| E premte, 15.11.2013, 08:59 PM |
Kryetarët e komunave në Kosovë, për një qeverisje fasadë, apo zhvillim real?
Sfida më e
madhe është sfida me vetveten!
Shkruan Ramiz Selimi
A do ta
futin komunën më në fund në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm, apo do të vazhdojnë
me qeverisjen e vjetër fasadë? Është pyetje që kandidatët për kryetarë duhet ta
mendojnë seriozisht.
Periudhat
e kaluara i kanë mësuar kryetarët e komunave të jetojnë si mbretër dhe
fitohet bindja se ata më shumë po e
shohin këtë pozitë për pasurim personal, se sa detyrë ku kërkohet një angazhim
i pashoq në arritjen e rezultateve të dëshiruara. Këtu ndikim të lart ka edhe
subjekti politik nga i cili vjen, me premtime për favore në projekte dhe
donacione, duke ofruar kandidatet servil dhe të paaftë në menaxhimin e komunës.
Prandaj fenomeni gjertanishëm i qeverisjes më shumë ishte
një qeverisje fasadë? Kryetarët e
komunave u përpoqën që me çdo kusht ta shtojnë dhjamin e tyre,( mos të themi
pasurinë e tyre) duke thithur sa më shumë fonde të gatshme, edhe nga BE, për të
krijuar idenë e një qeverisje të mirë. Nuk mund të etiketohen ndryshe qeveritë si qendrore, (që është burim gati pothuajse i të
gjitha problemeve) por edhe ajo lokale
mban një grimcë përgjegjësie për situatën e tanishme ekonomike, kur
brenda këtij viti emigruan mbi 66 mijë qytetarë nga Kosova në vendet evropiane. Në vend të ndarjes korrekte të projekteve dhe
hulumtimin e burimeve të reja të punësimit, në kokën e tyre më shumë qarkullojnë,
makinat, vizitat zyrtare, ndarja e projekteve miqve dhe farefisit, koktejet
etj, sesa mirëqenia e qytetarëve. Por, tani është momenti i qeverisjes për
qytetarët, i qeverisjes së mirëqenies.
Pra,
sfida kryesore është eliminimi
qeverisjes fasadë nga kokat e tyre, kjo është një sfidë me veten e tyre,
largimi nga metodat e gjertanishme në dobi të rrugës së zhvillimit të qëndrueshëm, këtë vështirë se mund e eliminojnë dhe përballojnë
shumica e kryetareve aktual në Kosovë, pasi shumicës ju mungojnë idetë për zhvillimin e vendit në dobi
të kolektivit.
Rruga
e zhvillimit të qëndrueshëm
Për të zgjedhë
rrugën e zhvillimit të mirëfilltë, atyre do tu duhet të shpenzojnë shumë energji
, së pari për të kuptuar mirë nevojat e qytetarëve dhe çdo gjë rreth tyre. Kanë
nevojë të mendojnë thellë për sfidat që do
i presin, menaxhimin e tërë territorit në
mënyrë të barabartë, (çka do të thotë investim të drejtë në të gjitha pjesët e komunës), për burimin e
të ardhurave financiare dhe mirë menaxhimin e tyre. Trajtimin e barabartë të gjitha llojeve të bizneseve, pastaj planifikimin dhe zbulimin
e sektorëve që mund të themelojnë kompani të reja dhe cilat kompani mund të rritin
numrin e punëtorëve. Vendosja e lidhjeve me homologë dhe aktorë tjerë për të këmbyer
eksperiencat e mira, po pse jo, edhe për të krijuar partneritete. Këto janë probleme
tepër të mëdha për shoqërinë kosovare, sa që kandidatëve aktual duhej tu kërciste
koka për realizimin e kësaj gati të pamundure dhe jo të kërkonin medoemos të bëhen
Kryetar.
Edhe pse është
një koncept i ndërlikuar dhe kompleks kërkohet
menaxhimi i drejtë nga kryetari në gjithë territorin. Nuk guxojnë të përsëriten
gabimet e së kaluarës, kur prioritet u caktuan sipas interesit personal ,
partiak dhe nepotizmit, pra projektet i përfituan rajonet sipas bindjeve
partiake.
Duhet përpunuar
një dokument për politikat zhvillimore, të caktuara saktë me datë si dhe shumën
e nevojshme financiare për përfundimin e projektit. Dokumenti bënë ndarjen korrekte të mjeteve
financiare në dobi të zhvillimit, le të jetë ky një plan rregullues i së ardhmes
dhe mirëqenies.
Unifikimi
i tarifave për biznese të ndryshme, mos inspektimi i kompanive dhe personave
privat që punojnë në të zezë, mos vendosja e raporteve të drejta në shpenzimet
administrative dhe operative është i dëmshëm për buxhetin e komunës dhe dërgon
drejt në stagnim. Kompanive që punëtorët
u punojnë mbi 8 orë, të ju kërkohet një tatim shtesë, këto janë punë të qeverisë
lokale, nuk do të ishte aspak problem nëse ato falimentojnë , me këtë do të hapej
rruga për themelimin e kompanive të reja, e të shëndosha në dobi të shtetit,
kurse kompanitë e falimentuara do të vetëdijesoheshin. Paradokset e
gjertanishme, si subvencionet për kompanitë që nuk paguajnë tatim dhe miqtë,
duhet të ndërpriten menjëherë.
Suksesi
i komunave i varur nga projektet e BE -s për zgjerim
Të gjithë
kryetarët e komunave janë të varur nga investimet e komisionit evropian, të parapara
nga fondet për zgjerim, pa këto fonde edhe qeveria qendrore ndihet tepër keq,
sa që shteti më i ri edhe do të mund të bankrotonte. Shuma e gjertanishme e këtyre
fondeve kalon 6 miliardë. USAID-i
Amerikan gjithashtu investon nga këto fonde, duke përfituar së pari vet shuma të mira, sepse nga fonde të veta investon shumë pak .
Në kryesinë
e komisionit evropian në Prishtinë, ka edhe përfaqësues nga qeveria, (saktësisht
dy persona) të cilët po i japin drejtimin se në cilin rajon duhet investuar. Nuk
janë të rastësishme investimet në komunat ku ka udhëhequr PDK-ja , pasi
personat e partisë brenda komisionit kanë ndikuar. Nëse në zgjedhjet
parlamentare fiton partia në pushtet, prapë do të përfitojnë projekte komunat që
udhëheqë ajo. Për ti ikur kësaj varësie, kërkohet hulumtim i burimeve tjera
financiare me burim nga komuna dhe jo nga diku tjetër. Kjo është e mundur të arrihet
nga kryetarët me përgatitje të mirë, më dëshirën për të dhënë maksimumin në menaxhimin e komunës.
Realizimi
i të dhënave të lart shënuara kërkon energji shtesë dhe punë 24 orësh, me
kandidatë të një niveli të lart, të cilët kësaj radhe nuk munguan, por që nuk u
zgjodhën nga elektorati. Personalisht
nuk do ti gëzohesha marrjes së postit të kryetarit në situatën e
tanishme, pasi zhvillimi kërkon angazhim shtesë dhe përgjegjësi të lartë. Kandidatëve
ju mbetet të zgjedhin mes qeverisjes për zhvillim dhe qeverisjes fasadë.
Sinqerisht kur i mendojë këto kërkesa të zhvillimit, dyshojë shumë në aftësinë menaxhuese të kandidatëve. Më shumë e kamë bindjen se ata brenda tyre janë Princa dhe Pashë, disa edhe Mbretër, që duhet pasur të gjitha, (makinë dhe vozitës, të vendosin për projekte, për donacione, grante dhe punësim) se sa brengë për të përmirësuar gjendjen, ja kjo është ajo që i shtynë ata të konkurrojnë dhe të bëjnë çmos për të marr postin e kryetarit të komunës. Hallet dhe brengat e qytetarëve do të shtyhen edhe për një mandat.