E shtune, 03.05.2025, 06:09 PM (GMT+1)

Kulturë

Vjollca Tiku Pasku: Trëndafil vjeshte

E premte, 31.01.2014, 08:38 PM


TRËNDAFIL VJESHTE

Tregim nga Vjollca Tiku Pasku

Flokët e gjelbëruar të pemëve po zverdheshin, ndonëse vjeshta ende nuk kishte hyrë. Fundjava e fundit e gushtit. Era përdridhej e harkuar, sikur do luante baletin e princeshës vjeshtë. Në celular më erdhi një mesazh: ”Përshëndetje Lina,mund të takohemi pas një ore tek kafeneja me trëndafila”. - Ishte profesoresha ime e gjimnazit që më kishte dhënë lëndën e letërsisë.

Takoheshim herë pas here dhe diskutonim tema të ndryshme, përfshirë edhe libra të rinj që kishim lexuar, duke harruar edhe orën ndonjëherë. Por ky mesazh seç kishte diçka, që më la një shije të hidhur. Ajo ishte profesoresha që shpjegonte dhe diskutonte me shumë pasion lëndën e saj. Tani kishte dalë në pension. Shtatori ishte fillimi i shkollës dhe ndoshta ajo kishte ndonjë pengesë që lidhej me jetën si pensioniste.

Bëra disa përgatitje të shpejta për drekën dhe u nisa tek kafeneja. Sapo e takova, vura re ndryshimin në fytyrën e saj. Sytë i kishte të përhumbur, pa energjinë dhe qetësinë që e karakterizonin. Pasi  i shtrëngova dorën e pyeta menjëherë:

- Si je e dashur Afërdita ?

- Eh, si më sheh...po ti si je?...

- Mirë, -i thashë duke e kundruar drejt në sy. -  Më thuaj çfarë të ka ndodhur, se po më shqetëson?...

-Ndaj të thirra, të kam bijë, motër, shoqe...

Nuk doja ta ndërprisja për asnjë moment dhe e lashë të vazhdonte.

-Ti e di, këtë vit dola në pension. Më mungon puna, nxënësit, kolegët e mi, por nga ana tjetër kam kohë, dhe ia kushtoj shtëpisë dhe leximit. Ndiej një zbrazëti të madhe dhe këtë e mbush duke pastruar me imtësi çdo gjë, aq sa u bëra maniake e pastërtisë... Po pastroja një ditë bibliotekën e librave. Aty kam shumë kujtime të shkruara. Hapa njërin prej tyre. Në një faqe të zverdhur nga koha, ishte një trëndafil vjeshte. Kishte plot dyzetëetre vjet brenda në atë bllok kujtimesh. Fletët e tij të thara, ruanin bukurinë kur lulëzonte. Nën fletët e trëndafilit, kisha ngjitur një foto të vogël. Isha shtatëmbëdhjetë vjeçare, kur ndjeva rrahjet e zemrës për herë të parë. Ai studionte mjekësi në vitin e tretë. Unë isha në vitin e tretë të gjimnazit. Të gjitha ëndrrat e mia u veshën me portretin e tij. Sa herë e shikoja zemra më dridhej si e trumcakut. Kur më propozoi për herë të parë më tha: “Ndjenja ime valëzon si temjani në qiell. Je e vetmja ëmbëlsi që shpirti më shtyn të rri pranë teje. Tingulli i zërit tënd më duket si tingull engjëjsh, sikur jam në parajsë. Aroma jote më ka burgosur e ndihem, mbyllur brenda fletëve të këtij trëndafili. Ti je drita pa skaje në fletët e burgut tim. A do të jesh përgjithmonë e imja?” A kishte lumturi më të madhe se sa kur fotoja e ëndrrës të bëhet zëri i realitetit. Qielli i kaltër fluturonte vetëm për sytë e mi. Hera e parë, që isha si e dehur nga tingujt e ëmbël të zemrës. e mora trëndafilin për ta ruajtur si hajmalinë e dashurisë time dhe i thashë:

-Ndërsa ti je pranvera e lulëzimit tim. A mund të më mbash pranë përjetë?...

Qeshëm të dy dhe pas pak kohësh vendosëm të fejoheshim. Kisha dëgjuar për vajzat që dashuroheshin, të vuanin, të ndjenin dhimbje, ndërsa mua m’u realizuan kaq lehtë gjërat, si me shkopin magjik të Zanës. Lumi i ditëve më dukej me krahë, që ngjitej në qiell e formonte ylberin. U fejuam me pëlqimin e prindërve. Për prindërit e mi, isha vajzë e vetme dhe ata bënin gjithçka të isha e lumtur. Mamaja e Ervinit, ishte një grua autoritare dhe e ftohtë. Asaj nuk i pëlqeu shumë kjo fejesë, por nga ana tjetër nuk donte t’ia prishte qefin djalit të saj. Ndërsa babai i tij, ishte një burrë shtruar dhe i mirë, por ndihej që ligjin e bënte gruaja...

Kaluam dy vjet me diellin zbritur në tokë. Pas mbarimit të universitetit, atij i doli bursa për studime pasuniversitare në një shtet të huaj. Të gjithë u gëzuan, vetëm unë u mërzita. Trembesha nga largësia. Dashuria jonë do ishte një provë për të dy. Më shumë më trembi edhe një arixhofkë me fallin e saj. Po qeshnim të dy me zë, kur ajo u afrua dhe na tha: “Dashuri, si i keni emrat?... Ervin dhe Afërdita, i thamë me të qeshur... Diçka pëshpëriti dhe u rrudhos…Foli fjalë pa kuptim me zë të zvargur: “Afër - ditës, erëra-vin…stuhi…litarë lotësh..”,  tundi kokën me keqardhje dhe iku…. Atëherë nuk kuptova asgjë . Unë vajta në vitin e parë në universitet për gjuhë- letërsi , ndërsa ai në Francë. Pas pak kohësh familja e tij nga Durrësi u vendos në Tiranë. Pikërisht tre muaj pas largimit të Ervinit, më merr në telefon mamaja e tij e më thotë: “ Ervini ka njohur një vajzë tjetër dhe është dashuruar me të. Më vjen keq që dashuria juaj ishte thjesht kalimtare. Ti je vajzë e mirë. Unë kurrë nuk ndërhy në ndjenjat e tij.Ti po vazhdon shkollën, ke të ardhmen tende. Harroje Ervinin.”... Goja m’u mbërthye me gozhdë çeliku. Dita dhe nata që më dhuruan orë ledhatuese, tani u bënë shterpë. Dielli i lumturisë lëvizi tinëzisht nga toka dhe u fsheh pas reve të harresës.’’Si është e mundur, me tre muaj Ervini të më harrojë’’. Për të ndërtuar një imazh duhen netë të tëra, kurse për ta vrarë, duhen vetëm tre minuta. Ku shkuan premtimet, ditët e ëmbla që jetuam bashkë... Shpirti im u plagos kaq shumë, sa për ta ringjallur duhej vetëm një mrekulli. Zemra ime u fundos thellë në koma. Ai kishte vajtur për specializim në kardiologji, por harroi që zemrën time e la të sëmurë. Nuk shikoja më asnjë ngacmim nga djemtë e rinj, që më dinin të fejuar, nuk dëgjoja asnjë kompliment. U mbylla në vetvete. Pas shkollës së lartë u emërova mësuese në ndihmë të fëmijëve me aftësi të kufizuara fizike, derisa të më hapej vendi si mësuese. Iu përkushtova punës me gjithë energjinë time. Kur shikoja sa vuanin, të veçuar apo të ndrojtur, pa besimin se mund të integroheshin në shoqërinë tonë, bëja ç’të ishte e mundur . Çdo përpjekje e imja ishte një sfidë dhe kur arrija qoftë edhe një sukses të vogël, për mua ishte një fitore. E them këtë sepse vetëm brenda punës time unë gjeta “zgjimin”. Kjo periudhë kohore prej katër vjetësh, më ndihmoi shumë t’i shikoja gjërat më qartë në jetë. Më pas kalova mësuese në gjimnaz.. Pas pak kohësh në familje erdhi dhe më kërkoi një djalë. Prindërit e mi thanë se ishte një djalë i mrekullueshëm. Në fillim nuk doja, kisha frikë, më dukeshin të gjithë djemtë të pabesë, dhe zemra ime më dukej prej balte, që mund ta shtrëngoje përfundimisht dhe të plaste.

Por Sokoli me fjalët e tij prej babaxhani më bëri për vete. Doja t’i tregoja gjithë historinë time, deri në detajet më të holla, por ai më tha:  “Nuk dua të di asgjë. Lejomë të jap atë dashuri të pakufishme që e njeh jeta, të fshij ato zhgënjime që të solli ndjenja e parë, të lumturoj ato dyshime që kanë lindur brenda zemrës tënde. Dua që atje brenda shpirtit ku ka vetmi të mbushet me botën time, të jemi vetëm unë, ti dhe fëmijët që do vijnë pas...Ndjeje zemrën time, pyet zemrën tënde, dhe më thuaj...”  Dua të mendohem, të jem krejtësisht e sigurt -iu përgjigja. “ Okej, ke kohë, sa të duash, m’u përgjigj ai.

Dashuria e tij e shprehur thjesht, pa fjalë të mëdha, pa ëndrra të shpikura, pa bujë ishte më e mrekullueshme se sa ato me fraza të stërmenduara, që në fund dalin bosh. Ervinin e lashë në një cep të zemrës, pa e fshirë dot krejtësisht, por brenda saj, ekzistonte një pikëpyetje si grep... Pranova të martohem. Kush është ajo apo ai, që do të jetojë pa dashuri, pa familje, pa një qëllim vetjak në jetë. Sokolin e adhurova, sepse tek ai unë gjeja përherë qetësinë, mirëkuptimin, sigurinë, mbrojtjen, çdo gjë që duhet nga cilësitë e mashkullit për të krijuar një familje normale, për të realizuar ëndrrën e çdo vajze, për të krijuar mëmësinë.

Më lindën dy fëmijë vajza dhe djali, të dy i shkolluam dhe i martuam. Kam kaluar mirë... Ai kujdesej përherë për mua dhe fëmijët. Pra ishte një bashkëshort dhe baba ideal. Po atë ditë që kisha në dorë bllokun e kujtimeve, po atë ditë e pashë edhe në televizion  Ervinin... Thua rastësia si për dreq të ngacmojë dy herë rastësisht zemrën. Ai cep i vogël zemre që kishte një pikëpyetje të heshtur përgjatë viteve më pushtoi sërish të gjithën. Çdo sekondë më vetëtinte emri i tij, njësoj si atëherë... Nuk i përmbahesha dot mendimit, të shkoja t’a takoja... Por në çastin tjetër më vinte turp nga vetja, turp nga mendimet. Më dukej sikur burri im kuptonte luftën që zhvillohej brenda meje dhe nuk dija ku të fshihesha... Por nuk zgjaste shumë. Përsëri diçka fitonte brenda shpirtit dhe lufta niste sërish. “O Zot, unë çfarë kërkoj”... Sa herë diskutonim  novelat e Cvajgut me nxënësit, më dukej vetja një personazh i tij, një Henrietë apo një “Grua e panjohur”. Sikur bota të dinte mendimet e mia, do thoshte:”Grua plakë, pa mend në kokë, është bërë gjyshe dhe mendja i rri te dashuria. Me siguri është çmendur nga trutë”. Më zinte inati përbrenda. Si nuk kisha forcë t’i ndaloja mendimet. Unë, gjatë një jete të tërë kam mësuar të tjerët, kam dhënë mendime dhe këshilla, sot nuk mund të drejtoj dhe të përmbledh mendimet e mia. Netëve më vinin mendime të tmerrshme... Më dukej sikur po paguaja një taksë të rëndë që nuk e mbaja dot... por kujt?... shpirtit tim ?... Më filloi pagjumësia dhe kjo ishte më e keqja, sepse mendimet nuk më reshtnin. Atëherë mendova se shërimi im do ishte një bisedë me Ervinin, që shpirti im të qetësohej. E kisha fare të lehtë të gjeja celularin e tij pasi ishte mjek me një klinikë të dëgjuar.

Vajta tek motra ime në Tiranë, për nja dy-tre ditë. Im shoq nuk më pengoi. Mbylla një takim, në klinikë dhe shkova, natyrisht me mbiemrin e burrit. Kur shkova atje: “ Urdhëroni zonjë,” më tha me një buzëqeshje, që i ngriu në buzë... Mua nuk po më mbanin këmbët dhe u mbajta te karrigia pranë. Zemra më rrihte me një forcë të madhe e gati më fluturoi nga kraharori, sa mu duk sikur forca e gravitetit të tokës ishte zero dhe u ktheva në ditët e arta të dashurisë së parë. Brenda syve të tij pashë Ervinin e ri,energjik dhe të shkathët, plotë hare dhe buzëqeshje. Dy sytë e tij si thëngjij ndezën dy shkëndija dhe një zjarr të padukshëm. Kur ai u ngrit nga karrigia të më mbajë, era e padukshme dhe vrulli, përcollën erën e dashurisë së vjetër, që edhe tani ishte po aq fërgëlluese si dikur... “ Mos je sëmurë?”, tha me një shqetësim të dukshëm... Nuk jam sëmurë, por duhet të jem e marrë, që erdha këtu, i thashë duke e vështruar në sy... Oh, sa mall kisha...Për një moment, pasqyra e diellit që hynte nga dritarja e klinikës, apo loti i haluçinacionit tim, vështronte me etje djalin e dikurshëm. Ai zgjati dorën te duart e mia letargjike, që aq kohë kishin pritur për një takim. Kujtimet zgjuan frymën e ajërt, të kohës së përbashkët. Buza m’u drodh dhe e pyeta:-Si je, si ke kaluar gjithë këta vite ?... “Si të them, mirë, por edhe unë e ndjeja të nevojshëm një takim të tillë, por nuk e mora guximin. E di që ke shumë pikëpyetje...E di që nëna ime të mori në telefon e të tha se”kam rënë në dashuri me një tjetër”. Por si mundej zemra ime të kryqëzonte diellin? Si mundet një muzg i lyer me dritë ti përngjante dritës?... Si mundet melodinë e zërit tënd ta ndërroja me megafon sorrash?...Si mundet aromën bio të pranverës ta ndërroja me një esencë parfumi lajkatar? Unë nuk kisha asnjë vajzë tjetër. Shpirti im të përkiste vetëm ty. Nëna ime më tha të njëjtat fjalë edhe mua për ty. A e di ç’do të thotë të vështrosh diellin, e mos të ndiesh ngrohtësi, të vështrosh yjet, të jenë pa dritë. Jeta të bëhet monotone, dhe ekzistenca e kotë... Pyetja “përse?”, më ka munduar shpirtin si një demon. Çdo gjë mund të formatohet në jetë, por jo shpirti. Dy shpirtrat tanë vuanin “përse”, vetëm nga nëna ime. Ajo s’të ka dashur asnjëherë. Kishte zgjedhur të bijën e zëvendësministrit për mua... Këto gënjeshtra i zbulova shumë vonë. Ajo kishte përgatitur gjithçka me kujdes...U martova me atë vajzë, kur mbarova specializimin. Në atë kohë të gjitha femrat për mua ishin njësoj. Në jetë kisha çdo gjë, një grua të mirë, fëmijë, para, karrierë, por nuk kisha atë zjarr dashurie që ma dhurove vetëm ti. Gjithçka e dëgjova rastësisht nga goja e nënës, teksa bisedonte me të motrën, rastësisht. Atëherë ti i kishe dy fëmijët e vegjël. Sa herë ju kam parë tek shkonit në park. Ti qeshje e lumtur me burrin tënd. Ndaj mendova ti lë gjërat në ato realitete që jetonin. Nuk të fola asnjëherë, të mos shkaktoja një vuajtje tjetër... Pavarësisht se e dija që ti pyesje vetën “përse”. Shpirtrat tanë vuajtën njësoj nga një gënjeshtër, ndaj unë nuk e fala nënën kurrë...”

Nga sytë e tij rridhnin lot, si nga sytë e mi. Qielli m’u rrotullua. Ajo pikëpyetje, tani u shkri, ai s’kishte pasur asnjë faj. Jetët tona u ndanë pa fajin tonë... Desha ta zbraz edhe unë lëmshin e ndjenjave qe me ishte mbledhur prej kohesh dhe i thashë: Tani u lehtësova, ti nuk më tradhtove dhe paske përjetuar të njëjtën gjendje si unë... Nga ajo telefonatë çdo gjë e bukur u zhduk si me magji. Më dukej vetja e braktisur në mbretërinë e Hadit. Nga një dritare vetmie shikoja qiellin që shkundte rrugicën e pluhurt lart, diellin me zjarr lugatësh dhe botën të shkretuar. Për një kohë të madhe zemra ime rrihte me krahët e stuhisë dhe ishte internuar në luginën e lotëve. Doja të të urreja, por nuk mundja. Doja të të takoja vetëm një herë, por isha tepër krenare, më dukej sikur do përulesha si lypsare... Të dy ishim krenarë, të dy u lënduam, të dy qamë, të dy vazhduam jetën. Ai m’u përgjigj në çast: “ E dashur Dita ime, do jepja gjithçka për të kthyer kohën pas, por njeriu është një krijesë sa i fuqishëm për të dashuruar, po dhe aq i pazoti për të mbyllur plagët e hapura të shpirtit. Më ngushëllonte mendimi që ti kishe një jetë të denjë, ashtu si të takonte”. Unë vazhdova më tej: “Er-vin... Era ishte ngushëllimi im në pikëpyetjen e emrit tënd. Ajo më parë kishte shkuar në flokët e tu dhe çdo fije e bardhë floku është zbardhur në përkëdheljen e saj, ti ishe brenda shpirtit tim dhe shpirti im tani u qetësua. Në sytë e tu shikoj pasqyrën time.” -i thashë. Por dhe ai nuk po e ndalte dot pasionin e shprehjeve të tij: “Afërdita ime, lotët që rrjedhin nga sytë e tu, janë si trëndafilat e vjeshtës. Farat u mbollën në vjeshtë, por asnjëherë nuk lulëzuan me gonxhe... dimri i egër u la një vend të vogël viteve për të kujtuar se ata dikur lulëzuan...” Ai më përqafoi si dikur, duke e ditur se kishte një zjarr të heshtur para tij, ndonëse e ndezura nuk kërcisnin…Ndjeva atë mall për atë kohë të humbur, atë aromë të trëndafilit vjeshtor, deri në filtrat më të hollë të mushkërisë. Por rrymat e logjikës sime, nuk më linin ta përjetoja plotësisht atë ndjenjë të dikurshme. Një puthje e lehtë në buzë ndezi një dritë,  që fluturoi lart, ndoshta u bë ylli i lamtumirës. Shpirti im më në fund, gjeti prehje. Vështrova për të fundit herë, atë zyrë të ndarë nga dhoma e aparateve, ku uleshin me qindra pacientë për të testuar zemrën. Ky ishte testi më i madh njerëzor. M’u duk se sytë e tij të mjegulluar nga lotët e mi, ranë përtokë që të mos rikthehej furtuna e dashurisë së kaluarës mbi fëmijët tanë... 

-Lamtumirë,- i thashë,  që të mos dënesja dhe ika. Duke përtypur shpjegimet e nevojshme të pikëpyetjes sime, zemra ime hoqi grepin e mundimshëm të viteve.

Mora autobusin dhe ja ku jam. Më bren ndërgjegjja. Asnjëherë në jetë nuk e kam gënjyer burrin tim...

- Besoj se ai do të kuptojë,- i thashë, -ti qetësove shpirtin tënd nga një pikëpyetje që qëndroi një jetë brenda shpirtit. E përqafova dhe u ndamë.

Pasdite Afërdita më mori në telefon:

- Jam e lumtur,- më tha- Unë doja t’i tregoja çdo gjë me hollësi burrit tim dhe e bëra. Ai më përqafoi dhe më tha: - Kam besim tek bashkëshortja ime, di se ç’farë kam zgjedhur, kur do të dalim pasdite?...

-Më lumturove dhe mua, moj mikeshë e dashur,- i thashë, - mirupafshim së shpejti !...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx