Mendime
Elida Buçpapaj: Kadelizmi në PD, Parlament dhe shoqëri
E shtune, 02.11.2013, 04:52 PM
KADELIZMI NË PD, PARLAMENT DHE SHOQËRI
NGA ELIDA BUÇPAPAJ
Merkatoja
në Parlamentin e Shqipërisë e bëri deputetin e PD Gjovalin Kadeli të shitej
rishtas. Është e treta shitje rradhazi. Brenda disa muajsh, ai kaloi nga
deputet i PS, tek PD dhe tani tek LSI. Për këto lëvizje kaq energjike sa majtas
djathtas e prapë majtas, Kadeli përbën prototipin e trafikut të deputetëve – ose
ndryshe fenomenin e kadelizmit, i cili ka depërtuar në çdo qelizë të jetës
shqiptare, duke filluar nga PD, Parlamenti dhe shoqëria, që është shit-blerja
pa asnjë moral, vetëm me qëllim përfitimi personal.
E nisim
nga PD – e cila u dënua nga verdikti i sovranit më 23 qershor sepse e aplikoi
pa asnjë limit fenomenin e kadelizmit. Kopje si Kadeli, PD ka të paktën disa
deputetë, që përfaqësojnë kahe të ndryshme politike, por e kanë fituar karriken
e deputetit me votuesin e PD. Kastriot Islami është një tjetër syresh. Nard
Ndoka po ashtu. Koncentruar tek numri dhe aspak tek vlerat, nga PD e 22 marsit 1992
nuk ka mbetur më asnjë shenjë. Tani ka filluar të përjetojë të tatëpjetën,
konsekuencat dhe pasojat e makiavelizmit vulgar, se për hir të pushtetit nuk ka
asnjë ligj dhe parim që e ndalon. PD jo vetëm që nuk blen më dot deputetë, por
as nuk është në gjendje që t’i mbajë as ata që ka blerë dhe as të vetët, sepse
merkatoja ka rënë fare, deri aty sa PD nuk e preferon më as skota Kadeli. Degradim,
deklin, disfatë quaje si të duash. Pa ideale dhe me fuqi blerëse zero, sepse PD
tani s’ka më kolltukë, s’ka më tendera, s’ka më as kredibilitet, s’ka më miq, s’ka
më asgjë. Edhe nga këta 40 deputetë që ka de jure, shumica janë pa asnjë lloj
kontributi, veç të katapultuar nga ish-lideri historik, të cilit klanet brenda
PD-së ia llogarisin edhe blerjen e Kadelit. Edhe Kadeli vetë ashtu thotë për
gazetat. „Kisha kontratë me Berishën“! Gallatë e madhe!
Kadeli
nga një ish-deputet mediokër, tashmë është kthyer në një figurë interesante për
kryetitujt dhe faqet e para të gazetave e lajmeve të televizioneve të Tiranës. Në
fakt, ky është modeli bruto i deputetit të parlamentit të Shqipërisë. Që gdhihet
majtas e ngryset djathtas, e pastaj mesnata e gjen në një tjetër parti. Kadeli
po përrallis se largimi i tij nga PD tek LSI është kthim në origjinë. Tani
problem është origjina e PD-së. Një gjë është e sigurt, se PD e sotme nuk ka
lidhje me PD e para 23 viteve, kur populli i besonte dhe kur rreth saj
afroheshin figura dhe njerëz me vlera, si Pjetër Arbnori me shokë. PD e sodit e
ka kredibilitetin e Kadelit.
Ndërkohë largimi
i Kadelit, i ka kthyer në shurdh-memecë, ata që u tradhtuan më së fundmi prej
tij. Heshti edhe ai që e bëri për vete Kadelin përpara disa muajsh. Vetëm kreu
i grupit parlamentar të PD-së tha se „Kadeli iku për interesa vetjake, por nuk
e dëmton PDnë“! Nuk ka deklaratë më qesharake se kjo. Ndërsa të tjerët në PD
menduan se mbrojtja më e mirë për t’ia bërë vetes së tyre nga Afera Kadeli është
rritja e agresivitetit të deklaratave kundër maxhorancës. Berishës i takonte të
parit që të bënte një koment. Sepse ai i ka shumë qejf komentet. Kujtoni se me çfarë
triumfalizmi folklorik ish-kryeministri do të shpallte deri në Facebook fitoren
e votës së blerë të Kadelit. Ja çfarë prodhoi largpamësia e liderit historik. Shiheni
vetë se si Kadeli fluturoi nga ish-blerësi tek blerësi i ri dhe kadelizmi është
kthyer në sindromën malinje të politikës dhe shoqërisë shqiptare.
Në muajin
prill 2013 Sali Berisha ishte në ekstazë nga blerja e Kadelit, ndërsa tani në fundtetori
2013 hesht. Në fillim prilli Berisha ishte në apoteozë të retorikës, ndërsa
tani rastin Kadeli e kalon në retiçensë të plotë. Po ku i shkoi ironia Berishës?
Ku i vajtën kalamburet? Sepse largimi i Kadelit meriton një koment prej
oratorisë së tij gjëmuese. Koment pritej edhe prej Jozefina Topallit, e cila na
pozon rezëllitëse në Facebook nga një zyrë luksoze që posa ia ka dhuruar Ilir
Meta. Me meritokraci padyshim! Se e çoi Shkodrën në humbje! Por opinioni publik
dëshiron që t‘ia dëgjojë zërin se si zonja Topalli do ta komentojë trafikimin më
të freskët të Kadelit, i cili sot është deputet i LSI, me votat e PD-së. E pra,
flisni, ku shkoi elokuenca e lidërshipit të PD-së, ku mbetën shpotitë, talljet,
rromuzet. Kllouniadat ku mbetën. Apo prapë në sulm për t’u mbrojtur, duke e përçunduar
moton e njohur të gjeneralit dhe strategut ushtarak prusian Carl von Clausewitz
sipas të cilit “Sulmi është Mbrojtja më e mirë” - "Der Angriff ist die
beste Verteidigung." Carl von Clausawitz ishte shefi i shtabit në luftrat
Franko-Prusiane kundër Napoleonit deri në betejën përfundimtare të Waterlosë. Teoria
e tij e luftës mbështetej në një moral të pastër, por ajo u shfrytëzua si nga
marksistë leninistët deri tek akademitë ushtarake sovjetike. Në kuptimin e von
Clausewitz, mbrojtja më e mirë bëhet përmes sulmit, por jo si metodologji
ortodokse për t’i dezertuar së vërtetës. Ashtu si vepron sot opozita. Së cilës
nuk i skuqet më faqja për asgjë.
Këto ditë
Presidenti Obama paraqiti shefin e ri të FBI-së. Në mbi 100 vite histori, Jim
Comey është shefi i shtatë i Byrosë Federale Investigative. Në takimin
prezantues Obama tha se: “Besnikëria, Trimëria dhe Integriteti që është Motoja
e këtij institucioni kaq të rëndësishëm për sigurinë e vendit, ndërkohë që Jim
Comey, lideri i ri i saj i jeton në çdo moment të ditës principet e përmendura
në moton më lart”.
E pra, në
fjalorin e politikës shqiptare nuk ekzistojnë më fjalët, “kompetencë”, “aftësi”,
“meritokraci”,”talent”, “besnikëri”, “ndershmëri”, “integritet”. Këto fjalë politika
i ka hequr edhe nga falori i gjuhës shqipe, duke ushtruar ndikimin fuqishëm që këto
fjalë t’i harrojë se ekzistojnë edhe vetë shqoëria shqiptare e cila po ashtu është
infektuar nga kadelizmi. Por kësisoj nuk mund të vazhdohet më. Kadelizmi duhet
të izolohet në karantinë.