Mendime
Gani Qarri: Rasti i vetëm... në Kuvend!?
E shtune, 16.11.2013, 08:02 PM
A ishte
ky rasti i vetëm... në Kuvend!?
Nga Gani Qarri
Ka kohë që
përpjekja e një përfaqësueseje të "popullit" për mashtrim në Kuvend, është
vënë në qendër të vëmendjes dhe diskutimit shoqëror.
Nga
rastet e panumërta të njohura dhe të panjohura për opinionin për të cilat,
thuaja se përditë flitet dhe shkruhet në media, shqiptari nuk di më se në ç'vend
në mes të heroizmit dhe tradhtisë qëndrojnë aktet e tilla.
Shprehja
e njohur se qëllimi justifikon mjetin, për akte si këto, vërtet është absurd në
vete nëse edhe një deputete bie në pozita të tilla sa ta mashtrojë institucionin
kryesor të vendit, për të vjedhë shtetin dhe dëmtuar buxhetin e vogël të tij.
Shembull
më të keq nuk mund të jap një përfaqësuese e popullit, në asnjë mënyrë! Kurse,
pamjet si këto janë një proces i dhimbshëm për të gjithë varfanjakët e shumtë të
Kosovës të cilët bukur gjatë presin që në vend të hajnisë dhe mashtrimit,
deputetët e këtij vendi më në fund të paraqiten me një ofertë më të ndershme për
ta dhe fëmijët e tyre.
Korrupsioni,
kjo sëmundje infektive, ka kohë që është bërë modë në Kosovë, kurse deputetët e
saj thellojnë edhe më tepër klimën e frikës dhe mosbesimit tek të gjithë ata të
cilët të paktën një herë në vit mendojnë se në duar të kujt kanë mbetur ligjet
dhe institucionet e vendit.
Mjerisht,
me gjeste si këto, ata nuk vjedhin vetëm mëditjet e pafituara, por edhe të ardhmen
e shqiptarëve, duke shuar edhe atë pak fije shprese në sytë e tyre, të cilët të
rënë në siklet, për vite të tëra, përfaqësuesit e tillë i shohin si mishërimi më
i madh i së keqes në vend...
Kleptomania
dhe mashtrimi në Parlament nuk janë akte revolucionare e as heroizma patriotikë,
në të cilat përkundër të gjithave, ata përditë e më tepër, më kot përbetohen.
Sjellja
si kjo, qoftë edhe vetëm e një personi, tradhton rëndë "përfaqësimin"
zyrtar si deputete të cilin shihet qartë se pa të drejtë e mban. Ky akt nuk i përshtatet
aspak institucionit ku keni zgjedhur të vidhni, kurse akti juaj është i dënueshëm
dhe ofendim i rëndë për popullin dhe Kuvendin e Kosovës.
Para sa
kohësh tregoi se di të ftojë me dëshirë kolegët serbë në Parlament, për të goditur
deputetët e Vetëvendosjes duke hequr edhe këpucën për gjuajtje drejt tyre,
kurse me provën për mashtrim dëshmoi se deputetët tanë janë të gatshme t’i
mbushin grushtet dhe xhepat, sa herë u jepet mundësia për ta vjedhur këtë vend.
A do koment një gjest i tillë i pamoralshëm?!
Ndaj, përpjekjet
si kjo është e pamundur të kalohen pa ndëshkim nga ana e Kuvendit dhe moralisht
është e palejueshme që të "zgjedhura" të tilla edhe në të ardhmen të mbeten
deputete të këtij Parlamenti.
Për aq më
keq, para këtyre provave, zëdhënësi i popullit nuk mund të flas më për ligj dhe
ndershmëri. Ai ka rënë keq nga provimi dhe duhet të shkojë e tu lirojë rrugën të
tjerëve, atyre burrave dhe grave të cilët prioritet kanë interesat e vendit dhe
jo mirëqenien e tyre personale, mashtrimin dhe hajnin edhe në vendin i cili do
duhej të konsiderohej tempull i shenjt për bërjen dhe respektimin e ligjit.
Shembuj
si ky i kanë hequr këtij populli të pafat, tërë entuziazmin dhe patriotizmin, të
cilit i vije sëmundja, varfëria dhe vdekja nga sy të tillë që shohin vetëm për
vete, deputetë që shfrytëzojnë pozitën për mbushjen e pangopësisë së tyre duke
vjedhë e mashtruar.
Siç është
e njohur për të gjithë, për vite të tëra, qëllimi i bashkëkombësve, kudo, ishte
çlirimi i Kosovës nga pushtimi serb dhe krijimi i shtetit të tyre të lirë.
Por, të zhgënjyer nga gjendja e rëndë, korrupsioni dhe varfëria e skajshme,shkaktuar nga akte si këto e tjera edhe më të këqija, shqiptarët vërtetë nuk mund t’i bësh më fajtorë për asgje,madje as pse ata edhe sot e kësaj dite kërkojnë shpëtim nën çadra e ura të Evropës,duke marrë rrugë të vështira për të ikur sa më larg Atdheut të traumatizuar,dhe arratisur në një botë krejt tjetër, paksa më humane dhe njerëzore, atje ku përfundimisht "të zgjedhur " të tillë më nuk kanë pushtet.