E diele, 28.04.2024, 02:13 AM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Besim Muhadri: Karnavalet Ilire të Bozovcës

E merkure, 01.04.2015, 09:50 PM


Reportash nga Bozovca e Tetoves

Karnavalet Ilire të Bozovcës së Tetovës

Këtë festë tradicionale me histori gati 3 mijë vjeçare, që daton nga kohërat e lashta ilire dhe e trashëguar deri tek brezat e rinj, banorët e Bozovcës vazhdojnë edhe sot ta ruajnë si traditë. Të veshur me gëzofë dhe lëkurë prej deleje,por të maskuar edhe me gjëra të tjera, më 15 mars të këtij viti, para shumë të pranishmëve të fshatit, atyre nga Tetova, Kosova dhe Shqipëria, të rinjtë e Bozovcës zhvilluan rite pagane, me ç’rast tek të pranishmit lanë mbresa të paharruara duke kujtuar ato rite të lashta pagane, të cilat me shumë xhelozi kanë arritur të ruhen në këtë fshat dhe më gjerë në Malësinë e Sharrit.

Nga Besim Muhadri, Gjakovë

Bozovcë, Tetovë, Mars 2015- Në pasditën e 14 marsit, pas një udhëtimi të gjatë nga Prizreni, nëpër shpatijet pitoreseke të Prevallkës e të Brezovicës, arrijmë të kalojmë Kufirin në Gllloboçicë dhe nisemi në drejtim të Tetovës. Pas një qëndrimi të shkurtër në Tetovë dhe pas bërjes së disa fotografive në vendet e duhura të qytetit dhe pas vizitës së dy-tri librarive, vendosëm të niseshim për në Brezovcë të kësaj komune. Pas dhjetë minutash lëmë Tetovën dhe, aty pranë varrezave të qytetit,  marrim në të djathtë të saj për të udhëtuar në drejtim të fshatrave të  thella të Malësisë së Sharrit. Ngadalë ngjitemi sipër kodrave të saj. Para nesh shfaqet një pamje mahnitëse e qytetit të mrekullueshëm të Tetovës. Më pas marrim prapë në të djathtë për të përshkuar fshatrat Shipkovicë, Brodec, Veshallë dhe për të arritur në destinacionin tonë, në Bozovcë, një nga fshatrat më të largët të kësaj malësie, ku edhe ishim të ftuar nga mësuesi, aktivisti dhe mbledhësi i folklorit dhe traditave e zakoneve të lashta të kësaj ane, z. Neshat Mehmedi. Në makinë bashkë me mua ishin edhe etnologu Dr. Nexhat Çoçaj, profesori dhe publicisti nga Kukësi, tash drejtor shkolle në Tiranë, Besim R. Cengu si dhe z. Berat Batiu nga Prizreni, arsimtar dhe botues i revistës për fëmijë “Fidani”. Ishte buzëmbrëmje dhe donim të arrinim ende pa u errësuar në fshat, ku na priste Neshati. Po shkonim me ftesë të Neshatit dhe atë natë do të bunim në konakun e tij, sepse të nesërmen (më 15 mars) do të mbahej manifestimi tradicional “Karnevalet ilire”, një festë kjo tashmë tradicionale me histori gati 3 mijë vjeçare, që daton nga kohërat e lashta ilire dhe e trashëguar deri tek brezat e rinj, të cilën banorët e Bozovcës kanë arritur ta ruajnë si traditë.

Makina të cilën e drejtonte Nexhati mezi ecte nëpër atë rrugë të ngushtë, me shumë kthesa  dhe të mbuluar nga bora, e cila të shpie për në Brezovcë., i cili siç morëm vesh më vonë është më i largëti fshat dhe se lartësia mbidetare atje është mbi 1300 metra. Ngadalë përshkojmë ato fshatra, ato gryka, male dhe vende të thepisura, për të arritur në vendin e duhur. Sakaç, para nesh, shfaqet një fshat i vjetër, me një pamje mahnitëse dhe tepër mbresëlënëse. Bora që kishte mbuluar fshatin dhe malet përreth, i jep atij pamjen e një fshati piktoresk në çdo stinë. Rrugët e fshatit janë tejet të ngushta dhe mezi depërton makina, ndërkaq, pak para së të arrijmë tek shtëpia e Neshatit, takojmë djalin e Neshatit, icili kishte dalë të na priste dhe të na tregonte udhën. I themi që të hipte në makinë, por nuk pranoi. Jo, thotë, unë po ec këmbë e ju ejani pas meje. Pas pak, arrijmë tek  shtëpia e Neshatit, i cili na pret me përzemërsi, tamam siç e ka zakon malësori shqiptar. Një burrë i vogël, por shume pedant dhe me pamje intelektuali dhe njeriu të urtë, me shumë përzemërsi dhe butësi Neshati na urdhëron që të hyjmë brenda në shtëpi, ku na presin edhe anëtarët e tjerë të familjes, por edhe poeti dhe aktivisti nga Opoja, Abaz Çengaj dhe bashkëvendësi i tij, Idrizi, të cilët aty kishin shkuar një natë më parë, për të ndihmuar Neshatin në përgatitjen e manifestimit.

Tashmë kishte rënë nata dhe ne, aty në konakun e Neshat Mehmedit deri në orët e vona të natës bashkë me Neshatin, djemtë e tij dhe të afërm të tjerë, biseduam për organizimin e manifestimit si dhe për vështirësitë rreth përgatitjeve të tij. Por atë natë ne edhe kënduam këngë me çifteli, që asaj nate të paharruar ia shtoi madhështinë. Krahas këngëve, bisedës për manifestimin, me insistimin tim, Neshati shpalosi edhe punën e tij prej mbledhësi të përkushtuar të folklorit. “Kam mbledhur mbi 1300 këngë të kësaj treve”, më tha Neshati, të cilat për shkak të mungesës së mjeteve materiale, edhe pse ishin të gatshme për botim, nuk kishte arritur t’i botonte deri më tani.

Atë natë bujtëm në shtëpinë e Neshatit, ndërkaq, të nesërmen u zgjuam herët dhe, dhe pasi pimë kafetë, dolëm të shikonim fshatin. Në klubin e fshatit pimë kafe dhe bashkëbiseduam me fshatarët për hallet dhe jetën e vështirë që bëhet aty. Më ngacmoi ajo pamje mahnitëse e fshatit dhe e bjeshkëve që e rrethojnë. Përballë kemi majën e Kodrës së Diellit. Unë dhe Besim Cengu ecim dhe bëjmë fotografi rrugëve të fshatit, që ishin tejet të ngushta, të rrëpira dhe të shtruara me kalldrëme, që herë - herë të kujtonin Gjirokastrën.

Në ora 9 e 30 ngjitemi në krye të fshatit dhe futemi në oborrin e shkollës, që mbante emrin tarditës shqiptare “Besa”, ku do të mbahej manifestimi “Karenvalet ilire”. Neshati, i cili në një mandat kishte qenë edhe drejtor i kësaj shkolle, dhe tani se sa vite mësues i saj,  në mbrëmje na kishte treguar se shkolla nuk kishte më shumë se 60 nxënës, ndërkaq fshati jo më shumë se 400 banorë, edhe pse dikur ky numër kishte qenë shumë më i madh. Kushtet e rënda të jetësës, por edhe kërkesat për një jetë më të mirë kishin bërë që fshati dalëngadalë të braktisej dhe madje edhe të përgjysmohej. Nga ky fshat kanë dalë emra të njohur të shkencës, kulturës e të biznesit, siç janë Prof.Dr. Fadil Sulejmani, Lazim Destani.

Në orën e paralajmëruar fillon manifestimi, të cilin kishin ardhur ta përcillnin personalitete nga komuna e Tetovës dhe Universiteti shtetëror i saj, siç ishte dekani i fakultetit Filologjik, krijuesi dhe studiuesi nga Selca, Prof. Doc. Fatmir Sulejmani dhe shumë të tjera.

Para nesh na shfaqen karnavalistët, ndërsa me një fjalë rasti para të pranishmëve paraqitet organizatori dhe kreatori i këtij manifestimi, Neshat Mehmedi. Duke folur për vlerat e këtyre karnavaleve, Mehmedi në mes tjerash shprehet:”Malësia e Sharrit i mbajti gjallë traditën dhe zakonet e popullit tonë që nga kohërat më të vështira, falë këtij tereni shumë të thellë e të pakalueshëm për atë kohë, kur sundimtarët e pushtuesit tanë luftonin për të asgjësuar çdo gjë shqiptare, duke mohuar shkollimin, gjuhën historinë, kulturën, traditën e ritet si dhe duke i tjetërsuar ato dhe duke i zëvendësuar më kulturë e histori të re, me gjuhë e shkrim të ri”. Mehmedi përmendi edhe rolin e Malësisë së Sharrit gjatë historisë, e cila kombit i dha figura të shquara të kulturës, veçmas profesorin e nderuar Fadil Sulejamanin, rektorin dhe themeluesin e Universitetit të Tetovës, i cili ishte nga Bozovci.

Duke folur për karnavalet, rëndësinë dhe historinë e mbajtjes së tyre, Neshat Mehmedi  tha se ato nuk janë shpikje as të huazuara nga të tjerët. “Ato janë manifestime autoktone të përcjella brez pas brezi që nga stërgjyshërit tanë, traditë kjo e ruajtur ndër shekuj”. Ai para të pranishmëve shpjegoi mënyrën e mbajtjes si dhe qëllimin e mbajtjes, por edhe domethënien e këtyre riteve. “Karnavalistët, tha Mehmedi, këndojnë, vallëzojnë dhe paraqesin skena nga më të ndryshme. Këndojnë këngë syneti, kurbeti, që në këto anë është plagë e moçme dhe e thellë, këngë të fejesës, beqarisë e të martesës. Veshmbathjet e karnavalistëve janë kryekëput prej leshi dhe nga lëkura e kafshëve. Është përdorë edhe briri i kafshëve, koka e kuajve grivet dhe bishti, me anë të të cilëve është improvizuar kali si dhe loja me të”. Sipas Mehmedit, këtë lloj loje në Veshavë, një fshat afër Bozovcës, gjatë karnavaleve, para 70-80 viteve e kishte improvizuar Rakipi i Harunit, ndërsa në Bozovcë Beteshi i Demës. Mehmedi shpjegoi edhe arsyen e përdorimit të kokave dhe brirëve të kafshëve. “Edhe sot e kësaj dite, tha Mehmedi, në shenjë respekti brirët e kafshëve i gjen aty-këtu të varur në mure apo çardakë të shtëpive, sepse nga bagëtia banorët e kësaj ane, por edhe familjet shqiptare kanë mbijetuar. Ritet e shfaqura gjatë karnavaleve nuk bien ndesh me asnjë fe dhe nuk përmbajnë asnjë element të riteve fetare, por as nuk ndjellin asnjë urrejtje ndërnacionale. Thjesht, ato janë kulturore dhe pagane”, shpjegoi Neshat Mehmedi.

Pas fjalëve të Neshat Mehmedit, fjalën e marrin edhe disa nga të pranishmit, si: Ahmet Qazimi, i cili foli në emër të pushtetit lokal i Tetovës, Dr. Nexhat Çoçaj etnolog nga Kosova, Prof. Doc. Fatmir Sulejmani, studiues letrar dhe dekan i Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Tetovës, Besim Cengu nga Kukësi etj.

Pas fjalëve përshëndetëse, para të pranishmëve shfaqen karnavalistët, të cilët interpretojnë disa pika, për të vazhduar më pas ata, në mënyrë të organizuar, shkuarjen derë më dërë nëpër shtëpitë e fshatit. Ajo që vërehet është mospjesëmarrje në këto karnavale e gjinisë femërore, ndërsa në mungesë të tyre rolet i luajnë meshkujt, të cilët janë veshur me rroba të femrave dhe po ashtu i bien defave, me anë të të cilave i shoqërojnë këngët.

Manifestimi mbresëlënës u përmbyll me shtruarjen e drekës racionale, e cila është mjaft e begatë.

Kështu, në orët e pasdites, u larguam nga Bozovca, me përshtypjet më të mira, me dëshirën dhe shpresën që të marrim pjesë edhe në manifestimet e tjera.

Aktivisti dhe mbledhësi i foklorit, Neshat Mehmedi, duke hapur manifestimin tradicional në Bozovcë “Karnavalet ilire”

Karnavalistët duke interpretuar një pikë

Karnavalistët shkojnë derë më derë të shtëpive të fshatit

Çaste nga manifestimi tradicional “Karnavalet ilire” në Bozovcë të Tetovës (15 mars 2015)

Çaste nga Karnavalet ilire të Bozovcës (15 mars 2015)

Çaste nga Karnavalet ilire të Bozovcës (15 mars 2015)

Bozovca në pranverë

Bozovca në stinën e verës

Bozovca gjatë stinës së dimrit

Etnologu, Dr.Sc. Nexhat Çoçaj, bisedon me plakën nga Bozovca e Tetovës, Selime Mehmedin (nënën e Neshat Mehmedit) për traditat dhe ruajtjen e tyre në Bozovcë dhe gjithandej në Malësinë e Sharrit.

Një fotografi për kujtim bashkë me Neshat Mehmedin, paras shtëpisë së tij ( Në foto, në këmbë nga e majta Berat batiu, Besim R. Cengu, Besim Muhadri, Abaza Çengaj, ulur: Nexhat Çoçaj, Idriz Qusaj dhe Neshat Mehmedi)



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora