Mendime
Arbana Xharra: Ndëshkimi me votë!
E hene, 04.11.2013, 07:27 PM
Ndëshkimi me votë!
Nga Arbana Xharra
Votuesi i
Kosovës ka nisur ta ndryshojë mentalitetin, nuk shantazhohet lehtë e as nuk
mashtrohet me milionat e rrejshëm dhe premtimet për një copë asfalt. Ata duan
ndryshim, të lodhur nga keqqeverisja, na treguan se kanë nisur të ndëshkojnë me
votë. Dje na u dëshmua qartë se jo të gjithë kanë zgjedhur të heshtin karshi
skandaleve e kapadainjve që kanë besuar se nuk mund të rrëzohen lehtë nga froni.
Të dhënat
preliminare flasin për një realitet tjetër që i pret disa komuna të njohura
tashmë për bastione të disa partive politike. E padyshim se mobilizimi për ta
ruajtur votën dha rezultat, edhe pse mbetet të shihet se çfarë mund të ngjajë në
balotazh.
Ndërkohë që
përjashtuar veriun, i cili u karakterizua me shumë probleme dhe ka shumë mundësi
që zgjedhjet atje të dështojnë, votuesit e pjesës tjetër të Kosovës kësaj here
treguan se dinë ta ruajnë votën. Mbi 5000 veta raportuan shkeljet, ndërkohë që policia
e prokuroria u pa më e mobilizuar.
Votuesit
kësaj here kanë ditur të befasojnë. Lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, edhe pse me
komoditetin prej kreut të qeverisë, me buxhet në dorë, i cili premtoi mbi 800
milionë euro, nuk i piu ujë ashtu siç ka pritur kësaj here. Ndonëse bëri përpjekje
që me entuziazëm ta paraqesë fitoren, ai nga rezultatet e para pritet të pësojë
humbje në Gjilan, dhe padyshim se ndëshkimi i vjen kryekëput nga skandalet që janë
prodhuar prej keqpërdorimit të pozitës që ka bërë ish-kryetarit Qemajl Mustafa.
Ndërkohë që
edhe Malisheva i tregoi se di të votojë ndryshe. E sa i përket Prishtinës, listës
së kandidatëve të djegur të PDK-së për këtë komunë i shtohet bindshëm edhe kësaj
radhe Agim Çeku. Në Prizren kjo parti nuk e ka të sigurt fitoren në balotazh
pasi që rol përcaktues do të ketë ish-anëtari i PDK-së, Zafir Berisha, i cili
jo pak vota mori nga prizrenasit.
Situatë jo
e favorshme për partinë e Thaçit është edhe Vitia, ku garë e fortë u zhvillua
me partinë Isa Mustafës, ndërsa as Suharekën nuk arriti ta fusë nën “ombrellën”
e saj pavarësisht angazhimit të bashkëpunëtorit të tij, Enver Hoxhaj, që ta
favorizojë kandidatin e tyre, Ramë Vataj.
Këto të dhëna,
edhe pse jo definitive, i kanë dhënë sinjal PDK-së për rënien që e pret në zgjedhjet
e parakohshme nacionale.
Nga ana
tjetër edhe pse Isa Mustafa ndihej komod për fitoren në Prishtinë, rritja e VV-së
në kryeqytet, e cila sipas të gjitha gjasave do të jetë në balotazh me LDK-në i
tregon se nuk duhet injoruar konkurrueshmëria në Prishtinë. Mirëpo kjo parti
edhe pse me duar në xhepa, ia pa hairin skandaleve të PDK-së dhe jo vetëm të kësaj,
edhe në Pejë pritet të thyejë bastionin e AAK-së.
Kurse
flirti i Ramush Haradinajt me kreun e PDK-së iu kthye bumerang, ai pritet të humbë
jo vetëm Pejën, por edhe Gjakovën, Rahovecin edhe Suharekën. E fitorja e AKR-së
në Gjakovë mund ta shpëtojë këtë parti nga zhdukja e përhershme prej skenës
politike.
Nga zgjedhjet lokale, partitë kryesore në vend, kanë marrë një mesazh të qartë e në të njëjtën kohë edhe sinjal për ndryshimin që mund të sjellin zgjedhjet e parakohshme nacionale.