat e shtëpive zvogëlohen. Ja edhe hoteli ku kaluam natën. Edhe tridhjetë shtëpi tutje e zë vend shtëpia e Hasan Prishtinës. Nuk e paskemi pasur larg.Duke iu afruar numrit të kërkuar, ngadalësojmë hapat, ta ndjejmë shfaqjen e shtëpisë, së paku, në e njohim nga fotografia. Ja, kjo do të jetë, thotë ime shoqe pa e shikur numrin. Dera e oborrit e mbyllur, e punuar nga parmakë hekuri me farkëtim. Por, në këndin e djathtë, hyrje për veturat, që shfaq oborrin e gjerë ku është ngritur shtëpia.Hymë ngadalë. Aty janë disa rezidentë, njerëz të urtë, me pengesa në shikim, por edhe shurdhmemecë ndoshta. Edhe shtëpia duket memece.Vetëm ne flasim me të. Shtëpia, dikur me zot shqiptar, tash i takon dikujt tjetër, rrëmbyesit, shtetit grek. Shtëpi në zemër të zemrës së Selanikut me vlerë shumëmilionshe. Shtëpi me histori të dhembshme, që nga dita kur iu vra i zoti, atdhetari i madh shqiptar Hasan Prishtina. Nisim bërjen e fotografive, si të ishtë shtëpa jonë. Sa para shkallëve, sa lart në shkallë, ku dielli i mëngjesit, verbon objektivin, ndërsa hijet e pemëve bregdetare, hapin hapësira për rënien e rrezeve të diellit mëngjesor. Fotografojmë njëri-tjetrin dhe, presim ta gjejmë dikë të na bëjë fotografinë e përbashkët. Ja majë shkallëve, që janë të qitura jashtë, dalin dy zonja. E lusim njërën të na bëjë një foto. Ajo reagon ashpër. Nuk lejohet fotografimi në këtë objekt. Në asnjë mënyrë. Ani, pajtohemi me urdhërin, por pengu na mbetet. Duam të dalim prapa shtëpisë, ta shohim oborrin e gjerë, ta shohim kopshtin që shtrihet andej nga buza e detit. Jo, thërret zonja. Nuk është e lejuar të rrini këtu. Me pengun për fotografinë  e përbashkët dhe vizitën tutje,drejtohemi nga rruga Vasilis Olgas, së paku t'i ruajmë fotografitë e bëra pak minuta më parë. Në rrugë mund të fotografoheni dhe ta keni në prapavijë objektin, qet fjalët zonja, që duke hyrë në shtëpizën në hyrje të  pjesës së çelur të oborrit, kuptojmë se është ndonjë zyrtare e kësaj shtëpie. Pasi zmë u të largohemi me hapa të rëndë, mbesim duke e shikuar shtëpinë trikatëshe, të madhe, të bukur, por të vjetëruar nga koha. Në ballkonin e saj, të rrethuar me parmakë hekuri, i mbështetur për shtize, varet flamuri grek, me kaltrinë e zbehur në diell. Përse ky flamur aty? Rezidentët nuk e shohin dot. Edhe ne, për fat, nuk na hetuan duke bërë fotografi, që kësaj radhe, na mbetën kujtimi dashur dhe i dhembshëm nga Selaniku. Dolëm pastaj të shëtisim rrugëve të qendrës së qytetit, ku sigurisht, dikur dendur do të ketë shëtitur Hasan Prishtina, edhe kur ishte nxënës gjimnazi këtu, edhe më vonë, kur u bë  ndër politikanët më të njohur të kohës. Një shenj i tij fizik, ka mbetur shtëpia që e lamë prapa, por që edhe kjo tashmë nuk është shqiptare. E përvetësuar nga grekët. Pamjet e saj, në shqetësimin e shpirtit, na sollën gëzim dhe trishtim njëkohësisht.

Shqiptarë, mos harroni: Në Selanik, në rrugën Vasilis Olgas numër 32, kemi shtëpinë e Hasan Prishtinës. Nëse kaloni andej, ndaluni për ndonjë lutje, ose ta kujtoni  kolosin tonë të madh, zërin që ishte zë i kombit, brenda dhe jashtë atdheut!



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora