Kulturë
Ilir Muharremi: Piktura nuk krijohet për shitje
E merkure, 29.01.2014, 08:33 PM
Piktura nuk krijohet për shitje
Nga Dr. Ilir Muharremi
Piktori
ndjenë një thirrje të brendshme për t’i ribërë etydet e figurave të cilat vetëm
në qetësinë absolute përhapen në
sipërfaqe përmes ngjyrave, figurave dhe sendeve, të krijuara jo veç nga natyra,
por nga vetja për të tjerët. Shtrydh
ndjenjën pa u ngutur, pa nervozizëm apo iritim, siguron një njohje të re të
modelit të gjallë, e them të gjallë sepse mishërohet përmes ngjyrës,
tonalitetit, kontrastit, harmonisë, baraspeshës, vijës të gjitha elementeve
figurative të cilat janë nën mundësinë e piktorit. Duhet të vejë re se asnjë etyd i tij nuk mund
të ngjaj me ndonjë tjetër, apo thënë më mirë të krahasohet ngaqë asgjë e
përbashkët nuk lind këtu dhe nuk duhet të lind. Nietzsche ka pohuar: “Unë jam
një njëri dhe mos më ngatërroni me të tjerët”.
Piktorët
stërvitin dorën dhe hedhjen e bojës në telajo, kjo bëhet që të shkathtësohen,
por penelatat rregullohen vetvetiu pa qenë nevoja të mendosh për to, ato janë
të menduara dikund në thellësinë e krijuesit, pastaj çdo ditë duken të reja
sikurse dielli.
Një shprehje e bukur turke për shkrimtarin thotë: “Të gërmosh një pus me një maje gjilpëre”. Por, edhe kjo vlen për piktorin sepse vetëm në këtë mënyrë mund të radhitet tek piktorët e mëdhenj, edhe pse ata kanë vdekur me madhështinë e tyre. Piktorët tanë Kosovarë, e kam fjalën për atë vetmitarë, për ata që shtrydhin kohën me qëllim të arrijnë butësinë e shpirtit, por edhe ata aspak nuk qenë të lumtur me vetveten, as një piktorë nuk shijojë kuptimin e fjalës së parë lumturi. Por, çka i duhet piktorit lumturia kur nga dallga dhe përleshja shpirtërore nxjerr frymëzimin. Kjo është e vërtetë. Edhe ditët e para, por edhe ato të fundit nuk qenë të lumtura për piktorët. Ata varroseshin me vuajtjet e tyre vetjake, dhe fare nuk interesoheshin për shijen e kolektivit. Por, a duhet që pikturat të pëlqehen ashtu si krijohen nga dora e piktorëve, apo piktorët duhet t’i krijojnë brenda kornizës së shijes kolektive. Unë do zgjedhja dhe do vlerësoja atë të parën, sepse shija kur arrin të shpartallojë masën, ka triumfuar me origjinalitetin, por vetëdija jonë “Primitive”, ndaj pikturës vazhdon të trashëgohet. Madje, piktura krijohet edhe me porosi duke e radhitur në një zanat ose plotësim i hapësirave nën përshtatjen e boshllëkut mendor dhe nuancave të orendive. Vërtet vrasëse, kjo. Më shumë se vrasja. Çdo ditë e më tepër afirmohen këto kërkesa në atelietë e piktorëve, dhe ata bien preh e këtyre “zagarëve” apo shkatërruesve të artit, duke i detyruar për një shumë të vockël, apo edhe të majme, që ata të tradhtojnë vetën për të tjerët, e kundërta, të tjerët duhet të vrapojnë pas shijes së piktorëve. Nuk duhet abuzuar me krijimtarinë, por edhe krijimtaria nuk duhet të bëjë punë të liga për paranë. Vështirë e kam të kuptoj ledhatimin e shpirtit për diçka që nuk ma ka qejfi, ajo edhe nëse shpërthen në pëlhurë, nuk shpërthen rrjedhazi dhe përkitazi me qetësinë shpirtërore, por me vazhdim të mendimit, idesë të skicuar nga lajkatari, dhe si mund t’i duken piktorit arti dhe dashuria si diçka të lehtësuara apo të shenjta, kur shndërrohen në mall për shitje. Kemi piktor që punojnë për shtije, piktor që punojnë për vete dhe mbivlerësojnë vetën duke shitur punimet me çmime të majme, kemi piktor të cilët ngjyrën dhe pëlhurën e ndjejnë si diçka të tepërt në vete që duhet të shpërthejë, piktor që shpejt e krijojnë atë që e kërkon publiku, piktor që “hobi” destinojnë motivimin, piktor që nuk lirohen nga korniza akademike, e shumë të tjerë të cilët nuk do i zë fleta. Por, cila është fituese ndaj lojës shpirtërore që shërben si rrëmbim për shitje? E keqja më e madhe është se shumica e njerëzve nuk janë njëmend me këtë, edhe pse është rrëfyer e vërteta. Në pikëpamje dhe përmbajtje fitues i merituar është ai që është destinuar të vuajë shumë, në radhë të parë sepse e tradhton frymëzimi, apo rrethanat e pengojnë të punojë. Por, edhe në disa çaste arti nuk i duket aspak i shenjtë e hyjnor. Ky krijues duhet të pajtohet se zemra i rri te arti ngaqë është i pajisur me dhunti që kanë lindur bashkë me të dhe duhet t’i dhurohet i tëri pa u kursyer, apo menduar se pëlqehet apo refuzohet, kjo nuk vlen për të dhe as që duhet të pengojë. Duhet të qarkulloj mendimi se e keqja gjendet e rrënjosur brenda nesh, pavarësisht se kush jemi. Piktorët e sotëm të rinj kanë një përparësi më të mirë se ata të vjetër, nuk moralizojnë në art, kjo është shumë e rëndësishme. Ata nuk krijojnë për shtije dhe as që e mendojnë, sepse po ta mendojnë, atëherë ajo nuk do të shitet dhe do të jetë e vakët në treg, dhe as që duhet të mendohet për treg. Arti nuk është biznes, e as biznesi art, arti nuk renditet tek luksi, dhe tek të humburit kohë me të, për art nuk duhet të flitet me gjysmë zëri dhe me gjithfarë nëntekstesh, edhe pse shumë piktura e meritojnë këtë. Fjala është për piktura të sinqerta me mundësitë e talentit e jo të shitjes. Me këta njerëz që kërkojnë të blejnë art me porosi, është e pamundur të lozësh me karta të hapura, dhe sa më i prerë të jetë mendimi i piktorëve ndaj cave si këta, aq më shpejt kanë për të ardhur ata tek piktorët. Andaj, o piktor krijo me qëllim për mos ta shitur shpirtin sepse gjithkush ka për ta blerë....