Mendime
Donika Omari: Xhamia “e re”
E hene, 21.10.2013, 06:33 PM
Xhamia “e re”
Nga Donika Omari
Përsëri për
projektin e xhamisë te sheshi i Namazgjasë në Tiranë. Është vënë brenda
thonjëzave cilësori i emrit (“e re”), donika omaripër të treguar se në fakt
kemi të bëjmë me një xhami mesjetare. Kjo vërtetohet fare lehtë po t’u hedhim
një sy të shpejtë në internet objekteve të kultit islamik në botë.
Xhamia e
Namazgjasë në qendër të Tiranës na rezulton e stilit turko-otoman! Arkitekturë
që haset vetëm në Turqi e jo në vendet e tjera myslimane. Në këto vende shohim
stilin elegant arab. Me këtë nuk dua të them se arkitektura turko-otomane nuk
ka bukurinë e vet. Nuk e merrja me mend se xhamitë e Stambollit mund të ishin
aq të bukura derisa i vizitova para disa vjetësh.
Por nuk është
gjë e panjohur që Shqipëria ka qenë e pushtuar për gjysmë mijëvjeçari nga Perandoria
Osmane. Një simbol të këtij pushtimi e kemi tashmë në qendër të kryeqytetit,
krahas shtatores ekuestre të Heroit tonë Kombëtar që e luftoi për çerek
shekulli atë pushtim. Mos qenka e nevojshme të kemi tani në fillimshekullin XXI
një simbol të dytë? Që do të ndërtohet jo nën shtrëngimin e ndonjë pushtuesi
por me nismën, vullnetin e shpenzimet tona?
Arkitektura e
projektit të xhamisë në fjalë, më shpie te besimtarë të veshur me veshje
orientale otomane-turke, me çallma në kokë e me mjekra e mustaqe të mëdha. Duke
e vështruar atë projekt përfytyroj karroca që shpien sulltanin dhe familjen e
tij, vezirët, pashallarët, bejlerët e agallarët për orët e lutjes. Përfytyroj
gra të mbuluara, papuçet karakteristike majëpërpjeta të lëna në hyrje etj.,
etj. Për fat të keq, më vijnë në kujtesë edhe dumbabistët tanë…
Këtë përshtypje
ta përforcojnë edhe më shumë katër minaret tipike të xhamive të Stambollit. Në
vende të tjera shumë rrallë mund të hasësh ndonjë xhami me kaq shumë minare.
Një, a e shumta dy minare, do të ishin mjaft për Tiranën tonë të vogël.
Por po i lëmë
mënjanë ato 500 vjetët e pushtimit, meqë e paskemi kaq të lehtë ta bëjmë këtë
gjë. Le të shohim çështjen e ecjes me kohën. Mos është e udhës të ndërtosh
objekte kulti të njëjta me ato të kaq shumë shekujsh të kaluar? Mos koha për ne
shqiptarët duhet të ngecë në vend, e madje të ecë mbrapsht? A nuk jemi prapa
botës duke mos zgjedhur nga bota modele xhamish të ndërtuara në vende
myslimane, por edhe në vende të krishtera nga komunitete myslimane?
Po sjellim disa
shembuj: në Algjer, në Dubai, në Kazablanka, në Tashkent, në Moskë, në
Nju-Jork, në Londër etj., etj., asgjëkund nuk hasim arkitekturë xhamish
turko-otomane. Mos në këto vende myslimanët janë më pak të devotshëm se nuk i
kanë të tilla objektet e kultit? Komuniteti mysliman i Romës ka ndërtuar një
xhami moderne me një hijeshi e finesë të veçantë. Është e kuptueshme: nuk mund
të bënte përjashtim xhamia në këtë vend që quhet “il bel paese”. Por jo më pak elegante është edhe xhamia e re
e Sarajevës, e ndërtuar tani vonë.
Për fat të keq,
në Shqipëri nuk është i vetëm rasti i kësaj xhamie që flet për marrëdhënien
tonë primitive me kohën. Kisha ortodokse e Korçës mos është më pak mesjetare?
Kisha e madhe ortodokse e Tiranës ka sjellë këtu Shën Sofinë e Kostandinopojës,
por sidoqoftë të stilizuar me elementë modernë.
Kur është fjala
për t’iu përmbajtur traditës në arkitekturën e objekteve të kultit, nuk mund të
mos kemi parasysh se tek ne ajo lidhet me pushtime të caktuara: bizantin,
turko-otoman…Shqiptarët e sotëm nuk kanë pse t’i kthehen së kaluarës, nuk kanë
pse ngjallin kujtime kohësh që fatmirësisht kanë kaluar, shpresojmë, njëherë e
përgjithmonë. Për komunitetet fetare shqiptare a nuk do të ishte e udhës, a nuk
do të ishte përbashkuese të forconin, krahas ndjenjës fetare, atdhedashurinë?
“Kur të doni më
shumë atdheun, do të doni më shumë njëri-tjetrin”, – na jep Nënë Tereza këtë
porosi me kuptim të thellë e largpamës, që mbetet gjithnjë aktuale.
Dhe dashuria për atdheun është e qartë që nuk dëshmohet duke sjellë mu në mes të Tiranës së shekullit XXI simbole perandorish të perënduara, që na lanë në prapambetjen që po dëshmojmë pikërisht me ndërtime të tilla kaq pa vend. Xhamia “e re” e Namazgjasë e ka kohën dhe vendin në Stambollin e sulltanëve e jo në kryeqytetin e Republikës së Shqipërisë.