E shtune, 27.04.2024, 03:29 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Engjëll Koliqi: Gjurmëve të Martirëve të Karadakut

E marte, 24.03.2015, 10:09 PM


Në Kalvarin e Kosovës, që quhet Stubllavaqa:

U PËRKUJTUAN MUNDIMET E JEZU KRISHTIT, GJURMËVE TË MARTIRËVE TË KARADAKUT

Traditën e filluar para dy dekadave, nga ish famullitari Dom Rrok Gjonlleshaj dhe nga Ipeshkëvi i ndjerë Imzot Nikë Prela, e kanë vazhduar të gjithë famullitarët pasardhës në Stubllës dhe të gjithë ipeshkëvinjtë e Kosovës. Në këtë ceremoni të shenjtë, sivjet më shumë se kurrë janë bashkëngjitur edhe ushtarakët katolikë të KFOR-it, të udhëhequr nga priftërinjtë kapelanë të tyre.

Shkruan: Engjëll KOLIQI

Të dielen e 22 marsit, sapo ishte hapur qielli i gjallërisë pranverore, në kodrën e Mbistubllës – Stubllavaqë, që me plot të drejtë, shumë e quajnë edhe Kalvari i Kosovës, ka vazhduar tradita e shenjtë e ceremonisë së Udhës së Kryqit, në përkujtim të mundimeve të Jezu Krishtit, për shpëtim të njerëzimit nga mëkati i vdekshëm origjinal.

Stubllavaqës së Martirëve të Karadakut ia kishin mësyrë mbi njëmijë besimtarë, nga të gjitha famullitë e Republikës së Kosovës dhe më gjerë, për ta nderuar dhe madhëruar devocionin në shenjë përkujtimi dhe falënderimi Zotit tonë Jezu Krishtit, që u mundua, vdiq në kryq dhe u ringjall, për të ringjallur shpirtërat tanë nga mëkati i rrjedhshëm mortar (i vdekshëm), për të zhvilluar bashkë ceremoninë e devotshme, që populli e quan Udha e Kryqit. Ishin edhe qindëra ushtarakë të kampeve të ndryshme të misionit të NATO-s në Kosovë që quhet KFOR. Ishin ushtarë dhe karabinierë, besimtarë katolikë, italianë, amerikanë, gjermanë, francezë, zviceranë, hungarezë, portogezë, polakë, sllovenë, austriakë, kroatë etj. Ceremonia e Udhës së Kryqit në Stubllavaqën tonë, që jorastësisht quhet edhe Kalvari i Kosovës, është udhëhequr nga mbi 20 meshtarë dioçezanë e rregulltarë, si dhe meshtarë kapelanë të KFOR-it. Me shumë devocion  kanë marrur pjesë edhe disa dhjetëra murgesha, të ardhura nga shumë famulli të Kosovës.

Për dallim nga vitet e tjera, këtë vit kjo ceremoni me devocion të krishterë, nuk është mbajtur të premten, si zakonisht, por të dielën, për shkak të pjesëmarrjes më masive të njerëzve, sidomos të ushtarakëve të KFOR-it.

Në të katërmbëdhjetë ndalesat e përkujtimit të mundimeve të Jezu Krishtit, janë lexuar lutje dhe pjesë nga mundimet, në gjuhë të ndryshme (shqip, anglisht, gjermanisht, frëngjisht, italisht, portugisht, sllovenisht, kroatisht, polonisht etj.

Në përfundim të ceremonisë, te Kryqi i Madh 15 metërsh, në majë të Stubllavaqës, përveç organizatorit kryesor – famullitarit të Stubllës, Dom Albert Jakaj, kanë folur edhe famullitari i Ferizajit e drejtor i Karitasit të Kosovës, Dom Viktor Sopi, si dhe meshtarët kapelanë të ushtarakëve amerikanë e italianë. Kapelani amerikan, veç tjerash ka thënë: “Nëse nga këtu shikojmë në të katër anët, shpirti ynë do të kënaqet me këto bukuri të rralla natyrore e mushkëritë tona do të freskohen me këtë ajër të pastër, që Perëndia ia ka dhuruar mrekullisht këtij populli të vuajtur, por edhe krenar, që i meriton plotësisht. Më lejoni ta përfundoj me urimin e fuqishëm – Rroftë Papa”. Ky urim është përcjellur me duartrokitje e ovacione të gjata, në shenjë nderimi për Papa Françeskun, edhe për ushtarakët çlirues e paqeruajtës, që shërbejnë me përkushtim në Republikën e Kosovës, në misionin paqeruajtës, të përbashkët ndërkombëtar, KFOR. Në fund janë lexuar lutje speciale nga besimtarët e famullisë së Ferizajit dhe meshtari më i vjetër i dioçezit tonë, famullitari i Binçës Dom Aleksandër Kola u ka dhënë besimtarëve bekimin.

Pasi ka përfunduar kjo ceremoni e shenjtë, me shumë devocion, me fillim në ora 17, në kishën famullitare të Shën Jozefit, është celebruar mesha e përbashkët, nga rreth njëzet meshtarë. Pas meshe, shumë nga ushtarakët e KFOR-it, kanë bërë foto përkujtuese me besimtarët, brenda në kishë.

Në këtë ceremoni, për dallim nga vitet tjera, ka munguar ipeshkëvi, i cili ishte në vizitë jashtë vendit.

Famullitarit të Stubllës, Dom Albert Jakaj, i takojnë merita speciale për këtë organizim të bukur, bashkë edhe me kapelanët e KFOR-it, e para ceremoni mbas finalizimit të ndërtimit të Udhës së Kryqit e bekimit të Kryqit të Madh në majë të Stubllavaqës, verën e kaluar, nga ipeshkëvi ynë Imzot Dodë Gjergji. Duke predikuar në fund të ceremonisë, Dom Alberti ka paralajmëruar vazhdimin e punëve në Udhën e Kryqit, me zgjerimin dhe modernizimin e trasesë dhe me elektrifikimin, deri te Kryqi i Madh. Të gjithë besojnë se së shpejti do i kemi edhe kapelat speciale, siç janë në vendet e zhvilluara.

Edhe kësaj radhe, shumë besimtarë e klerikë marshuan me devocion shembullor, në Stubllavaqën tonë, gjurmëve të Martirëve, duke përkujtuar dhe falënderuar Zotin tonë Jezu Krisht, për flijimin e jetës tokësore dhe për ringjalljen, me çka ka ringjallur shpresat tona për shëlbim.

Kërë ceremoni e kanë përcjellur redaksi të ndryshme gazetash e fotoreporterë, si dhe televizioni lokal i Vitisë VitiaLive, ku famullitari ynë ka dhënë një intervistë speciale, me shpjegime të këtij organizimi përshpirtërie, në nder e lavd Zotit Tonë.




(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora