Mendime
Gani Qarri: Vizita e Daçiqit, ngjarje e rëndë
E shtune, 19.10.2013, 03:54 PM
Vizita e Daçiqit, ngjarje e rëndë për Kosovën
Nga Gani Qarri
Ditë si kjo, nuk
janë ditë nderimi,as të shenjta,nuk festohet shtetësia as shpallja e
pavarësisë,nuk kujtohet dita e flamurit dhe nuk ka të bëjë fare me festa as
gëzim kombëtar për shqiptarët. Përkundrazi,mund të konsiderohet fatkeqësi e cila paralajmëron lëkundjen e të
ardhmes së tyre.
Është ditë
brenge, frike dhe mërzie, ditë e vështirë mallkimi dhe turpërim
mbarëpopullor,për të gjithë ne. Ditë nga më të rëndat sidomos për
bashkëfamiljarët e të pagjeturve,të cilët që nga pas lufta,presin me ankth
kthimin e bijve të tyre për më shumë se 14 vite me radhë, pa fije shprese as
ngushëllimi.
Ditë kur edhe
një herë në vendin tonë mbërrin ish bashkëpunëtori më i ngushtë i
Millosheviqit, pasuesi më i flakët e besnik,partiak dhe shtetëror,i cili edhe
sot e kësaj dite mbanë peng mbi 1730 trupa të kidnapuarish shqiptar, nga ish
babai i tij ideologjik.
Ditë kur
kryeministri aktual i Serbisë Ivica Daçiq, pas gjithë atyre katrahurave që kanë
pësuar shqiptarët, vije pa asnjë pengesë të mbaj fjalime e zhvillojë edhe
fushatë parazgjedhore në Kosovë.
Ditë kur qeveria
jonë,në vend të punëve të mira dhe me mend vizitat e munguara të zyrtarve të
lartë ndërkombëtar, i kompenson me vizita funksionarësh serb, të cilët pa asnjë
rregull dhe kriter,vërshojnë njëri pas tjetrit, në mënyrë legale dhe
ilegale,fshatra dhe qytete gjithandej,për mbështetjen e listës "serbe" të propozuar nga
Serbia në fushatën zgjedhore të vendit tonë.
Ardhjet e
programuara serbe që moti dhe të deklaruara prej kohësh nga ta, edhe pse nga
shumica shqiptare cilësohen të dëmshme për Kosovën,ato për të realizuar
qëllimet e Serbisë, kamuflohen si fetare dhe në të drejtën për të vizituar
manastiret, ani pse ritet fetare,si proces nuk do duhej të kishin asgjë të
përbashkët me fushatat parazgjedhore të një shteti fqinj.
Është vërtet e
çuditshme sesi vizitat zyrtare të funksionarëve serb,planifikohen dhe renditen
shumë kohë përpara, dhe në atë mënyrë që me çdo kusht të ndodhin dhe realizohen
pikërisht në kohën e ngjarjeve publike dhe politike, siç është edhe fushata e
tanishme zgjedhore në Kosovë.
Prijësit aktual,
përkundër përvojës së hidhur me cilëndo vizitë të funksionarëve serb në vendin
tonë,nuk u mbushën mend asnjëherë, ngase edhe kur ato lajmërohen si fetare, nuk
nisin as përfundojnë me karakter as natyrë
kishtare,por secilën herë lidhen me politikë dhe shprehin urrejtje si për
vendin e pavarësinë e Kosovës, ashtu edhe për bashkësinë tonë kombëtare.
Kështu që nuk ka
si të kuptohet mossanksionimi i ndalesave të proklamuara më parë nga organet e
shtetërore ndaj tyre, as në raste zgjedhjesh dhe ngjarjesh kombëtare. Ndaj, mbi
çfarë parimesh e bazon shteti ynë sovranitetin dhe pavarësinë e tij, atëherë.
Mbivendosja e
vizitave serbe, mbi ngjarjet madhore publike dhe shtetërore, kalon të gjitha
caqet e të drejtave të besimit dhe respektimit të riteve fetare, sidomos
atëherë kur ato kthehen në ndërhyrje të drejtpërdrejta politike mbi zgjedhjet,
sistemin shoqëror dhe mënyrën e jetesës në vendin tonë.
Qeveria e
Serbisë dhe ministrat e saj, kurdo që duan, mund të takohen me"Zotin"
e tyre edhe në kishat e manastiret ortodokse në Serbi dhe jo të zhvendosin
misionet e tyre fetare, në objeketet tona të kultit për realizimin e qëllimeve të tyre politike
në Kosovë.
Tashmë është e
njohur për të gjithë se asnjë ministër serb dhe as kryeministri i tyre, nuk
vijnë vetëm sa për tu lutur në vendin tonë,por misioni i tyre ka për qëllim
"zaptimin" e rrugëve,shesheve dhe hapësirave të këtij vendi,dhe
shuarjen e etjes serbe, për dukjen dhe ngritjen e Serbisë mbi kokat tona, edhe
në raste zgjedhjesh,festash e gëzimesh sërish në Kosovën e lirë.
Qeveria serbe,
për institucionalizimin me çdo kusht të prezencës së saj në Kosovë, së fundi ka
filluar ti rrah dhe frikësoj me hedhje bombash e eksplodime të të gjitha
llojeve edhe kandidatët vendor serb,madje cilindo nga ta,që nuk u takon të
zgjedhurve të saj,duke luftuar për fitoren pa tjetër të listës së Serbisë në
vendin tonë.
Ekspeditat e
tilla,nuk dinë të ndalur,ani pse për të satën herë është dëshmuar se shëtitjet
e funksionarëve serb,nuk kanë të bëjnë aq me manastire as rite fetare, sa kanë
të bëjnë me ndërhyrje të qëllimshme politike në vendin tonë.
Ato përdoren vetëm si arsyetimi i përshtatshëm, gati pa mundësi mohimi dhe si rrugë gjithmonë e hapur për Serbinë, përmes të cilës ajo më së miri instalon nacionalizmin serbomadh në Kosovë, mision ky të cilin me lejet dhe pavendosmërinë e saj,ka kohë që e ndihmon edhe qeveria jonë, gjë që po përsëritet edhe një herë me rastin e këtyre zgjedhjeve në vend.