E marte, 30.04.2024, 09:58 AM (GMT+1)

Kulturë

Kostaq Duka: Gjithnjë nxituar

E shtune, 01.02.2014, 05:46 PM


Gjithnjë nxituar

Kushtuar kompozitorit Apostol Simoni në 30 vjetorin e ndarjes nga jeta

Nga Kostaq Duka

Porsa kaluan 30 vjet nga ikja e papritur, kur ishte vetem 33 vjeç e kompozitorit Apostol Simoni, në kulmin e energjive krijuese qe zjenin në shpirtin e tij të trazuar prej artisti. Ndonse ishte vetëm dy vite më i madh  nga unë, pra gati moshatarë s’di pse më ishte krijuar ato kohë përshtypja se   ai ishte me nje diferencë më të dukëshme. Përse vallë e kisha këtë  iluzion të gabuar?!  Ndoshta se ai ishte më i gjatë e më i formuar në trup nga unë që vija i imët ( jo më kot kishte fituar medalje në sportin e gjimnastikës, karierë e filluar në moshën e adoleshencës) mbase edhe nga mënyra se si ecte disi me hap autoritar,sikur e priste një mision i madh për të kryer, mbase edhe nga këmbëngulja që s’e fshihte dot për të bërë medoemos diçka më serioze, më të dukëshme e më të bujshme në krijimtari a ndoshta nga një shqetësim që vijëzohej dukshëm në fytyrën e sytë e tij që ishin  në lëvizje e të pa qetë nën syzet që i mbante gjithmonë me kujdes te veçantë?!  Gjithnjë në lëvizje, gjithnjë nxituar. Nga shtëpia në anë të rrugicës pranë bulevardit  në qëndër të Korçës, në shtëpia e kulturës “ Vangjush Mio”, në teatri “ A.Z. Çajupi” ku punonte si dirigjent i estradës profesioniste. Me orë e pa orë, në kohë pune e jashtë saj. Sa nga pianoja e teatrit aq në atë të shtëpisë së kulturës ku në fletën e pentagramit hidhte muzikën e këngëve lirike që së pari ishin formësuar në telat e kitarës aty në shtëpinë e vogël të tij.

Hap pas hapi ai rritej si kompozitor duke e pasuruar buqetën e këngëve sa me krijimtari për fëmijë aq edhe për të rritur duke merituar gjithnjë çmime në festival.Por  tej çmimit dhënë nga juria,  më shumë se kaq ai po  meritonte admirim e simpati nga artdashësit korçarë, të rinjtë e të rejat në veçanti aq të drithëruar për këngën lirike. Talenti e dhuntitë e tij më shumë se të kultivuara në shkollë ishin të lindura, pjesë vitale e shpirtit të tij prej artisti dhe njëriu të mirë e këmbëngulës. Nuk mund t’i thoshe jo bashkëpunimit me Apostolin  në krijimin e këngëve. Dëshira e pasioni i tij krijues jo vetëm që të ngjallnin admirim por edhe të frymëzonin për të gjetur më të mirën në fjalën që do t’i bashkohej muzikës së tij. Më vjen mirë që në ato vite të moshës së rinisë krahas poetëve të tjerë bashkëpunova  e dhashë një ndihmesë modeste në krijimin e disa këngëve për fëmijë e të rritur duke u nderuar dhe me çmime.

Kështu mori jetë kënga lirike “ Në ditën e dasmës sime” fituese e çmimit të dytë në festivalin e këngës në Korçë e cila mund të them paralajmëroi një ardhmëri frytdhënëse të kompozitorit që me lirizmin spontan e të veçantë po bëhëj gjithnjë e më i admiruar dhe më pas kënga “ Përherë të dua” e cila për freskinë  e saj që s’është zbehuar në vite meritoi të rradhitej mes 100 këngëve më të mira të krijuara në shekullin që kaloi. I kam të gjalla edhe sot pas tre dekadash e më shumë ato ditë kur me Apostolin i dhamë flatra kësaj kënge lirike , ngjyrat e delikatesa e të cilës edhe sot në këtë kohë modernizimesh të tërheqin vëmëndjen.

Ja kujtoj si Apostoli  ashtu i përpirë nga ethet e krijimit më takoi në mjediset e redaksisë së gazetës lokale ku punoja si redaktor e më thotë se në një kohë shumë të shpejtë duhej të bëja tekstin për këtë këngë lirike posaçerisht për këngëtaren e mirënjohur në mbarë vendin, Lindita Theodhori, e cila kishte disa vite që punonte me trupën e estradës së qytetit të Korçës. Admirimi për këtë këngëtare aq të dashur për mbarë publikun shkrihej e bëhëj një  me ambicjen artistike të kompozitorit  por edhe me përgjegjësinë për të realizuar një këngë sa më të bukur.

Ia tregove muzikën Linditës? Po, më tha, teksa sytë i morën një shkëlqim vezullues. E pëlqeu shumë. Nuk u mendova gjatë. Shkojmë, i thashë, në pianoja e shtëpisë së kulturës le ta dëgjojmë muzikën. Në ecje e sipër Apostoli  me zë interpretonte muzikën . E kupton? Eshtë thjesht një pohim dashurie, i sinqertë,  i ngrohtë që e ruan zjarrin ndër vite. Kaq.Asgjë më shumë. Isha mësuar me Apostolin, me shpërthimet pasionante të tij dhe e kuptoja drejt. Ai u ul në piano e nisi të luajë muzikën….Vërtet. Muzika ishte e tillë, e thjeshte, e lehtë, delikate. Të tilla duhet të ishin edhe fjalët, pa zhurmë , pa kërcitje.  Në fletën e bardhë  hodha vargjet e para: Nje ditë shoku im,

më tha me zemër plot: "Të dua, përherë të dua!" Apostoli herë, herë ngrinte kokën e më hidhte një shikim. E shihte që lapsi shkiste e fleta po mbushej me vargjet. Erdhi një çast e i thashë ; Apostol ,mendoj se kam bërë diçka, ja si e kerkoje  thjesht nje pohim dashurie. Ai i lexoi vargjet. Ne çast shfaqi miratimin. E lamë të takoheshim përsëri pasi të rishikoja e përpunoja më tej tekstin.

Dhe kështu u formësua kjo këngë lirike së cilës i dha jetë  këngëtarja Lindita Theodhori. E kujtoj atë natë kur u dha prova gjenerale e estradës së qytetit në skenën e teatrit “ A. Z. Çajupi” . Apostoli ishte në ankth a do të pritej mirë kënga. Po sikur të nxirrej ndonjë pengesë?!. Shqetësimi ishte natyrë e tij, shpesh edhe pa shkak serioz por në këtë rast nuk ishte kështu. Dikush nga ata që hapnin portat jeshile te krijimtarisë kishte pohuar se kënga ishte thjesht për dashurinë e cila nuk merrej vesh ku kish lindur, se në të s’përmendej së paku fjala atdhe etj. Për fat ky zë s’mori përmasa urdhëri për ndalim të këngës. Ajo u këndua e meritoi duartrokitjet e shikuesve në Takimin Kombëtar të Estradave e më pas në skena të tjera në mbarë vendin edhe ne interpretime të tjera duke ardhur po aq e fresket dhe e  ngrohtë edhe në ditët tona…..

Tani kur kanë kaluar 30 vite nga ndarja me këtë artist, mik e njeri me zemër të artë mendoj me dhimbje: Pse na iku ky talent i lindur i lirikes shqiptare vetem 33 vjeç  në kulm të krijimtarisë?!  Po ç’them ?! Ai s’ka ikur, eshtë aty në rrugët e bulevardet e Korçës, ashtu nxituar , me një hap të shpejtë, në kërkim të së bukurës, lirikës që s’vdes kurrë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora