Kulturë
Xheladin Mjeku: Frymëzime poetike që premtojnë
E premte, 31.01.2014, 08:30 PM
FRYMËZIME POETIKE QË PREMTOJNË
Besmirë Bytyçi: “Nyjet zgjidhen” dhe “Vjeshtë në jetë”, poezi, botoi “Art muza” – Rahovec – 2008, 2009
Nga Xheladin MJEKU
Asnjëherë nuk mund të vlerësosh krijuesin me një takim rasti në ndonjë faqe reviste apo në faqet kulturore në mjetet elektronike. Kohëve të fundit kjo paraqitje e krijimeve letrare në faqe të këtilla është bërë dukuri gati e përditshme, ku publikohen shumë shkrime e dalin emra të rinjë krijuesish, që jo çdoherë kanë afinitet për të shprehur vizionet e tyre përmes krijimtarisë së publikuar. Por, nganjëherë edhe ia vlen të lexohen e të mirëpriten, me faktin se shprehin vlera të pranueshme për fillet e krijimtarisë së tyre që mund të konsiderohet si e mbarë. E këtillë është edhe paraqitja në kohë të shkurtër në këto faqe publikimesh letrare e Besmirë Bytyçit, që në fillim zgjoi kurreshtjen e lexuesit.
Takimi me poezinë e Besmirë Bytyçit më bëri përshtypje të veçantë, sepse ishin dy përmbledhje të botuara njëra pas tjetrës nga një krijuese e re në moshë dhe e kujdesshme në ushtrimin e zejes së saj shpirtërore. Vetëm atëherë kam qenë i prirur të kuptoj se një emër që mund ta kem takuar rastësisht me ndonjë varg a poezi në faqe gazete a në rrjetin elektronik, vërtetë është emër i arsyeshëm që e përvetëson lexuesin me vargun e saj plot frymë e jetë poetike.
Strukturimi poetik si vlerë dhe motivacion krijues
Poezia e Besmirë Bytyçit, edhepse e re në moshë, ka veçantitë e saja në ndërtimin e vargut dhe shprehjen e frymëzimit shumë përmbajtësor dhe mbresëlënës. Kjo vjen nga fakti se në gjithë lëndën poetike takojmë një frymë të qëndrueshme tematiko-motivore nga përditshmëria e moshës, nga frymëzimet eventuale, por të ndërtuara me përkushtim dhe të skalitura mjeshtërisht, duke sjellur figura e trope të qëndrueshme që ia shtojnë vlerën kësaj lënde poetike. E fillova kështu këtë shkrim mbresash nga dy librat e Besmirës duke besuar se kam çka them rreth kësaj autoreje dhe poezisë që na sjell në këto dy libra me format xhepi, që për mendimin tim kanë një domethënje, meqë vijnë njëra pas tjetrës si një karavan mendimesh e shprehjesh të bollshme për jetën dhe aktivitetet e saj prej adoleshenteje, që sa ka zënë të çapitet rrugëve zikzake të jetës së saj. Intuita e saj krijuese vazhdon pa rreshtur së shkruari gjithçka e preokupon dhe të kujton frymën e një guximtareje që të përballet me sfidat; nuk ndalon të rrugëtoj horizonteve të reja si një sorkadhe me synimet e arritjeve të reja; vjen si princeshë me frymën e fjalës së saj poetike, që sheh veç gëzimin e jetës dhe synon dyert e hapura të lumturisë!
Në përmbledhjen e parë poetike “Nyjet zgjidhen”, (2008) autorja prek kryesisht tema nga rrafshi jetësor, nga përditshmëria dhe adoleshenca, të cilës i takon, prej nga transponon ndjenjën e të qenurit vetvetja e vargut dhe mendimit prej krijueseje, ku: “Koha/Na përplasi në fytyrë/ Përbuzjen e dashurisë/ E dhembjet lidheshin nyje”, (“Nyjet zgjidhen”, fq. 7), për të vazhduar me zgjidhjen e saj poetikisht të pëlqyer: ”Por një ditë kuptuam/ Se nyjet zgjidhen/ Me hir a me pahir” (po aty). Kjo krijuese tashmë e imponuar me vargun e saj të natyrshëm e plot frymë jetësore me çdo kusht ia del ta “zgjidh nyjen” me përkujdesjen e imagjinatës që e liron nga boshllëku i ngushtimit të veprimit mbi të ardhmen, ku: “Për dashuri/ ia vlen barra qiranë/ E dashuria/ Dashuria na mallkoi/ Në rini…” shprehet ajo me vargun e çiltër dhe fuqinë bindëse se tashmë ka filuar ta kuptoj edhe këtë realitet që përcjell pjesën tjetër të jetës, me vlerat dhe synimet e saja.
Autorja në këtë përmbledhje ka trasuar një rrugë plot shpresa, ëndrra e dashuri për të bukurën, për sukseset që e përcjellin në përditshmërinë e saj, por edhe për “mëdyshjet” e saja rreth ecejakeve rinore të dashurisë dhe zemrës së thyer apo shpirtërave që nuk rrijnë qetë në këto çaste. Në këtë përmbledhje gjejmë mjaft tema të realizuara artistikisht, ku ndër të tjera veçojmë edhe poezitë: “Nyjet zgjidhen”, “Unë fluturoj me lumturinë”, “Në mëdyshje” e ndonjë tjetër që do ta veçonim në opusin e saj krijues që prezanton këtu.
Edhe në përmbledhjen e dytë poetike “Vjeshtë në jetë”, (2009), që në fillim mund të konkludohet se simbolikisht nga titulli, gjejmë elementet e para të frymëzimeve të Besmirë Bytyçit, duke shprehur botën e saj imagjinative dhe prekjet sensitive të preokupimeve të parreshtura në përditshmërinë e saj. Autorja, ndonëse e re në moshë, shquhet dukshëm për ndjeshmërinë e prekjeve tematike dhe shpërfaqjen e ideve e mendimeve për ngjarje e fenomene që provokojnë unin e saj krijues deri në përimtësime motivesh e imazhesh nga jeta.
“Të falem nënë”,
“Më dhemb kujtimi për ty” dhe “Natë vjeshte” janë tri ciklet që e
ndërtojnë përmbledhjen poetike “Vjeshtë në jetë”, e cila vjen si
vazhdimësi e librit paraprak, por me një përsosmëri të vargut dhe prekje më të
thellë të ideve, ngjarjeve e frymëzimeve, duke u paisur me një opus të
mirë shprehjesh gjuhësore, me figura e
metafora, që e bëjnë të kapshme dhe mbresëlënëse lëndën poetike të prezantuar
këtu.
Kjo përmbledhje poezishë sjell jo vetëm vazhdimin e frymëzimeve poetike nga libri i parë, por edhe rifreskimin e vargut, shprehje të reja në vartësi me ngjarjet dhe rrethanat që heton autorja. Mprehtësia e vargut të saj ka arritur të prek ndjeshmërinë e situatës, të sjell heroin e kohës në petkun festiv dhe në frymën e lirisë, të bëj personazhin e poezisë së saj t’i gëzohet ardhmërisë, të hap zemrën për dashuritë e reja, që janë edhe temat më të frekuentuara të moshave të autores.
Shumë poezi, që për tematikë kanë dashurinë, si: “Sikur veç njëherë”, “Dashurinë e parë”, “Natë vjeshte”, “Më beso se jam Besa” “Ti”, “Për një puthje”, “Ndjej” e ndonjë tjetër që nuk e cituam këtu, përkojnë me frymën poetike që e përshkon gjithë opusin krijues të Besmirës, e cila nuk ngurron të shpërfaq ndjenjat shpirtërore dhe herë-herë pasigurinë e shprehur lajkatare në situata të caktuara, ku dyshimet vijnë si shprehje spontane në vargun e saj, por reflektojnë realitetet e mundshme të ndërskamcave eventuale që ndodhin.
“Puthjet sonte nuk shihen
As fjalët nuk t’i dëgjoj
Nuk mund ta prek përqafimin tënd
Kjo natë vjeshte
Sa brymë solli në mua dhe ty”
(“Natë vjeshte”, fq. 51)
Edhe poezitë me tematikë tjetër që për frymëzim kanë përditshmërinë, jetën sociale, përkushtimet poetike për njerëzit e dashur të saj, për heronjtë e për shumçka tjetër që e preokupon autoren, shquhen dukshëm për ndjeshmërinë tematike, mënyrën e trajtimit dhe mesazhin që transmetojnë tek lexuesi. Të kësaj natyre janë edhe poezitë: “Diellit tim”, “Të falem nënë”, “Babait”, “Flamurit kombëtar”, “Ëndrra u realizua” etj. Besmirë Bytyçi trajton shumë tema nga përditshmëria dhe kjo shprehet me fuqinë e vargut spontanisht, por me frymën e ndjeshmërisë së çasteve kur preket tema: “Jam si engjëll e lirë/ Kurrë s’jam ndjerë më mirë/ Të falem ty o Zot/ Që sot më nuk derdh lot”, (“Jam e lumtur” – fq. 14).
Autorja dhe vargu i saj i frymëzuar vazhdojnë të çapiten pandërprerë shtigjeve të reja të pashkelura, por sfiduese, padyshim. Kjo dëshmohet bindshëm në këto dy përmbledhje poetike, për të cilat shpalosëm pak mbresa nga leximi i tyre.
“Kryeneqësia” krijuese synon vlera të reja
Poetika e formësuar në këto dy përmbledhje sjell pamje krejtësisht të hapura e me pasqyrim të jetës dhe synimeve të botës së saj të njomë, që ende nuk ka zënë të kuptoj se, pavarësisht dëshirave, jeta ka edhe anën tjetër të medaljes, atë të sfidave e rropatjeve të pafund drejt arritjes së një caku që synohet. Ndërtimi i poezive me figura stilistike, me metafora që i shkojnë krah tematikave të trajtuara në dy librat e cituara, përdorimi i drejtë gjuhësor dhe lidhja tematike, që herë-herë pretendon ta ruaj kujdesshëm dashurinë për të afërmit, prindërit dhe miqtë që konsiston në ndërlidhje të poemës, por gjithnjë duke shprehur individualisht frymëzimin dhe përkushtimin për akcilin personazh, në veçanti.
Pamëdyshje se kjo autore e re do të vazhdoj me “kryeneqësinë” e saj të sjell edhe vepra tjera poetike në frymën e arritjeve të suksesit që ia hap rrugën në ecjen krah me emrat tjerë të poetëve dhe krijuesve të letrave tona.
Nuk dyshohet tashmë në afinitetet krijuese të Besmirë Bytyçit, por nga kërshëria që sa më shpesh e më produktive ta kemi në mesin e krijuesve, përmbyll këto mbresa të pakta për një shpresë që jeton dhe premton vlera shpirtërore në vazhdimësi.