E shtune, 27.04.2024, 10:16 AM (GMT+1)

Mendime

Elida Buçpapaj: Jo histerisë antiamerikane!

E diele, 17.11.2013, 07:42 PM


TË PROTESTOSH ËSHTË LEGJITIME! TË JESH ANTIAMERIKAN JO!

Të protestojmë por t’i themi jo histerisë antiamerikane të tipit të Fatos Lubonjës me shokë

NGA ELIDA BUÇPAPAJ

Një popull i nëpërkëmbur 50 vjet nga diktatura dhe 23 vjet nga tranzicioni del dhe proteston për herë të parë në mënyrë masive në një protestë ambientaliste kundër çarmatimit të lëndëve kimike nga Siria!

Është e drejta e tij të kërkojë të drejtat, por pa humbur logjikën dhe pa lejuar të manipulohet nga partitë kryesore si të jetë dele.

Le të fillojë një erë e re për qytetarin e Shqipërisë, era e përgjegjshmërive dhe përgjegjësive që i takojnë, pa i lejuar vetes që ta përdorin si turmë, si mish për top, ashtu si është indoktrinuar nga politika dhe enturazhet e saj këta 23 vjet tranzicion.

Duke përjashtuar protestat e studentëve që sollën përmbysjen e diktaturës, për 23 vjet tranzicion kemi parë protesta të orkestruara politikisht sa nga njëri krah i politikës në tjetrin.

Për 23 vjet tranzicion kemi parë mitingje dhe mitingashë të dirigjuar sa nga njëri krah politik në tjetrin, që kanë humbur mijëra orë të jetës së tyre duke iu bindur urdhërit politik, pa menduar asnjëherë se këto orë do të duhej t’ia kushtonin familjes dhe punës e cila siguron begatinë dhe prosperitetin për vete dhe fëmijët.

Për 23 vjet tranzicion shqiptarët nuk kanë protestuar për të kërkuar të drejtat e tyre,  të drejtat e viktimave të diktaturës, për dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare,  për një sistem shtetëror sipas standarteve Perëndimore.

Për 23 vjet tranzicion shqiptarët kanë protestuar për të përmbushur makutërinë dhe pangopësinë e klasës politike e cila i ka katandisur dhe diskriminuar duke i lënë të jenë si qytetarët e dorës të fundit e të paintegruar në BE.

Për 23 vjet tranzicion qytetarët e Shqipërisë nuk kanë protestuar kundër keqqeverisjes; kundër të qenit viktimë e sistemeve nepotike dhe klienteliste; kundër të qenit viktimë e korrupsionit, kundër të qenit viktimë e degradimit të sistemit të zhdrejtësisë, kundër të qenit viktimë e shpërdorimit të pushtetit nga pushtetarët!

Për 23 vjet tranzicion shqiptarët nuk kanë protestuar për të ndërtuar një sistem zgjedhor sipas standarteve të civilizimit Perëndimor, ku vota e tyre të jetë transparente dhe të shkojë tek më i mirë dhe jo tek i zgjedhuri i kryetarit të partisë; nuk kanë protestuar kurrë si Sovran, por si servitor i politikës.

Për 23 vjet tranzicion qytetarët e Shqipërisë nuk kanë protestuar për të patur media të lira dhe të pavarura, të cilat të jenë zëdhënëse të zërit qytetar, të mendimit të lirë dhe jo megafonë të politikës, të pasunarëve të rinj e të njerëzve të lidhur me sistemin e diktaturës që edhe sot e kësaj dite vjellin vrerë e zeher kundër imperializmit amerikan.

Për 23 vjet tranzicion qytetarët e Shqipërisë nuk kanë protestuar kundër pensioneve minimale të prindërve e gjyshërve të tyre, jeta e të cilëve ishte e mbushur me halle e derte në diktaturë ndërsa tani me të ardhurat që marrin u duhet vetëm sa të mbajnë frymën gjallë; nuk kanë protestuar as për tregun e zi të punës, as për tregun e zi të marihuanës, nuk kanë protestuar as për vlera dhe për moral!

Për 23 vjet tranzicion qytetarët e Shqipërisë ndoqën pas si bagëtia klasën politike e cila u tall me ta sa deshi, i përdori ata si deshi, i mashtroi ata kur deshi, dhe kështu do të vazhdojë që t’i përdorë sa e kur të dojë, nëse shqiptarët nuk do të ndërgjegjësohen dhe vetëdijësohen se ata janë zot të fatit të tyre!

Të jesh zot i fatit tënd do të thotë të protestosh pa e humbur logjikën, pa të ikur mendja që të harrosh historinë tënde, pa të kapur amnezia e të mos dish të dallosh se cilët janë miqtë e armiqtë e kombit tënd, të harrosh se diktatura ishte armiku më i madh i Shqiptarëve, e cila i izoloi shiqiptarët si miu në çark në bunkeret e dhunës  kriminale, ku ligjet e diktaturës mbështeteshin në vëllavrasjen.

Këtyre ditëve, në vend të një sensibilizimi të organizuar, në vend të një sensibilizimi mediatik që nuk do të toleronte as çoroditjen dhe panikun e shqiptarëve, kemi parë se si po përdoren armët kimike për të shfryrë pezmet antiamerikane të mbetura në grykë të disave që nga koha e diktaturës.

Kemi dëgjuar se si Fatos Lubonja nuk i konsideron SHBA si aleat strategjik të shqiptarëve, kemi dëgjuar se si Fatos Lubonja kërkon ta shpallë non grata ambasadorin e aleatit tonë jetik, kemi dëgjuar e ç’nuk kemi dëgjuar, që në fakt nuk duhet e nuk duam që t’i dëgjojmë, sepse opinioni publik duhet të dëgjojë çka i duhet dhe i bën mirë për higjenën e trurit dhe shpirtit.

Opinionit publik dhe rinisë i duhet t’i mbyllë veshët me dyll si Odiseu për të mos i dëgjuar as Fatos Lubonjën me përrallisjet e tij dhe të shokëve të tij dhe as politikanët e Shqipërisë, sepse ky stan vepron jo për të mbrojtur interesat e qytetarëve, as për të mbrojtur interesat e protestuesve, por veç për interes të pushtetit të tyre.

Përveç protestave mbarëpopullore që sollën përmbysjen e sistemit diktatorial, për gati çerek shekulli tranzicion kemi parë se si populli shqiptar i shkon pas si bisht partive me bindje të verbër e shurdhmecëri të bindur, herë si mitingashë e herë si protestues - jo për të fituar të drejtat e veta, por për t'i dhënë me votën e tij privilegjet e politikës.

Prej protestave mbarëpopullore në mbështetje të studentëve, është hera e parë, që në dukje shohim se populli proteston i paorkestruar dhe i padirigjuar nga politika, por i pasensibilizuar, i paorientuar, duke rrezikuar të manipulohet rishtas.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora