Kulturë
Resmi Osmani: Gjaku i falur
E premte, 17.01.2014, 08:11 PM
GJAKU I FALUR
Tregim nga Resmi Osmani
Në një fshat të Çamërisë, maj 1943.
Mersini, po kthehej nga stani. Të djeshmen mbrëma i kishte çuar bariut të pajtuar ushqime për dy tre ditë, kishte fjetur nën tendë, mbuluar me gunë, i nanuritur nga zilkat e këmborët, poshtë kupës së qiellit hënëndritur dhe yje pikëzuar, që derdhnin teposht vesen e dritës së mugët dhe ndërkohë po kthehej për në shtëpi. Dita dukej e bukur. Pranvera kishte nxjerrë nga gjiri i saj majin, që shpërndante me të dy duart plot blerim, lule, dalldi dhe harlisje. Dielli që sapo kishte dalë, ndrinte si një pare floriri dhe rrezet e tij bënin që të shkëlqenin margaritarët e vesës mbi fijet e barit. Rruga që niste përfund kodrave të merave dhe kullotave, nderej sipër fshatit fqinj , zgjatej tutje si një kordele e verdhë dhe lidhte fshatrat rrotull. Ishte rrugë e pashtruar, e pluhurosur. Në të kalonin bagëtia dhe këmbësorë e kalorës që u binte udha aty pari.
Filloi të nxehtit. Mersini hoqi setrën,fshiu djersën dhe u ul në bar mbi ledhin e rrugës, posht hijes së një gorrice .Fshati ishte posht rrugës, me një grusht shtëpi, të bardha, të kredhura , si të kërkonin mbrojtje në gjelbërimin e ullinjve, fiqve dhe bajameve. Atje ziente jeta. Mersini e kuptoi që nikoqiret kishin nisur gatesat. Nuhatjes së tij nuk i shpëtoi ermirimi i mishit të qingjit që piqej me rigon në furrë, i byrekut me gjalpë e djathë, i birjanit me oriz dhe erëza, që puhiza e lehtë e sillte gjer tek ai. Goja iu lëmgëzua dhe në lukth ndjeu boshllëk.
Të tjerët bënin jetë jo shaka- mendoi ai, - dinin të rronin e të gëzonin. Kishin ata në shtëpi të tyre kamje mall e gjë plot, por ndonjë gjë të shijshme gatuanin vetëm për bajram apo ditët e mira dhe kur vinte ndonjë mik. Ditët e tjera u mbinin në bark djathi me vaj ulliri, dhe ullinjtë e kripur me rigon e limon. Miq kishte kohë që nuk po vinin. Që kur ranë në hasmëri, pas vrasjes së të vëllait, të shkretit Hasan, miqtë qenë rralluar shumë.
Ajo aroma e këndshme e mishit të pjekur, e vuri në punë mendjen e tij të turbullt, që s’para ja priste, ngaqë nuk kuptonte shumë, por ja që ishte nepsqar e grykës i pangopur. Mëndja aty i rrinte. Atyre të shtëpisë, kësaj radhe do tu punonte një rreng. Do të ftonte për drekë, të parët njerëz që do të kalonin në rrugë! Pastaj dihet, kur të çatisnin miqtë, nëna dhe gratë e shtëpisë do të gatuanin sipas zakonit gjithë ato gjellë e të ngrëna. Dhe pastaj,ohoho, të ngrënë po të ngrënë!
Teksa ishte duke shestuar ftesën që do të bënte, në rrugë u dukën dy kalorës, me feste të bardha, që dolën nga fshati. Mbanin para gjunjëve nga një pushkë të shkurtër italiane. Që kur hyri Italia në Çamëri, armët ishin sheshit. Mersini u ngrit dhe i njatjetoi me dorë në zemër. Ata ja kthyen përshëndetjen dhe vijuan udhën.
-Pa daleni pak, se kam një porosi nga babai, - u tha ai.
Kalorësit mbajtën kuajt.
-Bir i kujt je ti more trim?, - e pyeti ai që ishte më i moshuar.
- I Abedin Zotos.
Kalorësit shtangën, shpunë duart te pushkët, panë të habitur, me mosbesim e në mënyrë pyetëse njëri-tjetrin.
-Mos je gjë gabim? Ti na njeh se kush jemi?
Mersini u zu ngushtë, ngaqë nuk i njihte, por puna ja donte ndryshe dhe u tha se i njihte mirë. Bile, po të mos i kishte proftasur në rrugë do t’u shkonte në shtëpi.
Kalorësit ende nuk po delnin nga stepja, diç folën zëulët me njëri-tjetrin, pastaj, më i moshuari i tha:
- Bëji të fala babait dhe thuaj se sot jemi nisur për gjetkë, por nesër do të jemi aty, - i thanë dhe nganë kuajt me trok, duke lënë pas një shtëllungë pluhuri.
* * *
Nga porta u dëgjua një e trokitur e thatë , si e drojtur. Pas një tropari trokitja u përsëdyt dhe një zë burri i ngjirrur thirri: o i zoti i shtëpisë!
Mineja, e shoqja e Abedinit, që ishte duke larë enët, fshiu duart në përparse dhe shkoi e hapi portën. Para saj ishin dy burra të panjohur. Njeri më i vjetër, me feste të bardha dhe kapistrat e kuajve në duar.
- Cilë kërkoni zotria juaj? - pyeti ajo të panjohurit, pa i ftuar të hynin brenda.
- Shtëpia e Abedin Zotos është kjo?
- Po. E Abedinit.
Më i moshuari, me atë zënë e ngjirrur i tha se kush ishin dhe nga ishin. Kur dëgjoi emërat e të ardhurve, Minesë ju prenë gjunjët, e lanë fuqitë, zemra i rrahu si zog, iu morën mëntë, iu duk se qielli i ra mbi kokë, bota u errësua, sytë i vunë perde e prej tyre buisën ca shkëndijëza të ndritura që s’e linin të shihte qartë, gulçi i shtrëngoi fytin dhe nuk po ngopej dot me frymë. Por e mblodhi veten dhe u mbajt pas kanatës së portës që të mos rrëzohej përtokë. Pas asaj përhumbje ajo pyeti zëpakët:
- Mos kini trokitur gabim në këtë derë?
Të dy burrat e panë me habi pastaj i hodhën një vështrim pyetës njëri-tjetrit.
- Tham se e dije. Abedini na ka ftuar për drekë. Dje dërgoi djalin.
- Cili nga djemtë ishte, që ftoi zotërinë tuaj?
- Më duket që e quanin Mersin.
Minesë, kur dëgjoi emërin e të birit, mirë që si ra pika.”Zot, mërmërit ajo, mos na jep gjithsa ke! Ai që duhet të jetonte e që na nderonte vdiq, rron ky që na turpëron!” Nëpërmendi ajo. U hapi udhë dhe u priu për në odën e miqve, që ishte në kat të dytë dhe u tha të rehatoheshin. Ata u ulën në shiltetë e buta, shtruar mbi qilimin e madh që mbulonte tërë dyshemenë dhe u mbështetën në jastëkët e kadifejtë. Mineja mori nga buxhaku kutinë e fakfontë të duhanit dhe ua uli përpara.
- Abedini ka shkuar të punojë në ara,bashkë me dy djemtë. I dërgova lajm dhe zere se ka ardhur, - u tha dy burrave dhe doli.
Në odën e grave, e reja Fatija, e veja e Hasanit, me djalin foshnje në krah dhe vajza Adileja, kur mësuan se në odën e miqve ishin ati dhe xhaxhai i vrasësit të Hasanit, u bënë keq. Kjo ishte më keq se dita e xhenazes. Lajmi i dogji si flaka e rrufesë. Nusja, shtrëngoi në gji jetimin e vogël, nisi të qante me zë dhe lotët I rrodhën çurk, Adileja shkulte flokët. ”Qyqja, qyqja motra, për ty o vëlla, që dheu ende s’të ka tretur dhe hasmi vjen në shtëpi të na grryejë plagën e pa përtharë. Ç’qe kjo gjëmë moj nënë? “ U dukej se dita u err, dielli u shua, shtëpia u trand nga themelet sikur do të vidhisej, trarët kërcitën, muret u nxinë dhe prej tyre pikonte pikëllim e dhimbje.
Abedini mbërriti shpejt, me gjithë të dy djemtë. I verdhë dyllë, s’i kishte mbetur pikë gjaku në çere. Djemtë ishin mpakur dhe u kishin ikur fjalët.
Hynë në odën e grave.
-Asnjë lot. Asnjë të qarë. Askush nga ju të mos nxjerë zë,apo doni tu bëni qejfin hasmëve? Hasanin e kemi qarë një herë. Këta mysafirë të ftuar po të pa dëshiruar, i kemi peshqesh nga djali ynë. Gjejeni dhe sillmani në shtëpi atë qyqar , - u tha të bijve.- Grua, shpejt bëj drekën gati, ashtu si i takon sërës dhe kamjes së shtëpisë sonë. Asgjë të mos lipset, nga e para deri te e fundit. S’dua fjalë. Bëj si të thashë!
Shkoi te
pusi dhe njeri nga djemtë i hodhi ujë që të lahej e freskohej.
Dërgoi e thirri të kushëririn , Mehmetin, që i njihte zakonet dhe ishte burrë kuvendi.
- Të kanë ardhur në shtëpi, do t’i presësh si miq! Sikur nuk ka ndodhur gjë. Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut! Dërgo një nga çunat të marrin një qingj nga të mitë se ti e ke stanin mërguar. Bëju drekën, pastaj përcilli dhe thuaju ç’ke për t’u thënë. Është rasti që kjo hasmëri të mbyllet dhe gjaku të falet.Ti dhe të tjerët e dinë mirë, djemtë nuk bënë sherr,s’pati asnjë zënkë. Kjo vrasje ishte, si i themi ne allahten, padashje, nga një shkrepje e pavullnetshme arme, që i kemi peshqesh nga Italia. Pastaj, djali që bëri vrasjen ka ikur nga krahina,është hedhur në Shqipëri. Me zakonet tona, ai nuk ndiqet, dhe haka nuk merret mbi të tjerë nga familja e tij. Hasmëria merr fund.
- Vëlla
Mehmet, gjaku nuk bëhet ujë. Im bir që më thau shpirtin e që kalbet nën dhe,
nuk do të gjejë prehje deri sa vrasësi ta paguajë gjakun me gjak dhe jetën me
jetë. Sime shoqe dhe sime bije ende s’u janë tharë lotët që kanë derdhur dhe
djalit ende si ka mbirë
- Këtë lerma mua. Ti mendohu mirë për këtë që të thashë. Mos e ler pikëllimin dhe zemërimin të t’a helmojë zemrën dhe errësojë mendjen. Duket sikur ata i solli tek ti ëngjëlli i Zotit.
- I pruri ai ditëziu, Mersini i metë e sakat nga mendja, . Që më bën veç prapësira.
- E po, ai është për tu mishëruar e dashur më shumë se djemte e tjerë, se mos ka dashur të jetë vetë ashtu? Ne nuk e dimë se cilin rob ëngjëlli i zotit zgjedh për të dërguar shenjat dhe porosite tij. Pse Mersinit në atë çast iu shfaqën pikërisht ata dhe pse ai ftoi tamam ata? Pa mendoje këtë!
- Nuk e mbaj dot mbi vete këtë barrë turpi, njerëzia do më dëftejnë me gisht për paburrëri.
- E ke gabim. Të falësh, nuk është paburrëri por fisnikëri, mençuri e bujari, si të fitosh mbi të keqen . Për këtë do të kesh nderim e vlerësim të bashkfshatarëve dhe miqve e dashamirëve të gjithë krahinës. Nuk na duhen hasmëritë me njëri-tjetrin. Kemi boll Italianët , gjermanët dhe grekët e Zervës që e kanë ngrehur strofullën e djallit aty lart në Sul, që pas tyre presin rastin të na vërsulen.
- Mirë. Do t’a mendoj. Shko dhe mbaji me muhabet sa të vij unë.
- Mirë, por mos mëno.
Kur Abedini hyri në odë, Mehmeti, kishte hapur një bisedë për motet e shkuar dhe kuvendonte si të mos kishte ndodhur asgjë midis atyre dy shtëpive.
-Mirë se rrini, - i përshëndeti ai, duke i mbajtur duart të lidhura prapa.
Ajo dredhja e lehtë e zërit e tradhëtonte qetësinë që dukej se mbante.
Ata u ngritën në këmbë.
-Tungjatjeta, Abedin aga.
-Rehatohuni. Isha në ara,ndaj u solla ca.
Ata i dhanë kutinë e duhanit. Nisi ta dridhte,por një pikë djerse i ra mbi letrë dhe ajo u gris dhe ai drodhi një tjetër.
Mehmeti nisi të fliste për luftën, Italinë dhe gjermanët, për internimin që kishte kaluar në ujdhesën e Mitilinit dhe vuajtjet që nuk rrëfeheshin. Pastaj folën për të mbjellat, për bagëtinë që kishte dale mirë nga dimri, për kohën që po mbante bukurmirë, për shiun që do t’i bënte më të plotë kallinjtë e grurit dhe do të rriste barin kullotave. Folën e ç’nuk folën. Babai I gjaksit e solli bisedën rrotull që t’i dilte Abedinit në shteg për ftesën që u kishte bërë, por ai bënte sikur nuk kuptonte dhe hidhej degë më degë e në të tjera shtigje. Ishte i turbulluar. Përfytyroi ata që do të vriteshin për hakmarrje. Xhenazet me tabutet mes shtëpive, dhimbjet e lotët e nënave, motrave e grave, fëmijët që do të rritëshin jetimë, arat që do të mbeteshin shkretë….I biri ishte hallka e parë, por zinxhiri i gjakut do të vijonte me të tjera hallka të pafajshmish. Ishte në vullnetin, mirësinë, mençurinë dhe bujarinë e tij që kjo hallkë të shkëputej dhe jetët e njerëzve të kurseheshin. Mëdyshja po i brente shpirtin, aty luftonte e mira me të keqen dhe fitonte herë njëra e herë tjetra.
Mineja me të bijën i dha flakë furrës së vogël që ishte ngjitur me avllinë e oborrit dhe nisi të gatuante drekën. Sado që e bëri zemrën gur,lotët nuk iu mbajtën. Ato gjellë u gatuan me dhimbje e lot.
Abedini u ngrit e doli që të shihte përgatitjet. Dera e odës së djemve ishte e hapur.Hyri të shihte dhe sa mirë që bëri! I biri Elmazi, po pastronte revolverin me mulli dhe po e mbushte me fishekë.
-Ç’e ke atë, pse e ke nxjerë?
-Zogu na erdhi në dorë, do ti vras të dy gjaksit! Na i dërgoi Zoti.
-Budalla, çilimi kur do bëhesh burrë ti?!- Iu gërmush i ati, - fute armën në sepet, atje ku ishte. Në këtë çast, ata nuk janë gjaks, janë miq në shtëpi tonë, paçka se të padëshiruar. Shtëpia është e Zotit dhe e mikut. Miku është i shenjtë, është në besën e të zot të shtëpisë. Dhe ne jemi të zotët e shtëpisë. Nuk bëhen ato turpe se do të poshtëroheshim e çnderoheshim sa të jemi gjallë e brez pas brezi. Kur të dalin jashtë dere dhe të kapërcejnë sinoret e fshatit, janë prapë gjakësit tanë. Do kesh kohë ta rrëfesh trimërinë e të marrish hakë, por mbi vetë dorën, vetë vrasësin e jo në ndonjë plak. More vesh?- dhe ja mori revolverin nga dora e pasi heshti pak shtoi, - Siç duket nuk do të jetë nevoja.
Këtë fjalinë e fundit i biri nuk arriti ta kuptonte, por ai nuk mund të dilte kundër vullnetit të atit.
Në odë shtruan sofrën e madhe të mbuluar me mësallë të qëndisur. Mersinin e kishin gjetur dhe prurë në shtëpi. Ai i sillte gjellët me një sini të madhe që fekste nga kallaisja.
-Urdhëroni të hamë një kafshatë bukë,- i grishi Mehmeti dhe vetë i pari nisi ushqimin.
E para ishte çorba me të brendshmet e qingjit dhe e përvëluar me gjalpë, ermiruar me piper të zi, pastaj erdhi mishi i pjekur me rigon, shpatulla e mbështjellë me vezë, dollmai me kulaç e spinaq, jahnia me qepë e piper të kuq, birjani me oriz dhe erëza kopshti, sallata me ullinj, qepë, vaj dhe limon, hudhra të njoma nga të kopshtit, byreku me djathë të njomë e vezë që kullonte gjalpë dhe në fund revania me arra dhe kanellë.
Mersinit, që e kishte marrë uria, goja iu mbush me lëng e nisi të gëlltitej, në lukth ndjente boshllëk e të përzier dhe zorrët i gurgullonin. Ajo aroma dhe avulli që ngrihej nga gjellët e ngrohta mezi durohej e i shkaktonte marrje mendsh. Ishte i detyruar të rrinte qiri në këmbë, të hiqte dhe të ulte pjatat. Ama, nëna, s’i kishte lënë kusur drekës! S’ke çi thua, edhe gurët po ti zinte me dorë, i bënte të ngrënshëm! Mezi priste që miqtë të iknin dhe ai pastaj të shtrohej e të nginjej me gjellët e shijshme sa të gromësinte. Të ngrënë po të ngrënë do të bënte! Dhe ai çast po afrohej.
-Për të mira e gëzime u mbledhçim, - uruan ata- Nikoqires i paska shumë shije dora.
Mersini pruri legenin e bakërtë , ibrigun, peshqirin borë të bardhë e u hodhi ujë që të lanin duart.
Pasi pinë kafet, ata u ngritën.
- E po, Abedin aga, pritëm të na thoshje përse na kishe ftuar, se ne deh,një hall kemi, po ty s’tu hap goja e s’na the një fjalë.
- Pa merak, do t’ua them kur të dalim, - qe përgjigja.
Kur zbritën shkallët, në oborr prisnin dy djemtë e Abedinit me kuajt prej freri. Të zotët i morën dhe dolën jashtë porte pa u hipur. Abedini u printe. Bënë një copë udhë, ai i shoqëroi pa folur deri në sinor të fshatit, aty u ndal. Heshti një valë herë . Nuk e kishte të lehtë atë që do t’u thoshte, I dukej sikur bashkë me fjalët do t’i dilte edhe shpirti.
-Tahir aga,- iu drejtua atit të gjaksit, - Djali që u ftoi e bëri nga vetja, është i metë, aq mend i ka dhënë Zoti. Sido që të jetë, në këtë ngjarje duket sikur është vetë dora e Zotit. Gjakun e djalit e kam falur!
Tahiri i dha dorën dhe e rroku fort në gjoks. Nga sytë I rrodhën lot. Me zë të dredhur dhe I mallëngjyer ai I tha:
-Abedin aga, të kam vëlla në këtë dhe në atë jetë, mik e shkuar mikut. Kam tri vajza në shtëpi, të trija si drita, hajde dhe zgjidh atë që do të pëlqejë për njerin nga djemtë, që miqësia jonë këtej e tutje të jetë e pandarë!
Abedini u kthye në shtëpi. Kjo ditë kishte qenë si një makth, si një ëndërr e keqe. Në fund e ndjeu veten të çliruar i dukej se nga shpina kishte hequr barrën e rëndë që e mundonte, por me të birin, të shkretin Mersin e kishte ende të pafashitur inatin. U ndal në oborr dhe e thirri.
Djali kur e pa të vrenjtur e të hakërryer u mpak e u pataks. Abedini , e kapi fort në gjoks dhe e mbështeti pas murit. Djali u lebetit.
-Amanet,Çeço, mos më rrih!- u lemeris djali i trembur për vdekje.
Pamja e tij e çarmatosi Abedinin. Ishte prind. Këtë djalë, që ishte si një plagë e hapur e donte veçan të tjerëve, por edhe e mëshironte.
-Ty të ka rrahur perëndia mor ditëzi! Pse i ftove?
-Po ja, nuk e dija kush ishin, thashë të vinin se kur vinë miq, nëna na gatuan gjëra të mira.
- Pse nuk na e the që i kishe ftuar?
- Pata frikë.
-Pjesën tënde të gjellëve do t’ua hedh qenve që t’i hanë. Që të mos të të shkojë kurrë më mendje të ftosh miq.
E la të birin të shtangur që dridhej ende nga tronditja dhe u ngjit lart që tu kumtonte familjarëve vendimin që kishte marrë.