Kulturë
Ilir Muharremi: Nuk mendojnë për kulturën
E marte, 05.11.2013, 09:59 PM
Nuk mendojnë për kulturën
Nga Dr. Ilir Muharremi
Nuk duhet
mohuar artin, artin e së vërtetës që daton nga fëmijëria, apo që transmetohet
nga fëmijët. Aty luhet, vërtet luhet, gjenerohet me veten, tregohet një origjinë
e vjetër që nuk ka prejardhje. Është një ngarkesë e ëndrrave të pamjes,
gjesteve, pasionit, më saktë palogjikës korrigjuese. Fëmijët gjatë të krijuarit-luajturit
nuk kërkojnë ndonjë vlerë, por nëse do ta kishin do ta mbanin në trup,
temperamentë të fortë, shumë të gjallë, sikur kafshët e fuqishme, të ndjeshme
dhe kështu janë. Nuk ka artistë më të mirë se fëmijët. Edhe Pikaso ka pohuar këtë.
Vështirë e kam për tu përballuar me këtë. Kam vendosur dhe dua të përpiqem ta
shpjegoj. Kërcehet, lozet, djersitet, nuk mendohet, logjika nuk ka guxim t’i nënshtrohet,
instinkti, absolutja që nuk demanton ndonjë bazë, argument të ekzistuarit. E
quaj kështu, ngaqë kështu edhe është në esencë. A mund të shpikë mbi esencën?
Jo, me plot kujdes e them sepse kam kapur këtë. Ata që mendojnë, analizojnë korrigjojnë
mbështesin atë që u përngjanë dhe për atë që janë stërvitur. Arti nuk i
dedikohet kësaj teorie, nuk ka zanafillën këtu. Fëmijët, nuk e kuptojnë artin,
por sikur ta kuptojnë atëherë nuk do të jenë artistë. Arti nuk kuptohet. Këtu qëndron
enigma, vlera, mirëfilli, magjia, sfida e them sepse ballafaqohemi, por
rrjedhshmëria është në një burim krejt i panjohur.
I
detyruar për të shkruar për politikën dhe artin. Sikur të eliminoja fëmijët,
artdashësit e pavetëdijshëm, më duhet. Aty ata janë të distancuar, nuk dinë se
për çka duhet të flasin, të pohojnë, madje edhe të mohojnë. Politikanët që këto
ditë shpalosen programet, vërtet janë palaço, tregimtar koti. Tregimet e tyre
kanë bazën në një padukshmëri, përshtatje, zero, sepse nuk nisen nga kultura. Por,
premtojnë, ekonomi, bujqësi, infrastrukturë, vend pune, madje as ata vet nuk
dinë se çka përmbajnë në tërësi këto. Nuk ka lidhje jemi mësuar dhe bota është mësuar
me politikë me laviren e padenjë, sepse po të ishte lavire e respektueshme
sikur te Sartri do mendonin ndryshe. Asnjëri nga kandidatët nuk preku kulturën,
e në veçanti teatrin apo Galeritë, aty ku mbretëron e vërteta, aty ku fëmijët e
tyre do marrin hapat e parë, aty ku në dërrasat e skenës do gëlltitin gjithçka,
por përse t’i dorëzohen pakushte. Kushtet nuk do ti komentojnë. Përse t’i
komentojnë kur as ata nuk kanë nga ti nisin. Sipas tyre, asgjë nuk nisë nga teatri, edhe pse tek grekët e lashtë,
tek antika, çdo gjë vërtitet rreth Dionisit dhe Thespisit, më pastaj vije
komedia. Tek ne nuk do vije komedia sepse nuk trajtohet tragjedia. Për çka
flasin, kur kanë humbur në lashtësi, kanë humbur rrënjët e kulturës. Si mund të
flas një njëri i cili nuk ka shkel mbi teatrin apo të paktën nuk ka qenë shikues.
Ky njeri i pa denjë, i pa informuar të ngritë ndonjë problem për mbi papunësinë.
Si ta kupton papunësinë, kur nuk dijë sa metra katror është skena. Nuk dijë pse
janë perdet, pse janë katër mure. Ku qon kjo? Vetëm në primitivizëm sepse kështu
e nisëm, le të vazhdoj, por duhet ndaluar që të mos jetë vonë. Fjalimet e kota
i përcolla me javë. Aty çfarë kuptova? Një shpalosje të programuar, të udhëzuar
nga dikush që fluturon për mbi kaltërsinë, e që asnjëherë nuk ka rrënjë në tokë.
Le të manipulojë me këtë popull sepse gëlltit çdo gjë e sidomos forcën. U zhgënjeva.
Jo nga prezantimi, por nga esenca e prezantimi sepse askund nuk theksohet
kultura. Diçka primare është kjo, bota krenohet me këtë, bota investon miliona
për kulturën sidomos në kinematografinë, diçka që është e vdekur tek ne, ose diçka
që vije në fund, si një skaj, humnerë e zhdukur, apo nuk ka ekzistuar kurrë. Cili
nga këta premtues ka vizituar Galerinë, teatrin, kinemanë? Madje, po të ju përmendësh,
nuk dinë as çfarë ndodh e lë me të pajisen me kushte. Prandaj, ndodh kjo. Duhet
ngritur zëri mbi kulturën, jo të luajmë viktimën, satirën, përqeshjen, kënaqësinë
e padëshiruar vetëm për të përfituar. Kështu jemi humbës. Një shtet, një rajon,
që nuk investon në kulturë, është i shurdhër, vetëmohues, skeptik për çdo gjë. Fillojnë
çdo herë me premtim dhe kundërshtim, sepse kundërshtimi të bënë më të fortë, më
të dijshëm, më mohues duke pretenduar të mbjellësh diçka më të fortë. Por, si
mund të mbjellësh kur nuk ke bazë, baza është kultura. Mungon. Nuk i dëgjojnë fëmijët të cilët luajnë, nga dëshira
e tyre, ata nuk u besojnë, madje kërkojnë ti anashkalojnë ata që i vështrojnë. Sa
mirë kjo, sikur të ndodh të jemi fëmijë, gjithmonë fëmijë. Shpirti vërtet është
fëmijë kur nuk plaket, zanafillën e ka tek arti dhe vetëm arti. Jim Morrison
thotë: “Lëri fëmijët le të luajnë”. Nuk është
batutë koti kjo. Aspak, e menduar mirë, të cilën premtuesit tonë nuk e mendojnë,
shkelin me këpucë mbi sinqeritetin e artit, fëmijëve tonë. Mohojnë çdo gjë në heshtje
duke zëvendësuar me kanalizime, mbindërtime, papunësi, asfalte, rrokaqiell pa
leje, krejt kjo fizike, teknike më primare se teatri. Teatri as që përmendet
sikur të mos ekzistojë. E filmi as që duhet të jetë, edhe pse është përfaqësues
i shtetit. Ku mendojnë ata të shkojnë me këtë? Të bindin popullin, po populli
servilizohet sepse ndjek masën tjetër, e masa tjetër i nënshtrohet fuqisë. Populli
rrëzon çmimet, ngritë çmimet, vendos. Si të vendos kur asnjëherë nuk është pajisë me teatrin,
nuk e njohu Galerinë, filmin. Filmin e shikoj, por nuk diti se çfarë shikoj,
pranoj ashtu si ishte pakushte. Të kthemi në fëmijëri, aty ku nisë dhe mbaron çdo
gjë, aty ku lotët derdhen lehtë, sepse ngacmimi është më i pranishëm. A mund ta
mohojmë që nuk është art kjo? Në asnjë mënyrë, këtu lind e vërteta artistike. Atëherë,
na mbetet të korrigjomë atë që nuk e kemi korrigjuar. Fëmijët-artistët qajnë për të vërtetën që nuk do ta kenë, fati
i tyre i krijuar nga perënditë ndeshët me pakuptimësinë, ata qajnë, vajtojnë si
elegji për atë që është shkruar në qiell. Këtu askush nuk kupton këtë. Duhet të
kthehen aty ku nisen, pa anashkaluar batutat, fragmentet. Politika shkel mbi
artin dhe fëmijët, por përse mos ta bashkojmë politikën me artin dhe fëmijët. Ndoshta
do kemi fuqinë. Mos të ledhatojmë diçka që nuk është, krenohemi me atë që ende
nuk e kemi, iluzionist, teatri humbet tek Eskili, i rëndomtë për tu kuptuar,
poetik, pa veprim, komedia jo e Aristofanit, e satirizuar në ekstremë, por sa
sipërfaqësore është kjo. Vetëm për të përfituar për të vazhduar pa ndonjë shenjë,
pa ndonjë jetë të dytë, të kënaqur me atë që është. I revoltuar me jetën, sepse ajo më zgjodhi, e
verifikuan mes politikës duke e barazuar. Politika , që ka për qëllim
mashtrimin, mbivlerësimin e vetës për tu imponuar përfituar ndaj masës të pa
denjë, për qëllime. Politika edhe arti janë fituese, fuqizuese. Por, sikur t’i
paramendojmë të dyja të unifikuara, bashkuara,
do reflektojnë estetikisht dhe do fitojnë mbi masën, e cila i nënçmohet
politikës para artit, artin e kujtojnë vetëm në vetmi. Politika shterpë pa
artin nuk ka fuqi. Të dyja vërtet mund të bëjnë bujë të pavdekshme. “Vota është
më e fuqishme se plumbi! Me plumb mund të vrasësh armikun tënd, kurse me votë mund
të vrasësh të ardhmen e fëmijëve të tu!” shënon Abraham Lincoln.