Mendime
Habib Morina: Kontrollimi i pakënaqësisë popullore
E merkure, 13.11.2013, 08:10 PM
Kontrollimi
i pakënaqësisë popullore
Shkruan: Habib Morina
Një gjendje
e keqe mund të ndryshohet vetëm nga pakënaqësia. Njeriu i pakënaqur dhe populli
i pakënaqur e kanë të garantuar ndryshimin. Popujt edhe janë çliruar kur pakënaqësia
e tyre është rritur, sepse përkundër aktit të pushtimit ku forca luan rolin
kryesor, tek mbajtja nën pushtim, shkalla e pakënaqësisë popullore është pothuaj
përcaktuese në zgjatjen apo ndërprerjen e pushtimit, prandaj kontrollimi i saj është
i një rëndësie të veqant. Edhe tek pushteti i zgjedhur apo i imponuar ku pushtetaret
i takojnë të njëjtit popull, mbajtja nën kontroll e pakënaqësisë popullore është
e rëndësishme, sidomos kur pushtetarët kane interesa qe jane ne shperputhje me
interesin e popullit.
Mbajtja nën
kontroll e pakënaqësisë popullore për një kohë të gjatë ka qenë detyrë e fesë,
detyrë të cilën feja e ka kryer me sukses, e për këtë pushteti i ka krijuar
gjithmonë lehtësira, ndërsa sot me ndryshimin e rregullimit shtetror, këtë rol
e luan opozita, por edhe mediat e kontrolluara të cilave gjithashtu u krijohen
lehtësira. Megjithatë përkudër fesë, e cila ishte si një grua e mirë e në të cilën
pushteti me të drejt ishte dashuruar, opozita synon pushtetin e ky është interes
që nuk mund të harmonizohet, por që nuk pengon harmonizimin e interesave të tjere.
Pushteti mund t'i krijoj opozitës qasje në përfitimet e paligjshme sepse kështu
është më rehat meqë e siguron edhe pasurinë e vetë gjithashtu të fituar
paligjshëm. Mund të toleroj shkeljet ligjore të opozitarëve, edhe kjo me
interes të dyanshëm, dhe kur këto raporte krijohen, ato vetvetiu sjellin
kontrollimin e pakënaqësisë popullore nga ana e opozitës, e cila meqë ka hise në
keqpërdorime nuk mund të luftoj keqpërdorimet që bënë pushteti. Opozita në njëfarë
mënyre ka monopolin e pakënaqësisë popullore sepse përfaqson të pakënaqurit me
pushtetin aktual dhe mosveprimi i saj mundëson që keqpërdorimet të rrjedhin pa
pengesa. Megjithatë një luftë sa për sy e faqe edhe bëhet sepse sikur të pakënaqurit
të kishin bindjen që opozita nuk i përfaqëson atëherë nuk do të kishte
kontrollim të pakënaqësisë së tyre.
Në Kosovë,
fillimisht ishte bashkësia ndërkombëtare që kontrollimin e pakënaqësisë popullore
e bëri shkencë për qeverisje. Dhe kudo që qeverisin ndërkombëtarët kanë qëllim
parësor ruajtjen e qetësisë, dhe siq thonë ata respektimin e të drejtave të njeriut.
Dhe ç’është më e rëndësishmja respektimin e të drejtave të minoriteteve. Ku
qeverisin ndërkombëtarët edhe nëse s’ka minoritet, ata e shpikin. Ky është çmimi
që paguan secili popull që bëhet për ndihmën e tyre. Ata ndërtojnë shtete
jofunksionale që kanë nevojë për mbikqyrjen e tyre të vazhdueshme.
Në Kosovë
bashkësia ndërkombëtare kishte ardhur me synimin që Kosovën ta bëjë shtet
shqiptaro-serb dhe veprimet apo mosveprimet e tyre ishin ne funksion të këtij qëlllimi. Në funksion
të këtij qëllimi ishte edhe lënja serbëve e pjesës përtej Ibrit ku ata do të kishin
një pjesë kompakte dhe në kufi me Serbinë, mandej harrimi I ngadalshëm e I pandërprerë
I krimeve serbe dhe ndjekja e shqiptarëve për krime lufte për të barazpeshuar përgjegjësinë
për aq sa është e mundur, kjo për të bërë më të lehtë pajtimin (duke vënë ne
pah krimet e te dyja paleve) që do t’I shërbente qëllimit të përmendur.
Por që shqiptarëve
tu bëheshin padrejtësi të reja pas gjithë atyre krimeve e padrejtësive e që kjo
të kalonte sa më qetësisht, nevojitej kontrollimi I pakënaqësisë popullore e
kjo bëhej vetëm me ndihmën e vetë shqiptarëve, përkatësisht liderëve të tyre, të cilët për këtë qëllim u
lejuan, madje mund të thuhet se edhe u nxitën që të bënin gjithçka tjetër përveqse
të mos bënin asgjë kundër këtij projekti të bashkësisë ndërkombëtare. Liderët
shqiptarë të cilët me vetë faktin se bënë shumçka në kundërshtim me ligjin në sy
të ndërkombtarëve që ishin eprorë të tyre, u bënë bashkëpuntorë në qëllime që nuk mund të ishin
të shumicës që ata përfaqësonin.
Meqë çështja
e Kosovës ishte e pazgjidhur, bashkësia ndërkombëtare organizoi bisedime nga ku
doli Plani I Ahtisarit, si prodhim I dialogimit në mes vete I fuqive botërore të
interesuara dhe I dialogimit shqiptaro-serb. Ne planin e Ahtisarit, lidërët
shqiptarë, me shumë lehtësi bënë lëshime që populli shqiptar zor s’e do t’I
pranonte.
Bashkësia
ndërkomtare zgjodhi që këto lëshime t’i bënin të tri partitë kryesore politike,
gjegjësisht Lidhja demokratike e Kosovës, Partia demokratike e Kosovës dhe
Aleanca për ardhmërinë e Kosovës, sepse kundërshtimi I njërës nga këto parti do
të mund të sillte situata vështirë të menagjueshme dhe do ta bënte të kotë investimin
e bashkësisë ndërkombtëtare për krijimin e një shteti ku shumica barazohet me
një pakicë të papërfillshme, e të ruante qetësinë duke mbajtur nën kontroll pakënaqësinë
popullore. Këto tri parti që u bënë bashkë
për të bërë lëshimet, patjetër do të nxirrnin në skenë një grupim që do t’I
kundërshtonte dhe mënyra se si këta do t’I qaseshin problemit e si do ta
shpjegonin atë, do të provokonte një reagim popullor, prandaj pikërisht ky
grupim që do të shfaqej për t’I kundërshtuar këto lëshime, duhej të mbahej nën
kontroll e përmes tij edhe populli.
Në skenë u
paraqit lëvizja Vetvendosje e cila mund të thuhet se kishte qëllime të mira,
por meqë monopolizoi kundërshtimin e negociatave dhe rezultatin e tyre dhe meqë
kundërshimi I tyre shpesh herë ishte I shoqëruar me dhunë të panevojshme, nuk
arriti të nxiste kundërshtimin edhe te masës, madje e amortizoi atë. Dihet që veprimet
mbahen mend e tërheqin vëmendjen më shumë se fjalët, e këta me veprimet e tyre
irrituan shumë shqiptarë. Njëkohësisht me anë të zhurmës së tyre mbytën gjithë zërat
tjerë kundërshtues e të cilët mund të kishin tërhequr vëmendje e rrjedhimisht
edhe njerëz. Kësisoj këta pamundësuan organizimin e njerëzve në kundërshtim te
leshimeve qe beheshin e të planit Ahtisari, ndërsa për shkak të mosbashkëpunimit që e
karakterizon këtë lëvizje, as vetë nuk u
rritën deri në atë masë sa të ndalonin ndonjë të keqe që I kanosej vendit.
Në të njëjtën
kohë, me kundërshtimin e planit Ahtisari, lëvizja Vetëvendosje promovoi
bashkimin kombëtar, temë me të cilën shumë shqiptarë I kanë shtuar vetes pikë patriotike , e e cila kishte efektin e
shpërqëndrimit të vëmendjes dhe ishte e panevojshme në atë kohë.
Por çfarë
efekti ka pasur fushata e Vetëvendosjes për kundërshtimin e planit Ahtisari?. Mendoj
që efekti ishte I papërfillshëm. Me gjithë atë zhurmë e me gjithë ato shpjegime
që u dhanë, populli I Kosovës nuk e di se çka përmban plani Ahtisari, e nuk e
ka ditur as atëherë kur këto shpjegime ishin të freskëta. Lëvizja Vetëvendosje,
ose lideri I saj dhe një grup njerëzish që përpiqeshin ta imitonin nuk ia arritën
qëllimit, ose arritën krejt të kundërtën e asaj që synonin.
Shpesh
herë gjërat nuk janë ashtu siq duken, bëhen shumë manipulime me synim mbajtjen
nën kontroll të pakënaqësisë popullore, sepse zemërimi popullor mund të prish
shumë plane e mund të bëjë shumë ndryshime,
prandaj mjegullohen pamjet, e zhurmë bëjnë ata që dëshirojnë diçka të fshehin.