E diele, 04.05.2025, 09:22 AM (GMT+1)

Kulturë

Nuhi Veselaj: Fjalëza Si në funksion të parashtesës

E marte, 28.01.2014, 09:04 PM


5. FJALËZA SI NË FUNKSION TË PARASHTESËS

EMËRFORMUESE

Nga Dr. Nuhi Veselaj

Në një vështrim të botuar, së pari, në revistën Koha të Prishtinës (17.04.1996) dhe të përfshirë në librin Çështje të shqipes standarde” I, Prishtinë 1997, nën titullin “Përsosja e shqipes standarde faktor integrues në jetën tone kombëtare”, veç tjerash është cekur si zbraztësi fakti pse në në burimet tona normëzuese lidhur me sistemin fjalëformues emëror nuk është përfshirë edhe fjalëza –si, e cila del sheshazi në funksion të parashtesës emërformuese, qoftë si zëvendësim i qëlluar i siparashtesës së huaj –o/id (si p.sh sufiksoid-siparapashtesë etj.), qoftë në funksione të pavarura të fjalë-emrave të burimit vendës, siç janë shembujt: sivëlla, simotër, siujdhesë, siliqeni etj., duke konstatuar se nga vetë nevoja po motivohet“shumimi i emrave të tillë me këtë formant parashtesor për të mbuluar nënfusha të qarta semantike që po i imponohen aktualisht realitetit tonë gjuhësor.

Edhe pse punimi që arsyetonte këtë konstatim që botuar ato vite në Gjurmime albanilogjike (1998), me sa dimë, kjo çështje nuk e pati jehonën e duhur, madje edhe deri më tash, nuk është vlerësuar drejt, ngase nuk del e përfshirë sa duhet as në asnjërin nga burimet tona normëzuese të botuara në dy-tre dhjetëvjetshat e fundit, së këndejmi, në Fjalorin e gjuhës shqipe (2006), për këtë destinim, del edhe më me mungesë shembujsh se në burimet e mëparshme. Mbase kjo ka ndodhur pse të nderuarit Xhuvani – Çabej në mongrafinë për parashtesat (1956) nuk e kishin trajtuar fare këtë fjalëz-formant si parashtesë, por vetëm trajtën –(ë)si, si prapashtesë emërore (1962) e specifikuar për emra abstraktë e kolektivë, tipi: mirësi, drejtësi, pasi, kryesi, bujqësi etj.

Së këtejmi, ne e pamë me interes që lidhur me këtë çështje ta publikojmë këtu tekstin integral të trajtesës kushtuar kësaj teme. Kështu vështrimin me titull Fjalëza si në funksion të parashtesës emërformuese të trajtuar paksa më përpara, tashti me disa   përplotësime të domosdoshme, po e paraqitim këtu në këta gjashtë nënkrerë:

 

1) vendi i fjalëzës si në kuadër të kategorive leksiko-gramatikore të shqipes,

2) prania e përftimeve si+emër në burimet tona leksikografike,

3)  tri komponentet themelore në paraprocesin e emërzimit të togut ose të togfjalëshit përkatës: si+emër,

4) fjalëza si  me fizionimi të qartë parashtesore emërformuese,

5) shtrirja e emrave me parashtesën  si- sipas nënfushave të caktuara semantike dhe

6) rezultatet përmbyllëse nga analiza.

 

Pasi kemi të bëjmë me mjaft të panjohura e risime që e begatojnë njohurinë tonë për fjalësin  e gjuhës sonë në përgjithësi dhe për një model fjalëformimi të gjuhës shqipe në veçanti, ftojmë lexuesin e nderuar që së bashku të ndjekim me vëmendje të shtuar zbërthimin e kësaj teme, sipas nënkrerëve përkatës.

 

1) Vendi i fjalëzës si në kuadër të kategorive

leksiko-gramatikore të shqipes

 

Fjalëza SI, ndonëse kryesisht fjalë shërbyese, që del në përdorim edhe si fjalë e parme, d.m.th. si pjesë e veçantë e fjalësit, por aq më tepër del në bashkëngjitje a në përbërje me fjalë e elemente të tjera, ka mjaft denduri përdorimi në ligjërimin shqip. Atë e ndeshim të regjistruar edhe në kuadër të fjalësit të strukturës së përgjithshme në funksion të një ndajfolje, lidhëze ose pjesëze, por e hasim edhe në funksione të tjera, qoftë, kur kemi të bëjmë me sintaksën e fjalisë a të sifjalisë, qoftë në raporte fjalëformuese.

Rreth prejardhjes së saj ka luhatje, ndërsa në gramatikën normative të Akademisë[1] thuhet se “lidhëza si ka dalë nga ndajfolja”, në burime të tjera, siç e thekson A. Zymberi, del se kjo fjalëz është “me prejardhje lidhëzore[2].

Sidoqoftë, ç’është e vërteta, në burimet leksikografike normative të gjuhës sonë letrare raporti numërik ndajfolje/lidhëz, sipas pikave a nënzërave përfaqësues të shënuar[3], del kështu: 1 me 5 në FGJSH 1954, 7 me 11 në FGJSSH 1980, 5 me 13 në FSHS 1984 dhe 2 me 11 në FGJSH 2006, d.m.th. në favor të lidhëzës. Është me interes të ceket fakti se fjalëzën si, në të njëjtën formë-fjalë në kontekst herë e ndeshim si ndajfolje, herë silidhëz, herë si pjesëz, madje edhe në funksion të parafjalëstë përemrit, mbiemrit  (si ndajfolje përemërore pyetëse), por edhe në funksion të përzier, qoftë në sifjalitë bashkërenditëse, qoftë edhe aq më tepër në ato nënrenditëse, por edhe në fjali me kuptim si element në gjymtyrën e krahasimit, te kallëzuesi emëror, si përcaktor të kallëzuesorit, të kryefjalës, kundrinës, madje, në raste të veçantë edhe si element të përcaktorit e sidomos te shumica e llojeve te rrethanorit (Shih Sintaksa ... f. 290.), funksione këto që duhet me i pasë në konsideratë analitikani ynë, por në këtë punim nuk do të trajtohen këto veçori më në thellësi.. Këtu do të trajtohet kjo fjalëz, me theks vetëm në funksion të parashtesës emërformuese.

Sidoqoftë, pra, për ne, megjithatë për hir të temës që po trajtohet këtu, e pamë të arsyeshme që paraprakisht të qëmtohet përdorimi i kësaj fjalëze, qoftë në përbërje të një togfjalëshi a lokucioni, qoftë si pjesë e pandashme e një fjale të përngjitur, të pranëvënë, të përbërë ose të prejardhur, por, gjithnjë, pa e larguar vëmendjen në funksionin e këtij formanti si parashtese, kryesisht emërformuese. Për këtë qëllim më poshtë sipas kategorive të caktuara leksiko-gramatikore, po e  japim skemë-pasqyrën, ku ndeshet e shtrirë kjo fjalëz, si:

parafjalësipas (simbas), pasi (mbasi);

2. lidhëz (me përbërje e lokucione ndërlidhëzore): siç, sikundër, sikundërqë, pasi, mbasi, sikundërse, sikur, sikurse; sido që, edhe sikur, sikur se, si edhe, si dhe, si...si etj.

3. ndajfolje (edhe në togfjalësh): sido (edhe si lidhëz lejore), sidokudo (sidokurdo), siamazi (si është më zi), siamakeq, siamamirë, sidozot, sivjet, dosido, sinjënjë, si mos më mirë, si mos më keq; disi, assesi, kurrsesi; si trim (= trimërisht), si burrë (= burrërisht);  si burrë shteti (shtetar) etj.

4. pjesëz:  sidomos, sikur, po si (posi), si nja, sikur, si urdhëro! (edhe pasthirrmë);

5. mbiemëri sivjetmë (e sivjetme), i sivjetshëm (e sivjetshme); /i sivjelm, i sivjemë, e sivjeme!, i simvjetmë(!) (P. Tase)/; i sij / i tij), e sija (e saja); sido (e blemja sido), simaimirëma (si më i më miri më!). (te M.Elezi.)

6. përemërsikush, sicili; sidikush, sikurrkush; simoskush  (M.E.)

7. folje (edhe prejemërore): sikërdis(!)(me sikërdisë),  e sipërçmoj (me sipërçmue); me u siarushë, me u siqenë etj.

8. fjalë a fjali e ndërmjetmesidoqoftë, si të thuash, si të themi, si me thënë, si të thuash, si do të thosha, si dua ta kuptoj, si jo, si kështu, "sido me qenë (puna)"(K. Kristoforidhi) etj.;

9. emër: sikarth, simotër, sivëlla, siujdhesë, siliqen; sineri, singji; sindajshtesë, siparashtesë, sifjali, sidiklosi etj. sivjetja, sikushi, sikushja, të sikueshmit, sidita, sidriti (M.E.); sipërçmimi (si+negligjencë!),silogjisti (logjikani) sinergjia (si+ndërgji !-- ndërveprim) sikalaç, sikalaqe (FD 2011); emërzime të togut mbiemërore ose ndajfoljor etj: simaimiri, simaikeqi, simaimirëma (M.E.) sidreqi, simelaqja. sikjoftlargu, sigojëmbyllti etj

 

Siç po shihet sipas shembujve të mësipër, pos rastit dosido që formanti si ndeshet në mes dhe të rasteve: disi, kurrsesi, assesi, pasi dhe posi që ndeshet në fund të fjalës, tek të gjithë shembujt e tjerë ky format qëndron në pozicion nistor.

Në të vërtetë. ngjan, siç u tha,  që, varësisht nga konteksti, trajta e njëjtë shkrimore me fjalëzën si të ndeshet në kategori të ndryshme gramatikore, qoftë njëherazi si ndajfolje e lidhëz, qoftë si mbiemër/emër, përemër/emër, madje edhe folje prejemërore. Mirëpo, pa hyrë në hollësi, mund të thuhet se në të gjitha këto kategori leksiko-gramatikore shembujt e njëfjalëzuar me këtë formant, pos ndonjë krijimi analog të rastit, nga pikëpamja e fjalëformimit nuk dalin me prirje prodhimtare. Në të vërtetë, shembujt e tillë paraqiten si trajta pa model dhe në numër të kufizuar, veçori kjo që i karakterizon formimet me përngjitja a me pranëvënie. Përjashtim nga ky kompleks bën vetëm kategoria e funditkategoria e emrave dhe pikërisht kjo dukuri, siç po ceket në mënyrë të veçantë prej nesh, do të jetë objekt trajtimi në këtë vështrim.

Me fjalë të tjera, sipas një venerimi, edhe jo aq të sipërfaqshëm që i bëmë kësaj dukurie, del, se tek emrat (përshirë edhe emëzimi i foljeve, të mbiemrave, të përemrave dhe të togjeve përkatëse) fjalëza SI, jo vetëm ka gjasa të forta të cilësohet si formant a gjymtyrë fjalëformuese, por shihet edhe një prirje jo e padallueshme shumimi të shembujve në drejtim të kësaj kategorie, duke u përvijëzuar kështu përftimet e tilla si një model i padiskutueshëm emërformues, i motivuar nga nevoja edhe nga nënfusha e veçantë semantike që mbulon. Së këtejmi, për t’iu përgjigjur pyetjes se është kjo dukuri e re apo mos ka pasur përftime të tilla edhe më përpara, ne konsultuam burimet leksikografike më të dalluara që nga Rilindja jonë kombëtare e deri tashti dhe, siç e pamë, gjatë kësaj periudhe në etapa të caktuara në vijimësi formimet e tilla nuk dalin pa gjurmë dhe për nga numri shënojnë rritje suksesive.

 

2) Prania e përftimeve si+emër në burimet tona leksikografike

 

Është e vërtetë se, në Fjalorin e K. Kristoforidhit, përveç fjalës sivjet, e cila del e formëzuar si ndajfolje e në funksion mbiemri, por që mund të emërzohet, pasi ka mbështetje në emrin vit - vjet, nuk ndeshim ndonjë fjalë të tipit si+emër, mirëpo në Fjalorin e "Bashkimit" (1908) ndeshim emrin e mirëfilltë: sikarth  - "njëfar karth pulet", pra është fjala për njëfarë koteci, siç shpjegohet aty. Po në këtë burim hasim dhe nja tre emra të tjerë mesi- nistore, që asociacionojnë formimet me si-, ndonëse varësisht nga këndvështrimi, dalin  të diskutueshëm, por edhe jo krejtësisht të pazbërthyeshëm, siç janë shembujt: singji, sira (m' doresh)(!), siapc. (Aty f.398.)

Po kësaj periudhe, si fjala sikarth, ose pak më të vonshme, i takojnë edhe shembujt: siujdhesësinerisimotër, që i ndeshim të regjistruar në FGJSH (1954), prejardhja e të cilëve me anë të formantit parashtesor SI-mirëfilli del e vërejtshme. (Aty f. 491 – 494.)  Në Fjalorin shqip-serbokroatisht, Prishtinë 1981, ndeshim tri raste: simotër (f. 852), i dhënë për barasvlerësin posestrica, d.m.th. motër e adoptuar, siliqen (f. 851) përlaguna si dhe sikalaç (mb.) (f.851) për spretan - fig. i gjallë (si kalë!), i gjindshëm. Gjithashtu më ka rënë në sy fakti se Faik Konica fjalën simotër (si+motër) e ka përdorur si sinonim të termit kunatë, d.m.th. motra e gruas (për burrin) ose motra e burrit (për gruan), përkatësisht gruaja e vëllait... (Shih FGJSSH f. 913 dhe St. fil. 1-4, Tiranë 1992). Zgjojnë interes edhe nja katër fjalë: singjiunçe, (lloj dardhe), sipca (lloj dardhe), sipikë(mbase si+ pikë  - sëmundje pulash) dhe siqare (torbë barinjsh) të shënuar në “Fjalor fjalësh e shprehjesh popullore”, IAP, Prishtinë 1982 f. 258), shembuj këta që gjithsesi si numër me të njëjtën formë ndërtimi asociacionojnë kuptimësine lidhur me formimin e emrave me si- parashtesore.

Rastet e sipërcekura dhe ndonjë shembull tjetër i diskutueshëm, që mund të ndeshet në burime të ndryshme, që unë nuk pata mundësi t’i konsultoja ose t’i vëreja, dëshmojnë për ekzistimin e formimeve të tilla, edhe më përpara. Është e vërtetë se në ligjërim të lirë rastet e tilla janë më të shpeshta dhe në numër më të madh, por në gjuhën e shkrimit ato nuk shënohen ose nuk shënohen të njëfjalëzuara, qoftë për shkak të traditës shkrimore, sepse kjo dukuri ende nuk del e studiuar dhe e propaganduar si duhet, andaj edhe nuk dalin të gjitha rastet të shënuara në burimet përkatëse, qoftë edhe për arsye se procesi i njëfjalëzimit, mbase në rastet e çastet e caktuara, njëfjalësisht ende, nga specialistët përkatës, nuk konsiderohet plotësisht i përfunduar.

Sido që të jetë puna, në përputhje me kriteret e njohura që janë të zbatueshme lidhur me përcaktimin e elementeve fjalëformuese kryesisht të parashtesave emërore, shembujt e sipërcekur dhe të tjerë që dalin ose që mund të dalin në gjuhën e shkrimit më vonë, ia vlen t’i shtrohen një vërtetësimi e analize më të hollësishme, më serioze, gjë që jemi përpjekur ta bëjmë ne në këtë vështrim, mirëpo, fillimisht e shohim të udhës të konstatojmë komponentet paraprake motivuese që mundësojnë shkëputjen e formimeve të tilla nga togfjalëshat a togjet e caktuara dhe kalimi nga rastet përkatëse në fjalë-emra të prejardhur të identifikuar me këtë formant.

 

3) Tri komponentet themelore në paraprocesin e emërzimt

të togflashit përkatës si+emër

 

Për ta pasur më të qartë faktin se togu a emri i paraprirë me fjalëzen SI jep koncept-idenë e përkufizimit të vetë nënfushës semantike, e cila do të jetë e specifikuar për emrat e mirëfilltë të prejardhur më SI-, do të shërbehemi fillimisht me tri përkufizimet që janë dhënë në pikat a nënzërat përkatës të artikullit, ku shpjegohet polisemia e fjalëzës SI në FSHS (1984) f. 1083-1084. Këto përkufizime, sa për ilustrim, do të shoqërohen konkretisht me nga dy shembuj përfaqësues:

Së pari, në  pikën 2. thuhet se lidhëza SI "përdoret në njësitë frazeologjike dhe në shprehje gjuhësore që ndërtohen me anë të krahasimit", si p.sh. 1) Dukej si pulë e lagur. 2) Fliste si bilbil.

Së dyti, në pikën 3. precizohet se lidhëza-pjesëz si "përdoret para një fjale a togfjalëshi që tregon punën, detyrën a rolin që kryen dikush a diçka (me kuptimin "në cilësinë e ...")" p.sh. 1) E mbante si shok. 2) Punonte si shkrirës.

Së treti, në pikën 12, jepet përkufizimi se fjalëza SI, në funksion të pjesëzës "përdoret para një fjale a togfjalëshi për t'i dhënë një kuptim përafërsie a më të zbutur", p.sh. 1) Shkonte si fluturimthi. 2) Dukej si pa qejf.

Pra, tri tiparet a komponentet themelore të kuptimësisë që i paraprijnë përcaktimit të nënfushës së caktuar semantike janë:

e para: koncepti i krahasimit (edhe si figurë stilistike)metonimike e metaforike),

e dyta: gjendja ndërmarrëdhëniesore edhe ndajshtimore me tiparin e cilësisë, përkatësisht puna që kryen vepruesi "në cilësinë e ..." (zakonisht në cilësinë e emërtimit të njeriut sipas profesionit a të veprimtarisë që ushtron) dhe

e treta: konceptimi i përafërsisë dhe ngjashmërisë kuptimore, pa iu larguar shumë kuptimit themelor të emër-temës motivuese fjalëformuese.

Të tria këto tipare janë të rëndësishme, por ne do të veçonim tiparin e fundit, ngase dy tiparet e para, ndonëse kuptimisht të pashkëputura, shkrihen a tjetërsohen me rastin e formëzimit të emrit të mirëfilltë me parashtesënSI-, ndërkaq tipari i tretë, ai i përafërsisë dhe ngjashmërisë së shprehur kuptimore mbetet, madje me konotacion të sforcuar fillimisht në raport me kuptimin strumbullar të vetë emrit temëprodhues. Mirëpo para se të ilustrohen këto karakteristika me shembuj të formëzuar nga burimet përkatëse, të shohim në vazhdim mundësinë e njëfjalëzimit (emërzimit të togut a togfjalëshit përkatës) konkretisht në fjali-periudhat e mëposhtme, të ndërtuara me qëllim po mbi shembujt ilustrues përfaqësues të togfjalëshave që u cekën më sipër. P.sh.:

 

class=Section2>

1. Dukej si pulë e lagur, mirëpo ajo "sipula” (e lagur) na doli dem me brirë...!; Fliste si bilbil, por ai "sibilbili" dinte të lëshonte edhe romuze që s'mund t'i duronim dot.

2. Punonte si shkrirës, mirëpo ai "sishkrirësi" ishte, në të vërtetë, inxhinieri të cilin e kërkonin; E mbante si shok, por ai "sishoku" i tij s'deshi t'ia varte fare as atij!

3. Shkonte si fluturimthi, por ai "sifluturimthi" në vrapim 200 metrash nuk korri fitore. Dukej si paqejf, por ai "sipaqejfi" pas një kohe, u nqejfua më tepër se ne.

Ç'është e vërteta, emërzimi (njëfjalëzimi) i togut sipas shembujve 1., 2. dhe 3., përkatësisht sipas përkufizimeve të dhëna në pikat a nënzërat 2. dhe 3. e më pak nën 12., që u dhanë më sipër, mund të bëhet pothuajse normalisht varësisht nga konteksti, tek të gjitha llojet e emrave e të togfjalëshave, qoftë në stilin bisedor, qoftë në gjuhën e shkruar artistike, madje edhe standarde, kuptohet në stilin neutral, mirëpo emërzimet e tilla(sipula, sibilbili; sishkrirësi, sishoku e sidomos sifluturimthi, sipaqejfi) mund të konsiderohen fillimisht, apo jo, si emra të mirëfilltë të formuar në mbështetje të ndonjë procesi të përfunduar fjalëformues, lypset vlerësuar? Përftimet e tilla emërore, mendojmë ne, ndonëse karakterizohen që në zanafillë me kategorinë e shquarsisë e të gjinisë përkatëse, ç`është e vërteta, janë pjellë e rastit, të lindura në mbështetje të kontekstit të sifjalisë në kuadër të fjali-periudhës së caktuar dhe këtu po përmenden vetëm sa për të treguar rrugën e mundshme zanafillëse, ku e qysh parapërgatitet modeli rreth përftimit të emrave të mirëfilltë me këtë formant.

Këso përftimesh kontekstore mund të lindin edhe në situata të tjera dhe, siç u tha, tek emrat dhe togfjalëshat e të gjitha llojeve.  Është e vërtetë, se kur situata lidhet me ndonjë nocion abstrakt, atëherë formimet e tilla dalin mjaft natyrshëm kuptimisht dhe mjaft fuqishëm poetikisht. P.sh.:

“Mëngjesi në këto vise vjen, si të themi, me një si bardhësi të mahnitshme, mirëpo kjo "sibardhësi" nuk del aq joshëse sa herë të ketë mjegull,ngase mjegullitë, jo vetëm në natyrë, por edhe në mendjen tone ndikojnë simjegullisht(!)".

 

Sido që të jetë, a do të cilësohen si formime kontekstore të rastit (“fjalë rastësore”) apo si formime të mirëfillta të 13 shembujt që sjellë studiuesi Abdullah Zymberi nga të folmet popullore (Shih të Studime..., vepra e cit. f.376), që aty aty janë folje, por vetëkuptohen edhe si emra) si:

sidikushi, sikurrkushi, siarusha, sikallakanxha, simësuesi, sihoxha, simagari,

sitahiri, sizagari, siqeni, sibardheci, sithiu, sipela –,

ku fjalëza si- në funksion parashtesor u paravihet përemrave të pacaktuar dhe emrave, por që formon folje” si p.sh. me u sidikushë, me u siarushë, me u siqenë etj., mbetet të vlerësohet, mirëpo, së këtejmi, vetë përftimi i foljeve nga emrat e tillë në gjuhën e popullit, bashkë me disa shembuj të diskutueshëm të paraprirë me nistoren si-, që tashti nuk zbërthehen pa vështirësi, asociacionojnë ose na bëjnë me dije se një rrënjëzim me formime të tilla e kishim që më parë në kohë-hapësirën e gjuhës sonë, madje edhe ky segment mbështet modelin e tillë emërformues, qoftë edhe në përftim e sipër.

Para se t'i kthehemi pak më në hollësi e ta sqarojmë objektivin kryesor të këtij vështrimi e që është konstatimi se fjalëza SI në cilat raste del me fizionomi të qartë të parashtesës emërformuese e ku jo aq, dhe si vërtetohet kjo, do të tërheqim vëmendjen në këto dy fakte:

E para, si paraprovë mund të konsultohet treguesi i kategorisë  së nyjës së përparme një. Kështu që  kur fjalëza si del para nyjë-treguesit një, si p.sh.

a)      Dukej (ishte) si një  ______  (liqen, karth, ujdhesë, hije etj., atëherë nuk

shihet prirje njëfjalëzimi, por kur –fjalëza si del pas nyjë-treguesit një, në versinon tjetër p.sh:

b) Dukej (ishtenjë si  +______  (liqen, karth, ujdhesë, hije etj),

atëherë kemi prirje të qartë drejt njëfjalëzimit, përkatësisht të afrimit të formantit si, si një parashtesë të specifikuar emërformuese.

Pra, sipas versionin të dytë të shembullit të mësipërm, pika b), pjesëza përafruese si, në kuadër të një togfjalëshi, në marrëdhënie me gjymtyrën krahasore, ka afërsi funksionale me cilësinë e elementit si- si parashtesë të mirëfilltë emërformuese. Kështu, pra, kur togu përkatës si+emër paraprihet nga nyja jo shquese një, p.sh. E ndiqte një si hije, ku togu  si hije, në vazhdim të thënies (si b.f. “... mirëpo kjo sihije...), patjetër njëfjalëzohet, por edhe kështu në paraqitje të pare si+hije ose sihije, nuk është e qortueshme me u shënue bashkë, pra si emër i njëfjalëzuar, varësisht nga konteksti dhe këtë koncept ia mundëson folësit edhe vetë nyjapërcaktuese e paravënë një, e cila zakonisht vihet para një emri në trajtën formale të pashquar, por rasti i dytë me përsëritje kjo sihije nuk lë kurrfarë dyshimi njëfjalëzimi.

E dyta, kur pjesëza si në togun si+emër, pjesë e kallëzuesit ndërkëmbehet me pjesëzën për, por këtë rast SI-ja ka përparësi ndaj trajtës për dhe pikërisht kjo përparësi shprehet në aftësinë që ka kjo si- për t’u shndërruar në parashtesë të specifikuar emërformuese e që trajta për nuk e ka.

Krahaso:

Atë e mbante si shok. /Atë e mbante për shok.

Në kontekst nuk mund të thuhet dot b.f. ai përshoku!!!), por është e lejueshme dhe e mundshme të thuhet: Ai sishoku... P. sh.: Atë ai e mbante si shok (= sishok) jete dhe ai sishoku, vërtet, iu gjind në kohë të vështirë.

Siç është vërtetuar, edhe më përpara, togu: (një) si shok, përkatësisht  si+shok  -sishoku, sikurse sivëlla, simotër etj. në kontekste të caktuara dokumentohet i njëfjalëzuar në mjaft raste, ndërsa togu për shok, siç u tha, aipër+shok-u (!!!!), nuk e ka në rastin konkret një aftësi të tillë fjalëformuese. Mirëpo ky proces rreth aftësisë së formantit si në funksion parashtese, do të sqarohet edhe më mirë në vijim.

 

4) Fjalëza si me fizionomi të qartë parashtesore

emërformuese

 

Siç dihet, parashtesimi në gjuhën shqipe është zhvilluar dhe zhvillohet gjithnjë "në lidhje të ngushtë me përngjitjen, në njërën anë dhe me kompozimin në anën tjetër" (Gramatika ... II, f. 36), përkatësisht, kur procesi i njëfjalëzimit ende është në fazën e kalimit a të kapërcimit ndërmjet togfjalëshit a prejardhjes, elementi i tillë fjalëformues ka raste të quhet me termin ndërkombëtar prefiksoid, përkatësisht në shqipe siparashtesë, të cekur pak përpara.  Ne me qëllim po e shfrytëzojmë rastin për ta theksuar trajtën siparashtesë, ngase edhe ky shembull si dhe ai siliqen, që e përmendëm, gjithashtu, më përpara, i bashkangjiten pa diskutim grupit që i cilësuam si emra të prejardhur me parashtesën si- p.sh.: sikarth, siujdhesë, sivëlla, simotër, sineri(m) etj.

T’i krahasojmë edhe njëherë ndërtimet e disa emrave strumbullarë kundrejt atyre me kuptimin e ri që ofrohet me formimet me prejardhje me parashtesën si-, sipas skemës:

 

”jo pikërisht____,          por një si+ ___                  njëfjalëzimi

---------------------------------------------------------------------------------

karth           /   si+ karth (sikarthi,                        - sikarth-i

ujdhesë        /   si+ujdhesë (siujdhesa),                - siujdhes/ë-a

liqen            /   si+liqen (siliqeni),                        - siliqen-i

parashtesë   /   si+parashtesë (siparashtesa),        - siparashtes/ë-a

fjali             /   si+fjali (sifjalia),                           - sifjali-a etj.

Në krahasim me nocionet e emrave mbështetës, emërtimi i ri nuk ikën fort nga kuptimi i fjalës temëprodhuese. Me fjalë të tjera, ndonëse nuk kontestohet nocioni tjetër i ri si emërzim, megjithatë mbetet i përafërt a i ngjashëm kuptimisht me atë të emër-temës bazë përkatëse fjalëformuese:

karth, ujdhesë, liqen, parashtesë, fjali,

kuptimi i ri kysiç është thënë edhe më përparaqë mbetet i përafërt me fjalë-temën strumbullare fjalëformuese edhe në saje të elementit SI, nuk del aspak e qortueshme, përkundrazi. Sepse kjo fjalëz, siç u argumentua më sipër kryen edhe funksionin karakteristik të krahasimit, njëherazi edhe të afërsisë a të ngjashmërisë semantike, prandaj nuk kontestohet as e vërteta tjetër se nga shembujt e tillë del e ravijëzuar qartë edhe fizionomia fjalëformuese dhe semantike e një tipi të ri të emrave parashtesorë, fizionomi kjo parashtesore që del edhe më e qartë te shembujt, kur fjala e tillë e re kalon në kuptim të fytyruar, siç është shembulli simotër, e cila në FGJSH (1954 f. 492) del me kuptimin

“kështu quhen gazetat në mes të tyre",

fakt ky që tregon se në praktikën tonë gjuhësore me këtë fjalë shprehen edhe koncepte të tjera.

T’i krahasojmë këto koncepte në vargun kuptimor të ndërtuar sipas fazave të zhvillimit të nënfushave a nuancimeve kuptimore që ka fjala motër ndaj simotër, ku fjala simotër fillimisht del si tog: si një motër pastaj:  një si+motër, më pastaj: simotër (njëfalëzim parashtesë+emër) dhe në vijimsi, kurorëzohet me këto nuanca kuptimore polisemantike si:

1) simotër (shoqe e ngushtë),

2) simotër (vëllameshë),

3) simotër (motër vetëm prej babe ose vetëm prej nëne),

4) simotër (motër e adoptuar),

5) simotër (kunatë!),

6) simotër (zëvendësim në punë, raporti infermiere/murgeshë)

7) simotër (në ideologji fetare, politike etj.),

8) simotër – gjësend konkret simotër (d.m.th. model, kampion),

9) simotër (gazetë).

Kështu, pikërisht te dy shembujt e fundit, kur fjala "e re", simotër nuk tregon më afërsi kuptimore të drejtpërdrejtë me fjalën "motër", sipas kuptimit fillestar: "femra në lidhje me fëmijët e tjerë të lindur po prej atyre prindëve" (FGJSH,  f. 1954, f. 324), madje as të përafërt, siç ceket te shembujt e tjerë, ngase tashti, siç sqarohet aty, nuk quhet "femra njeri", por kështu quhet  “modeli” i punës konkrete ose  "gazeta" në mes të gazetave të tjera të së njëjtës veprimtari. Pikërisht këtu, te kjo pikë, cilësia parashtesore e elementit si- del tejet e pakontestueshme. Në këtë rast fjalëza SI, jo vetëm se e ka të errësuar shumë "lidhjen e drejtëpërdrejtë kuptimore me kategorinë leksiko-gramatikore nga ka dalë", por ajo pothuajse e ka të zhveshur fare atë ndërlidhje edhe nga elementet e siparashtesës (prefiksoidit), e cila, siç e pamë, pjesërisht mund të mbante krahasimisht njëfarë ndërlidhje të pashkëputur kuptimore me togun përkatës fillestar dhe njëherazi me fjalën e prejardhur pasuese, pa u shkëputur nga tri tiparet e sipërcekura të kuptimësisë.

Kështu, pra, në raportin motër /simotër, në rastin e cituar s'kemi të bëjmë më me kuptim të përafërt të drejtpërdrejtë, por kemi të bëjmë me një kuptim të tërthortë autonom, të figurshëm.

Ndërtimisht e kuptimisht ngjashëm me formën simotër në FGJSSH (198O) del i regjistruar edhe emri sivëlla, me kuptimin:

1."ai që ushtron të njëjtën zeje a profesion ose që bën pjesë me të tjerë në të njëjtin grup a organizëm shoqëror, shtetëror etj.";

2. vjet. "organe të shtypit që ushtronin veprimtari të  ngjashme" (Aty f. 1759).

Siç po shihet nga përkufizimi (i të dy nënzërave), edhe këtu s'kemi të bëjmë më me afërsi të drejtpërdrejtë me kuptimin fillestar të fjalës vëlla, d.m.th.“djalë kundrejt femijëve të tjerë që kanë prindër të njëjtë” (FGJSSH f 2155), por kemi të bëjmë me një shkallë tjetër të kuptimësisë, me shprehje figurative, të metaforizuar ose të metonimizuar.

Po kësaj shkalle të kuptimësisë i takon edhe fjala singji, nëse zbërthimi është i saktë, siç mendojmë ne: si + ngji. Singji, siç shpjegohet në atë burim, quhet një sëmundje që lidhet me sëmundjen e gjirit nga "ngjizja e qumështit". Në Fjalorin e Bashkimit folja "me ngji" është identike me shprehjen "me dhanë gji" (it. allatare), së këtejmi nga "me ra ngji" (ngjizja e qumështit në gji) asociacionisht mund të ketë dalë edhe mallkimi "Të raftë singjia!" (it. Ti venga malanno!) (Aty f. 141, 289), ku fjala singji del me kuptim paksa më të specifikuar dhe njëherazi edhe të përgjithësuar si emër kuptimi.

Nga shembuj që u sollën më sipër: sikarthsineri(m)sikalaqe, sipikë, siqaresiujdhesësiliqensiparashtesë, sifjali etj. e sidomos  simotërsivëlla e singji  etj. - mund të konstatohet pa druajtje se elementi SI-në këto raste, del me fizionomi të padiskutueshme prejadhjesore në cilësinë e parashtesës së mirëfilltë emërformuese, prandaj më duket pak e çuditshme, jo aq pse studiuesit e ndritur Xhuvani-Çabej, kur trajtuan “Parashtesat e gjuhës shqipe” (1956), nuk e morën fare në shqyrtim këtë formant, po pse edhe studiuesve të tjerë nuk u ra në sy kjo dukuri, ngase, është, vërtet, i lehtëdiktueshëm fakti se fjalëza si, si element fjalëformues, ndeshet siç e pamë, ditë me diell, në fjalë të përbëra, të përngjitura, të pranëvëna, por aq më tepër edhe në fjalë të prejardhura, në cilësinë e parashtesës të specifikuar speciale emërforuese, madje me treguesit e identifikuar për nënfushë të caktuar të qartë semantike.

Sidoqoftë, edhe pse ende kanë mbetur të diskutueshëm nga pikëpamja etimologjike disa emra me formantin SI-, siç është rasti sipikë  (mbase: si+pikë, u ka ra (si)pika pulave! (paralizë ngordhjeprurëse), siqare esingjiunçe (mb.) etj., për çka pritet fjala sqaruese autoritative e studiuesve përkatës të profiluar, funksioni fjalëformues i fjalëzës SI, në cilësinë e një parashtese fjalëformuese assesi nuk mund të mohohet. Të kujtojmë edhe njëherë vargun kuptimor nëpër nëntë a dhjetë fazat e kalimit të fjalës simotër (nga motër) nga togu si motër në simotër, ku fjalëza sishndërrohet në njëfarë siprapashtese e së  andejmi, gjithnjë e më tepër në funksion të plotë të një parashtese të mirëfilltë emërformuese.

Me fjalë të tjera, si rrjedhojë e kësaj, që u tha deri këtu, rezulton se, nëse më përpara kjo çështje nuk ka qenë aq e vërejtshme, tashti ndodh e kundërta në praktikën tonë ligjërimore. Nuk është fjala më vetëm për ndonjë rast të vetmuar a të veçuar të pa peshë, por, varësisht nga nënfusha semantike që imponohet, kemi të bëjmë me një prirje të gjallë shumimi pa kufizim, model ky i padiskutueshëm në parim për formimin e emrave të rij me këtë formant dhe i mbështetur nga vetë nevoja spontane shoqërore-gjuhësore që po imponohet  gjithnjë e më shumë.

 

5) Shtrirja e emrave me parashtesën si sipas

nënfushave përkatëse semantike

 

Për të përcaktuar nënfushën përkatëse semantike sipas llojit të emrave, duke respektuar bazën kuptimore të tyre, u mbështetëm në shembujt ekzistues me si- që u trajtuan më sipër dhe, mbi këtë bazë, prej nga doli se njëherë për njëherë, këto janë nënfushat kryesore semantike që mbulohen, pra, me shembujt e tillë ekzistues:

e para, emra konkretë nga bota jofrymore,

e dyta, emërtime nga jeta familjare e njeriut,

e treta, emërtime të nocioneve abstrakte,

e katërta, emërtime nga fusha e terminologjisë tekniko-shkencore dhe

e pesta, emërtime të koncepteve në mënyrë të figurshme.

Secilën nënfushë po e ilustrojmë me ndonjë shembull.

 

a) Emra konkretë nga bota jofrymore

 

Në raportin karth/sikarth del se emri i ri i prejardhur sikarth tregon kuptim po ashtu të një mjeti konkret: jo tamam si emër-tema fjalëformuese karth, por pak si më të ndryshëm “njëfar karthi pulet”. Po i njëjti veprim ndodh edhe në raportin ujdhesë/siujdhesë[4]liqen/siliqen. Me fjalën siujdhesë, b.f., kuptohet jo tokë e rrethuar nga katër anët me ujë, siç emërton fjala ujdhesë, por vetëm nga tri anë. Me fjalën siliqen nuk kuptohet "pellg me ujë ...i rrethuar nga katër anë me tokë", por kuptohet një "moçal a ligatinë (me ujë që shtrihet zakonisht afër një lumi, liqeni etj.".

Kështu pra, me emrin me parashtesën SI- fillimisht gjithsesi tregohet një kuptim tjetër por jo i largët nga kuptimi i emër-temës fjalëformuese.

Po të kësaj natyre mund të jenë edhe emrat singjiunçe, sipca (lloje dardhash: si dhe siqare (torbë barinjsh), fjalë këto që kërkojnë zbërthim, ngase tema fjalëformuese e tyre në kohën tonë kuptimisht del e errët, por asociacionisht edhe formimet e tilla ndikojnë në përplotësimin e perceptimit të shumësisë rreth formimeve të emrave të tipit me parashtesën si.

Edhe pse emrat e tillë me si- njëherë për njëherë nuk i ndeshim të shënuar në numër shumë të madh në burimet përkatëse leksikografike, s`mund të përjashtohet mundësia që ata në gjuhën popullore tash e në të ardhmen, jo vetëm të pikin, por edhe të rrjedhin pa kufizim. Në të vërtetë, shembuj të tjerë konkretë, ndeshim jo rrallë të formuar sipas kësaj analogjie, si në gjuhën e folur ashtu edhe në gjuhën e shkrimit, qoftë ndonjë emër sendi a mjeti konkret, sikurse është shembulli sikarth,  sistel, sikiotec, siqare, sistrofullogë, qoftë ndonjë emër vendi a gjeografik, sikurse janë shembujt: siujdhesë, siliqen, sipyll, sizabel, sirrahishtë etj.

Në të vërtetë, struktura i ngërthen formimet e tilla, ndërsa sistemi i pranon në gjirin e vet, sepse substanca e modelit tashmë ekziston dhe është fort e përkapshme.

 

b) Emra konkretë nga jeta shoqërore, familjare

 

Në raportin motër/simotër, siç del e shënuar në FSHSK (1981), f. 852, vërehet diçka që nuk është shënuar më përpara në fjalorët tanë përshkrues normativë të sipërcekur, por është tejet me rëndësi të vihet në pah dhe të mësohet më mirë për këtë derëdalje (zgjidhje) të tillë, e cila ofrohet në rast nevoje. Në këtë burim, fjala simotër del e regjistruar për barasverësin "posestrica, posestra, polusestra" të gjuhës serbokroate, d.m.th. me kuptimin: jo bash motër prej prindërve të njëjtë, po "motër prej nëne" ose "motër prej babe" ose “motër e adoptuar”. Kështu parashtesa si- e shqipes plotësisht i përgjigjet siparashtesës së gjuhës serbokroate po- (pol- = gjysmë-).

Kjo zgjidhje barasvlerëse është mirë të ndiqet më tej, ngase nëse praktikohet për mbarë shqipen standarde një sirrugëzgjidhje e tillë fjalëformuese, siç është pra edhe rasti sibijë për po?erka, atëherë do të ofrohet, vërtet, një zgjidhje praktike e përshtatshme dhe asociacionisht e lehte për t’u përkapur. Prandaj edhe rastet e tjera, siç janë barasvlersit serbisht - shqip: posinak – sidjalë, po?erka ose pok?erka – sibijë,  poglavar- sikryetar, poglavica – sikryeparë, polustric- sixhaxha, polubrat –sivëlla, polubog –siperendi (gjysmëperëndi, gjysmëzot), polucrnac – sizezak etj. Pra në vend të prefiksit nominal  të serbishtes po(l), ne parapëlqyem parësorisht barasvlerësin si+emër, por në gjuhën tonë del e përdorur edhe siparashtesa gjysmë+emër, siç janë rastet serb. polubog shq.gjysmëzot, gjysmëperëndi, gjysmëburrë, gjysmëproletar e ndonjë tjetër, ku bën pjesë edhe gjysmënjeri, mënyrë kjo që për koncepte të caktuara për ne del e diskutueshme sepse në shqipe siparashtesa, gjysmë- përveç kuptimit që ka si një siparashtesë e specifikuar e shënuar në burime normëzuese për konceptin : gjysma e diçkaje, përgjysmim,  jo i plotë që i  përgjigjet pothuaj bukualisht barasvlerësit të serbishtes po(l) – polu-, por në shqipe kjo siparashtesë ka edhe kuptim keqësues (pejorativ). Krahaso gjysmënjeri – personi me të metë nga mendja (FGJSSH f.634[5]) me sinjerisidiçka ngjashëm me njeriun, robot.

Në të vërtetë, si barasvlerës i barasvlerësit të serbishtes pol- (gjysmë-) në shqipe ka dalë edhe siparashtesa gadi- (gati) me kuptimin: “diçka në cilësi e sasi të afërt” Krahaso: poluostrvo ose poluotok-  gadishull (it. pen+isola), rast ky i vetmuar me siparashtesën gadi- (gati) por me zbërthim gadi+emër që afrohet shumë kuptimit të emrave të formuar me parashtesën si-jo pikërisht + emri si b.f. si+ishull ashtu siç ka gjetur zgjidhje në versionin tjetër sinonimi: siujdhesë.  Sidoqoftë, meqë sipashtesa gadi- mbeti e pazhvilluar, atëherë duhet të pajtohemi dhe ta arsyetojmë faktin se parashtesa si- doli më vitale, fituese në konkurrencë për të shprehur nocionin përkatës dhe njëherazi qëndron mirë si barasvlerës  ndaj shembujve përkatës të gjuhëve të huaja po të kësaj natyre kuptimore.

Prandaj, për mendimin tonë s'ka arsye të mos favorizohet parashtesa  SI- në shqipe për barasvlerës të ngjashëm edhe të gjuhëve të tjera, jo vetëm të serbishtes, si p.sh. anglisht, italisht etj.

Krahaso:

shqip       serbisht          anglisht              italisht

-------------------------------------------------------------

sivëlla      polubrat,      foster-brother,    fratellastro

simotër     po(lu)sestra  stepsister            sorellastra

sinënë      pomajka        foster-mother     madre adottiva

Së këtejmi, pa marrë parasysh faktin se në ato gjuhë mund të jetë bërë zgjidhja me prefiks nominal (serbisht), me siprapashtesë (italisht), përkatësisht me kompozitë (anglisht), në shqipe barasvlerësi me parashtesën si- del i qëndrueshëm.

Në këtë kuadër, po i cekim edhe disa emra vetjakë të formuar me parashtesën si-, siç janë Sidita (si dita), Sihana (si hëna), Sizana (si zana), Silula (si lul(j)a) e të tjerë, të cilët dalin edhe si emra përkëdhelës (kontekstorë) të rastit, si b.f. sipëllumbi (i gjyshes), siqengji (i nënës), sikëlyshi (i gjyshit), sirrushi (i dajës), simajmuni (i bacit), përkatësisht sivëllam-isidjalë-i, sibija e të tjerë po të kësaj natyre që në ligjërimin e përditshëm kanë përdorim mjaft të gjerë.

Në Fjalor emrash (të përveçëm të njerëzve) të z. Vladimir Zoto (Tiranë, 2005) dalin mbi 100 shembuj, emra të përveçëm njerëzish me këtë (si)parashtesë (mashkullorë e femërorë), si p.sh. Sidit-i Sidita, Sihana Sidet Sideta, Siart Siarta, Sibes Sibesa, Sidrin Sidrina, Sibor Sibora, Sidrit Sidrita, Sindrit Sindrita, Sives Sivesa etj.,

Në të vërtetë ne në shembullin e mësipërm për po?erka të serbishtes në shqipe shënuam  barasvlerësi  sibijë  Krahaso: ?erka – bij/ë-a bijat (*bilë-a bilat) ndërsa po?erka po?erke –sibij/ë-a sibijat).etj. Ne pas fjalës bijëe shënuam në kllapa trajtën *bilë, përkatësisht njëjësi. sibilë  shumësi sibilat, trajtë e vjetër kjo, e cila na kujton fjalën *(si)/bilë (si)bilat etruske dhe arbëreshe, të cilën  Vladimir Zoto në Fjalor emrash  (të gjuhës shqipe) të sipërcekur, e shënon dhe e rekomanon kështu  Sibila, që siç thotë autori vjen nga greqishtja Sibyla, me kuptim të paqartë...”, andaj nuk dimë sa kemi të drejtë ta frenojmë mendjen të mos  na fluturojë te sibilatmitologjike - vashat shenjtëresha profete parathënëse të Mesisë etj., që si fjalë-koncept përdorej në gjuhën greko-romake, por përputhet mbase edhe me atë të protoshqipes  -  pellazge-etruske-shqipe, gjithsesi me kuptim më të qartë se në greqishte, apo jo?!

Si do që të jetë për ne nuk është i parëndësishëm fakti, që emrat e këtij lloji kanë mundësi të paraqiten (përdoren) edhe si hiperonime, d.m.th. të përfshijnë në gjirin e tyre edhe nocione të tjera më të profiluara. Sa për ilustrim të kësaj dukurie do të mjaftohem me shembullin sivëlla (e simotër) me të cilin mund të mbulohen këto profile nocionesh që i përgjigjen përkufizimit: "jo bash vëlla (jo bash motër )", por:

1 - sivëlla a vëlla (apo simotër a motër)- shok (shoqe) i (e) ngushtë;

2 - vëlla  vëllam (motër vëllameshë);

3 - vëlla (a motër) prej nëne ose vëlla (a motër) prej babe;

4 - vëlla (a motër) i (e) adoptuar;

5 - kunat ( a kunatë) (siç e përdor F. Konica);

6 - infermier a murg (infermiere a murgeshë), sipas zëvendësimit në veprimtari etj.

Sidoqoftë, kjo mundësi zgjidhjeje në fushën e terminogjisë juridike (shoqërore, familjare) duhet të vlerësohet.

Sidoqoftë, një shumësi kaq e madhe  përshkallëzimesh kuptimore dhe një shumësi kaq e madhe emrash të përveçëm të njerëzve me parashtesën si- që përmban teksti Emra shqiptarësh , flet apo jo, për një model tashmë të formëzuar të formimit të emrave me parashtesën SI- për këtë sinënfushë semantike, por që ka mbase edhe gjurmë historike shumë të lashta?

 

c) Emra nga bota abstrakte

 

Nëse është i drejtë dhe vërtetohet zbërthimi i trajtës singji (e shënuar në Fjalorin e Bashkimit) se ka të bëjë me fjalë-temën  gji, ngji, që është zbërthim mjaft bindës, siç u shtrua më sipër, si dhe i trajtës sineri me fjalënneri/m (sinerim), d.m.th. (me pasë) trishtim, gjendje e nderë  ose me pasë: iri, zili, mëri, smirë, tendosje. (Shih:FGJSSH f.1203.) Pra. po e kësaj natyre del edhe kuptimi i fjalës "m/n(d)erim", "sineri/m", edhe pse me etimologji të paqartë për ne, por që zbërthehet me nocionin e trishtimit (tendosjes), mërisë, zilisë etj. ështu, së paku, ndeshet në përdorim të gjallë edhe sot e gjithë ditën, me sa dimë, jo vetëm në të folmet e Rrafshit të Dukagjinit, po edhe më gjerë, ngase këtë fakt e ndeshim të ravijëzuar në sistemin ligjërimor të të folmeve të këtyre viseve. Nuk janë të rralla rastet kur thuhet se "Prej kësaj të keqeje po më vjen sinerim a nerim!".

Madje edhe fjala sipikë (si+pikë, pika në tru) - sëmundje e pulave, si një apoleksi, e cekur më sipër, dëshmon se fondi i ravijëzimit të nënfushës semantike që shprehet me emrat më parashtesën SI-, del e pasuruar mjaft bindshëm edhe për nocione të nënfushës abstrakte.

 

class=Section3>

Që të tre këta shembuj, singji, sipikë dhe sineri/m vetëm sa vërtetojnë mundësinë e formimit të emrave më SI- edhe nga ky lloj i nënfushës semantike. Nuk janë raste të rralla të dëgjojmë shprehje si kjo: Prej  sa ndëgjova, prej teje po më vjen sivjellë, situg, prandaj, të lutem, mos më fol më kështu as sikështu!"

Pa hyrë në  hollësi shpjegimesh sidomos në kuptime të figurshme, duke i rikujtuar rastet sibardhësi dhe sirrugë e të tjera që u përftuan spontanisht prej nesh në këtë vështrim tonin po  shtojmë  raste të tjera të krijuara nga të tjerë si p.sh:

 gazetën Kosova sot(24.II.’99 f. 10) b.f. lexova: siverë (Sa bën siverë, sa bën dimër), te Bujku: sikrijesë (7.V.’97 f. 1), sitrysni (14.VI.’97, f. 5), simërzi (Rilindja, 21.VI.2000 f. 13), pastaj sijetësiçarje(Bujku, 21.XI.’97 f.9.

Po kështu kemi raste të dëgjojmë për një: sivajë, sidrojë, sidëshminjë sihije, një simjegullinë etj. që do të thotë se formimet e këtij nëntipi semantik janë në rritje e sipër, jo vetëm në stilin e komunikimit të përditshëm masiv, por në gjuhën e shkrimit e sidomos në fushën e krijimtarisë letrare artistike (poetike).

Shembujt e mësipërm, dëshmojnë se modeli fjalëformues i ofruar me parashtesën si- tregon, tendenca të pakufizuara shumimi, ngase e ka të përcaktuar qartë edhe nënfushën përkatëse semantike.

 

ç) Emërtime nga nënfusha e terminologjisë tekniko-shkencore

 

Edhe në këtë punim, por edhe në burime të tjera dalin në përdorim termat, si b.f, në gjuhësi: siparashtesësindajshtesë, siprapashtesë etj. barasvlerës të plotë këta për ndërkombëtarizmat: prefiksoidafiksoid, sufiksoid. Krahaso: prefiks - parashtesë; prefiksoid - siparashtesë;  afiks -ndajshtesë, afiksoid - sindajshtesë etj.[6]

Siç po shihet nga shembujt e sipërshënuar elementi SI- i shqipes ka dalë si barasvlerës i plotë për zëvendësimin e sufiksoidit të fjalës së burimit të huaj -O/ID.[7]

Sidoqoftë, siç po shihet nga shembujt, që ne nergut fillimisht i nënvizuam: prefiksoid (siparashtesë), afiksoid (sindajshtesë), sufiksoid (siprapashtesë), - fjalë-formanti -ID (ied/os) del në fund të fjalëve të përbëra në cilësinë e sufiksoidit (siprapashtesës), por që gjithnjë tek emri i ri mbartet kuptimi: si "diçka e ngjashme", si "diçka e përafërt" me konceptin që shpreh emër-tema fjalëformuese, d.m.th. pa u larguar fort nga koncepti strumbullar i fjalës temëprodhuese, ashtu siç del edhe barasvlerësi i shqipes me parashtesën si-. Çka do të thotë se  funksioni i saj i trajtës -o/id është edentik me funksionin parashtesor që shpreh fjalëza SI e shqipes (Shih edhe tek A. Dodi, Fonetika e gjuhës së sotme shqipe (l966), ribotim i Prishtinës 1970 f. 62.)

Me fjalë të tjera të gjitha fjalët më -0/ID fundor të këtij nëntipi mund të "shqipërohen", për arsye thjesht praktike stilistike sinonimike në gjuhën tonë, duke e zëvendësuar formën -o/id me atë të shqipes SI-, me ndërrim vendi anasjelltas: fundor/nistor, në përshtatje me natyrën e gjuhëve përkatëse.

Emërtimet me -O/ID fundor nuk kanë shtrirje vetëm në fushën e gjuhësisë, siç janë termat: afiksoid, prefiksoid, sufiksoid apo zhargonoid, diftongoid, vokaloid etj, por edhe në fusha të tjera si p.sh. në matematikë:grupoid, romboid, sinusoid; në mjekësi (kimi): spermatozoid, herioid, tiroid, metaloid etj., deri edhe në fushën e  astronomisëasteroid, planetoid etj. dhe tek të gjitha këto raste elementi fundor -O/ID, siç u tha më sipër, mund të zëvendësohet me elementin SI- nistor në shqipe, qoftë mbi temë të fjalës shqipe si p.sh. sindajshtesë (afiksoid), siprapashtesë (sufiksoid), simburojë a mburojak (tiroid), etj., qoftë edhe mbi emër-temën në cilësinë e ndërkombëtarizmës, si p.sh. sidiftong (diftongoid), sizhargon (zhargonoid), sigrup (grupoid), sisinus (sinusoid); sizoospermë (spermatozzoid), siherion /silëkurë (pëlhura e syrit!/ (herioid); siplanet (planetoid), siaster (asteroid), simetal a jometal (metaloid), racë simongole (mongoloide), sidiglosi (term i përdorur nga prof. R. Ismajli në librin "Etni e modernitet", Pejë 1994 f. 178) etj.

Formimet a zëvendësimet e tilla në shqipe mund të bëhen për dy arsye: e para, nëse duam të krijojmë sinonimi, e cila mund të përdoret në rrethana të caktuara krahas fjalës së huaj me elementin fundor -O/ID ose në raste të rralla, nëse duam të zëvendësojmë plotësisht fjalën e huaj përkatëse, jo të domosdoshme, me fjalën përkatëse të gjuhës shqipe. Emrat e tillë mund të formohen edhe pavarësisht në saje të analogjisë formale e kuptimore të sipërcekur, varësisht nga nevoja që sfidon nga konteksti a natyra e lëndës që trajtohet, siç është b.f. termi sifjali i farkëtuar, për mrekulli, nga studiuesi i nderuar prof. Mehmet Çeliku Fare të natyrshme dalin edhe shembujt, si: sirregull, sipërfundim, sidetyrim, sihyrje etj. që ndeshim të farkëtuara sot e gjithë ditën, në burime të ndryshme shkrimore.

Sidoqoftë, parashtesa e shqipes SI- del si barasvlerësi më i përshtatshëm ndaj siprapashtesës me origjinë të huaj -O/ID, ngase që të dyja mbulojnë të njëjtin koncept me fjalën përkatëse si emër i prejardhur ose emër i përbërë (me sufiksoid), madje trajta më SI-, për arsyet që po shprehen,  mundet me dalë si trajtë më e qëndrueshme edhe ndaj ndonjë sinonimi barasvlerës të formuar jashtë  këtij modeli. Supozojmë lidhur me këtë se dy rastet barasvlerëse të regjistruara në FSHS (1984 f. 704, 1241): jometal për metaloid dhe mburojak për tiroid mund të zëvendësohen me lehtësi me trajtën më SI-. E para, mund të quhet simetal /është fjala për një lëndë, element kimik të ngjashëm me metalin/, ndërsa e dyta mund të quhet simburojë, d.m.th. send (gjëndër) që ka trajtë të ngjashme me mburojën. Edhe trajta diskoid e cila sqarohet me barsvlerësin diskongjashëm(Shih: FSHSK 1981 f. 199) do të mund të dilte: sidisk (formë sidisku). Në Fjalorin e informatikës (ASHAK, Prishtinë 2005) janë shënuar këta dy terma: silidhëz f. 446 dhe sinjeri (robot) f. 447) dhe kjo tregon se pjesëza Si- në funksion parashtese emërformuese gjithnjë e më tepër po gjen përdorim në nënfusha përkatëse të terminologjisë shkencore në shqipen standarde.

 

d) Emra me kuptim të fytyruar

 

Lidhur me përkufizimin e regjistruar në Fjalorin e shqipes së sotme (1984) të fjalëve simotër e sivëlla, kuptime këto që dalin me ngritje jo brenda një rrafshi, kundrejt kuptimit neutral fillestar, por të një rrafshi të ri të përshkallëzuar gjithnjë e më lartë në fushën e abstraksionit, mund të thuhet se kemi të bëjmë me një kumtimësi të një shkalle të veçantë, ngase kuptimësia kalon në të shprehurit e figurshëm (metonimik a metaforik), por që mund të ketë shtrirje edhe në stile të tjera funksionale, varësisht nga konteksti.

Fjala simotër mund të përdoret asociacionisht edhe në vend të fjalës "sinonim", d.m.th. për të treguar një "fjalë, shprehje ose ndërtim që ka kuptim të njëjtë ose shumë të afërt me kuptimin e një fjale tjetër, të një shprehjeje a të një ndërtimi tjetër" (FSHS 1984 f. 1088), prandaj ndodh që jo rrallë edhe të përdoren njëra për tjetrën. Të kujtojmë vetëm shprehjen e barasvlershme: "parashtesat sinonime..."ose "parashtesat simotra ...", por ka edhe raste të tjerapërdorimi, për të zbutur kështu paksa përdorimin e tepërt siç është rasti i ndërkombëtarizmës sinonim ose anasjelltas. Ç`është e vërteta, dalja e emrave më SI- në fushën stilistike, qoftë si rezultat i rasteve nga konteksti, qoftë edhe mbi bazë të modelit fjalëformues, ose të presionit nga jashtë, është dukuri e pakontestueshme. Me fjalë të tjera çdo togfjalësh a shprehje me fjalëzën SI- të paravënë, mund të njëfjalëzohet varësisht nga konteksti që shprehet, mirëpo modeli fjalëformues karakterizohet, jo nga rastet e tilla të rastësishme të stilit poetik etj., por nga stili asnjanës dhe në përputhje me ligjet fjalëformuese që jetësohen në kuadër të strukturës fjalëformuese brenda sistemit të përgjithshëm të ligjërimit të shqipes standarde të mbështetura në modelet e ravijëzuara.

Trajtën sishok me kuptim figurativ b.f. e ndeshëm të përdorur në gazetën Bujku, 5.V.`97, f.8; 14.VI.`97,f 12 dhe në burime të tjera. Gjithashtu të rikujtojmë shprehjet ironike: vëllezërit tanë kinezë vietnamezë...ndërsa sivëllezërit (komshi) kosovarë(!), pastaj ”dy siburra, dy sigra” të përdorur ironikisht në një polemikë që i takon stilit pilitiko-publicistik.[8] Me kuptim të ngjashëm, po jo ironikë, kemi ndeshur edhe shembuj si, p.sh.simagji, sishpirtësisirelaksi,sipërkujdesje e ndonjë tjetër.

 

6) Rezultatet përmbyllëse nga analiza

 

Siç dihet si parakushte për lindjen dhe formëzimin e modelit përkatës fjalëformues janë: nevoja, ofrimi i mjeti  të të shprehurit dhe përcaktimi i nënfushës semantike, mirëpo që një model i tillë të jetë i favorizuar në normën e gjuhës standarde del i nevojshëm në raste të caktuara edhe vlerësimi e propagandimi i bardhë nga standardologët, ekspertë të terminologjisë përkatëse, ngase konstatimi i autoriteteve institucionale, i thënë sigurisht pas analizave të thelluara teorike, bën që spontaniteti të kthehet në rrjedha normale. Në rastin tonë konkret duhet cilësuar fakti se për formimet me si- ekziston motivimi i shtyrë, qoftë për nevoja brendagjuhësore, qoftë nga shtytës të jashtëm, sidomos në raport me gjuhët e huaja, ngase, jemi dëshmitarë se nga zhvillimi shoqëror / gjuhësor po dalin koncepte të reja sipas natyrës përkatëse që lypin mbulesa me fjalë e shprehje të caktuara, siç janë nënfushat semantike që mbulohen me mjetin e tillë gjuhësor fjalëformues të sipërpërmendur, prandaj fjala e autoritetit institucional e shkencor i ekspertëve të gjuhës në këtë kompleks e ka vendin e vet të domosdoshëm, jo vetëm si konstatim, por edhe si udhëzim e porosi. Po suksesi i madh do të manifestohej, kur një konstatim a porosi e tillë del e shënuar në burimet normative shkollore a studimore dhe sidomos në fjalorin përshkrues normëzues.

Në përmbyllje të krejt këtij vështrimi përsërisim gë vërtetën, se fjalëza si, padiskutim del edhe në cilësinë e parashtesës së mirëfilltë emërformuese, sepse duke u emërzuar togfjalëshi përkatës fitohet një kuptimësi e re e cila fillimisht nuk lagohet nga fjalëtema prodhuese, por  ndërkohë formon autonominë e vet semantike dhe kështu  nga  fjala e re, sipas temës sonë njomet e sforcohet me tiparet e shprehura, siç janë:

a) kuptimi i krahasimit,

b) cilësia e veprimit si dhe

c) kuptimin e përafërt a i ngjashëm semantik me emrat strumbullarë temëformues.

Krahaso edhe njëherë ecurinë e kalimit të vargut kuptimor nëpër fazat e caktuara të procesit të tillë tnë ngritje për4shkallëzimi te shembullit tipik: simotër, d.m.th. nga si një motër – një si+ motër (tog) në si+motërsimotër (emër parashtesor) dhe së ketejemi në parashtesë model gjithnjë e më të mirëfilltë: 1)simotër (fig. shoqe e ngushtë,2) simotër (vëllameshë) 3) simotër (motër prej babe a motër prej nëne), 4) simotër (motër e adoptuar), 5) simotër (kunatë), 6) simotër (zëvendësim në veprimtari të infermieres a të murgeshës), 7) simotër në veprimtari ideologjike fetare, politike etj 8) simotër  - model i gjësendit konkret dhe 9) simotër (fig. gazetë).

Me fjalë të tjera, emrat me parashtesën si- si emra të prejardhur (që këtu u manipulua me mbi 80 shembuj, prania e të cilëve në gjuhën tonë del e vërejtshme së paku që nga periudha e Rilindjes e këndej, por që aktualisht imponohen edhe më në mënyrë gjithnjë e më të dukshme. Prandaj, jo vetëm se nuk duhen frenuar, por përftimi i tyre duhen favorizuar nga autoritetet e gjuhës sonë standarde, individualisht e instituicionalisht, ngase kjo shkon në dobi të pasurimit të gjuhës sonë standarde edhe me një model fjalëformues plus, gjithsesi  të hapur që prodhimtarisht ka mundësi të pakufizuar shumimi.

Fundja, kur kemi për bazë prirjen e vërejtshme për ravijëzimin e llojit të nënfushës semantike që mbulohet me këta emra, duke bartur nga togfjalëshi: veçorinë e krahasimittë cilësisë së veprimit dhe të përafërsisë e të ngjashmërisë kuptimore me emrin strumbullar temëfjalëformues, del e nevojshme që kjo çështje të vlerësohet edhe teorikisht edhe më mirë seç bëmë ne. Së këtejmi, mbasi një model i tillë nuk del i shënuar në burimet tona normëzuese e fjalëformuese lidhur me këtë duhet të bëhet me dije opinioni i gjerë shqipfolës, krijuesit e studiuesit, të cilët duhet ta shfrytëzojnë edhe këtë thesar shumë të çmueshëm sa herë që kanë nevojë, mandej pa pritur sa të dalin gramatikat e reja ose të ripunohen fjalorët e rij normëzues.

Me fjalë të tjera, duhet ta praktikojnë e përligjjin përdorimin e kësaj mënyre fjalëformuese pothuase deri tashti të fshehur në gjirin e strukturës fjalëformuese të gjuhës sonë, aktivizimi i së cilës do të ndihmojë njëherazi të gjitha stilet përkatëse të të shprehurit si brendapërbrenda ligjërimit shqip, por ashtu edhe në raport me gjuhët e huaja.

 

P ë r f u n d i m

 

Nga trajtimi i temës “Fjalëzë SI në funksion të përashtesës emërformuese” dolën konstatimet që mund të përmblidhen si vijon:

1. Fjalëza-pjesëz SI, si fjalë shërbyese që del e  cilësuar si "e dalë nga ndajfolja" përkatësisht “me prejardhje lidhëzore”,  qoftë si fjalë e parme, qoftë e bashkuar me fjalë të tjera, del e përdorur në disa kategori leksiko-gramatikore, si: parafjalë, lidhëz, ndajfolje, pjesëz, mbiemër, përemër, folje (prejemërore) dhe emërmadje del e implikuar në fjalë a fjali e ndërmjetme si dhe në kuptimësinë e fjalive e të sifjalëve përkatëse, mirëpo sa i përket angazhimit fjalëformues atë e ndeshim, jo vetëm si fjalë të parme, por edhe në fjalë të pranëvëna, të përngjitura, të përbëra (lokucione, togfjalësha), por edhe në fjalë të prejardhura, mirëpo vetëm te kategoria e emrit tregon prirje përdorimi si model në funksion të parashtesës së mirëfilltë fjalëformuese.

2. Nga konsultimi i burimeve tona leksikografike, që nga Rilindje e këndej, doli se gjatë kësaj periudhe, emërtimet si+emër, nuk janë të pavërejtshme dhe se numri i tyre prej faze në fazë suksesivisht ka shënuar rritje, siç dëshmojnë tashmë shembujt e regjistruar si p.sh.: sikarth, singji; sineri(m), siudhesë, siliqen, simotër, sivëlla; sindajshtesë, siparashtesë; sidiglosi, sijetë, simërzi, sifjali ... etj., por hasen edhe shumë shembuj të tjerë në realitetin tonë ligjërimor të përditshëm ende të paregjistruar.

 

class=Section4>

3.Në bazë të analizës doli se janë tri komponente themelore që ndikojnë dhe ndihmojnë paraprocesin e emërzimit të togfjalëshit përkatës në si+emër e që janë: a) koncepti i krahasimit b) koncepti cilësisë që tregohet me emrin përkatës, duke treguar zakonisht njeriun sipas veprimtarisë a të punës që kryen dhe c) koncepti i shprehur me kuptim përafërsie a ngjashmërie të ndërlidhur me nocionin strumbullar të emër-temës motivuese fjalëformuese përkatëse Dhe, vërtet, në kontekste të caktuara togfjalëshat përkatës njëfjalëzohen, si p.sh Fliste si bilbil. Punonte si shkrirës. Shkonte si fluturimthi, duke krijuar kështu emra të rastit të prejardhur me parashtesën si-: sibilbili, sishkrirësi, sifluturimthi, të cilët nga përftimi i rastit (kontekstimor) fillimisht dalin vetëm në trajtën e njëjësit të shquar, por për shkak të nevojës që ndjen gjuha, emrat e tillë kalojnë në përdorim të rëndomtë tashti si emra të prejardhur me parashtesën si-, me eptim të plotë, si p.sh: sibilbil-i sibilbila-t, sishkrirës-i sishkrirls-it etj.

 

4. Ç’është e vërteta, fjalëza si për të marrë fizionomi të qartë të parashtesesës emërformuese praktikisht në varg kuptimor mund të kalojë disa faza, d.m.th. nga togfjalëshi a togu, siparashtesa dhe parashtesa e mirëfilltë, duke bartur me vete, siç u tha, tri tiparet e

sipërcekura: konceptin e krahasimit, atë të cilësisë së vepruesit dhe kuptimin e përafërsisë dhe të ngjashmërisë me konceptin e emrit strumbullar temëprodhues. Krahaso procesin: kur nga togu:  E kishte si një motër kalohet në E kishte një si+ motër  - (E kishte (një) simotër, E kishte simotër  -  kur formanti si- kalon mirëfilli në funksion siparashtese. Kështu  nga procesi si+emër, fillimisht si përftim rasti, formanti -si ndëkohë varësisht nga konteksti kalon në funksion të parashtesës gjithnjë e më të specifikuar emërformuese, Sipas përshkallëzimit kuptimor fjala si+emër në asnjë fazë nuk del e qortueshme. Ja si u shpjegua përshkallëzimi i trajtës simotër d.m.th. jo pikërisht  motërpo: 1) simotër  - shoqe e ngushtë, 2) simotër  -vëllameshë,3)simotër  - motër prej babe a motër prej nëne,  4) simotër  - motër e adoptuar, 5) simotër - kunatë, 6) simotër - në  cilësinë e zëvendësimit të infermieres a të murgeshës, 7) simotër  - në  ideologji  fetare, politike etj., 8) simotër  - si model të një gjësendi konkret) dhe 9) simotër  - gazetë.

Pra, duke mbuluar nënfushëza të qarta semantike, qoftë në sinonimi me fjalë a shprehje të tjera, qoftë pavarësisht duke mbuluar koncepte të reja të pambuluara, përftimet si+emër në kohën tonë tashmë, mund të thuhet lirshëm se e kanë ravijëzuar modelin emërformues me mundësi të pakufizuar shumimi.

5. Nënfusha semantike që mbulon emri me këtë formant parashtesor shihet më së miri nga shtrirja e përftimeve të tilla ekzistuese sipas nënfushave semantike përkatëse që mund të zbërthehet edhe sipas tipave të emrave nga pikëpamja kuptimore e tyre, si p.sh.:

a) si emra sendesh a vendesh (konkrete), nëntipi: sikarth, siqare, siujdhesë, siliqen;

b) emra njerëzish, kryesisht nga jeta shoqërore familjare, nëntipi: simotër, sivëlla, sixhaxha, sishok, sishoqe, (racë) simongole etj., nëntip ky që ka prirje të sforcohet dhe të zgjerohet në sferën e terminologjisë juridike e më gjerë, madje po të kësaj natyre konsiderohen edhe disa emra të përveçëm të njerëzve të tipit: Sihana (si hënë), Sidita (si ditë), Sidrita (si dritë), Sizana, (si zanë) etj. dhe si emra përkëdhelës po të kësaj natyre: sipëllumbi (i nënës), siqingji (i lokës), sikëlyshi (i gjyshit) etj. që i ndeshim mjaft shpesh në ligjërimet e gjuhës së folur, madje edhe si emra të përveçëm njerëzish, tipi, Sidet, Sidete, Sizanë, Sidit Sidita.Sidrit Sidrita, Sivera, Sibila etj – numri i të cilëve kalon me dhjeta e dhjeta;

c) emra abstraktë të tipit: singji, sineri(m), sipikë, sibardhësi etj., me të cilët shprehen zakonisht koncepte nga bota subjektive e njeriut ose a ndonjë nocioni tjetër abstrakt, si p.sh: simërzi, sijetë, siçarje, sikrijesë etj., nëntip ky që shënon rritje të konsiderueshme aktualisht;

ç) emërtime nga nënfusha e terminologjisë tekniko-shkencore si sinonime a zëvendësime të termave në cilësinë e fjalëve ndërkombëtare me fundorin -O/ID (-EID/OS), qoftë mbi fjalë-temë me burim të shqipes ose të ndonjë gjuhe së huaj a ndërkombtarizëm, si p.sh.: (në gjuhësi) siparashtesë (prefiksoid), sindajshtesë (afiksoid); sizhargon (zhargonoid), sidiftong (diftongoid) etj.;  (në metematikë) sigrup (grupoid), siromb (romboid), sisinus (sinusoid); (në kimi) simetal (metaloid); (në mjekësi) sizoospermë (spermatozooid), simburojë (tiroid); (në astronomi) siplanet (planetoid), siaster (asteroid); (në teknikë) sidisk (diskoid) etj., por varësisht kontekstit mund të krijohen edhe shembuj të tjerë sipas kësaj analogjie, siç është krijimi fort i qëlluar i Mehmet Çelikut: sifjali, i Rexhep Ismajlit sidiglosi, pastaj sirregull, sidetyrimsihyrje, sipërfunrim etj. që ndeshim në burime të caktuara, ndonjë rast ndeshet i përftuar edhe shkrimet tona.

d) emra me kuptim të fytyruar të tipit: simotër, sivëlla, siburrë, sigrua, singji, simëgji, sishpirtësi etj. me të cilët tregohen metaforikisht ose metonimisht koncepte të sendëzuara që fillimisht kanë ngjashmëri veprimi, jo me fjalën bazë temëformuese, por me koncepte të tjera, si b.f. simotrat - sinonimet, p.sh."parashtesat simotra" - parashtesat sinonime etj. Një mundësi e tillë e përftimit të emrave më -SI në fushën e stilistikës, jo vetëm poetike, del e pakontestueshme dhe shumë frytdhënëse.

Shembuj ekzistues, si dhe farkëtimet e reja, që po dalin dhe që mund të dalin mbi këtë bazë, dëshmojnë për një model, vërtet, të përvijëzuar qartë semantikisht që edhe ndërtimisht janë fort të lehtëpërkapshëm dhe me fuqi potenciale të pakufizuar shumimi. Prandaj formimet e tilla jo vetëm se nuk duhen penguar, por përkundrazi, ndërgjegjësisht duhen favorizuar edhe nga autoritetet tona institucionale të gjuhës sonë standarde.

Është e vërtetë se motivimi i shumimit të emrave të tillë vjen si rezultat, qoftë i nevojave të brendshme të gjuhës sonë, qoftë për arsye jashtë gjuhësore, siç është edhe raporti me gjuhët e huaja, prandaj shqippërdoruesit duhet ta shftytëzojnë këtë mundësi fjalëformimi sa herë që e ndjejnë të nevojshme.

Së këtejmi, duke pasur para sysh përhapjen e sotme dhe perspektivën e emrave me parashtesën si-, që fillimisht bartin me vete tiparin e krahasimittë cilësisë së veprimit dhe komponentin e kuptimit të përafërt a të ngjashëm me nocionin strumbullar të emërtemës fjalëformuese, del e drejtë kërkesa që kjo fjalëz, SI (+EMËR) në burimet përkatëse normative të gjuhës sonë standarde s'ka arsye të mos shënohet edhe në funksion të parashtesës fjalëformuese.

 

Prishtinë, 1998, rishikuar, 2014



 [1] Gramatika... II (1976), f. 350.

 [2] Shih :  Abdullah Zymberi, Parashtesa në fjalësin e Burojës së Drenicës, ASHK, Studime 5,6,7,  Prishtinë 2000  f. 375.

 [3]  Fjalorët përshkrues normativë: Fjalori i gjuhës shqipe, Tiranë 1954, Fjalori i gjuhës së sotme shqipe, Tiranë 1980 dhe Fjalori i shqipes së sotme, Tiranë 1984, Fjalori i gjuhës shqipe, Tiranë 2006,  në këtë trajtesë do të përdoren me shkurtesat përkatësisht: FGJSH (1954), FGJSSH (1980), FSHS (1984) dhe FGJSH (2006).

 [4]  Shënim: Kur është fjala të raporti sinonimik siujdhesë = gadishull, pa hyrë në raportin në mes të sinonimeve ishull/ujdhesë (Krahaso: ital. isola = ishull, penisola = gadishull), semantikisht dhe ndërtimisht më shumë ka motivim trajta me formantinSI-: siujdhesë (si+ ujdhesë ; si+ ishull) sesa ajo me formantin gadi: gadishull (gadi (gati) + ishull; gati + ujdhesë!).

[5] Formimet gjysmë+emër gjysmë+njeri  (gjysmak), “njeri i metë nga mendja”.( Shih FGJSSH f. 634).njeriu në shqipe mund të kenë edhe kuptim pejorativ. Krahaso: gjysmë+njeri  (gjysmak), “njeri i metë nga mendja”.( Shih FGJSSH f. 634).

[6] Për këtë shih edhe te revista "Gjuha shqipe" (Tiranë), nr. 4/87 f.4 dhe revista "Studime filologjike" (Tiranë) nr. 2/86 f. 92.

[7] Shënim: Shpjegohet se formanti -ID (-O/ID) rrjedh nga gjuha greke, nga trajta eidos, fjalë ndërkombëtare kjo, e cila në shqipe mund të ketë këta barasvlerës të përafërt: pamje, formë, trajtë, figurë, ngjashmëri. Në kuadër të strukturës zhvillimore të kësaj fjalë del edhe ndërkombëtarizma e njohur: ide. Me formën EID- nistore janë formuar edhe ndërkombëtarizmat si: eidetikë, eidetizëm, eidologji etj. kuptimësia e të cilave ndërlidhet me "gjurmimin e perceptimeve dhe me formimin e përfytyrimeve" (Shih: Fjalor i psikologjisë i P. Nushit, Prishtinë 1987 f. 56 si dhe Leksikon stranih re…i i izraza (M. Vujaklija), Beograd 198O f. 257.

 [8] Shiko veprën Shqiptarët janë atje, të Kadri Manit, Tiranë 1999, f. 158.

 

 

 



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx