E marte, 30.04.2024, 08:21 PM (GMT+1)

Kulturë

Vladimir Muça: Lirika të brujtura me novitete

E diele, 02.02.2014, 05:19 PM


Lirika të brujtura me novitete të  një  gjenerate    re

(Ese mbi disa refleksione të librit “Prekja e dritës” të Riza Brahollit, botim Milosao 2013)

Nga Vladimir Muça

Eshtë një ogur i mirë në botën e letrave shqip, që në festimet e vitit të Ri, nga miq krijues, të marrësh  si dhuratë nga “babagjyshi” një libër me lirika të  brujtura me risi drejt një lirike moderne , siç e kërkon noviteti intelektual i kohëve të reja, në interferimet globalizuese.

U ngazëllova ., sepse mbasi isha ngopur shpirtërisht ( por edhe estetikisht ) me blenet poetike të dr. Moikom Zeqos “Centauri i fundit “ ,” Orëndreqësi diellor” dhe “ Herezi e madhe” , nga një tjetër krijues më bie në dorë një libër lirik i mbartur me novitete të reja të një moderniteti , i një gjenerate krijuesish që po afirmohet më e gjallë, më shprehëse e më emocionale.

Në këto lirika, të një karakteri të ri , muzikaliteti rrjedh nga pentagramët e strofave me një aliteracion permanent, brujtur, me frymën e shpirtit lirik të krijuesit, pa stonaturat poetike ( prozaizma të rimuara) e cila depërton në thellësi të mendimeve e ndjesishë të kristalta.

Një lirikë shumë dimensionale , që ftillesat i ka tek ne, në shekullin e njëzetë e që nga dita në ditë po hap shumë dritare në komunikimin artistik, ndjenjësor, mendimor, në një komunitet krijuesish e lexuesish sa më të gjërë. Ky vargëzim, po plazmohet e po godet vrullshëm, po asimilohet lehtas, si nga thjeshtësia strukturale, por dhe në kontekstin estetik e të thellësisë mendimore, duke sjellë një dukuri masovike.

Nga përfshirja në  të e një morije ekstraktesh burimore, nga më  të larmishmet ; kjo lirikë po miklon mëndjet e studjuesve, estetëve, të linguistëve , sepse në çdo trill, varg, apo fjalë, ajo mbarset dëngshëm me nocione të reja, të cilat në vetvete përfaqësojnë një shumi konvencionesh.

“Prekja e dritës “ , një libër i vogël në dukje si materie librore por që ka në vetvete novitete të një lirizmi modern, që ka shpërfillur sukseshëm zhgunin e soc-realizmit e po lulëzon bukur në një klimë të re ekzistencialiste e simboliste.

Titulli i ballinës “ Prekja e dritës” , më vjen si një metaforë e një penelate flamastre , e cila reflekton rregëtimën e ekzistencës, mundësitë e kontakteve, të depërtimit në makro e mikrokozmos.

Në hapjen e siparit  metaforik , ndjehet dukshëm një përshtatje e formës me përmbajtjen e re që e diktojnë zhvillimet e teknologjisë e të ceberies, por që suportohet dhe nga një njohje më e thellë estetike e poetëve modernë botërorë të kohës.

Riza Braholli, me këto novitete estetike, synon profilin e tij më     detajor, krijon identiktin e kësaj poezie autentike, e cila në vetvete manifeston: risi, origjinalitet shprehjeje, dendësi e gjallëri imazhiniste, thellësi mendimore, aftësi për të ecur krah për krah me zhvillimet e reja, për të qenë në start e finish njëherësh duke qenë sa në  një piknisje e në një pikëmbërritje.

Metaforat funksionale, simbolizmi, i japin vulën poezive duke i’u përgjigjur me besueshmëri qasjeve mendimore të autorit, të imazheve, duke rendur nga një irracionalitet i ëndërruar në një racionalitet përjetues me gjallesat e përditshme frymore e jo frymorë, duke shmangur shterpësinë në arsyetimin poetik.

Që në poezinë “ Tingull nate” ndjejmë këndshëm një modernitet të natyralizuar, që vjen nëpër hullitë  e disa nocioneve neo – futuriste, të cilat rrugëtojnë mirë e bukur në bio- poetekën e një mjedisi shqiptar, në baltën , frymën, diellin shqiptar, pa nevojën e imputeve të hermetizmit klasik, siç transplantohet rëndom, me shumi në poezinë e sotme.

Me një inteligjencë poetike, autori e ka shmangur me sukses këtë dukuri negative në inspirimin e modernitetit në poezi. Ndaj dhe në poezitë  “ Farëhedhësi “ , “ Ky prill i çuditshëm”, “Fermon” , autori ( liriku ) vjen : “ Natë vere, magji e pafund/ loznim hëna, unë dhe ti/ ti mbi tërfil me flokët përfund/ e unë e hëna me buzët mbi gjinj.”

Një lirizëm tredimensional ndërtuar mbi kapriata të një moderniteti antraktiv në një habitat alla shqiptar. Poezitë “ Në atë  pyllin që e di vetëm unë “ , “ Qershitë” apo “ Prekja e dritës” ,  “Në atë  pyllin që e di vetëm unë, drurët/ baresin mbi prush këmëbëzbathur/ me mua që po digjem i gjelbër” , sepse poeti :  “ vonë ,/ përqafuar me heshtjen/ përgjonin këpucët e vogla të shiut/ baritjen e tyre mbi bar”, se poeti bëhet njësh, e lidh gjithçka në këto fenomene si tek “Sonte “ : unë jam dheu i braktisur/ i beharit që lakmon shira.”

Këto poezi, e shumë të këtij lloi, më befasuan e më sollën në mendje një thënie nga mençuria e krijuesve të mëdhej se “ …bukuria e krijimtarisë poetike është një shenjë e begatisë së shpirtit që e krijon, por dhe e lexuesit që e asimilon.” Kjo ndodh nga që poezinë lirike e bën të tillë gradienti i ndjenjës dhe i meditimit.

Që në leximin e parë telegrafik, vë re se poezitë e Riza Brahollit në tërësinë e tyre, kanë në substanceë ndjenjën, meditimin, kohën dhe hapësirën e saj reale, larg kozmofonisë e qorollepjeve. Me bindje të plotë evidentoj se lirikat dhe poezia në përgjithësi e Rizait nuk vjen si reminishencë, as si plagjiaturë trillesh poetike të shumëkonsumuara nga para-ardhës vendas apo të huaj. Ata vinë të përveçëm, origjinal ; vinë si meditime në novitete të reja, me një gjuhë artistike me figura stilistike vetiake. Kjo veçori konsiston tek:

1.Sintonia e bashkëtingëlloreve me tingëllima  fundore të përafërt , ku mbështetet shumia e aliteracioneve , ku si rrjedhojë muzikaliteti i vargut , sado i thyer dhe i lirë nga metrika klasike, vjen me një këngëzim harmonik e poetik.

2.Poezia “Syrit si t’i besoj” është një shembull se si mund të brumëzohen nocionet e xhevahiret e poetikës popullore, si mund të merret ekstrtakti i saj metrik e në të të brumohet një lirizëm i ri, modern, me asosacione të reja stilistike ; ku elementët natyrorë janë distributor të ndjenjave njerëzore gjer në tejskajshmëri, në një bashkëjetesë  integruese.

3. Valencat e larta të funksionalitetit të metaforës, është karakteristikë thelbësore e qëmtimit stilistik, ku metaforat marrin ngarkesa simboliste në kontekstin e një ekzistencializmi permanent në çdo qelizë të jetës.

4. Ngulmimi pas detajeve, të thjeshtës, të imtës, e ngritja e tyre në art, është thelbi I sharmit poetik të Brahollit, një estetikë Zen – Budiste, ku e madhërishmja  vjen nga detaji, qeliza ftilluese. Poezia për vdekjen e nënës “Sa dua t’i besoj” është alkimia poetike , ku dashuria për prindërit kthehet në një materie të pavdekëshme të tjetërsuar ( asgjë s’humbet por çdo gjë transformohet)  po aq reale sa irealiteti i subkoshiencës të poetit ( djalit).

5.Pasurimi i enciklopedisë gjuhësore me fonema të përpunuara, të cilat vinë si xhevahire nga fondi gjuhësor krahinor, si dhe neologjizmat , fjalëformimet si : “ mekrahëzoj, buzëkush, përqaf, përvakem, belkëputur lenuren, dëshpërimisht, karfoset, hukama, pupiten, ojaret e brymës, hejte, qimtojnë, batisqeshja, përvalen, thurimë, fermon, rrembeshur, luzmën, shermend  logorinjë, erërat, ngridhjen, vengohet, zvjerdhur, gernjë, shtijat, kuisës, përvaj, e nermë, si qokth,bërlyk, buburima, gorenë, përkorjet, amen ( e avullit), pulqertë, vuv, madhuar , shkimur, vrulloi. Këto fjalë formime , neologjizma , krahinizma , janë futur  aq bukur, mes vargjeve e strofave sa që jo vetëm  kanë rritur ndjeshëm larushinë e formave poetike, por kanë stiluar një proces të dukshëm të personalitetit poetik. Kjo zgjedhje e punim i fjalës dhe vargut gjer në këto rifinitura evidentohet dukshëm si një nocion estetik.

Si një bletar i fjalorit, duke përzgjedhur e përpunuar fonemat e fjalëve , unë do t’i quaja këto poezi të bashkohësisë në kuadrin e një integrimi me botën. Me to autori shpreh gjer në detaje dilemat e jetës, thirrmon për ekzistencë dhe në infinitet e një absurdi, të një revolte shpirtërore, duke shpërvjelur motive nga më të ndryshmet në kontekste të reja kohore dhe moderne si tek poezitë : “ Qershitë “ : “ Mos m’i kthe në pemë/ këto virgjëresha këmbëzbuluara/ me krahë, llërë të bardha/e gjijtë derdhur mbi mua.” Apo tek “ Këngë të fshehta” ku: “Çukoni heshtjen dhe hiri i zërit /shoqëron  patkojtë e ngordhur të kalit/ tingëllima e këmborës/ me besimin e karrocjerit/”…plee…hhrat”

Me to autori , duke shprehur gjer në detaje dilemat e jetës thirmon për ekzistencë duke na dhënë motive nga më të ndryshmet në një kontekst të ri.

Si në futjen e ekstrakteve të trashëgimnisë popullore, apo ndërtimit në strukturë , autori e trajton ndryshe , jo si në trajtat shabllone të së shkuarës. Heroi lirik në këndvështrimin modern vjen si surrealist aq dhe simbolist e ekzistencialist, por dhe aq realist në natyralitetin ku ai frymon.

Të mbeten në mendje poezi të tilla si “Kau” , “ Qershitë”, “ Ky prill është i çuditshëm” , “ Arie për aguliçen” , ku autori vjen larg ofshamave , përbetimeve melankolike, qorollepsjeve sentimentale, me buzë e shalë e gjokse majuce kryengritëse, me lulka figurash tmerrësisht të konsumuara. Gjithçka vjen me një suport të një ndjenje të thellë, shprehur nëpërmjet një shqise të shtatë, në atë të shpirtit e shumë arsyetuar në një shtresëzim mendimor.

Një strukturë e tillë e ka mirëpërcaktuar novitetin e një platforme të tillë poetike, duke lënë shtigje analitike për domethënien e vargut dhe të çdo fjale. Vargu dhe fjala gjeneron lirshëm shpirtin lirik.

Një trajtim i tillë, i një lirizmi shumëdimensional nga poeti Riza Braholli , më përforcon mendimin e kahershëm , se një poezi e tillë nuk është një konvencion i tingujve të Orfeut.Në tërësinë e saj siç e ka materializuar në vargje autori ynë i thjeshtë e puntor, ajo është në gjendje inteligjente , amorfe apo polifere , një përmbajtje , një ndjesi shumëplanëshe në rifinitura nga më të ndryshmet, ku fjala me konotacione të shumëllojshme gjen veten në aspekte të veçanta.

Një punë të tillë këmbëngulëse, për një lirizëm të veçantë, modern, mbarsur me novitete që bashkëudhëtojnë e sintetizon dhe eseja në mbyllje të librit. Kjo ese  vjen si një brilantinë nga ujvarat shpirtërore të vetë poetit, si një kamelie e një epilogu të asosacioneve poetike, i ndjesive e rrugëtimeve sa të mundishme aq dhe ekzaltuese që duhet të ndjekë poeti në rrugëtimin e autostradës të poetekës shqiptare.

Miku im Riza!

U mundova të gjeja dhe ndonjë mangësi në përqasjen e kësaj fryme lirike. Ndoshta, ndoshta, ndjesitë emocionale – poetike që m’u transplatuan në shpirt nuk më lanë që në këto qasje neo – futuriste bio- shqiptare të mos evidentoj dukshëm ato ashkëlza që na mbeten në një proces krijues.

Transplantet e kudo bërë me një bisturi  të mirëprehur, bënë që trillet e bukura të fruktojnë mbi këto ashkëlza me ato rifiniturat durimin, kigon poetike, me atë inteligjencën poetike, tashmë të një poeti që mund të radhitet në një target-grup me strukturë të dukshme të noviteteve krijuese.

Durrës, Janar 2014

E-mail : vladimir_muça@yahoo.com



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora