E marte, 30.04.2024, 05:43 PM (GMT+1)

Kulturë

Tahir Bezhani: Veneta Çallpani - “Rikthimi”

E shtune, 01.02.2014, 06:50 PM


SHPRUSHJE MALLI FAQEVE TË  HISTRORISË

(Veneta Çallpani: “Rikthimi”, roman, botoi “Toena” Tirane, 2013)

“Një komb që humbet kujtesën,

pak nga pak humbet veten”

Veneta Çallpani

Nga Tahir Bezhani

Veneta Çallpani e lindur me 1993 në qytetin Bajram Curri, deri me tash ka botuar romanet ”Hëna dhe Yjet”- 2006, “Heshtje”-2008, prozën poetike ”Frymëzim çasti”-2010 dhe në vitin që shkoi (2013), botoi edhe romanin “Rikthimi” nga SHB ”Toena”-Tiranë.

Në shkrimet e saja, autorja trajton tema aktuale e me tematikë shoqërore-sociale, ku gjithnjë gjen vend gërshetimi  mjeshtëror i vuajtjes dhe dashuria, si triumf në jetën e lodhur të kohës sonë. Në prozën poetike, natyrisht, kacafytet edhe me erotiken, duke e zbërthyer atë në gjendje të jetës reale, si ushqim shpirtëror rinor.

Dashuria si triumf kohe dhe historie

Romansierja e re,Veneta Çallpani, vjen nga një cep verior i Shqipërisë, nga Tropoja, një krahinë, kjo e cila, letërsisë shqipe i ka dhuruar emra të mëdhenj si në prozë ashtu edhe në poezi. Mjafton të përmendim ca prej tyre, si: Brunillda Zllami, Manjolla Braho, Almonda Bajrami, Vëllezërit Buçpapaj, një dinasti letrare, Hamit Alia, Besnik Mustafaj, Zeqir Lushaj, Ramiz Lushaj etj. Të gjithë këta që kanë dalë nga gjiri i Alpeve shqiptare dhe janë rritur me cicërimën e zogjve dhe shungullimën e ujit të Valbonës, frymëzimet e tyre të pastra si loti, kanë  shkëlqyer anekënd trojeve shqiptare. E tillë është edhe autorja e romanit “Rikthimi”, Veneta Çallpani, e cila me talentin dhe përvojën e saj, ka bërë hapa të konsiderueshëm në letërsi.

Romani  “Rikthimi”  i kësaj krijueseje, prezanton dhe shprushë një zjarr malli fletëve të historisë sonë të dhimbshme,  një datë e një kohë, që është kurdoherë dregëz që kullon gjak e dhimbje, temë kjo gjatë e fjetur në kohë, në sirtarët e kancelarive zyrtare të Shqipërisë dhe të Evropës.

Autorja e romanit “Rikthimi”, Veneta Çallpani, me një mjeshtri të spikatur, përmes protagonistëve, Jeta dhe Marko, ngre në piedestal një problem madhor i një rëndësie të veçantë historike për kombin. Trajtimi i temës bosht, përmes protagonistëve Jeta e Marko, të cilët bien rastësisht në dashuri, dhe si dy tipa të takuar për një ideal jete, i qasen guximshëm për ta mësuar historinë e viteve 1944, kur populli Çam u ndjek nga trojet e veta pas një gjenocidi të paparë.

Marko, si gazetar e Jeta shkrimtare e re, i drejtohen gjyshes së Markos, Mena, e cila ishte në moshë të thellë dhe kishte përjetuar tmerret e asaj kohe. Ajo, e gëzuar që Marko, i vetmi djalë i familjes që kishte shpëtuar nga ai tmerr dhe ishte rritur me shumë mund, kishte gjetur një vajzë të bukur për të trashëguar familjen, rrëfen gjithë ngjarjen e atyre viteve, gjithë gjenocidin e kryer nga ushtri e polici greke ndaj një populli të pafajshëm. Gjyshe Menua, u rrëfen: ”isha vetëm nëntë vjeçe, kur dola jashtë shtëpie, pashë një fëmijë të vdekur afër shtëpisë. U futa brenda duke çarë.

Në zbardhjen dritës, pasi kishim ngarkuar rrobat e ushqime, ikëm në këmbë. Kur arritëm në tokat shqiptare, e para që vdiq nga të ftohtit qe motra ime tremuajshe. Më vdiq edhe djali, moj bijë, vetëm Marko më ka mbetur, vetëm tek ky i kam shpresat.... ”Gjyshja Mënua, ndal rrëfimin nga lotët, ndërsa Jeta e Marko, nga rrëfimi i saj preken në shpirt. Nga ajo mësuan gjithë tragjedinë çame, e cila u mbeti në kujtim tërë jetën, si një ngulitje në ndërgjegje për të mos pushuar kurrë së vepruari për rikthimin në trojet e tyre të lashta. Për këto qëllime, Marko formon shoqatën ”Bashkimi”, me qëllim veprimtarie për çështjen çame, ndërsa Jeta,vendosë të shkruajë librin për Çamërinë.

Fati i kombit si veçanti e romanit

Karakteristikë e veçantë e këtij romani, që lexuesit nuk i shpëton nga vëmendja, është se autorja, çështjen Çame, nuk e shikon të zgjidhet përmes një gjakderdhje, nuk vjell urrejtje ndaj popullit Grek, nuk pëlqen barbari e dhunë, por këmbëngul në të drejtën legjitime sipas ligjeve kombëtare e ndërkombëtare, që çështja Çame, gjithsesi të zgjidhet sipas parimit ndërkombëtar, pa gjakderdhje. Kjo formë bashkëkohore, i jep sinjale Evropës e qarqeve ndërkombëtare se populli Shqiptarë, nuk është luftënxitës, nuk është ai për të cilin armiqtë përreth kanë thurur të pavërteta me decenie të tëra dhe kanë ndikuar në copëtimin e trojeve tona. Pra, autorja nuk preferon lëmoshën, por me çdo kusht preferon zgjidhjen adekuate të çështjes Çame, si e drejtë legjitime e pamohueshme.

Në veprën më të re të Veneta Çallpanit, vërejmë një zgjerim, preokupim, një seriozitet në trajtimin e temave të rënda, por të domosdoshme për të mos kaluar në harresën e kohës. Tema e trajtuar ngërthen në vete zjarrin e mbuluar, assesi të harruar.

Për t’i shkuar në fund temës së trajtuar, autorja, dashurinë mes Jetës e Markos, e ngritë në nivel artistik, në një dashuri platonike, ku ekspansioni i dashurisë derdhet në trojet e prindërve të Markos, në Gumenicën e lënë pa asnjë çamë. Të dashuruarit, atje shkojnë me pasaportë, dhe kalojnë muajin e mjaltit, nga ku lidhet edhe fryti i tyre, të cilin më vonë e pagëzojnë me emrin e detit Jon. Pas linjës së djalit, Jonit, supozohet apo imagjinohet vazhdimi i jetës në trojet e veta. Marko, tani identifikon fshatin e shumë përfolur nga gjyshja, Pargen, me dhjetëra shtëpi buzë detit Jon, nga kishin prejardhjen.

Këto pamje zgjojnë nostalgji tek Marko, dhe nga shpirti nxjerr thëniet: ”Pas një shtrëngate të madhe e të gjatë, më në fund po arrinim të puthnim qetësisht e me dashuri tokën tonë, si për t’ia shuar e për t’ia mbyllë ato plagë shumëvjeçare...”!

Kjo flet për një imagjinatë të shkëlqyer të autores, e cila, bazuar në përvojën letrare, ia arrin, duke qene e pasionuar në lexim të literaturës së autorëve të ndryshëm  botërorë.

Krejt në fund, mund të konkludoj me dashamirësi se romani “Rikthimi” i autores Veneta Çallpani, ndonëse akoma e re në moshë, është edhe një dhuratë e çmuar për lexuesit, një roman i realizuar mirë me shumë tema të pëlqyera, me një stil e mënyrë të veçantë trajtimi, me një edukatë të ngjeshur e moralizuese skajshmërish.



(Vota: 6 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora