Mendime
Shkullaku: Entuziazmi i Ramës për vëlla Taipin
E premte, 25.10.2013, 06:05 PM
Entuziazmi
i Ramës për vëlla Taipin
Nga
Armand Shkullaku
Ismail
Qemali, pak kohë pasi u var me vendim qeverie në muret e institucioneve shtetërore
shqiptare, tani u bë edhe me vëlla. Jo një vëlla dosido, por një vëlla të shtrenjtë,
që pas 100 vjetëve ia gjeti një rilindas i ditëve tona. Në një ceremoni që nuk
mund ta ndeshësh në asnjë vend normal perëndimor, ku mbizotëronte entuziazmi
provincial dhe patetizmi demode, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, shpalli
dashurinë pa kushte për vëllain e rigjetur. Në fakt është i njëjti vëlla, që e
kishte bërë të thartohej kur erdhi gjatë fushatës në qershor të vitit 2009 të përuronte
Rrugën e Kombit në krah të Sali Berishës, por atëherë me siguri që Rama nuk i
kishte zbuluar ende “lidhjet e gjakut”. Tani që është kryeministër vetë, edhe
Erdogani është vëllai ynë. Shfaqje të tilla si ajo e të mërkurës në Prizren nuk
kanë asnjë lidhje me diplomacinë dhe politikën e jashtme të një shteti që synon
anëtarësimin në BE. Për shqiptarët këto deklarata dashurie dhe vëllazërie janë atavizma
të kohërave në të cilat provuan nënshtrimin dhe izolimin, dhe jo marrëdhënie të
dinjitetshme partneriteti dhe reciprociteti. Janë skena që të sjellin ndërmend
dalldisjen pas vëllezërve sovjetikë e atyre kinezë, rrënimin e dinjitetin dhe
brohoritjet për çdo lider të pushtetshëm që i donte aq shumë shqiptarët. Fotos
së tre kryeministrave në skenën teatrale në Prizren i mungonte vetëm shënimi: Tre
luanë ka Ballkani/ Hasha, Edi, Erdogani.
Edi Rama
nuk është një rockstar që përshëndet fansat duke zbritur shkallët e aeroportit
apo një nga ato yjet e Hollivudit që fashinohen pas liderëve të fortë të botës
dhe këpusin mufka dashurie nga lehtësia e mosnjohjes së gjërave dhe papërgjegjshmëria
që iu fal profesioni. Edi Rama është kryeministër i Shqipërisë dhe duhet ta dijë,
ose dikush ka për detyrë t’ia thotë, se kanagjegji ku ishte aktor kryesor
zhvillohet në zemër të fushatës elektorale në Kosovë dhe përkrahja e tij për
kandidatin e PDK në Prizren është një ndërhyrje që lëndon partitë e tjera që janë
në garë. Hashim Thaçi ka qenë shumë i kujdesshëm për ta evituar të njëjtën skenë
kur Erdogan erdhi në Shqipëri gjatë fushatës elektorale të vitit 2009. Kryeministri
shqiptar nuk ka asnjë arsye të marrë anë në një garë që duhet ta ndajnë votuesit
në Kosovë dhe të shfaqet si mbështetës i një krahu të caktuar politik. Ai duhej
ta dinte gjithashtu se kandidati i PDK në Prizren, ashtu si dhe disa eksponentë
të tjerë të kësaj partie me të cilët është afruar më parë, ndodhet nën hetim
gjyqësor i akuzuar për korrupsion. Thaçi vërtet e ka shpallur Prizrenin si
Jerusalemin e PDK, por kryeministri shqiptar nuk është pjesë e kësaj sfide. Pas
problemit që shkaktoi me LDK në vizitën e tij të parë si kryeministër,
rreshtimi në Prizren është një ndarje tjetër jo vetëm me LDK, por me të gjithë atë
pjesë të politikës dhe shoqërisë në Kosovë që nuk mendon si Hashim Thaçi.
Një kryeministër
i kujdesshëm, që nuk e rrëmben gjaku i vëllazërisë, duhet të jetë i informuar
gjithashtu se depërtimi turk në Kosovë ka provokuar reagime të shumta tek një pjesë
e madhe e shoqërisë që dyshojnë se pas privatizimeve të aseteve publike nga
kompanitë turke fshihen afera korruptive dhe familjarë të kryeministrit Erdogan
janë të përfshirë në to. Një tjetër debat që do të duhej të respektohej nga
kryeministri i Shqipërisë është edhe ai që po zhvillohet prej gati dy vitesh në
Kosovë pas kërkesës së ministrit turk të arsimit, po në Prizren, për rishikimin
e teksteve të historisë, ku periudha e sundimit osman të konsiderohet si bashkëjetesë
dhe jo si pushtim. Vëllazëria pasionante me kryeministrin Erdogan, edhe në emër
të së shkuarës, është një ndërhyrje brutale në këtë debat e Shqipërisë dhe
shkon në sinkron me strategjinë e neootomanizmit për të zbutur dhe zbardhur të kaluarën
në emër të rikthimit të Turqisë së sotme si një fuqi qendrore në Ballkan.
Kryeministri
i Shqipërisë sigurisht nuk ishte ftuar për të mbajtur qëndrime kritike ndaj
homologut turk dhe për interesa strategjike të Shqipërisë i duhet të ketë raporte
sa më të mira me Ankaranë. Por kur ato kalojnë kufijtë normalë të marrëdhënieve
ndërshtetërore, kur kthehen në deklarata dashurie dhe historie, kur përzihet
gjaku dhe politika, nuk kanë asgjë të përbashkët me diplomacinë moderne perëndimore.
Deri tani, Edi Rama na bëri vetëm me një vëlla, të shohim se ç’do të na sjellë më
vonë.