Mendime
Astrit Gashi: Kush do ta fitojë Vitinë?
E hene, 21.10.2013, 06:33 PM
KUSH DO TA FITOJË VITINË NË ZGJEDHJET E 3 NËNTORIT?
Nga Astrit G. GASHI
Zgjedhjet
vendore të 3 nëntorit, kësaj radhe do jenë shumë interesante dhe përplot
tensione në komunën e Vitisë. Këto tensione fillimisht vijnë si rezultat i vlimeve të brendshme që e kanë
karakterizuar PDK-në, pothuaj gjatë gjithë këtij mandati qeverisës në këtë
komunë. Ndonëse nga radhët e PDK-së, Kryetari i kësaj komune, z. Nexhmedin
Arifi, u “mohua” nga të vetët dhe qeverisjen komunale e përmbylli, jo me anëtarë të Kryesisë së degës së PDK-së
(“mohuesit”), siç kishte menduar e pritur opinioni (i PDK-së), por me figura,
si të thuash, nga radha e dytë. “Mohuesit”, madje e paditën dhe e dërguan
edhe në gjyq për shpërdorim të detyrës
zyrtare, për korrupsion... E atakuan edhe për keqqeverisje. Meqë z. Arifi u
shpall i pafajshëm, “mohuesit” morën hapin tjetër: nënshkruan Marrëveshje me
degën e AAK-së në Viti, për ta mbështetur kandidatin e kësaj të fundit, z.
Hafir Hoxha, për Kryetar të Komunës së Vitisë, në zgjedhjet e 3 nëntorit. Kjo
Marrëveshje, ndërkaq, do reflektojë në dy drejtime. E para, Kryesia e PDK-së në
Viti, “mohuesit”, pra, do punojnë me mish e shpirt kundër z. Nexhmedin Arifi,
që ky të mos zgjidhet assesi Kryetar i ardhshëm i Vitisë, sepse po ndodhi kjo,
“mohuesit” vdesin politikisht dhe mund t’i fshijnë duart për murrizi, siç thotë
populli. Prandaj, që të mos ndodh ‘vdekja’ e tyre, tërë energjinë, ata, do ta
drejtojnë, jo në mbështetje të kandidatit të AAK-së, por në luftën kundër
kandidatit të PDK-së. Kjo luftë, ndërkaq do ta favorizojë shumë LDK-në dhe
kandidatin e saj, z. Sokol Haliti, i cili edhe në zgjedhjet e fundit ishte
krejt afër fitores për të qenë Kryetar i Komunës së Vitisë. Kjo luftë, nga
njëra anë, si dhe karizma që ka LDK-ja dhe, në mënyrë të veçantë, kandidati i
saj për Kryetar të Komunës, z. Haliti, ka mundësi, që ky i fundit, t’i fitojë
zgjedhjet që në raundin e parë. Ai, po ashtu, bazuar në informacionet që kemi
nga terreni, ka mbështetjen edhe të pjesës dërmuese të elektoratit
demokristian. Ndonëse PSHDK-ja ka kandidatin e vet në garë për kreun e Komunës,
do thënë se kjo parti është minore në raport me Partinë Demokristiane për
Integrim në Komunën e Vitisë, e cila është në mbështetje të kandidatit të
LDK-së. Veç kësaj, kandidati i PSHDK-së del të jetë një anonymus dhe jo serioz
edhe për vetë elektoratin demokristianë, thonë burimet.
Reflektimi,
efekti i dytë i Marrëveshjes AAK-PDK (gjithnjë është fjala për Kryesinë e degës
së PDK-së në Viti), do jetë irritimi i
vetë elektoratit të AAK-së, ngase nënshkruesit e Marrëveshjes nuk i bëjnë nder
askujt. Kjo për pasojë do ketë ikje të njerëzve të AAK-së (patjetër edhe të
PDK-së) dhe kalimin e tyre në taborin e LDK-së, gjë që do çojë në rritjen e
përkrahjes për z. Sokol Haliti.
Shikuar në
përgjithësi, të gjithë faktorët e konfirmojnë fitues në zgjedhjet e 3
nëntorit, z. Sokol Haliti. Ai e
gëzon edhe përkrahjen e
bashkëveprimtarëve të dikurshëm, të kohës para e pas viteve ‘89 , të veteranëve
të UÇK-së, të elektoratit me frymë rugoviane, e cila është shumë e madhe dhe e
vendosur për fitore.
Patjetër, në
figurën e Sokol Halitit, elektorati në Viti, sheh edhe personin e pakorruptuar
dhe mirë të përgatitur profesionalisht; të njeriut i cili rreth vetës ka një
ekip të mirë edhe nga radhët e partive të tjera.