| E diele, 03.05.2015, 08:00 PM |
NË SELANIK, TE SHTËPIA E HASAN
PRISHTINËS
(Udhëpërshkrim)
Nga Faruk TASHOLLI
Kosovë,
fund prilli, ditë me shi. Ime shoqe, Xhevahirja, me pyet në jam i gatshëm ta
vizitojmë Selanikun.
Ende pa iu afruar Shkupit, në pjesën e përparme të veturës, vendosim sistemin e navigimit, ku në ekran shënojmë cakun e synuar:Greqi, Selanik, Rruga Vasilis Olgas. Futemi autostradës dhe rrëshqasim drejt Egjeut, këtij deti të historive të pafund, ndërsa gjatë gjithë udhës na shoqëron Vardari, që tashmë e ka me vete edhe ujin e Lepencit, edhe ato pak valë e stërkala të Nerodimjes. Fryma e jugut na mbush shend. Sa më poshtë, aq më ngrohtë. Jemi të sigurtë se do ta shohim, se do të shkelim oborrit, se do ta prekim shtëpinë e Hasan Prishtinës, aq të bukur e madhështore si dukej në fotografi. Derisa lëviz makina, ku më shpejt e ku më ngadalë, pas na mbeten fushat, kodra e malet me përroje. Vetëm Vardari vjen me ne.
Kur kalojmë kufirin e fundit që Maqedoninë e ndau në dy pjesë, atë Maqedoninë e vjetër, zënë e më shfaqen ato pamjet paksa të zbehura nga kryeqyteti i saj Selaniku. Por unë në këtë qytet di vetëm dy rrugë: Via Egnatia dhe Tsimiski. Në një hotel në rrugën e vjetër Via Egnatia, të bërë nga romakët, këtu e tridhjetë vjet më parë, kemi kaluar dy net derisa po ktheheshim nga Stambolli, në një ekskurzion që organizoi Instituti Albanologjik i Prishtinës. Ai ishte një udhëtim i papërsëritshëm në jetën time, me autobusin e atëhershëm të agjensisë Turist Prishtina. Në atë udhëtim ishim mbi dyzetë veta, studiues, profesorë e gazetarë. Disa prej tyre tashmë kanë kaluar në amshim, por ka edhe që janë bërë pjesë e historisë kombëtare. Aty ishin Ibrahim Rugova, Bardhyl Qaushi, Shaqir Berani, Gani Luboteni, Shefkije Islamaj, Murat Blaku, Mehmet Halimi, Qemal Murati, Ibrahim Goçi, Shkëlzen Raça... , të gjithë me grada të larta shkencore. Isha edhe unë, ishte edhe Liri Loshi, por ishte edhe Hazir Reka, fotografi që me syrin e kamerës së tij zuri historinë. Por si nuk e diti askush që në atë kompleks lagjesh të zemrës së Selanikut, zë vend edhe shtëpia e Hasan Prishtinës?! Madje unë,në 50-vjetorin e vrasjes së Hasan Prishtinës, kisha bërë një shkrim në revistën „Zëri i rinisë“ të Prishtinës. Për ta bërë atë shkrim, kisha lexuar shkrime biografike për Hasan Prishtinën, por nuk kisha hasur kund që ai të kishte shtëpi në Selanik. Aso kohe e kërkova vetëm rrugën Tsimiski, që nga shkrimet që përshkruanin atentatin, kisha krijuar një përfytyrim për të, por që kur e qita hapin e parë, u ndjeva krejt ndryshe nga atmosfera e leximit...
Kryqëzimi
i autostradave, sa në drejtim të Athinës, sa në atë të Kavallës që çon pastaj
në Stamboll apo
Mëngjesi
i ditës së fundprillit agon me diell. E vazhdojmë kërkimin. Vetëm në rrugën
Vasilis Olgas. Futemi në një shitore. Shitësja na pret me dashamirësi. Kërkesës
sonë për ta gjetur shtëpinë e të verbërve, i përgjigjet me dëshirën për të na
ndihmuar.Me pak fjalë gjermane që din, na thotë se nuk kemi më shumë së një
kilometër. E kërkon në celular dhe e gjen. Na thotë:Shkolla Tyflon,si i thonë
grekët, ka numrin 32 në rrugën Vasilis Olgas.Mezi presim t'i themi lamtumirë
shitëses greke.Tashmë jemi të sigurtë. E kemi edhe numrin e shtëpisë. Ec e ec
por trotuaret janë plot njerëz. Do ta gjejmë si duam apo do na dalë ndonjë
pengesë. U kuptuam mirë apo jo me shitësen greke. Numrat e shtëpive zvogëlohen.
Ja edhe hoteli ku kaluam natën. Edhe tridhjetë shtëpi tutje e zë vend shtëpia e
Hasan Prishtinës. Nuk e paskemi pasur larg.Duke iu afruar numrit të kërkuar,
ngadalësojmë hapat, ta ndjejmë shfaqjen e shtëpisë, së paku, në e njohim nga
fotografia. Ja, kjo do të jetë, thotë ime shoqe pa e shikur numrin. Dera e
oborrit e mbyllur, e punuar nga parmakë hekuri me farkëtim. Por, në këndin e
djathtë, hyrje për veturat, që shfaq oborrin e gjerë ku është ngritur
shtëpia.Hymë ngadalë. Aty janë disa rezidentë, njerëz të urtë, me pengesa në
shikim, por edhe shurdhmemecë ndoshta. Edhe shtëpia duket memece.Vetëm ne
flasim me të. Shtëpia, dikur me zot shqiptar, tash i takon dikujt tjetër, rrëmbyesit,
shtetit grek. Shtëpi në zemër të zemrës së Selanikut me vlerë shumëmilionshe.
Shtëpi me histori të dhembshme, që nga dita kur iu vra i zoti, atdhetari i madh
shqiptar Hasan Prishtina. Nisim bërjen e fotografive, si të ishtë shtëpa jonë.
Sa para shkallëve, sa lart në shkallë, ku dielli i mëngjesit, verbon
objektivin, ndërsa hijet e pemëve bregdetare, hapin hapësira për rënien e
rrezeve të diellit mëngjesor. Fotografojmë njëri-tjetrin dhe, presim ta gjejmë
dikë të na bëjë fotografinë e përbashkët. Ja majë shkallëve, që janë të qitura
jashtë, dalin dy zonja. E lusim njërën të na bëjë një foto. Ajo reagon ashpër.
Nuk lejohet fotografimi në këtë objekt. Në asnjë mënyrë. Ani, pajtohemi me
urdhërin, por pengu na mbetet. Duam të dalim prapa shtëpisë, ta shohim oborrin
e gjerë, ta shohim kopshtin që shtrihet andej nga buza e detit. Jo, thërret
zonja. Nuk është e lejuar të rrini këtu. Me pengun për fotografinë e përbashkët dhe vizitën tutje,drejtohemi nga
rruga Vasilis Olgas, së paku t'i ruajmë fotografitë e bëra pak minuta më parë.
Në rrugë mund të fotografoheni dhe ta keni në prapavijë objektin, qet fjalët
zonja, që duke hyrë në shtëpizën në hyrje të
pjesës së çelur të oborrit, kuptojmë se është ndonjë zyrtare e kësaj
shtëpie. Pasi zmë u të largohemi me hapa të rëndë, mbesim duke e shikuar
shtëpinë trikatëshe, të madhe, të bukur, por të vjetëruar nga koha. Në
ballkonin e saj, të rrethuar me parmakë hekuri, i mbështetur për shtize, varet
flamuri grek, me kaltrinë e zbehur në diell. Përse ky flamur aty? Rezidentët
nuk e shohin dot. Edhe ne, për fat, nuk na hetuan duke bërë fotografi, që kësaj
radhe, na mbetën kujtimi dashur dhe i dhembshëm nga Selaniku. Dolëm pastaj të
shëtisim rrugëve të qendrës së qytetit, ku sigurisht, dikur dendur do të ketë
shëtitur Hasan Prishtina, edhe kur ishte nxënës gjimnazi këtu, edhe më vonë,
kur u bë ndër politikanët më të njohur
të kohës. Një shenj i tij fizik, ka mbetur shtëpia që e lamë prapa, por që edhe
kjo tashmë nuk është shqiptare. E përvetësuar nga grekët. Pamjet e saj, në
shqetësimin e shpirtit, na sollën gëzim dhe trishtim njëkohësisht.
Shqiptarë, mos harroni: Në Selanik, në rrugën Vasilis Olgas numër 32, kemi shtëpinë e Hasan Prishtinës. Nëse kaloni andej, ndaluni për ndonjë lutje, ose ta kujtoni kolosin tonë të madh, zërin që ishte zë i kombit, brenda dhe jashtë atdheut!