Kulturë
Kadare boton romanin e panjohur të 1958-ës
E marte, 28.01.2014, 07:33 PM
Nga Fatmira Nikolli
TIRANE-Shtëpia Botuese "Onufri" do të botojë këtë fillimshkurt romanin e parë të Ismail Kadaresë. I titulluar "Mjegullat e Tiranës", ai është krejt i panjohur për publikun. Veçse një rreth i ngushtë miqsh ka dijeni për historinë e shkruar më 1958, kohë kur Kadare ishte vetëm 22 vjeç.
Lajmi bëhet i ditur nga botuesi i tij, Bujar Hudhri, me rastin e 78-vjetorit të ditëlindjes së shkrimtarit.
Një histori dashurie mes dy të rinjsh studentë. Rrëfimi është vendosur në Tiranën e kohës, në vitet e zymta të 1950-ës. I pyetur, nëse kjo histori dashurie është bazuar mbi kujtimet e vetë Kadaresë, Hudhri thotë se "nuk mund ta pohojë një gjë të tillë". Në fakt, shkrimtarët janë mjeshtra në përdorimin e ngjarjeve reale, duke i mbështjellë me imagjinatë të pakursyer, e Kadare edhe më shumë se mjeshtrit. Romani që 'mori jetë' plot 56 vite më parë, kur shkrimtari i njohur ishte student në Tiranë, ka qëndruar deri më tani në sirtarët e tij.
Botimi
Pse nuk është botuar deri më tani një roman i shkruar më 1958? - e pyesim Hudhrin. "Kadare nuk ka dashur ta botojë. Ai ka menduar se nuk ishte aq i arritur sa duhet për t'u dërguar para lexuese", -përgjigjet ai. E megjithatë, koha që ai u bind ta shpinte këtë roman të parë të karrierës së tij, krejt të panjohur, e njëherazi kaq të vjetër, erdhi.
Botimi i tij është ideuar të bëhet i paraprirë nga një bisedë e shkrimtarit me një studiuese të re. Kjo bisedë do të ndërmjetësojë mes shkrimtarit e lexuesit. "Përmes kësaj bisede, shkrimtari do të tregojë çfarë është ky roman, konteksti në të cilin u shkrua dhe pse vjen tani. Romani paraprihet nga një studim i mirëfilltë, pasi Kadare nuk do që të ketë keqkuptime", përfundon Hudhri.
Kjo vepër është shkruar në 1958, para se ai të mbaronte degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës, për të nisur më tej udhëtimin drejt Moskës, ku do të përfundonte në dy vjet studimet në Institutin e Letërsisë Botërore "Maksim Gorki" (1958-1960). I bërë i njohur që në rini, para se të shkruante këtë roman, ai e kishte nisur rrugën e krijimtarisë letrare si poet që në vitet e gjimnazit, duke botuar "Frymëzimet djaloshare më 1954, "Ëndërrimet", (1957). Famën ia çoi më tutje vëllimi "Shekulli im" (1961), e më tej "Përse mendohen këto male" (1964), "Motive me diell" (1968) etj. Ndërkohë, në vitin 1964, ai kishte botuar "Gjeneralin e ushtrisë së vdekur", veprën e tij më të dashur e më të njohur.
Ditëlindja
Ismail Kadare ka lindur më 28 janar të vitit 1936 në Gjirokastër.
"Kështjella"
(1975), "Kronikë në gur" (1970), "Emblema e dikurshme"
(1977), "Ura me tri harqe" (1978), "Gjakftohtësia" (1980),
"Pallati i ëndrrave" (1981), janë të tjera vepra të zëshme të tijat.
Shumica e veprave të Ismail Kadaresë janë përkthyer e botuar në mbi 45 gjuhë të
botës dhe janë pritur shumë mirë nga publiku lexues. Ai është shkrimtari
shqiptar më i njohur në botë. Në vjeshtën e 1990-ës ai vendosi të linte
Shqipërinë, për t'ju drejtuar Parisit, qytetit ku veprat e tij kishin korrur
sukses. "Mungesa e ndryshimeve demokratike", qe arsyeja për të cilën
ai kërkoi azil politik. Ai është fitues i shumë çmimeve letrare kombëtare dhe
ndërkombëtare, ku më të rëndësishmit prej tyre, janë "The Man Booker Prize" që e mori në vitin 2005 e "Princi i