E marte, 30.04.2024, 11:19 AM (GMT+1)

Kulturë

Kristaq Turtulli: Shurdhëria

E diele, 02.02.2014, 05:16 PM


SHURDHËRIA

Apologji për vete dhe për të tjerët...(pjesa e tretë)

NGA KRISTAQ TURTULLI

Para do kohe bëra një shkrim ku në qendër trajtoja një temë madhore:

‘Njohjen dhe rivendosjen e drejtë të çështjes së pronës në Shqipëri. Në realitet vazhdon padrejtësia dhe mohimi, ndaj pronës së ligjshme ose kompensimin fizik prioritar  ish pronarëve. Si dje, sot, dhe gjithë ditën vazhdon me ta e njëjta lojë dhe hipokrizi. Qeveritë, nxjerrin akte dhe vendime. Të nesërmen i kompensojnë me të reja. Uji rrjedh gjithnjë në mullirin e tyre. Pronat e trashëguara brez pas brezi nuk u kthehen qytetarëve të ndershëm. As dhe kompensimin fizik prioritar nuk u bëhet. Vetëm shurdhëri.

Për fat të keq qytetarët e varfër, presin. Shumë prej tyre pensionistë, që janë rropatur gjithë jetën, tani jetojnë me listë në furrën e bukës. Ata nuk kanë përfituar apo nuk janë kompensuar, me asgjë. Pronave të tyre i shohin me dylbi në këto njëzet e ca vjet të ‘shenjta’ demokraci.’Por më thënë drejt, në hark kohor, shtatëdhjetë vjet, qysh me vendosjen e komunizmit në Shqipëri.

Shkrimi nuk ishte thjesht spunto, por një përgjegjësi morale dhe shoqërore, ndaj vetes dhe të tjerëve . Gjithashtu duke pare dhe lexuar vendimet e qeverise lidhur me pronën, këto ditët e fundit. Që u hiqet mundësi për kompensim ish pronarëve.

U  indinjova prej padrejtësisë që ju bë bashkëqytetarëve të mi korçarë si dhe familjes sime, që i ka dhënë aq shumë qytetit të vet, Korçës së dashur, me burra të shquar, intelektualë, patriotë të mëdhenj dhe bamirës si rrallë kush në botë.

Në mot të ftohtë janari, të këtij fillim viti, ndodhi që 165 familjeve të vjetra korçare u grumbulluan dhe protestuan  me drejtë përpara bashkisë së qytetit të tyre.

Gjithashtu në shkrim theksova dhe për qëndrimin dhe veprimin arbitrar, mohues nënvleftësues të kryetarit të bashkisë, Sotiraq Filo. Kryetar bashkie ky, i njërit prej qyteteve më të rëndësishme të Shqipërisë, Korçës. Ky qytet, dikur, me të drejtë quhej ‘Parisi i vogël’. Mbasi qyteti i Korçës kishte shumë elemente të rëndësishme zhvillimi dhe civilizimi të një qyteti me pamje evropiane, në kushtet e asaj kohe. Liceu i famshëm francez i Korçës, i cili kishte filluar të bëhej njohur në Evropë, për cilësinë e studentëve. Shëtitjet në mbrëmje. Ballot, kinematë, teatrot, koncertet, serenatat e mrekullueshme, karnavalet. Këtë e bënin korçarët punëdashës e artdashës dhe familjet e mëdha.

Gjithashtu aso kohe thuhej shpesh: Po të digjet Selaniku e bën Korça, ndërsa po të prishet Korça nuk e bën dot Selaniku... Kjo tregon se në vitet tridhjetë qyteti i Korçës kishte zhvillime  cilësore e potencë tregtare dhe luante një rol të rëndësishëm në Ballkan.

Shkrimi im ishte me titull:

‘ Një bejlurçinë e re në Korçën plakë’.

Aktin flagrant i kryetarit të bashkisë Sotiraq Filo, për zhbërjen e pronave të ligjshme, me tapi, të 165 familjeve të vjetra korçare. Si dhe për indiferencën, shurdhërinë dhe ironinë  e pa konceptueshme të një drejtuesi qyteti të tillë me tradita dhe kulturë. Të cilit, pra shokut Sotiraq, banorët e qytetit votuan për ta zgjedhur kryetar, nga nënkryetar që ishte më parë. Kryetari i mëparshëm i qytetit të Korçës Niko Peleshi, iku, u ngrit në detyrë, u bë zëvëndëdkryeministër i qeverisë socialiste. Sotiraqi i morri votat me shumë siklet në zgjedhjet e fundit. (Për të mos bërë këtu analizën dhe vërtetësinë e marrjes së votave, apo vjedhjes së tyre. Çështje kjo që ka folur mjaft shtypi shqiptar dhe shpirti i tij dhe i partisë së tij e di. Ndaj nuk dua të zgjatem në këtë pikë.

Sido që të jetë, Sotiraq Filo tani është në krye të stafit të tij besnik dhe të qytetit të Korçës. Qytet, i cili shpesh herë ka qenë pulsi e vërtetë vendit dhe shpejt a vonë të gjykon me gjakftohtësi dhe të nxjerr natyrshëm jashtë rrjedhës dhe kohës. Sotiraqi tashmë ‘duhet të jetë i përgjegjshëm,’  për detyrën dhe përgjegjësinë qytetare dhe shoqërore që ka ndaj bashkëqytetarëve dhe çështjeve të tyre dhe të shohë përtej hundës së vet. Por siç duket, dhe siç po ndodh rëndom tek ne, detyrat dhe përgjegjësitë nuk merren për të bërë progres, për ti shërbyer shoqërisë, vendit dhe qytetit por interesave të ngushta vetjake dhe të grupeve të veçanta. Kryetar Sotiraqi sapo morri detyrën, nuk duroi dot. Nuk ndenji as dy muaj dhe menjëherë ua ndërroi destinacionin e pronave të pronarëve të trashëguara brez pas brezi, nga zonë e verdhë në zonë të gjelbër. Gjoja unë u premtova qytetarëve në fushatë. Siç duket mendja e Sotiraqit kujton se meqë u bë kryetar, Korça është çiflig i tij dhe me një lëvizje të lapsit, pa fermane dhe vula, mund të bëjë me pronat e të tjerëve si të dojë.

Një të thënë dhe një të bërë...Pronarët e ligjshëm mbetën me gisht në gojë.

Ndërkohë u bë shurdhëri e madhe, sunduese pas shkrimit në fjalë dhe botimit të tij.

Kush është ky që kërkon të bëhet zhurmë, kur më mirë është shurdhëri! Nuk si shurdhëria. E përse duhej të vihej uji në zjarr, kur nuk shihet kurrkund shkëndija, u pëshpërit.

Kur në të njëjtën kohë këto prona janë të trashëguara brez pas brezi nga familjet e vjetra korçare në qindra vjet. Ky vend, këto prona janë shumë të rëndësishme, ngrihen si ballkon i qytetit dhe i gjithë fushës së Korçës. Ato toka gjenden në kodrat e qytetit, të cilat dikur ishin vreshta, fill pas murit të spitalit, që e ndërtoi dhe i dhuroi Korçës njëri prej pjesëtarët e fisit tim, i madhi mirëbërës Thoma Turtulli.

Sigurisht duhet të ketë shurdhëri.

Për këto toka u përgatit një projekt dhe ky projekt ju paraqit bashkisë në vitin 2010. Ky plan-projekt i afërt, do bëhej me investime të huaja, për ndërtimin dhe zbukurimin e qytetit, në bashkëpunim me ish pronarët.

Nuk dihen arsyet përse u la në sirtar, u zvarrit, u harrua,  ky projekt madhor evropian izraelit, intrigues dhe shumë i rëndësishëm. Ky projekt ndërtimesh, me urbanistikë moderne, të kohës, me 80 përqind investime, vila banimi dhe 20 përqind gjelbërim, do ti jepte qytetit të njohur për kulturë dhe përparim, një tjetër pamje dhe zhvillim, si dhe në aspektin e zhvillimit të turizmit dhe të tregtisë. Për ta bërë qytetin e kangjellave, gjelbërimit, kulturës dhe të serenatave, me plot të drejtë, të thirrej, ashtu siç thuhej dikur ‘Parisi i vogël’.

Kur nuk ke mundësi të na i kthesh pronat tona, tokat tona, o shoku kryetar. Të paktën na i kompenso, i thanë ish pronarët, si të vetmen zgjidhje të mundëshme. Ta jetojmë dhe ne si gjithë të tjerët, atë qe nuk e jetuam shumë nga prindërit tanë për shtatë dekada me radhë.

Kompesim pronash!? Por bashkia është e varfër nuk ka fonde për të tilla kompensime, u  tha shoku kryetar.

Shurdhëri. Ka si shurdhëria! Media hesht, shoqatat e ndryshme heshtin, partitë heshtin. Kanë të tjera çështje më të mëdha.

Ne si pronarë të ligjshëm a nuk kemi të drejtë të kryejmë veprime, ndërtime në pronat tona, tokën tonë? Toka jonë! Jo nuk keni asnjë të drejtë në tokën tuaj, u tha shoku kryetar. Pra ne jemi njëlloj si më parë, në diktaturë, në monizëm, në kooperativë, në shtetëzim. Kur thuhet që jemi një shtet demokratik. Ne o shoku kryetar, që të paçim sa malet, që na mbron, na ndihmon, që na bën të shurdhër. Ne kemi shtatëdhjetë vjet që presim që haka të shkojë tek i zoti. Të marrin pronën e grabitur dhe të mohuar. Ka logjikë dhe drejtësi këtu, oi madhi shoku kryetar? Deri kur më, nuk kemi të drejtë ta jetojmë jetën si të tjerët? Na thuaj një fjalë, hë të paçim?!

Ndërkohë kryetari File me ironi, dhe për ti përcjellë, u tha: mos u mërzitni, duroni dhe ca. Paçka se mund të mbillet ndonjë pemë, ju do ta keni pronën. Ju e them unë kryetari i bashkisë, nuk ua mohon kush. Bëni siç keni bërë.

Po bëhet njëzet e katër vjet që po na thonë këtë gjë, e kemi pronën, tokën tonë, por hiç, i thanë ish pronarët. Kryetari mblodhi supet dhe nënqeshi. Përse të mos bëjë, tashmë shoku kryetar Sotiraqi ka dhe gurin dhe arën. Ish pronarëve u është mësuar shpina me nëpërkëmbje. Ata janë të butë, të urtë, të edukuar, nuk të bëjnë gjë.

Prandaj nuk u çudita aspak nga shurdhëria që ndodhi pas botimit të artikullit dhe indiferentizmi me të cilin u pasua. E prisja këtë gjendje, shurdhëri. Por njëherësh dhe u trishtova. Për veten dhe për shoqërinë shqiptare. Sepse nuk është problemi e siç thuhet: një gjellë që nuk e ha le të digjet me gjithë tenxhere. Ose: kur nuk kam pula përse të bëj dava me dhelprën. Këtu nuk bëhet fjalë për gjellë dhe për dhelpër dhe pula.

Njëkohësisht duke parë që qeveria ndryshe nga premtimet e deridjeshme për një skemë të re e cila do të kishte një kompensim fizik prioritar për ish pronarët. Me aktin e djeshëm, të datës 29 janar qeveria i hoqi të gjithë tokën e mundshme të Agjencisë së Pronave dhe rrjedhimisht për ish pronarëve. Pra veprimi fillon qe nga qendra në bazë.

Çështja e pronave në Shqipëri është thembra e Akilit shqiptar. Kjo do të ish shkallina e parë e progresit dhe e ardhmërisë qysh në vitet e para të lëvizjes demokratike në Shqipëri.

Dikur, në fillim të vitit- 1992 takova në Korçë dhe i mora një intervistë Sabri Godos.  Kisha një njohje të thjeshtë me të. E pata takuar më parë, rastësisht në klubin e Lidhjes së Shkrimtarëve. Atëherë ai porsa ishte zgjedhur kryetar i partisë republikane. Pyetjen e parë që i bëra ishte: Çdo të bëhet për pronat dhe ish pronarët?  Ai më pa ngulët dhe më tha: Pronat! Ato janë themeli i programit të partisë sonë. E besova, sepse ai kishte lidhje familjare me familjen e madhe të Vrionasve, të cilët ishin pronarë të mëdhenj tokash. Por kthimin e pronave e kanë edhe partitë e tjera, i thashë. Partia Republikane është ndryshe, më tha. Shtylla kurrizore e programit tonë është e drejta e ligjshme e pronës e trashëguar brez pas brezi.

Për fat të keq të gjitha mbetëm në letër. Plaku i republikanëve iku dhe çuditërisht, vazhdoi e njëjta gjendje. Ndoshta plaku i mençëm Godo nuk kish shumë forcë, etj e të tjera...

Ndërkohë po kalojnë më shumë se  dy dekada, kjo çështje gjithnjë është nënvleftësuar ose keqpërdorur. Mbasi nuk ka gjetur mbështetjen e duhur prej dy forcave të mëdha politike. Dhe çuditërisht në programet e tyre kanë kthimin e pronave, ose kompensimin e tyre. Po ti shohësh hollë nuk e dallon ndonjë gjë esenciale një program të një partie nga programi tjetër, paçka se thonë se një është e majtë dhe tjetra është e djathtë. Një program të djathtë të mirëfilltë nuk ka, në mendësi dhe praktikë. Nuk ka si të ketë, mbasi shtresa që duhej ta mbështeste dhe ta udhëhiqte këtë çështje madhore ishte e vënë me shpatulla, për të mos thënë shumica ishte asgjësuar, burgosur, internuar. Dhe kur dolën prej qelive apo u kthen prej internimeve ishin të topitur. Pilafin e kishin përgatitur dhe gatuar të tjerët, të sprovuar dhe të stërvitur në kudhra dhe furtuna të këtilla. Tavolina ishte shtruar dhe të ftuarit ishin ulur. Ata me ndrojtje u munduan të afroheshin pranë tavolinës. Të thoshin fjalën e tyre. Por vështroheshin me kureshtje, gati me habi. Vazhdonte buzëqeshja hipokrite. Më pas tinës tyre i shkelnin syrin njëri tjetrit. Pastaj me lezet lëviznin majtas dhe djathtas. Të përndjekurit dhe të persekutuarit ndjeheshin që po shtyheshin me bërryla prej sofërshtruarve. Kishte dhe ndonjë gjuajtje të fortë, nervoze, në ije, derisa i nxorën jashtë tavolinës, i lanë në të thatë. Shtresa e mirëfilltë ishte prapa listës, si mbetej tjetër veçse të priste dhe të shpresonte.

Por ju lutem, më thoni, kujt duhet ti a vëmë fajin  dhe përgjegjësinë e kësaj shurdhërie dhe indiferentizmi. Problemeve të mëdha që ka sot shoqëria shqiptare? Po a ka problem më të madh se prona? Kudo sot në botë,edhe më parë, në mijëra vjet të gjitha ngjarjet e mëdha, përmbysjet dhe luftërat bëheshin dhe bëhen për interesa dhe para. Apatisë, korrupsionit galopant. Shtetit të zënë me punë, punonjësve të saj të paaftë? Apo mendësinë të theksuar të shoqërisë shqiptare e cila është akoma komuniste. Që o burra të flasim shume se diçka do të mbetet dhe o burra të rrëmbejmë kur s’ka të tjerë. Ndërkohë sot në Shqipëri numërohen me dhjetëra milionerë dhe disa janë miliarderë.

Nga dolën këta pasanikë të rinj të nuk të falim për asgjë, që nuk kanë ngopje, sepse u pasuruan me të gjitha mënyrat dhe jo me djersën e ballit, si dikur të parët tanë? Të cilët bënë bamirësi, ndërtuan qytetin dhe nderuan vendin. Sigurisht, paraja e fituar me mund e djersë shijohet dhe ka fryt dhe vlerë. Sesa paraja e vjedhur e rrëmbyer dhe e bërë me poshtërsi e korrupsion. Por këtë nuk mund ta kuptojnë ata që nuk e kanë.

Është folur dhe stërfolur në këto dy dekada dhe ca, që haka të shkojë tek i zoti, nga të dyja forcat politike. Kjo ka qenë dhe është thjesht demagogji, mbasi në to fshihen shumë interesa të afërta dhe të largëta.

Ish pronarët e ligjshëm, qytetarët e ndershëm dhe të nderuar, mbas protestës paqësore të bërë përpara baskisë së qytetit, caktuan një grup përfaqësues  dhe kërkuan takim me prefektin e qytetit. I cili iu hoq sikur nuk dinte gjë dhe tha se do ta shoh këtë çështje. Ndërkohë ditët dhe javët kalojnë. Heshtja dhe indiferentizmi shtetëror vazhdon sot dhe gjithë ditën.

Shurdhëri e prapë shurdhëri.

Prefekti nuk ka çfarë të shohë, kur në to ka interesa të tjera. Nuk kam dëgjuar ndonjë prej pushtetarëve tanë, të djeshëm dhe të sotëm, të vënë interesin e popullit , aq më tepër të ish pronarëve mbi interesin e vet dhe të tarafit të tij. Ish pronarët presin. Ata janë të çorientuar, të hutuar. Përsëri shurdhëri.

Por partitë politike nuk kanë kohën të bëjnë fushata elektorale, ku të prekin me forcë çështjen  e pronës. Nuk di zoti prefekt se çfarë bëhet në qytetin e tij! Nuk është koha të flasin për pronën, pronarët dhe të drejtën e saj të ligjshme. Nuk është koha, mbasi është shumë shpejt, të bredhin qytet më qytet dhe të bëjnë premtime zhurmë mëdha, për marrje pushtetesh dhe vendesh në parlament. Më mirë duhet shurdhëri. Do disa vite, që të vijë koha fushatave dhe të përpjekjeve për marrje pushteti.  Ç’ishte për të bërë u bë. Prandaj tashmë le të merren me cic mice, të grinden në parlament, të shajnë dhe stërshajnë njëri tjetrin, për një heqje, largim militanti prej detyrës, dhe emërim detyre të një militanti të krahut tjetër. Për ndarje hesapesh dhe pasurish.

Korça plakë, qytet ky, që ka luajtur një rol të rëndësishëm në historinë e kombit Shqiptar, është në shurdhëri. Le të jetë kështu si më parë, në këto shtatëdhjetë vite apatie. Edhe pse ky qytet dikur ka nxjerrë figura të shquara, patriotë të mëdhenj, në të gjitha fushat e jetës dhe të aktivitetit shoqëror. Të cilët kanë sakrifikuar jetën, rininë dhe pasurinë, për qytetin  dhe kombin për gjatë rrjedhës së historisë. Por mos harrojmë, qytetin e bëjnë njerëzit dhe e përfaqësojnë familjet që kanë jetuar dhe kontribuar në shekuj dhe vazhdojnë jetojnë në të. Korça pret si gjithnjë në apati.

Thuhet gjithnjë që, këtij vendi po i merret fryma nga fenomeni i korrupsionit. Tani po çuditeni, apo më parë nuk e dinit se ka qenë shurdhëri. Mbasi qysh në fillim të viteve 90 nisi të prisheshin shumë gjëra që nuk duheshin prishur, për të filluar nga zeroja e famshme. Të bëhej dhe të montohej mbi mohimin e pronës dhe të pronarëve të ligjshëm.

Shqipëria filloi të ecte duke u mbështetur mbi paterica drejt ekonomisë së tregut. Në truallin e  pa shtruar, pa vënë arsyen dhe të drejtën në mes, lindi, u ndez etja e papërballueshme, e tmerrshme, për tu pasuruar me të gjitha mjetet dhe mënyrat. Rrëmbimit, mohimit të pronës, të së drejtës dhe të gjithë vlerave shoqërore dhe materiale prej të tjerëve.

Përflitet  se tani është caktuar nga qeveria një fond i veçantë për kompensimin e pronave, të ish pronareve. Të jetë dhe kjo një demagogji, mashtrim dhe hipokrizi e radhës?! Kur është thënë ky haber i madh, përpara apo pas mohimit të pronave të qytetarëve të qytetit të Korçës?

Ditën tjetër vjen lajmi se qeveria ndryshe nga premtimet e deridjeshme për një skemë të re e cila do të kishte një kompensim fizik prioritar për ish pronarët. Me aktin e djeshëm, të datës 29 janar qeveria i hoqi të gjithë tokën e mundshme të Agjencisë së Pronave dhe rrjedhimisht për ish pronarëve. Pra veprimi fillon qe nga qendra në bazë. Sot e bëjmë zonë të gjelbër. Nesër. Prapë këtu jemi, mblidhemi  dhe e kthejmë si më parë në të verdhë, për interes tonë...

Më thuaj mik, ka si SHURDHËRIA?!



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora