Mendime
Bleron Baraliu: Demaçi ledhaton Turqinë
E marte, 29.10.2013, 07:22 PM
Demaçi shtrembëron historinë, ledhaton Turqinë
Nga
Bleron Baraliu
Përfshirja
masive e klasës politike të Kosovës në frymën konspirativiste duket të ketë arritur
edhe viktimën e fundit, duke gëlltitur në këtë vorbull edhe mendimtarin e denjë
Adem Demaçi! Posaçërisht deklarata se “Turqinë e ka autorizuar Amerika të përkujdeset
për Kosovën” është jo vetëm konspirativiste, por edhe goditje e rëndë kundër
logjikës zakonisht të qëndrueshme të vetë Demaçit gjatë më se gjashtë dekadave
politikbërjeje dhe analizash gjeopolitike.
Analizues
i denjë i situatave dhe përllogaritjeve diplomatike të koalicioneve të ndryshme
rreth Kosovës dhe shqiptarëve gjatë shekullit të kaluar, Demaçi jo rrallëherë ka
guxuar të kundërshtojë bindjet populiste, duke na ardhur në skenë me vlerësime
kontrariane që kanë sfiduar intuitën në favor të logjikës dhe vëmendjes përtej
sipërfaqësore. Këtu vlen për t’u theksuar stoicizmi i tij si përfaqësues
politik i UÇK-së për mosdorëzim në Rambuje, një botëkuptim i braktisur më vonë nga
vetë ai, por që duhet studiuar me kujdes për meritat domethënëse – ani pse
kontraverse dhe vështirë të mbrojtshme para gjykimit publik.
Mirëpo,
vlerësimi, dhe përmëtej, deklarimi publik i Demaçit se “vëllazërimi me Turqinë”
edhe sikur vetëm në metaforë t’i përngjajë një aleance të re, të dirigjuar nga “miqtë
tanë kryesorë”, bie ndesh dhe relativizon vlerën e simbolizmave historikë të rëndësishëm
në mes këtyre dy shteteve dhe dy popujve për më shumë se 600 vite. Me evokimin
e historisë së hidhur të shqiptarëve gjatë sundimit të Perandorisë Osmane nuk
duam assesi të zhvlerësojmë shpirtin e gjerë të popullit shqiptar apo nevojën për
të falur të pandehurit edhe për krimet e rënda, vetëm për hir të paqes së fëmijëve
tanë, sidomos në lidhjet Shqipni (natyrale)-Turqi. Thjesht, këtu duam të vëmë në
dukje faktin se përkushtimi ndaj së vërtetës historike dhe kontekstit të së kaluarës
dhe së sotmes shqiptaro-turke do të thotë përkushtim ndaj mbrojtjes së vlerave
europiane dhe ardhmërisë së vetë popullit shqiptar.
Pra, duke
qenë se Turqia e sotme madje është ndërtuar edhe mbi supet e kontribuuesve të denjë
shqiptarë, si Kemal Ataturk dhe Sami Frashëri, është e natyrshme që shtetet
shqiptare të jenë vende mike me Turqinë brenda Europës, së cilës i takojnë së bashku,
por kjo assesi nuk mund të mohojë as edhe vetëm në mënyrë implicite apo
kalimtare dëmin e madh të Perandorisë Osmane në tokat tona, e aq më pak përkatësinë
e paluajtshme natyrale të Kosovës në Shqipni.
Përkujdesja
ndaj vlerave dhe vlerësimeve historike nuk duhet ndalur vetëm rreth historisë makabre
të 500 viteve famëkeqe. Pa dyshim, me rëndësi është po ashtu të bashkërendisim
edhe kontekstin aktual të sulmit të vlerave kombëtare e tradicionale shqiptare
në dy rrafshe: një, atë të fanaticizmit islamist në rritje alarmante në Kosovë (dhe
njërën prej pasojave specifike, atë të pseudo-asimilimit të prizrenasve në Turq,
kur bota mbarë e di qe në Prizren ka turq autoktonë po aq sa në Plavë-Guci ka
boshnjakë të tillë); dhe dy, atë të krijimit të kushteve optimale të asimilimit
të miliona shqiptarëve brenda kufijve të Turqisë moderne.
Në momente
kur ekstremizmi islamik dhe erozioni i vlerave tradicionale në përgjithësi
cenojnë evolucionin e identitetit të lavdishëm shqiptar, Demaçi ka përpirë një helm
të madh dhe ka gëlltitur një gafë logjike, duke kontribuar po në këtë drejtim,
dhe njëkohësisht duke relativizuar “të vërtetën e paluajtshme” që i ka
garantuar atij qëndrueshmërinë dhe diturinë e dekadave edhe gjatë keqtrajtimeve
më mizore. Demaçi e ka bërë këtë në favor të optimizimit të kalkulimeve
konspirativiste me asnjë vlerë përtej “llafeve spekulative”. Megjithatë, për hir korrektësie, duhet nënvizuar
se Demaçi gjithmonë ka qenë njëlloj i gatshëm edhe “të digjet për Shqipni”;
luhatjet e tij janë shenjë e përtej-pjekurisë politike dhe filozofike, dhe jo çfarëdo
nuance lëvizjeje nga determinizmi atdhedashës.
Prandaj,
me përgjegjësinë më të lartë morale e kombëtare, por pa anashkaluar as
konsekuencat relevante politike dhe pa anashkaluar respektin për të, i
drejtohem Bacit me thirrje që të konsideroj me vëmendje të shtuar edhe
rrethanat kontekstuale brenda popullit dhe vendit, dhe jo vetëm të vështrojë nga
lart. Demaçi duhet të distancohet nga deklaratat relativiste të fundit, duke
rishkruar mendimin e tij të vërtetë në lidhje me këto çështje. Ai duhet mbajtur
mend në çdo çast se deklaratat e tij përbëjnë tulla kyçe në ndërtimin e
historiografisë dhe evolucionit tradicional shqiptar për shumë gjenerata, dhe
nuk meritojnë nënçmim ditor për hir të rrethanave të përkohshme apo në llogaritje
të ndonjë beneficioni margjinal për një parti apo ndonjërin nga “shtetet” tona.
Kosova është
Shqipni! – kjo është e vetmja e vërtetë që
mund t’u qëndrojë gërryerjeve të kohës, dhe Demaçi e di këtë tejet mirë, po aq
sa dhe gjithë të tjerët që nuk dëshirojnë të gënjejnë veten!
*Autori
ka lindur në Prizren dhe prej 19 vitesh është aktivist i komunitetit shqiptar në
Amerikë