Mendime
Imzot Dodë Gjergji: Ambiciet neotomane të ''vëllezërve''
E enjte, 24.10.2013, 07:01 PM
Deklaratë
Dje në Kosovë,
që në agim, ishte një ditë e bukur me diell, e thuajse po e përgatiste ngjarjen
e mesditës, kur pritej inaugurimi i terminalit të ri të Aeroportit
Ndërkombëtarë të Prishtinës “Adem Jashari”, një ngjarje që duhet të na gëzojë
të gjithëve. Prania e autoriteteve të larta shtetërore të Kosovës, të
Shqipërisë, të shtetit të kompanisë investuese, dhe autoriteteve tjera
politike, kulturore dhe ekonomike, vetëm sa e rritën solemnitetin e kësaj
ngjarje të rëndësishme. Kjo ngjarje edhe njëherë dëshmojë se Kosova përditë e
më shumë po arrin të krijojë marrëdhënie të mira ndërshtetërore me shumë
shtete, pa kompleksin lindje-perëndim.
Dihet tashmë,
se, në vendin tonë, në të kaluarën, janë përplasur qytetërime dhe kultura, janë
“matur” forca dhe janë ndarë përfitime. Është mirë që tani Kosova të jetë një
vend ku qytetërimet takohen, ku kulturat gërshetohen, ku dominon forca e ideve
dhe ku formësohen qëllimet e së mirës së përbashkët, për gjithë popujt.
Mirëpo, sikur në
fund të çdo dite bie muzgu dhe errësira i vë nën pushtetin e vetë gjitha
gjërat, ashtu ndodhi dje pasdite në Prizren, ku doli në pah ligështia
nostalgjike e disa shqiptarëve, ambiciet neotomane të miqve (“vëllezërve të
disave”) dhe dëshira e kryeministrit turk Erdogan që të jetë padroni i shqiptarëve.
Kjo e la një hije të keqe mbi bukurinë e ditës së djeshme.
Ka një kohë prej
kur autoritetet e ndryshme të Turqisë, provokojnë me ide neootomane, të cilat
më ngacmojnë mendësinë dhe më prekin sedrën e të qenunit shqiptar. Mirëpo, me
fuqinë e arsyes dhe me pasurinë shpirtërore, gjithnjë gjeja forcën për të
heshtur.
Porse, fjalimi i
djeshëm i z. Erdoganit në Prizren, me përmbajtje të shkapërcyem dhe fyes, me zâ
padroni dhe me një performancë dalldisjeje politike, ishte ogurzi, në
kundërshtim me të vërtetën historike, me realitetin e sotëm dhe pa një propozim
pozitiv për të ardhmen.
Derisa dëgjoja
këtë fjalim, mu kujtue fjalimi i ngjashëm ogurzi në Fushë Kosovë, para më shumë
se dy dekadave, ku me një dalldisje e tillë triumfaliste, nxitej masa me shpresa
të rrejshme. Por, ne e dimë dhe jemi dëshmitarë se sa të këqija dhe sa mjerime
ka bartë në vete koha dhe përvoja jonë njerëzore, që atëherë e deri te liria
jonë.
Mbi të gjitha
dua t’i them tri gjëra:
• Popujt
vëllazërohen dhe miqësohen, personat krijojnë vëllazëri dhe miqësi, por secili
rri zot në shtëpi të vet. Ne mund të quhemi vëllezër, por kur vëllezërit e
teprojnë, dinë t’i thonë njëri-tjetrit “ti n’shpi tane, unë n’shpi teme”.
• Është e
vërtetë që e ardhmja duhet të mësoi nga e kaluara, si “magistra vitae” (mësuese
jete), që të mos përsëriten gabimet e së kaluarës. Në anën tjetër, është më se
e vërtetë, se popujt e qytetëruar, po edhe populli ynë në tërësi, e di fort
mirë, se askush s’ka arritur të ndërtojë të ardhme të ndritur, me të kaluarën.
E sidomos kur e kaluara ka qenë e hidhur, e dhimbshme dhe e padrejtë. Kthimi i
verbër në të kaluarën, nuk është gjë tjetër veç se fundi i ecjes drejtë së
ardhmes.
• Vetëdija e
shqiptarëve dhe prijësve të urtë të këtij populli, sakrifica shumëshekullore e
popullit në përgjithësi, qëndresa stoike dhe konsekuente e shumë prelatëve, pas
shumë përpjekjeve të paraardhësve të Erdoganit, s’kanë lejuar kurrë që Kosova
të jetë Turqi, por e kanë nxjerrë nga aty. Edhe nëse hipotetikisht do të
ndodhte një gjë e tillë, jam i sigurte që këto forca, të akumuluara ndër
shekuj, prapë do ta nxjerrin nga atje. Nëse z. Erdogan dëshiron ta bëjë Turqinë
të jetë si Kosova, europiane, demokratike dhe tolerante, vend ku etnitë gëzojnë
të gjitha të drejtat, ku toleranca mes besimtarëve është e bollshme, ku ....
edhe mund të bëhet. Bile ajo edhe duhet të jetë e tillë, por Kosovë s’mund të
bëhet kurrë.
Në fund të fundit, e gjithë kjo ishte dje. Sot, prapë është një ditë e mirë dhe me diell, e, pasi dimri po afrohet, duhet të bëhemi gati ta përballojmë atë deri në pranverë!
Imzot Dodë
Gjergji,
Ipeshkëv