Mendime
Ali Cenaj: Shshshëëëtttt.....!
E premte, 15.11.2013, 08:09 PM
Shshshëëëtttt.....!
Nga Ali Cenaj
Shshshshëëëtttt...
Uleni zërin! Kështu disi kryeministri Thaçi ka ndërhyrë dje për të ndarë davanë
e kahershme mes disa kolegëve që në kohë të fundit gjithnjë e më shpesh ngatërroheshin
sa herë që, edhe pse në distancë të konsiderueshme, kambanat e Katedrales apo
ezani nga xhamia te Muhaxhirët depërtonte përtej xhamave të zyrave tona.
A janë normalë
këta? A kanë ndonjë orar apo kur t’u teket? Si për inat timin po u bien edhe më
shumë, thoshte kolegu tek drejtohej kah dera për t’u qetësuar jashtë me një cigare.
Më kënaqën.
Kur i dëgjoj kambanat, po m’i vjen era Evropë. Çka ke more kundër, çka doni ju
aziatikët?! Nuk te pengon ai zani arabisht që të shurdhon veshët në ferk të mëngjesit?
- e përcillte shpesh me rrebesh akuzash, sado me të qeshur, kolegia e re duke
ngjallur debatin e përjetshëm pro e kundër për temën e nxehtë që bëhet e
pashmangshme në situata të tilla.
Me
vendimin e Kabinetit qeveritar të kryeministrit Thaçi është miratuar
Projektligji për mbrojtje nga zhurma, i cili po të kalojë në Kuvend, për çka
gjasat nuk janë të pakta, ka mundësi të bëhet ligj, normë ligjore, obligative,
ai që na ka munguar dhe që më në fund, ka mundësi të vendosë rregull në këtë kakofoni
të ambientit të elektrizuar mes dy poleve, pro e kundër.
Me
vendimin e djeshëm, me Projektligjin e miratuar qeveria e kryeministrit Thaçi u
tha vërtet: Shshshshëëëtttt...!
Atyre që me
MP3 e altoparlanta "
Normalisht,
edhe të tjerëve, pronarëve të diskotekave që për hatër të myshterinjve harrojnë
se i kanë diku aty afër edhe fqinjët që përpëliten tërë natën pa gjumë, pastaj
shoferëve që, kur duan të thërrasin dikë nga katet e larta, në vend të celularit,
në pikë të natës u mëshojnë borive.
Projektligji
që çuditërisht, ditën e parë, ka kaluar gati pavërejtshëm, sidomos nga partizanët
e taboreve ekstreme, me atë gjuhën juridike, pak a shumë abstrakte, thotë se ka
të bëjë me efekte negative duke përfshirë edhe bezdisjen nga zhurma, se përcakton
hartat e zhurmës dhe planet e punës së Qeverisë dhe komunave.
Edhe ajo
kryesorja, më problematikja, se përcakton edhe “bazën e vendosjes së masave të komunitetit
për zvogëlimin e zhurmës” ende nuk ka zgjuar reagimin që pritet të zgjojë.
Siç duket,
ata që me arrogancën e injorantit, agresivitetin, zhurmën e tonin e ngritur e
kanë gjuhë të preferuar të komunikimit, vendimi i ka zënë në gjumë. Veç mund ta
paramendoni çfarë reagimi mund të pasojë ditëve në vijim.
Një nismë
e ngjashme, vitin e kaluar, nga një këshilltar komunal në Prizren, për pak
mbeti në suazat e luftës me fjalë. Nëse ashtu u prit vetëm një propozim, mund
ta marrë me mend kush si do të pritet vendimi që altoparlantët e fuqishme që këto
vitet e pasluftës erdhën donacion nga ku ta di kush, të zvogëlojnë zërin. Në suaza
të ligjit, normave të demokracisë, me të cilat duhet të mësohemi.
Që kambanat
dhe thirrja e ezanit të jetë e këndshme për veshin e secilit qytetar e jo të shkaktojë
ndjenjë irrituese. Më në fund loja me altoparlantë është keqpërdorim i fesë,
sepse ai që beson Zotin është i devotshëm, i qetë, i pazhurmshëm.
Arroganca
e shoqëruar me injorancë që po manifestohet gjithnjë e më guximshëm, është bombë
e kurdisur. Sidomos për shqiptarët që tashmë s’jemi shumë të sigurt se përparësia
jonë është m’u fakti se kemi kaq shumë diversitet fesh apo bindjesh.
Si davaja
e këtyre kolegëve që ngatërrohen sa herë që kambanat e Katedrales apo ezani nga
xhamia te Muhaxhirët depërton përtej xhamave të zyrave tona.
Projektligji,
nëse bëhet ligj, është vendimi i duhur. Ndërhyrja më e qëlluar në këtë kakofoni
gjelucësh. Prandaj kryeministri e tha bukur.
Shshshëëëttt......!
Uleni zërin!