E shtune, 27.04.2024, 07:21 AM (GMT+1)

Mendime

Ramiz Selimi: Sfida më e madhe - sfida me vetveten!

E premte, 15.11.2013, 08:59 PM


Kryetarët e komunave në Kosovë,  për një qeverisje fasadë, apo zhvillim real?

Sfida më e madhe  është sfida me vetveten!

Shkruan Ramiz Selimi

A do ta futin komunën më në fund në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm, apo do të vazhdojnë me qeverisjen e vjetër fasadë? Është pyetje që kandidatët për kryetarë duhet ta mendojnë seriozisht.

Periudhat e kaluara i kanë mësuar kryetarët e komunave të jetojnë si mbretër dhe fitohet  bindja se ata më shumë po e shohin këtë pozitë për pasurim personal, se sa detyrë ku kërkohet një angazhim i pashoq në arritjen e rezultateve të dëshiruara. Këtu ndikim të lart ka edhe subjekti politik nga i cili vjen, me premtime për favore në projekte dhe donacione, duke ofruar kandidatet servil dhe të paaftë në menaxhimin e komunës.

Prandaj  fenomeni gjertanishëm i qeverisjes më shumë ishte një qeverisje fasadë? Kryetarët  e komunave u përpoqën që me çdo kusht ta shtojnë dhjamin e tyre,( mos të themi pasurinë e tyre) duke thithur sa më shumë fonde të gatshme, edhe nga BE, për të krijuar idenë e një qeverisje të mirë. Nuk mund të etiketohen ndryshe qeveritë si  qendrore, (që është burim gati pothuajse i të gjitha problemeve) por edhe ajo lokale  mban një grimcë përgjegjësie për situatën e tanishme ekonomike, kur brenda këtij viti emigruan mbi 66 mijë qytetarë nga Kosova në vendet evropiane.  Në vend të ndarjes korrekte të projekteve dhe hulumtimin e burimeve të reja të punësimit, në kokën e tyre më shumë qarkullojnë, makinat, vizitat zyrtare, ndarja e projekteve miqve dhe farefisit, koktejet etj, sesa mirëqenia e qytetarëve. Por, tani është momenti i qeverisjes për qytetarët, i qeverisjes së mirëqenies.

Pra, sfida kryesore është eliminimi  qeverisjes fasadë nga kokat e tyre, kjo është një sfidë me veten e tyre, largimi nga metodat e gjertanishme në dobi të rrugës së zhvillimit të qëndrueshëm,  këtë vështirë se mund e eliminojnë dhe përballojnë shumica e kryetareve aktual në Kosovë, pasi shumicës  ju mungojnë idetë për zhvillimin e vendit në dobi të kolektivit.

Rruga e zhvillimit të qëndrueshëm

Për të zgjedhë rrugën e zhvillimit të mirëfilltë, atyre do tu duhet të shpenzojnë shumë energji , së pari për të kuptuar mirë nevojat e qytetarëve dhe çdo gjë rreth tyre. Kanë nevojë  të mendojnë thellë për sfidat që do i presin, menaxhimin e tërë  territorit në mënyrë të barabartë, (çka do të thotë investim të drejtë  në të gjitha pjesët e komunës), për burimin e të ardhurave financiare dhe mirë menaxhimin e tyre. Trajtimin e barabartë  të gjitha llojeve  të bizneseve, pastaj planifikimin dhe zbulimin e sektorëve që mund të themelojnë kompani të reja dhe cilat kompani mund të rritin numrin e punëtorëve. Vendosja e lidhjeve me homologë dhe aktorë tjerë për të këmbyer eksperiencat e mira, po pse jo, edhe për të krijuar partneritete. Këto janë probleme tepër të mëdha për shoqërinë kosovare, sa që kandidatëve aktual duhej tu kërciste koka për realizimin e kësaj gati të pamundure dhe jo të kërkonin medoemos të bëhen Kryetar.

Edhe pse është një koncept i ndërlikuar dhe kompleks  kërkohet menaxhimi i drejtë nga kryetari në gjithë territorin. Nuk guxojnë të përsëriten gabimet e së kaluarës, kur prioritet u caktuan sipas interesit personal , partiak dhe nepotizmit, pra projektet i përfituan rajonet sipas bindjeve partiake.

Duhet përpunuar një dokument për politikat zhvillimore, të caktuara saktë me datë si dhe shumën e nevojshme financiare për përfundimin e projektit.   Dokumenti bënë ndarjen korrekte të mjeteve financiare në dobi të zhvillimit, le të jetë ky një plan rregullues i së ardhmes dhe mirëqenies.

Unifikimi i tarifave për biznese të ndryshme, mos inspektimi i kompanive dhe personave privat që punojnë në të zezë, mos vendosja e raporteve të drejta në shpenzimet administrative dhe operative është i dëmshëm për buxhetin e komunës dhe dërgon drejt  në stagnim. Kompanive që punëtorët u punojnë mbi 8 orë, të ju kërkohet një tatim shtesë, këto janë punë të qeverisë lokale, nuk do të ishte aspak problem nëse ato falimentojnë , me këtë do të hapej rruga për themelimin e kompanive të reja, e të shëndosha në dobi të shtetit, kurse kompanitë e falimentuara do të vetëdijesoheshin. Paradokset e gjertanishme, si subvencionet për kompanitë që nuk paguajnë tatim dhe miqtë, duhet të ndërpriten menjëherë.

Suksesi i komunave i varur nga projektet  e BE -s  për zgjerim

Të gjithë kryetarët e komunave janë të varur nga investimet e komisionit evropian, të parapara nga fondet për zgjerim, pa këto fonde edhe qeveria qendrore ndihet tepër keq, sa që shteti më i ri edhe do të mund të bankrotonte. Shuma e gjertanishme e këtyre fondeve kalon 6 miliardë. USAID-i  Amerikan gjithashtu investon nga këto fonde, duke përfituar  së pari vet shuma të mira, sepse nga  fonde të veta investon shumë pak .

Në kryesinë e komisionit evropian në Prishtinë, ka edhe përfaqësues nga qeveria, (saktësisht dy persona) të cilët po i japin drejtimin se në cilin rajon duhet investuar. Nuk janë të rastësishme investimet në komunat ku ka udhëhequr PDK-ja , pasi personat e partisë brenda komisionit kanë ndikuar. Nëse në zgjedhjet parlamentare fiton partia në pushtet, prapë do të përfitojnë projekte komunat që udhëheqë ajo. Për ti ikur kësaj varësie, kërkohet hulumtim i burimeve tjera financiare me burim nga komuna dhe jo nga diku tjetër. Kjo është e mundur të arrihet nga kryetarët me përgatitje të mirë, më dëshirën për  të dhënë maksimumin në menaxhimin e komunës. Po ju ndalen fondet e BE-s, kryetarët e dobët do të dalin në sipërfaqe, situata  ekonomike do të acarohej edhe më shumë.

Realizimi i të dhënave të lart shënuara kërkon energji shtesë dhe punë 24 orësh, me kandidatë të një niveli të lart, të cilët kësaj radhe nuk munguan, por që nuk u zgjodhën nga elektorati. Personalisht  nuk do ti gëzohesha marrjes së postit të kryetarit në situatën e tanishme, pasi zhvillimi kërkon angazhim shtesë dhe përgjegjësi të lartë. Kandidatëve ju mbetet të zgjedhin mes qeverisjes për zhvillim dhe qeverisjes fasadë.

Sinqerisht kur i mendojë këto kërkesa të zhvillimit, dyshojë shumë në aftësinë  menaxhuese  të kandidatëve. Më shumë e kamë bindjen se ata brenda tyre janë Princa dhe Pashë, disa edhe Mbretër, që duhet pasur të gjitha, (makinë dhe vozitës, të vendosin për projekte, për donacione, grante dhe punësim) se sa brengë për të përmirësuar gjendjen,  ja kjo është ajo që i shtynë ata të konkurrojnë  dhe të bëjnë çmos për të marr postin e kryetarit të komunës. Hallet dhe brengat e qytetarëve do të shtyhen edhe për një mandat.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora