E marte, 30.04.2024, 07:10 PM (GMT+1)

Kulturë

Ramiz Lushaj: Dritan Niklekaj dritëron

E diele, 02.02.2014, 01:43 PM


DRITAN NIKLEKAJ DRITËRON ME DRITËN E VET POETIKE

NGA RAMIZ LUSHAJ

1.

Në qytetin bregdetar San Remo në Italinë e Veriut e kambandali në vigjilje të vitit 2000 udhmërgimin e dhimshëm qytetari malësor, Lulash Mëhill Niklekaj, duke i fortmbajt me veti çantën e muratorit me veglat e punës (mistri, vizore, daltë, metri, çekiç) dhe bllokun me plot poezi e shkrime të ndryshme. Ai është “murator i lirë” në kërkim të punës së mjeshtrit nga porti deri tek malet e këtij qyteti të lashtë e të ri. Njëherash është edhe “poet i lirë” që derdh në vargje motivet e vendlindjes së tij në Shqipërinë e Veriut e të jetës së emigrantit në dhèra të huaja.

Para tre vjetësh, tue i kapërceu me dashuri hyjnore prindërore male e dete prej nga Japonia aziatike e Zvicra europiane ia mbrrini pranë tij në Sanremo, djali mërgimtar Dritan Niklekaj, poeti 28-vjeçar që po trokon jehonshëm me të parin libër poetik “Dhomat e Shpirtit” (2013).

Këta dy breza mërgimtarësh në ndrrimin e shekujve, babë e bir niklekaj, të dy poetë me profilin e vet, vijnë nga krahina mendjeelitare e Nikaj-Mërturit që i dha kombit rilindasin, romancierin e botuesin Dom Ndoc Nikaj (1865-1951), bajraktarin mërturas, mendtari Tunxh Myftari (1852-1953), At Pjetër Mëshkalla (1901-1988) i fisit Nikaj, Martir i Krishtërimit, Pishtar i Demokracisë, poet; bajraktari i Nikajt, mendtari tjetër, Deli Sokoli (1875-1935); veprimtari atdhetar i Pavarësisë së Kosovës, poeti e romancieri Jusuf Gërvalla (1945-1982), akademiku e shkrimtari 93-vjeçar Mark Krasniqi; presidente e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga – bijë mërturase nga lagjja Markaj e fshatit Tetaj; “Artiste e Popullit” – ikona 81 vjeçare e 120 roleve, Tinka Kurti, e dekoruar me titullin “Mjeshtre e Madhe”; gazetari i lauruar me Çmim Republike, Marash Hajati (1934-2013) – për disa vite ish kryetar i shoqatës të Nikaj-Mërturit; gazetari i lauruar me Çmim Republike, Ndue Ukcama – autor i disa dokumentarëve e monografive; poeti, përkthyesi e studiuesi 68 vjeçar, Prof. Asoc. Dr. Ndoc Papleka; publicisti e studiuesi 73 vjeçar – Prof. Asoc. Dr. Murat Gecaj; “haiku i bjeshkëve” – Gjon Neçaj; politikanin e publicistin Dr. Afrim Krasniqi; kangtari Gëzim Nikaj, kompozitori Kolë Susaj, kulturologu Marash Mëhilli, historiani Dodë Progni, Prof. Dr. Gjin Ndrepepaj, Prof. Dr. Lush Susaj, Bardhyl Ukcama, Esmeralda Mulaj, Prof. Dr. Lush Përpali, e dhjetra të tjerë.

Këta dy poetë nikaj-mërturas janë nga Kapiti (lagje në Gjonpepaj) me 26 shtëpi e 145 banorë në vitet ’90. Janë të vllaznisë Niklekaj. Etimilogjia e vendlindjes së tyne të lindjes apo origjinës e ka kuptimin “krye - kreu”. Përndryshe: e përcjellin si të prejardhun nga latinishtja “Kapitus” (Kaptinë). Nuk i kam hy fillanisjes etno-historike: nëse “kreu” është vendndodhja gjeo-fizike apo burimon nga hiearkia e banorëve të saj të hershëm kapitas. Ndoshta të dyja bashkë. Kapiti për të dy poetët mërgimtarë, babë e djalë, është kapitali ma i çmuar.

I riu Dritan Niklekaj në tufalakimin e disa poezive të tij në këtë vëllim “Dhomat e Shpirtit”, në një prej tyre, tek “Hapat në autostradën e territ” (fq. 29) shprehet se ndryshe nga ç’mund të ndodhte në atdheun e vet, në vendlindjen e vet, hapat e tij me plot dashuri e dhimbje njerëzore nuk i dëgjon askush në mërgimin e gjatë: “Terr... / Qetësi.../ Çarçaf i zi.../ Autostradë pa fund.../ E hapat e mi askush nuk i dëgjon / Dikund larg, kush e di ku / Çirret një mëlli / Zëri i saj mishin ta çon kokërr / E shpirti im sonte fukara / Në ketë autostradë terri / Shetit botën...?!/. Në një tjetër poezi “Emigranti në bursën e vlerave” (fq. 31) simbolizon edhe fatin e vet bohemik nga Tropoja deri në Japoni e nga malet e Zvicrës në qytetin portual të Sanremos: “Bredh emigranti udhëve të qytetërimit / Dhe nuk ka:/ Lindje, Perëndim, Jug, Veri / Jo busull të qartë s’ka në jetë!/ I vetmi orientim i mbetet: / Puna. Buka.Mbijetesa / E vetmja shpresë”/.

2.

Rrënjët gjeneologjike të Dritan Lulash Mëhill Niklekaj tue u palcangjit deri në 12 breza na çojnë tek ma i pari i tyne: tek Voli (Nikë-Lekë-Mecë-Kolë-Vol).

Ky Voli, sipas burimeve etno-historike, e formoi një vllazni të madhe në qytetin e lashtë të Pejës, të cilët e kishin Kapitin si vendbanim bjeshkor të tyne. Thuhet se aty ma së parit, në shek. XVII, u ngulën dy djemtë e Mecë Kolës, të cilët formuan degëzimet e Lekës (Nikë Leka – Niklekaj) dhe të Dedës (Dedajt), që nuk kanë lidhje me fisin e Nikajt, në territorin e të cilit ndodhen prej shekujsh, por janë mjaft të lidhun me krushqina marrje-dhanie ndërveti.

Toka e Kapitit i ruan nëpër shekuj historie emnat e Volajt si “Maja e Volajve”, “Lugu i Volajve”, “Çetat e Volajve”, “Krojet e Volajve”, “Livadhet e Volajve”, “Rrahet e Volajve”, etj.

Voli thuhet se ishte një luftëtar dinjitar, një “drague me flatra”. Legjenda e përshkruan si një njeri që fluturonte nëpër troje të vrrinit e të verimit. Etimologjia ka shpjegimin e tillë: tregtarët e karvajeve të Napolit e Dubrovnikut e thirrnin “Voli” (fluturues), pasi ai me të vetët kishte një status të veçantë për ruajtjen e “rrugës së madhe” të karvajeve nga sulmet, plaçkitjet, etj. Një “Voli” genetik është edhe nikaj-mërturasi Dritan Niklekaj, një “engjëll i lirë” (siç vetpërcaktohet në poezinëë “Jam i lumtur”, fq. 60).

Një Voli krahëfluturues përnget edhe poeti Dritan Niklekaj në rrugëtimin e tij biblik e poetik nga Tropoja në Shkodër e malësi të saj, në Japoni e në Zvicër e tani në Sanremo të Italisë. Në vargjet e tij tek poezia “Endje” (fq. 44) na përcjell dhimbjet e sfidat e tij: “Fati:/ Më vërtiti në qindra rrugë pa shpresë / Në labirinthet e jetës sime!/ Si një fill i hollë u bë jeta / por mbijetova me shumë mundime!/”.

Nga auditoret e Universitetit të Shkodrës Dritan Niklekaj u fillanis e jetnoi dy vite në kontinentin aziatik, në Japoninë e largët. Atje ishte në përbamje të një organizate ndërkombëtare për Paqe e Bashkim. Ishte një nga luftëtarët dijetar e veprimtar të saj, sepse shpirti i tij atdhetar e ndjente edhe tragjedinë e vendit të vet të namë në gjashtë shtete: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Greqi (Çamëria me rrethina), Serbi (Kosova Lindore, e quajtun edhe Lugina e Preshevës, dhe Sanxhaku).Nga Japonia kthehet në Zvicër ku punon në një firmë elektronike.

Një ditë prej ditësh merr vendimin: të shkoj në Sanremo tek i ati, tek Lulashi, të cilët kanë ndërveti një lidhje të trefishtë: të gjakut, të shoqërisë e të poezisë.

Ndoshta prindërit e tij ia vnuen emnin Dritan me idenë se një ditë do të “dritëronte” në jetë. Duket si diçka genetike e profetike: Dritani ka botue poezi në gazetat elektronike “Voal Online – Zëri i Shqiptarëve” (Zvicër), “Fjala e Lirë” (Londër), “Tribuna Shqiptare” (Kanada), “Prishtina Press”, etj. apo në shtypin e shkruar si në gazetën “Nacional” (Tiranë), etj.

Tani po dritëron me dritën e vet me vëllimin e parë poetik “Dhomat e shpirtit”, që ende pa dalë nga shtypshkronja iu botuan vlerësime në shtypin e shkruar si në gazetën kombëtare “Bota Sot” (në botimin e Zvicrës e të Amerikës), në gazetën e përditshme “Republika” në Tiranë, në të përditshmen shqiptare “Zhurnal” në Shkup, etj.

Poeti mërgimtar Dritan Niklekaj diku nga Japonia e largët, nga Zvicra apo në Sanremo, i përbetohet vendlindjes së tij, kombit të tij: “Atdhe! / Lumturia dhe vuajtja ime / Ngado që të mërgohem në planet / Emrin në Ty e kam”/ Atdhe! / Psherëtima e çdo mëngjezi dhe mbrëmjeje / Refreni im i këngës së pasosur / Ëndrra ime e pa cak / Me lot në sy / Kurbeti më ka vënë fytin në lak...!/ (“Emrin në ty e kam”, fq. 15). Në një tjetër poezi “Atje dua të vdes, te kodra mbi zall” (fq.83) poeti i ri shpreh dashurinë e dëshiren e tij të përjetshme për vendlindjen e vet, Tropojën e tij: “Të tretem atje ku kam qeshur dhe qarë / Me gurët e zallit, me gurë të bardhë lumi / Të më hidhni dhê nga toka e etërve të mi / Atje në ato kroje përjetë të më zërë gjumi / Sytë le ti mbylli, po vetëm të jem tek ti /.

3.

Kapiti -“fshat-lagje” i Gjonpepajt në Nikaj-Mërtur në këta shekujt e fundit ka nxjerrë figurat e veta të trimnisë, të urtësisë e të bujarisë si Ali Hakmeta, Prend Qerim Ahmetaj, Hajdar Uka, Ndrek Nika, Prel Selmani e të tjerë.

Sot, në krye të shoqatës së Nikaj-Mërturit është një nga djemtë e shquar të Kapitit e të Malësisë së Gjakovës, juristi Gjin Niklekaj. Vajza kapitase, juriste e veprimtare politike e shoqërore, Mire Marku, pavarësisht se në një kohë të vështirë të së djeshmes e të sotmes, mbetet një nga zonjat e mëdha të Malësisë së Gjakovës me kontribute për civilizimin e shoqërisë, emancipimin e femnes malësore, për mirësitë e saj njerëzore.

Në këtë listë nderi hyjnë edhe dy poetët kapitas, përndryshe: “Niklekajt e letërsisë”.

Lulash Niklekaj ka mbi 30 vite që shkruan e boton në gazeta e revista si “Drita” (Tiranë), “Rilindja” e Prishtinës, “Shkëlzeni” (gazeta lokale e Tropojës), “Zëri i Rinisë” (Tiranë), në organet për fëmijë si “Pionieri”, “Fatosi”, etj. dhe ka vepra dorëshkrimore në Shqipëri e në shtëpinë e sotme në Sanremo të Italisë. Fjalathuhet nga redaktori i tij se ka me dalë shpejt me një vëllim poetik.

Dritan Niklekaj po i vjen lexuesit me librin e tij të parë poetik “Dhomat e shpirtit” (2013) e nga ato “dhoma” do të na japin edhe vepra të tjera. Ai dijenon se një roman e ka lanë fletë pambyllun në Shkodër, disa blloqe me shkrime i ka ende tek miqtë e tij në Zvicër. Dhjetra poezi i ka në blloqe e dosje në bibliotekën e tij në Sanremo. Redaktori i librit të tij, studiuesi e analisti, Dëfrim Cani, një nga penat e vyera të kritikës shqiptare, shton faktin se pritet një tjetër vëllim poetik nga DritanNiklekaj në një kohë të afërt.

Nga degëzimi Volaj i Pejës kemi edhe studiuesin e poetin françeskan, At Viktor Volaj (1910-1995), një fishtolog i shquar, njohës i latinishtes e i greqishtes së vjetër, etj., autor i veprës “"Njohuni mbi kulturën klasike të rromakvet” (1941) e i disa të tjerave në dorëshkrim.

Poeti Dritan Niklekaj në udhën e mërgimtarit vjen me vargjet e tij që kanë fytyrën e kohës, që ujvarojnë forcën e dhimbjet e tij larg atdheut, që flakadojnë luftën për të mbet’ në kambë si dinjitar. Tek poezia “Dy lotë burri” (fq. 52) autori art’thotë: “Merri dy lotë burri / Peshojnë më rëndë se guri / Më jep një grimë shpresë / E mos më lerë të rrëzohem si muri / Si lodër fëmijësh qenka kjo jetë / Herë ikën poshtë / Herë ngjitet tek retë / Dy lotë burri bien ngadalë / Koha vizaton mbi ta fytyrën e vet”.

4.

Në vështrim krahasimor krahina e Nikaj-Mërturit (168.2 km2) është tri herë ma e madhe se Sanremo (54.7 km2), vendjetesa e sotme e poetit emigrant, Dritan Niklekaj, djalë me kulturë bashkëkohore, që dinë disa gjuhë të huaja si anglisht, gjermanisht, japonisht, frengjisht e tani së fundit edhe italisht. Ky potencial kulturor mund t’i mundësonte një vend pune edhe në Shqipërinë e tij.

Në këtë qytet portual jetoi në fundjetën e vet dhe vdiq poeti, piktori e udhëpërshkruesi anglez, Eduard Lir (1812-1888) i cili në vitin 1848 ndoqi itinerarin në trevat shqiptare nga Selaniku e Manastiri, Ohri, Struga, Elbasani, Tirana, Kruja, Lezha, Shkodra, Tirana, Kavaja, berati, Ardenica, Apolonia, Vlora, Himara, Tepelena, Gjirokastra e në Janinë, duke na i lanë trashëgim mbi 100 peisazhe mbi Shqipërinë, disa vepra të botuara për Shqipërinë qyshse në shek. XIX.

Shkenctari i madh Alfred Nobel, i lindun në Suedi (1833) e përzgjodhi Sanremon duke blerë aty një vilë në vitin 1891 dhe qëndroi derisa ndrroi jetë më 10 dhjetor 1896. Tashti jepet si mirënjohje botërore për kontribute të shquara Çmimi Nobel prej vitit 1901 nga shoqëria me emnin e tij në Stokholm të Suedisë. Deri më sot, me këtë çmim të madh janë nderuar dy personalitete shqiptare në mërgim në dy kontinente: Nanë Tereza në Indi me Çmimin Nobel për Paqe (1979) dhe Ferid Muradi në Amerikë me Çmimin Nobel në Mjekësi (1998) dhe i treti, shkrimtari Ismail Kadare në Paris, disa herë kandidat për Çmimin Nobel në Letërsi.

Poeti Dritan Niklekaj nuk është “nobel” në poetikën e tij, pasi të tillë kemi të pakët. Dihet se në luftë shkojnë trimat dhe në beteja përdorën të gjitha armët nga pushka tek topi e raketa. Këtij poeti të ri i përket merita e madhe se merr pjesë në “betejat poetike” me poezi në media dhe me librin e tij të parë “Dhomat e shpirtit”. Po ka edhe një meritë tjetër: vjen me “armën e vet poetike”, me profilin e tij të veçantë. Mbi të gjitha ai me këtë libër poetik e fiton “betejën e parë”. Jo se e botoi librin e parë, po qysh me librin e parë rendohet ndër të parët poetë të brezit të vet.

Në këtë qytet bregdetar mbahet prej vitit 1951 edhe i mirënjohuri Festival i Sanremos me jehonë ndërkombëtare, ku shqiptarja Anna Oxa (Iliriana Hoxha) e lindur në Bari më 1961, ish bashkëshortja e biznesmenit e politikanit Behxhet Pacolli në Zvicër, ka marrë pjesë 13 herë dhe ka fitue dy herë vendin e parë më 1989 dhe më 1999. Ky festival ndiqej fshehtas edhe në Shqipërinë komuniste nga mijëra të rinj e të reja.

Në Sanremo ka vdekë sulltani i fundit Perandorisë Otomane, Mehmed VI (1861-1926), i cili mbretëroi në vitet 1918-1922, pasi në vend të tij erdhi lideri epokal Mustafa Qemal Ataturk me origjinë shqiptare dibrane. Pikërisht në Sanremo vdiq edhe i fundit i dinastisë Qajar (1785-1925) Mohmmad Ali – Shahu i Iranit që mbretëroi në vitet 1907-1909. Pas tij do të vinte dinastia tjetër persiane Pahlavi, e cila në vitet 1941-1944 do të ishte një mbretëreshë shqiptare Faëda nga dera e mbretit Faruk të Egjiptit.

Në krijimtarinë e Dritan Niklekaj gjejmë motive të qytetit bregdetar Sanremos me elementë krahasimor “batica” “palmat”, “ishujt” dhe me vendlindjen alpine “orteku” si tek poezia “Baticë, që vjen nga larg”(fq. 84): “Zemër të kam unë ty përjetë / Orteku im që më pushton / I ngrohtë shikimi yt i zjarrtë / Baticë që vjen e larg më çon / Arratisem endrrave me ty / Ishujt janë strehëza jonë / Mëngjeseve mbuluar me gjethe palmash / Embël më puth, butësisht, më zgjon”./ Ndonëse në qytetin e bukur të Sanremos ai dritëron për vendlindjen si tek poezia “Dallgë amaneti” (fq. 22): “Me dhimbje, mespërmes i çamë / Vala dallgët e mëdha të detit / Prej të parëve, në zemrat tona / Lundrojnë dallgët e Amanetit / dhe apelon për rikthim në Shqipëri: “Atje, ku toka e jeta merr kuptim”/

5.

Dikur në qytetin alpin të Tropojës, në vitet ’80, kur shetisnim me Lulash Niklekaj nën hijet e pishave e të blinave e në kafene duke bisedue për letërsinë Dritani ishte i vogël.

Asaj kohe Tropoja (Malësia e Gjakovës – Malësia e Mirë) kishte shenjtorët e gjallë të poezisë së vet kombëtare: poetët Anton Papleka (Ndoc Papleka), Skënder Buçpapaj, Hamit Aliaj, dhe të tjerë tropojas si Mehmet Elezi në Tiranë, Avni R. Mulaj në Durrës, Besnik Mustafaj në Tianë, etj. Shenjtorë të rinj të poezisë po vinin në vitet ’90 të demokracisë shqiptare si Skënder Sherifi, Mujo Buçpapaj, Jaho Margjeka, Shkëlzen Zalli, Manjola Brahaj, etj.

Aktualisht në Tropojë jetnojnë e rrezatojnë poetët Lulzim Logu, Gjon Neçaj, Asllan Osmani, Avdyl Sula, Isa Breçani, Haki Zllami, Hasan Buçpapaj, etj.

Poeti Dritan Niklekaj i përket brezit të poetëve të rinj tropojas si Almona Bajrami, Manjola Brahaj, Veneta Çallpani, Osmanie Çakraj, Petrit Kuçana, Valentina Madani, Valbona Hykaj, etj.

Këta poetë kanë lind e rrit në truallin shenjtor të Eposit të Kreshnikëve, në një nga vendet ma të bukura të botës – në Malësinë e Gjakovës, ku sipas një udhëpërshkruesi europian “njerëzit flasin me perënditë e Eskilit”, ku të gjithë janë poetë e kryepoetët janë të shumtë dhe shenjtorët e gjallë të poezisë kombëtare të kësaj treve po shtohen çdo vit në panteonin e kohës shqiptare.

Tani mërgimtari Dritan Niklekaj e ka marrë emrin magjik “poet” dhe ka një mëngjez poetik të kthjellët, ku i duket qartë talenti dhe e pret e ardhmja poetike.

Poeti i ri Dritan Niklekaj e përmbyll vëllimin e parë poetik me poezinë “Me gurët e mallit ndërtova kala”, me vargjet e strofës së fundit të shkruar në bregdetin e Sanremos për vendlindjen e tij alpine duke shpalos dashurinë e tij njerëzore e hyjnore: “Kanë kaluar vite, shekuj ata duken në mërgim / Nga një gur çdo ditë me mallin ndërtova këtë kala / Por kurrë s’u mësua, si foshnje qan,shpirti im / Dhe malli si një ajzberg në këtë det tretet pa ndã”.

Poeti Dritan Niklekaj me librin e tij të parë hap një kapitull të ri në jetën e tij, pasi është jo vetëm djalë i një poeti, jo vetëm bir i një treve poetike të rrallë, po edhe një emër i ri e me të ardhme në poezinë shqipe që po udhaniset drejt të nesërmes poetike, me hapat e tij, me zërin e tij, me profilin e vet poetik.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora