E shtune, 03.05.2025, 06:17 PM (GMT+1)

Kulturë

Elvi Sidheri: Dy fjalë për Entelën!

E enjte, 30.01.2014, 09:57 PM


Dy fjalë për Entelën!

Nga Elvi Sidheri

Entelën e kam pas njohur “televizivisht” dikur falë një emisioni mëngjezor të “Vizion +” ku ajo u bashkohej dy vashëzave të hareshme dhe tejet të qeshura e bëhej natyrshëm së toku me to, pjesë integrale e atij kompleksi të këndshëm, me fjalët e saj të rrjedhshme, të matura dhe përherë të kuptueshme edhe për një vesh apo intelekt të pamësuar apo të parrahur me fushën dhe termat specifikë të sociologjisë.
Më pas nuk pata munguar t’a vë re edhe tjetërkund, teksa porsi një bletë e palodhur punëtore, ajo fluturonte në ndonjë studio tjetër televizive në synim të nektarit që të ofron eteri mediatik, duke u falur gjithnjë shikuesve (apo dëgjuesve kur bëhej dhe bëhet fjalë edhe për radio) e thënë figurativisht...“mjaltin” e saj special,  pra këshillat apo mendimet që përherë aq rezultojnë të mirëpritura nga publiku, sa edhe të vërteta e në të njëjtën gjatësi vale me ngjarjet dhe ndodhitë e shumta, që prodhon realiteti i vështirë dhe i komplikuar shqiptar.
E pikërisht kur pata menduar se këtë vajzë e pata humbur nga sytë,  u gjend...kush tjetër veç faqes ku kam nderin të publikoj edhe vetë mendimet e mija të transformuara në shkrime të shumta, ”Zemra Shqiptare” ku një ditë figuroi edhe emri i saj i shoqëruar me një shkrim si zakonisht tejet interesant.
Ishte diçka e lidhur me familjen kam përshtypjen.
Shkrimet e saj më pas u shpeshtuan e nisën të zënë natyralisht vend në fondin më të lexuar dhe të vlerësuar të Zemrës Shqiptare e më gjerë, ashtu siç edhe fjala ose pjesëmarrja e saj nëpër media të shumta, ishte bërë një takim i pashmangshëm dhe i shumëpritur për publikun e gjerë.
Prej atëherë jemi njohur e komentuar shpesh reciprokisht,  kemi ndërvepruar nëpër analizat apo thellimet tona mbi zhvillimet e tepërta dhe të çrregullta që trondisin dhe shkundin jo rrallë nga themeli vendin tonë të përbashkët si dhe shoqërinë shqiptare.
Kemi variuar nga çështjet e prekshme të statusit dhe gjendjes së mjeruar të komunitetit rom,  tek varfëria e kujtdo banori të këtij vendi,  tek ndotja e egër mjedisore dhe aksionet njëditore apo zgjidhjet afatgjata që do të shëronin apo të paktën kuronin në njëfarë mënyre ambientin ku përditë jetojmë të gjithë dhe nuk kemi harruar të merremi edhe probleme e këndvështrime gjuhësore, ”dukuri e fenomene” që na zgjojnë neve si dhe shumëkujt tjetër kërshërinë dhe dëshirën për t’a përdorur dhe ruajtur e pasuruar sa më shumë gjuhën tonë të bukur shqipe.
Tashmë edhe në versionin “e-book” nga Filozofia Urbane dhe miku jonë i përbashkët Albatros Rexhaj,  Entela na dhuron të gjithëve për këtë fundviti plot festa dhe (dashtë Zoti)...hare, librin e saj “Një copëz Shqipëri”.
Libër i domosdoshëm për t’u lexuar në mënyrë që të njihemi me këndvështrimin e Entelës lidhur me shumëçka ndodh rreth nesh në përditësi, jo sepse kjo është largqoftë një “detyrë”, por për arsyen e thjeshtë, se mendimi i çiltër, pozitiv dhe profesional i saj, do të na ndihmojë që të zbërthejmë, njohim dhe të kuptojmë e vlerësojmë si dhe që të thellohemi më qartësisht, nëpër labirintet e kësaj Shqipërisë tonë të sotme, duke mëtuar modestisht që të ngremë edhe një Shqipëri më të mirë për të nesërmen.
Ky libër pra mund t’u shërbejë si një guidë e vlefshme për të depërtuar brenda pikëpyetjesh themelore si për shembull: “A jemi më pranë frymës Europiane”?
Po ashtu ai do t’iu ndihmojë që të njiheni edhe me:”Profil gruaje” apo që të kuptoni se çfarë do të thotë që:”Të jesh grua në Shqipëri”, vështirësitë dhe pamundësitë e rrethanave që të bëjnë:”Të jesh i varfër në Shqipëri”...apo:”Të jesh i papunë në Shqipëri” ose:”Të jesh i moshuar në Shqipëri” si dhe margjinalizimin që buron nga fakti kur dikush e jeton në lëkurë atë që do të thotë:”Të jesh Rom në Shqipëri”.
Me shkrimin e lehtë dhe të rrjedhshëm të autores, do të takoheni me tematika të lidhura me harresën kolektive, me debate që kanë të bëjnë me gjuhën si dhe me kulturën tonë politike dhe politizimin e skajshëm të shoqërisë shqiptare.
Pra ky libër përmbledhës është një rast për të mos u humbur, mundësi më unike sesa e rrallë, për të takuar brenda rreshtave dhe mendimeve të saj, një sociologe me “vesin” e të shkruarit, nga e cila nuk do të shkëputeni dot më.
Dhe në fund Entela...siç e kishe përmendur edhe vetë në prezantimin e këtij libri:”Gjërat nuk janë ato që duken”...jo në fakt, në rastin tënd janë edhe më mirë se ç’duken dhe ky libër të nderuar lexues, është edhe prova më e mirë për këtë.



(Vota: 20 . Mesatare: 2/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx