Mendime
Skënder Buçpapaj: Oksigjen opozitës
E hene, 18.11.2013, 08:55 PM
OKSIGJEN
OPOZITËS
NGA SKËNDER BUÇPAPAJ
Premtimi
i nxituar dhe refuzimi i vonuar për asgjësimin e armëve kimike të Sirisë në Shqipëri
nga ana e kryeministrit Edi Rama i dha opozitës së Tiranës "armë" për
të mbrojtur veten nga keqqeverisja 8 vjeçare.
U
protestua për ideale ambientaliste, ndërkohë që Gërdeci u harrua krejt. Sikur
deputetet e PD të dilnin me parrulla kundër tragjedisë të Gërdecit, ato do të ishin
të besueshëm, por ata e përdorën "ngërçin e Edi Ramës" në emër të pushtetit
politik.
Gjatë këtyre
ditëve, nga rrjedhja e lajmit në mediat franceze, të cilat pyetën ministrin
Bushati rreth çështjes në fjalë, të paktën, nuk është përmendur thuajse fare
ose ka kaluar në plan të dytë humbja e stërthellë e opozitës në Korçë dhe çështja
e Pallatit të Vlorës, 'Jon', ku ndërlikohej figura e kryetarit zyrtar të opozitës
dhe zbërthehej skema e marrëdhënieve klienteliste 23 vjeçare në Shqipëri.
Opozitës
iu kthye frymëzimi për të protestuar dhe për të krijuar situatë të tensionuar në
Kuvendin e Shqipërisë. Madje gati sa nuk u frymëzua edhe për të marrë në duart
e saj mekanizmin e protestës para Kuvendit, në rrugët e sheshet e qyteteve, dhe
për ta shndërruar atë në protestë popullore.
24 orë në
ditë Rama u shndërrua në personazhin negativ të mediave - u thirrën në skenë, në
kauzë të përbashkët, eksponentë të vitit 1997 dhe eksponentë të Gërdecit, ose të
të dyjave bashkë.
Falë vendosmërisë
së protestuesve ambjentalistë, kryesisht të rinj dhe të reja, nxënës të shkollave
të mesme, nuk u lejua që protestat të merrnin ngjyrime partiake dhe as
ekstremiste të kurrfarë ngjyre. Mosndërhyrja e qeverisë në zhvillimin e
protestave ndihmoi që ambjentalistëve të mos iu dilte nga duart protesta dhe
motivet e saj.
U trimërua
edhe opozita brenda vetë Partisë Socialiste. Në opinion u përforcua ideja se,
edhe po ta dërgonte në Kuvend për miratimin çështjen e asgjësimit të armëve
kimike të Sirisë, ajo do të hidhej poshte edhe nga një pjesë e konsiderueshme e
deputetëve 'socialistë'.
Kjo
rritje e opozitës së brendshme shënon edhe uljen e aftësisë vendimmarrëse të Edi
Ramës. Pra, e vë në rrezik në njëfarë mënyre autorizimin e fuqishëm që mori ai
me votën e 23 qershorit.
Opozitën
e brendshme e përbën pikërisht 'garda e vjetër' e përfolur në mediat shqiptare
dhe të huaja për pakënaqësitë e saj ndaj kryeministrit Rama.
Zhvillimet
e këtyre javëve, nga shtatori e këndej, prej kur kryeministrit i është propozuar
nga aleatja, mikja dhe partnerja jonë e madhe, Amerika, asgjësimi i armëve
kimike të Sirisë në Shqipëri, tregojnë se në politikë ndëshkohen edhe ngutja në
vendimmarrje, edhe pavendosmëria në vendimmarrje.
Në deklaratën
e tij për mospranimin e armëve kimike në Shqipëri, duke folur për kundërshtarët
e tij, kryeministri tha se janë ata që po tremben nga masat e qeverisë kundër
korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Pavendosmëria
e kryeministrit do të jetë ajo që do të ndëshkohet më së shumti në këtë zotim të
tij.
Me rëndësi
tashmë është që Edi Rama të ketë nxjerrë mësimet përkatëse nga e gjithë kjo, çka
do të ishte mesazhi i duhur për përkrahësit
e tij të vendosur në Partinë Socialiste dhe në shoqërinë shqiptare.
Dhe të mos
nxirren në harresë aferrat korruptive të pushtetarëve, të mos nxirret në harresë
hendeku i madh që krijojnë ata me mjerimin anembanë Shqipërisë, shumë më tepër
se Blloku i dikurshëm në mes të Tiranës.
Të mos harrohet se ndotja më vdekjeprurëse e shtetit janë korrupsioni dhe krimi i organizuar, të cilët e kanë betonizuar dhe shëmtuar Shqipërinë, sidomos Shqipërinë turistike.