E marte, 30.04.2024, 07:42 PM (GMT+1)

Kulturë

Murat Gecaj: Dy festa, në një ditë…

E diele, 02.02.2014, 01:13 PM


MINA ÇAUSHI: PËRURON LIBRIN E 13-TË, NË 60-VJETORIN E LINDJES

( Ose: Dy festa, në një ditë… )

Nga: Prof. Murat Gecaj

M.Çaushi e M.Gecaj (Tiranë, 28 janar 2014)

1.

Kur po hyja në një sallë të Muzeut Historik Kombëtar të kryeqytetit, solla ndërmend se, kohë më parë, pikërisht aty  ishim tubuar  për përurimin e librave të rinj me poezi  të dy emigranteve tona,  Dëshira Haxhi (Greqi)  e  Anila Dahriu (Itali). Dhe ja, përsëri sot në mesditë u bashkuam aty për të bërë përurimin e librit të një emigranteje tjetër, e cila ndodhet tash 20 vjet në Greqi. Por e veçanta ishte se, pikërisht më 28 janar 2014, ajo ka 60-vjetorin e lindjes. Prandaj dhe, me këtë rast, festën e saj të gëzueshme do ta bënte, duke përuruar kolektivisht librin e 13-të.

Kishin ardhur, në këto dy ngjarje të shënuara për Mina Çaushin,  poetë e shkrimtarë, miq e dashamirë të saj, si nga Tirana, por dhe nga Shkodra. Tubimin e hapi publicistja, shkrimtarja dhe veprimtarja e njohur, Kozeta Zavalani. Se kurdoherë ndodhet e pranishme, në  veprimtari të tilla mbresëlënëse për koleget e miket e saj, si nga Shqipëria e trojet tjera amtare, por dhe nga diaspora. Ajo ua përsëriti të ftuarëve në këtë përurim faktet, që përmenda pak më lart e ia dha fjalën redaktorit të  librit me poezi, “Një udhëtim, në fluturim me ndjenjat” (Tiranë, 2013), shkrimtarit e publicistit Albert Zholi. Ndoshta, meqenëse edhe ai vetë ka qenë dikur emigrant, tregohet i papërtuar për t’i përkrahur dhe nxitur krijuesit e moshave të ndryshme, si në poezi e prozë. Ndër të tjera, nënvizoi edhe ato fjalë, që ka shkruar në hyrjen e këtij libri, ku spikat mesazhi i  të gjitha poezive të kësaj autoreje, me thirjen: “Duajeni njerinë!” Prandaj, “Poetja diku është mike, diku motër, diku nënë, diku mësuese, diku punëtore, diku në fluturim, diku në një shtet tjetër, por gjithmonë me dashurinë njerëzore në gji”.

Të binte në sy një diçka interesante: Ndërsa K.Zavalani e drejtonte këtë përurim, nga salla ngriheshin lart duart e disa pjesëmarrësve, që e kërkonin fjalën. Ja, në bllokun e shënimeve kam shkruar emrat e disave prej atyre, të cilët e uronin nga zemra poeten Mina Çaushi, si për këtë botim të ri, por dhe për 60-vjetorin e ditëlindjes së saj. Ndonjëri prej tyre  lexoi me frymëzim poezi nga vëllimi, që përurohej, por dhe krijimin e vet të çastit, aty në sallë, kushtuar këtyre dy ngjarjeve të bukura dhe të paharruara. Pa e bërë saktësimin e emrave të folësve, për sa më sipër, ata ishin: Enrieta Sina, Merita Dabulla, Çelik Petriti, Pëllumb Aliaj, Ganimete Thaçi, Kastriot Hajdari, Neil Ruci, Astrit Resku, Selim Pira, Farida Ramadani (Zmijani), Xhelal Luca, Fran Brozi etj.

Ndërsa piktorja Flutura Maçi, gjithashtu përherë e ndodhur në ngjarje të tilla të gëzuara, i dhuroi autores së librit, M.Çuashi, një vizatim, të cilin e bëri aty në sallë. Përveç portretit të autores, ai kishte edhe 13 lule, që simbolizojnë numrin e botimeve të saj. Në shënjë nderimi e respekti, koleget i dhanë asaj edhe buqeta me lule të freskëta.

Në mbyllje të kësaj veprimtarie përuruese, foli e emocionuar poetja e shkrimtarja Mina Çaushi, e cila që nesër do të udhëtojë në një vit tjetër të jetës, bashkë me poezitë dhe tregimet e librave të saj. Ajo i falënderoi nga zemra, redaktorin e librit dhe folësit, për mendimet e çiltara e të sinqerta dhe ndjenjat dashamirëse, që shprehën për të. Pastaj, duke marrë shënimet e saj në librat e dhuruar e duke bërë fotografi për kujtim, pjesëmarrësit i kaluan disa minuta së bashku,  në koktejin e shtruar, me këtë rast.

2.

Sigurisht, lexuesi i këtyre radhëve informuese don të dijë diçka më shumë për poeten e shkrimtaren Mina Çaushi. Ajo ka lindur në Tiranë, më 28 janar 1954. E detyruar nga kushtet  dhe për një jetesë sa më të mirë, që nga viti 1993, punon në Greqi, gjithnjë me mendje e zemër në vendlindje, në Shqipërinë e dashur.

Deri tani, ajo ka botuar këta libra, në poezi e prozë, të cilat që nga tituj e tyre flasin shumë: “Pikëllimi”, “Album familjar”, “Rrezatimi i copave të pasqyrës”, “Ku do më gjeni”, “Me puthjen e yjeve, ju përshëndes!”, “Liqeni i luleshtrydheve”, “Pena e poetit”, “Fjalët e fjalorit”, “Ribotimi i pikëllimit dhe i albumit familjar” e “Gëzuar 100-vjetorin, Lulekuqe!”; “Hapi i një gruaje” e “Përqafimi” (tregime).

E urojmë nga zemra Mina Çaushin për jetën e saj të mbushur me krijimtari domethënëse, që të mos ndalet kurrë në këtë udhë të bukur dhe të ketë përherë: begati, gëzime e lumturi, vetjake e familjare!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora