| E diele, 17.11.2013, 07:42 PM |
TË PROTESTOSH
ËSHTË LEGJITIME! TË JESH ANTIAMERIKAN JO!
Të protestojmë por t’i themi jo histerisë antiamerikane të tipit të Fatos Lubonjës me shokë
NGA ELIDA
BUÇPAPAJ
Një popull
i nëpërkëmbur 50 vjet nga diktatura dhe 23 vjet nga tranzicioni
Është e
drejta e tij të kërkojë të drejtat, por pa humbur logjikën dhe pa lejuar të manipulohet
nga partitë kryesore si të jetë dele.
Le të fillojë
një erë e re për qytetarin e Shqipërisë, era e përgjegjshmërive dhe përgjegjësive
që i takojnë, pa i lejuar vetes që ta përdorin si turmë, si mish për top, ashtu
si është indoktrinuar nga politika dhe enturazhet e saj këta 23 vjet tranzicion.
Duke përjashtuar
protestat e studentëve që sollën përmbysjen e diktaturës, për 23 vjet
tranzicion kemi parë protesta të orkestruara politikisht sa nga njëri krah i
politikës në tjetrin.
Për 23
vjet tranzicion kemi parë mitingje dhe mitingashë të dirigjuar sa nga njëri
krah politik në tjetrin, që kanë humbur mijëra orë të jetës së tyre duke iu
bindur urdhërit politik, pa menduar asnjëherë se këto orë do të duhej t’ia
kushtonin familjes dhe punës e cila siguron begatinë dhe prosperitetin për vete
dhe fëmijët.
Për 23
vjet tranzicion shqiptarët nuk kanë protestuar për të kërkuar të drejtat e
tyre, të drejtat e viktimave të diktaturës,
për dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare,
për një sistem shtetëror sipas standarteve Perëndimore.
Për 23
vjet tranzicion shqiptarët kanë protestuar për të përmbushur makutërinë dhe
pangopësinë e klasës politike e cila i ka katandisur dhe diskriminuar duke i lënë
të jenë si qytetarët e dorës të fundit e të paintegruar në BE.
Për 23
vjet tranzicion qytetarët e Shqipërisë nuk kanë protestuar kundër
keqqeverisjes; kundër të qenit viktimë e sistemeve nepotike dhe klienteliste;
kundër të qenit viktimë e korrupsionit, kundër të qenit viktimë e degradimit të
sistemit të zhdrejtësisë, kundër të qenit viktimë e shpërdorimit të pushtetit
nga pushtetarët!
Për 23
vjet tranzicion shqiptarët nuk kanë protestuar për të ndërtuar një sistem
zgjedhor sipas standarteve të civilizimit Perëndimor, ku vota e tyre të jetë transparente
dhe të shkojë tek më i mirë dhe jo tek i zgjedhuri i kryetarit të partisë; nuk
kanë protestuar kurrë si Sovran, por si servitor i politikës.
Për 23
vjet tranzicion qytetarët e Shqipërisë nuk kanë protestuar për të patur media të
lira dhe të pavarura, të cilat të jenë zëdhënëse të zërit qytetar, të mendimit
të lirë dhe jo megafonë të politikës, të pasunarëve të rinj e të njerëzve të lidhur
me sistemin e diktaturës që edhe sot e kësaj dite vjellin vrerë e zeher kundër
imperializmit amerikan.
Për 23
vjet tranzicion qytetarët e Shqipërisë nuk kanë protestuar kundër pensioneve
minimale të prindërve e gjyshërve të tyre, jeta e të cilëve ishte e mbushur me
halle e derte në diktaturë ndërsa tani me të ardhurat që marrin u duhet vetëm
sa të mbajnë frymën gjallë; nuk kanë protestuar as për tregun e zi të punës, as
për tregun e zi të marihuanës, nuk kanë protestuar as për vlera dhe për moral!
Për 23
vjet tranzicion qytetarët e Shqipërisë ndoqën pas si bagëtia klasën politike e
cila u tall me ta sa deshi, i përdori ata si deshi, i mashtroi ata kur deshi,
dhe kështu do të vazhdojë që t’i përdorë sa e kur të dojë, nëse shqiptarët nuk
do të ndërgjegjësohen dhe vetëdijësohen se ata janë zot të fatit të tyre!
Të jesh
zot i fatit tënd do të thotë të protestosh pa e humbur logjikën, pa të ikur
mendja që të harrosh historinë tënde, pa të kapur amnezia e të mos dish të dallosh
se cilët janë miqtë e armiqtë e kombit tënd, të harrosh se diktatura ishte
armiku më i madh i Shqiptarëve, e cila i izoloi shiqiptarët si miu në çark në bunkeret
e dhunës kriminale, ku ligjet e diktaturës
mbështeteshin në vëllavrasjen.
Këtyre
ditëve, në vend të një sensibilizimi të organizuar, në vend të një sensibilizimi
mediatik që nuk do të toleronte as çoroditjen dhe panikun e shqiptarëve, kemi
parë se si po përdoren armët kimike për të shfryrë pezmet antiamerikane të mbetura
në grykë të disave që nga koha e diktaturës.
Kemi dëgjuar
se si Fatos Lubonja nuk i konsideron SHBA si aleat strategjik të shqiptarëve,
kemi dëgjuar se si Fatos Lubonja kërkon ta shpallë non grata ambasadorin e
aleatit tonë jetik, kemi dëgjuar e ç’nuk kemi dëgjuar, që në fakt nuk duhet e
nuk duam që t’i dëgjojmë, sepse opinioni publik duhet të dëgjojë çka i duhet
dhe i bën mirë për higjenën e trurit dhe shpirtit.
Opinionit
publik dhe rinisë i duhet t’i mbyllë veshët me dyll si Odiseu për të mos i dëgjuar
as Fatos Lubonjën me përrallisjet e tij dhe të shokëve të tij dhe as politikanët
e Shqipërisë, sepse ky stan vepron jo për të mbrojtur interesat e qytetarëve,
as për të mbrojtur interesat e protestuesve, por veç për interes të pushtetit të
tyre.
Përveç protestave
mbarëpopullore që sollën përmbysjen e sistemit diktatorial, për gati çerek
shekulli tranzicion kemi parë se si populli shqiptar i shkon pas si bisht
partive me bindje të verbër e shurdhmecëri të bindur, herë si mitingashë e herë
si protestues - jo për të fituar të drejtat e veta, por për t'i dhënë me votën
e tij privilegjet e politikës.
Prej protestave mbarëpopullore në mbështetje të studentëve, është hera e parë, që në dukje shohim se populli proteston i paorkestruar dhe i padirigjuar nga politika, por i pasensibilizuar, i paorientuar, duke rrezikuar të manipulohet rishtas.