Mendime
Arbana Xharra: Të gjunjëzuar karshi Erdoganit
E merkure, 23.10.2013, 07:35 PM
Të gjunjëzuar karshi Erdoganit
Nga Arbana Xharra
Kryeministri i
Kosovës, Hashim Thaçi, pret sot “vëllain” e tij Rexhep Taip Erdogan, për ta
përuruar terminalin e ri të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, i cili
tashmë është në duart e kompanisë turke “Limak Holding”. Erdogan duket se është
një politikan finok. Ai disa herë ka luajtur lojën politike gjoja “kërcënon”
Serbinë se do ta mbrojë me ushtrinë e vet Kosovën (edhe pse Kosovën e mbron
ushtria më e fortë në botë NATO) ndërsa gjatë vizitave të tij në Serbi ai është
shfaqur si mik i sinqertë i serbëve duke kërkuar bashkëpunim ndërshtetëror
politiko-ekonomik.
E sot, padyshim
që ka mikpritjen e kreut të qeverisë, bile po të kishte qëlluar ditë e premte
me siguri Thaçi se do ta shoqëronte atë deri në Xhaminë e Madhe të Prishtinës
për ta falur drekën bashkë, ndonëse Thaçi zor se di ndonjë lutje, por kur është
puna për t’i bërë qejfin Erdoganit ai bën dhe më shumë, siç i ka dhënë
Aeroportin edhe Distribucionin.
Kryeministri i
Turqisë vjen në mes të fushatës elektorale dhe nuk besoj të ketë qëlluar
rastësi koha kur është vendosur të mbahet kjo ceremoni. Ka mundur të shtyhet
pas zgjedhjeve. Por, siç po shihet qartë, Thaçi është në gjendje të dëshpëruar
për ta mbështetur dikush, kështu që kush mund t’i vijë në ndihmë veçse ai që po
pret ta fusë edhe më thellë këmbën në Kosovë. Këtë herë në politikën e
brendshme.
Kjo “vëllazëri
myslimane” (siç) është sinjal i qartë për marrëdhëniet e dyshimta të Thaçit me
Erdoganin e sidomos pas dhënieve të aseteve kryesore e së fundmi edhe hapjen e
tregut të Kosovës për mallrat që vijnë nga Turqia duke i liruar nga të gjitha
doganat. Erdogani vjen ekskluzivisht për ta mbështetur Hashim Thaçin në
fushatë, tek e fundit është pritur pas gjithë atyre të mirave ekonomike që i ka
ofruar Turqisë.
Ky përafrim i
politikanëve më sjell ndërmend detajet të argumentuara nga libri
“Mosmarrëveshja” e Ismail Kadaresë, i cili përshkruan aq mirë nënshtrimin e
politikanëve edhe të kohës sonë ndaj Turqisë. Ai paralajmëron qartë hapat drejt
turqizimit të shqiptarëve dhe interesin e Serbisë për defaktorizimin e
shqiptarëve, duke rikujtuar se qysh një shekull më parë ish-ministrit Serb Ilia
Grashanin i kishte rënë kambanës. “Vetëm e tillë e turqizuar pra thellësisht
joevropiane Shqipëria do të ishte përherë e padashur prej Evropës”, shkruan
Kadare duke shtuar se shumë shqiptarë për arsye të ndryshme i tremben Evropës,
disi i frikësohen dënimit të krimeve që Evropa demokratike do t’iu kërkojë.
Sot një ngjarje
e tillë na sjell përpara syve këta udhëheqës tek i “gjunjëzohen” Erdoganit i
cili me agjendë haptazi islamike arriti të shtrijë fare lehtë edhe ndikimin e
tij ekonomik duke marrë në dorë asetet kryesore. Sepse këtu është esenca e
veprimeve të tij edhe brenda Turqisë. Duke përdorur fenë, arriti të marrë dhe
të mbajë pushtetin.
Po feja nuk
është e mjaftueshme për të ndërruar identitetin e një populli. Erdogan me të
gjitha politikat që ndjek ndaj Kosovës kërkon të na zhbëjë edhe historinë. Pas
kërkesës për të ndryshuar librat e historisë na vjen një shembull i vogël e
domethënës. Dje në Obiliq u paralajmëruan protesta se Qendrës Kulturore që
mbante emrin e një dëshmori të UÇK-së, i ishte vënë emri Sulltan Murat, pasi e
kishin financuar e renovuar. Pra, pikërisht emrin e pushtuesit që la kockat në
betejën e Fushë-Kosovës kundër popujve të Ballkanit.
E sot ndihmë nga
Erdogani kërkon edhe një grup tjetër, Lëvizja Islamike Bashkohu, e cila
organizon protestë në Prishtinë për t’iu qarë Erdoganit se politika në vend nuk
po u lejon bartjen e shamisë.
Këta burracakë,
do të duhej të dilnin në protestë, për të kërkuar të drejta për qindra mijëra
shqiptarë të shpërngulur në Turqi, pas marrëveshjes me Turqinë të cilët kanë
humbur pothuaj plotësisht identitetin.
Sa për shaminë,
e morën përgjigjen edhe nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. Ajo këtë
herë foli qartë që ta dëgjojnë edhe veshët e Erdoganit; “Bartja e shamive nuk
lejohet dhe nuk do të lejohet sepse Republika e Kosovës është shtet laik”.
E ne jemi shtet
laik, e laiciteti nënkupton liri nga dogmat, e liria nënkupton arsye për
ekzistencë. Ne do ta mbrojmë lirinë tonë, deri në fund!