E marte, 30.04.2024, 02:23 PM (GMT+1)

Kulturë

Hyqmet Hasko: Uni, mesazhi kombëtar dhe universal

E shtune, 01.02.2014, 04:57 PM


Uni, mesazhi kombëtar dhe universal i një akti poetik

Rreth përmbledhjeve me poezi të poetit nga Kosova Nebih Bunjaku

Nga Hyqmet HASKO

Nëse kërkojmë të gjejmë shumësinë e elementëve që përbëjnë profilin poetik të një autori, do të shohim se kemi të bëjmë me elementë të formës, të përmbajtjes, të risive që ai sjell në raport me sivëllezërit e tij, por ajo që është kryesore mbetet procedimi estetik, mënyra se si ai e vështron botën, realitetin, përditshmërinë, kujtesat që e rrethojnë, historinë dhe aktualitetin, në raport me të tjerët, me ata që kanë lënë gjurmë para tij ose krijojnë në të njëjtën kohë e në të njëjtin vektor hapësinor dhe emocional estetik. Kjo qasje bëhet e lexueshme dhe komunikuese kur tenton të hyshë në të fshehtat e një autori, në rastin tonë të Nebih Bunjakut, në aktin poetik të së cilit ka mbresa, kujtesa dhe perceptime të gjithëfarshme, emëruesi i përbashkët i të cilave është shkrirja në një e unit intim me hapësirat e mesazhit universal, gjithëkombëtar dhe mbarënjerëzor.

Motiv kryesor, që popullon poezitë e këtij autori është rezistenca ndaj asimilimit kolektiv, në raportin gjithëkombëtar, ndërsa në raportin individual, në atë të unit poetik, është bashkëngjitja e këtij uni në pjesën më të ngritur të vetëdijes nacionaliste atdhetare, shkrirja e këtij uni me fatet historike dhe aktuale të botës mbarëshqiptare. Kjo është një lëndë sa reale aq dhe fiksative që vjen nga të gjitha kohët e botës shqiptare, e lidhur ngushtë me tokën dhe historinë, me mitin dhe të drejtën zakonore, me dimrat dhe pranverat e tokës sonë krenare, me djersën dhe gjakun, përmes një komunikimi të sinqertë, ku sundon dashuria e mirëkuptimi, çfarë mban të gjallë amanetin dhe koherencën e ëndrrës së breznive historike të shqiptarisë.

Në përmbledhjet poetike të Nebih Bunjakut lëvizin heronjtë e Kosovës dhe të trojeve shqiptare, të gjallët dhe të vdekurit (Shaban Polluzha, Adem Demaçi,  Riza Beqir Reçeku, Rifat Kukaj etj), vetmia e mesnetëve kosovare, “njëqind vjet pritje, lagur në dëborë e shi”, vallja makabre e krimit dhe genocidit selektiv, ushtruar nga padronët e së keqes, dashuria si terapi dhe “mesha për ujkun”, “loti i lules”, vikama që zgjojnë nga gjumi alibitë e kohëve të pa koha dhe që mbeten si regëtima të shuara diku në një pllajë, livadh a mal, nën vetminë përzhitëse të asgjësë etj.

Në çdo poezi, strofë e varg të këtij poeti dëshmohet fakti kokëfortë se ekzistenca e kombit dhe etnopsikika e tij është e lidhur ngushtë me gjuhën, folkun, këngën, traditën, mitin, legjendën dhe historinë, me luftën për të triumfuar mbi dhimbjet dhe plagët, mbi heshtjen vrastare dhe harrimin. Kjo është një qëndresë shumëplanëshe, të cilën autori e lançon në shumicën e poezive të tij, duke e ngritur kurbën e shqetësimit atdhetar nga njëra pëmbledhje poetike në tjetrën, tok se pasurimin e elemntëve strukturorë dhe konceptualë të aktit poetik.

Poeti e aktualizon mesazhin e tij nëpërmjet ngjarjeve historike që mbajnë peshën e lavidisë së kombit tonë, me anë të përkushtimit qytetar të heronjve, idealistëve dhe progresistëve, atyre që kanë vënë piketa dhe gurë kilometrikë në rrugën e historisë sonë komëbatre. Në vargjet e tij ka dhimbje, ankth, trishtim, rebelim, shpresë, dashuri, qëndresë, heroizëm, sfidë, por mbi të gjitha ka krenari për atë se çfarë jemi në thelb ne shqiptarët, pavarësisht nga defektet tona, dhe se çfarë mund të bëjmë ne në hapësirat e një kombi të bashkuar, nën devizën e dashurisë dhe fisnikërisë së një race të pastër kombëtare.

Poeti Nebih Bunjalu ka botuar librat me poezi “Daljen nga balada” 1994, “Gramatikë zemre” 2004, “Terapia e dashurisë” 2005, “Zemra nuk ka dimër” 2009, “Testamenti i lotit” 2012 dhe “Kopshti i shpirtit” 2013, ku nga vëllimi në vëllim ka një ngritje dhe hop cilësor, pasurim të spektrit tematik dhe të gjendjeve ndjesore e refletive poetike.

Nëse tek “Dalje nga balada” autori përcjell kujtesa që lidhen më së shumti me sendërtimin historik të parahistorisë dhe mitologjisë, gjithmonë këto në funksion të unit shëtitës në hapësirat e etnisë shqiptare, tek “Gramatikë zemre” kemi impresione intime, grimca dhe gjendje dehëse të poetit të dashuruar jo vetëm me imazhin e femrës, por dhe atë të lirisë; tek “Terapia e dashurisë” shfaqet si një “meterolog i dhimbjes”, iu këndon “stinëve të jetës”, teksa endet midis “brengave të botës” vetmitar dhe i kryqëzuar nga heshtja dhe mosvëmendja; tek  “Tetsamenti i lotit”, nga vetë titulli, poeti apelon për të mos harruar dhimbjet dhe plagët, heronjtë dhe martirët, sepse asgjë e mirë dhe e qëndrueshme, sipas tij, nuk ngrihet mbi harrimin, por gjithçka me vlerë ngrihet mbi kujtesën dhe dëshminë, që kalon si mesazh nga koha në kohë, nga brezi në brez.

Rrethi i koncepsionit poetik rritet e zgjerohet vrullshëm në tre përmbledhjet e mëvonshme me poezi, ku spetri i ngjyrave pasurohet dhe fluksi i ndjesive kalon nga rrafshi horizontal-vertikal në atë vertikal dhe ku shumësia e mesazheve,   polisemia e tyre bëhet pjesë e aventurës s ë bukur poetike të Bunjakut.

“Të gjitha ëndrrat e grisura

stinëve me llavë ujqish

gjithë natën i arnoj

veç me arna dhjimbjesh”…

(Vëllimi poetik “Testamenti i lotit”, poezia “Arnim ëndrrash” faqe 86)

Në librat e këtij poeti, në poezi, strofa e vargje, duket sikur endet një frymë pezull, diçka midis magjisë së udhëtimit dhe kërkimit në të fshehtat e kohës dhe bashkëkohësit, çfarë e bën poezinë e tij që të lexohet dhe të kuptohet në disa rrafshe dhe në një polisemi gjendjesh e mesazhezh.

Duke lexuar vëllimet me poezi të Nebih Bunjakut të sendërtohet ideja se ky autor, më shumë se gjithçka sjell në letrat poetike kombëtare një vizion  konkret, përgjegjshmëri dhe realizëm në të thënat, të nënkuptuarat dhe të nënvizuarat si ide dhe mesazhe që bashkëshoqërojnë aktin e tij poetik.

Poezia e Bunjakut është në gjurmët më të mira të traditës poetike shqiptare, në atë traditë ku lënë shenja në kohë dhe hapësirë poetë të shquar të botës shqiptare, në Shqipërinë amë, në Kosovë, ndër shqiptarët e Maqedonisë, në Mal të Zi, ndër arbëreshët e Italisë e të Greqisë,në diasporë e kudo gjetkë, ku gëlon me sharmin, elegancën, fuqinë kumtuese dhe kreativitetin mrekullor fjala e bukur e gjuhës sonë shqipe.

Epizmi dhe lirizmi bashkëjetojnë në poezië e Bunjakut tablotë lirike mpleksen me fatet e personazheve epikë, pjesë e asaj kujtese ku përfshihet emocionalisht poeti, në luftën e shenjtë për liri e dinjitet shoqëror të popullit martir të Kosovës. Atdheu, me brengat, vetminë, iluzionet, qëndresën, heroizmin e heshtur të njerëzve të thjeshtë, kurthet e puthadorëve, intrigat e politikanëve, martirizimin e heronjve, pra atdheu në kuptimin më të gjërë dhe më të thellë të kësaj fjale është kryefjala e poezive të këtij poeti.

Tek Nebih Bunjaku akti poetik është një aventurë shkrimore përtej të zakonshmes, një endje e bukur në trajektoren e trillit dhe ëndrrës së poetit, në kohën e zgjimit të ndjesive dhe impresioneve, që i vijnë nga brenda, si një ftesë e papërballueshme për të reflektuar poetikisht. Poeti duket se nuk ka pikë sforcimi e shtirje kur merr penën për të shkruar; ai thjeshtë ndjen ritmin e zemrës së tij, pjesëton e shumëzon çastin në kohën e përditshmërisë, duke na dhënë me një muzikalitet aq të ëmëbël e aq të dëlirë vizatime dhe gjendje sa reale e konkrete aq dehëse e trallisëse…

I vendosur përtej shtratit të tradicionalizmit poetik, në rrafshin e një koncepsioni modernist, poeti ndjen zërat e ngrohtë lirikë që vijnë nga etnopsikika poetike kolektive, teksa me origjinalitetin e zërit të tij, me tonet aq të ndjeshme e kumbuese deri në dehje, me lirizimin, epizmin dhe spontanitetin e tij, e pasuron traditën shkrimore të poezisë me imazhe dhe struktura të reja poetike.

Ajo që në të vërtetë përbën individualitetin e poetit është freskia e motiveve, marrja e “lëndës së parë” poetike  nga jeta e gjallë njerëzore, nga raportet e unit të tij me kohën dhe bashkëkohësin dhe jo nga skemat libreske, ndikimet dhe spostimet akrobatike, siç bëjnë një duzinë poetësh, që nuk shkruajnë veteveten, nuk janë vetvetja, por ndihen të kompleksuar nën hijen e të tjerëve.

Poezia e Nebih Bunjakut nuk vjen nga shtampat deklerative, nga agjustimet dhe ilustrimet rozë të realitetit, por nga një njohje e thellë e objektit poetik, nga fuqia e ndjenjës dhe intensiteti i emocionit, që vë në lëvizje turbinën e mendimit për të prodhuar energjinë poetike, që na vjen me anë të vargjeve të ndjerë e të ngrohtë, plot ritme e temporitme të brendshme.

Poeti e tejshtrin botëvështrimin e tij në hullinj të njohur përjetimesh, por mënyra se si ai vështron në këta hullinj është befasuese; duke sjellë ritme dhe melodi të hazdisura e trillere, që të rrëmbejnë e të bëjnë për vete. Vargu i thjeshtë por elegant i Bunjakut nuk kërcet, nuk kërkon të duket, por është i vetëmjaftueshëm për atë çfarë kumton dhe si e kumton, me një natyrshmëri dhe sponanitet për t’u admiruar.

Tipopogjia poetike ku vendoset dhe përvijon shfaqjen e fytyrës së tij Nebih Bunjaku është ajo e trevës së Kosovës, ku iu kanë ardhur letrave tona poetët më në zë si Esat Mekuli, Azem Shkreli, Din Mehmeti, Ali Podrimja, Rrahman Dedja, për të vijuar tek më të rinjtë, për të cilët nuk ka vend për lista e rreshtime, pasi janë aq të shumtë dhe përditësohen gjithmonë nga prurjet në emra e tituj.

Librat me poezi të këtij poeti tregojnë për mundësitë e mëdha shprehëse të autorit, për mundësitë e vetë poezisë së re shqipe, e cila tashmë e çliruar nga deklerativizmi, dogmatizmi dhe shtampat, në një tentativë serioze për të rrokur kohën e humbur, po sjell në rrugën e saj poetë të vërtetë, të rinj e të vjetër, të prirjeve e tendencave të ndryshme…



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora