Kulturë
Krijimi i Mozaikut, që hyri në librin e Ginisit
E merkure, 29.01.2014, 08:07 PM
Nga Albana Zeneli
Gjithçka ka nisur nga pastrimi i oborrit të qendrës edukativo-sociale “Don Bosko” në Gjilan para katër viteve, ku vetë drejtori i kësaj qendre, prifti katolik Don Dominik Qerimi bashkë me disa të rinj vullnetarë kanë nisur punën e pastrimit të oborrit dhe kanë hasur në boça të pishës.
Pas kësaj Qerimit i kishte lindur ideja të krijojë diçka nga ato, por mund të mos e kishte imagjinuar kurrë se vepra e tij do të hynte në librin e rekordeve botërore të Ginisit. Në zyrën ku mbi tavolinë ishin të vendosura boça të pishës , autori i veprës ” Mozaiku i vlerave”, Don Dominik Qerimi flet për Zërin, për punën në këtë vepër.
“Duke e pastruar oborrin e shkollës tonë për të krijuar fushën për lojëra kemi hasë në boça të pishës. Nxënësit e mi kanë pyetur në zyrën e Londrës “Guinees World Records “ se a mund të konkuronim, dhe kanë kërkuar një sqarim zyrtar. U tregova se çfarë planifikoja. Pas gjashtë javësh më kanë kthyer përgjigjen, duke ma dhënë mundësinë që të konkurroj por kur mora përgjigjën, skica veç ka qenë e vendosur”, ka thënë Qerimi .
Të ecësh bashkë me të drejt sallës teatrale ku rri mozaiku gjigand i tri figurave, dy nga të cilat janë figura shqiptare. Nje vepër që të duket e pamundur të jetë e realizuar vetëm nga boçat e pishës e aq më pak nga një njeri që nuk është artist.” Certifikimi i “Mozaiku i vlerave” ka kaluar një proces të verifikimit prej datës 26 dhjetor 2013. Vepra ka hyrë në kategorinë e re të krijuar enkas për këtë mozaik me titull ’Largest pine cone mosaic’ (Mozaiku më i madh në botë me boça pishash), me numrin e regjistrimit ID: 437233”, thotë Qerimi.
“Mozaiku i vlerave” përbëhet nga 51 mijë e 865 boça të pishave. Vepra është e gjerë 15 metra dhe e gjatë 7 metra ndërsa në të janë portretizuar tri figurat e njohura historike, humanistja Nëna Terezë, Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe Don Bosko.
Sipas tij, qëllimi për të bërë një vepër të tillë ishte përveç se për të bërë diçka të bukur në Teatrin e qendrës Don Bosko, mbi të gjitha për të vlerësuar gjërat e vogla, dhe për të përcjellë një mesazh gjithë të rinjve që të frymëzoheshin nga ajo që quhet vlera, si vlerat universale, vlerat kombëtare dhe vlerat lokale.Ne mozaikun prej 90 metra katror përzgjedhja e figurave nuk është e rastësishme. Qerimi thotë se pikërisht me këto personazhe është munduar të përcjellë mesazhin duke i lidhur figurat me njëra- tjetrën.
“Përmes figurës së Nënë Terezës jam munduar të paraqes një vlerë universale .Edhe pse,Nëna Tereza ka qenë shqiptare dhe ajo e ka pohuar këtë gjë me qindra herë vetë, megjithatë figura e saj nuk duhet të mbyllet dhe të kufizohet me atë që është çështja jonë kombëtare, një figurë si ajo është vlerë universale dhe jam shumë i bindur sa frymëzohemi ne nga ajo, shumë më shumë frymëzohën popujt tjerë”, thotë Don Dominik Qerimi, derisa flet për dashurinë për Zotin dhe Njeriun, andaj, thotë ai, Nëna Terezë si askush tjetër na mëson këtë gjë:
“Nëna Terezë është figura që paraqet shërbimin për të na frymëzuar që të bëjmë një ndryshim duke filluar nga vetja, pastaj në rrethin ku jetojmë, duhet të kuptojmë së dashurinë ose e bëjmë shërbim ndaj tjetrit ose nuk është dashuri e vërtëtë” rrëfen Qerimi.
Ndërsa sipas autori përmes figurës së Gjergj Kastriot Skenderbeut ka dashur te paraqesë vlerën kombëtare, i cili në këtë aspekt është simboli më i rëndësishëm i historisë sonë, derisa personazhi Don Bosko sipas tij është i vendosur si simboil i edukimit.
“ Figura e Gjergj Kastriot Skenderbeut përpos vlerave të tjera të cilat ka, këtu jam përpjekur të jap këtë porosi : vlera e sakrificës për atdheun , Ky njeri ka sakrifikuar për vendin e vet duke lënë një karrierë shumë të squar që e kishte filluar në oborret e sulltanit. Andaj figura e Gjergj Katriotit e paraqitur këtu na jep atë porosi të vlerës të cilën po ashtu kemi filluar ta harrojmë se nëse ne duhet t’i shërbejme vendit tonë duhet të mësojmë të sakrifikojmë për të”, kështu thotë prifti katolik teksa flet për heroin kombëtar.
Ndërkaq për figurën e tretë të vënë në mozaik Don Bosko, Qerimi thotë se atë e ka paraqitur si simbol të edukimit, derisa mesazhi final thotë të jetë: “Për të bërë një ndryshim të madh në shoqërinë tonë, Kosova mundet dhe duhet të angazhohet më shumë në edukimin e rinisë, të cilët janë pasuria më e madhe. Don Bosko simbolizon këtë vlerë, edukimin”, thotë autori i mozaikut që ka hyrë në librin e rekordeve Guiness.
Për realizimin e një vepre të tillë, sipas autorit, është dashtë kohë, por asnjë shpenzim. “Puna në këtë mozaik ka filluar më 7 tetor dhe ka përfunduar ne ditën e Krishlindjeve , gjithsej 138 orë punë që kam bërë për realizimin material teknik . Gjithë punën e kam bërë personalisht unë vetë në ngjitjen e materialet, ama duhet llogaritur edhe faktin se para 4 viteve një grup i të rinjve të Gjilanit të quajtur “ Animatorë” përafërsisht 114 prej tyre më kanë ndihmuar. Dua të them kush do të bëjë gjëra të mëdha, mjafton dashuria për atë gjë, dhe nuk duhet të jesh gjeni apo ekspert të krijosh diçka të bukur .” ka thënë Qerimi për “Zërin”.