E enjte, 10.10.2024, 07:44 AM (GMT+1)

Mendime

Arben Idrizi: Do të na vrasin në emër të Zotit

E marte, 12.11.2013, 10:06 PM


Edhe Zoti e di se do të na vrasin në emër të Zotit

Nga Arben Idrizi

Ora e terrorizmit po ecën, për fundamentalizmin ngadalë e për paqen dhe demokracinë tepër rrëmbyeshëm, edhe në vendin tonë.

Në Kosovë, viteve të fundit, vazhdimisht është tërhequr vërjetja, të paktën nga mediat, në forma të ndryshme, për rrezikun e fillimit të sulmeve vdekjeprurëse të fundamentalistëve islamikë. Qoftë kur thjesht është raportuar për fjalimet e përfaqësuesve fetarë nëpër tempuj a tubime që nxisin urrejtjen ndërfetare dhe kërkojnë vendosjen e fesë mbi shtetin, apo për persona të tjerë që ushtrojnë dhunë ndaj personave a komuniteteve që nuk i përkasin fesë së tyre, qoftë për persona të caktuar që shkojnë në vende të tjera për të luftuar në emër të fesë dhe lënë të nënkuptohet se më kthimin e tyre në vend do të sjellin edhe luftën që ishin duke e bërë atje.

Nga të gjitha këto, rastet nuk janë të pakta dhe të paverifikuara. Bile janë më shumë se sa që nevojitet për të kuptuar se deri ku ka shkuar puna.

Dua të them, ne tashmë jemi brenda fundamentalizmit islamik dhe luftës së tij të çmendur sa, më lejoni të ironizoj, s’ka më zot që të mos e vërejë dhe kuptojë këtë.

Një vërejtje që nuk e di nëse është bërë dhe që do të doja ta bëj, është: kësaj gjendjeje, përveç natyrisht vetë personave të zhytur në këtë fundamentalizëm dhe vendeve arabe që e kanë financuar, i kanë kontribuuar, bile mjaft fuqishëm, edhe përfaqësuesit e Bashkësisë Islame të Kosovës (që natyrisht në vend të shtetit laik e duan sheriatin) , politikanët popullistë dhe mbi të gjitha mungesa e një shteti të konsoliduar që do të arrinte më kohë të gjejë dhe mbajë nën kontroll peronat a grupet që e rrezikojnë drejtpërdrejt a në forma të tjera sigurinë e gjithëmbarshme.

Kur flas për politikanë popullistë, flas mbi të gjitha për kryeministrin e vendit, Hashim Thaçi, që vazhdimisht përdor kryeministrin turk si xhoker të përfitimeve politike në vend, flas për politikanë të tjerë hipokritë të cilët nuk i lidh asgjë me fenë e në momente të caktuara, për qëllime të caktuara personale politike, thirren në emër të zotit të shumicës në vend, si për shembull Lutfi Haziri, një nga figurat politike më perfide të LDK-së, flas për flirtimin marrëzor të Vetëvendosjes me fenë, përkatësisht qëndrimin ndaj shamisë dhe simboleve të tjera fetare të sanksionuara nga Kushtetuta, etj.

***

Në gjithë këtë, gjithashtu, pyetja është: si do të mund të përballemi me këtë fundamentalizëm me këtë strukturë politike dhe me këtë gjendje shtetërore?

***

Wislawa Szymborska ka një poezi ku përshkruan një skenë para shpërthimit të bombës së terrorizmit në një bar. Duke e lexuar, e ky natyrisht është “qëllimi” i letërsisë, lexuesi vëren varg pas vargu se si në çkado, kudo dhe kurdoherë, ai vetë është banor i asaj skene. Ora është trembëdhjetë e shtatëmbëdhjetë. Bomba do të shpërthejë në ora trembëdhjetë e njëzet. Secili nga ne, jemi duke hyrë, fatkeqësisht, ose duke dalë, fatbardhësisht, nga dera e atij bari ku është vënë bomba. Çdonjëri nga ne vetë ose të afërmit e çdonjërit nga ne. Në të vërtetë, asgjë nuk është punë fatkeqësie a fatbardhësie. Nëse sot jemi duke dalë, nesër do të jemi duke hyrë.

***

Mundet se frika ime (juaja) është e tepërt.

Por, ora e terrorizmit po ecën, për fundamentalizmin ngadalë e për paqen dhe demokracinë tepër rrëmbyeshëm, edhe në vendin tonë.



(Vota: 7 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora