Mendime
Mustafa Nano: Ç’dreqin kanë zyrtarët turq e grekë?
E enjte, 24.10.2013, 06:33 PM
Ç’dreqin kanë zyrtarët turq e
grekë me xhamitë e kishat shqiptare?
Nga Mustafa Nano
Në një shkrim të
publikuar dje, Alma Lama, deputete e pavarur e parlamentit të Kosovës, ka
nxjerrë në shesh një detaj shumë interesant nga një takim që ajo, tok me
deputetë e zyrtarë të tjerë kosovarë, ka patur në Turqi me Rexhep Taip
Erdoganin. Ky i fundit i ka begenisur sa më s’ka, gjë që s’çudit askënd këtyre
anëve. Është një gjë që ndodh prej kohësh si shenjë e miqësisë që ekziston mes
dy vendeve, dhe e vëmendjes që Turqia, e drejtuar nga Erdogani apo nga të
tjerë, ka ndaj Shqipërisë. Por Lama na bën me dije se shqetësimi kryesor i të
zotit të shtëpisë në atë takim ka qenë xhamia e Prishtinës. Si pa dashje, ai
kish folur dhe për një vizitë që i kish bërë kohë më parë, për t’iu ankuar,
kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, z. Naim Tërnava. Erdogani e kish pritur
Tërnavën, dhe kish folur me të veç për xhaminë. Duket sikur deputetët
shqiptarë, dhe Tërnava, janë takuar me kalifin Erdogan, e jo me kryeministrin.
Deputetja Lama
nuk e mbaron këtu “dëshminë” e vet. E njëjta gjë ka ndodhur dhe gjatë vizitës
së Davutoglu-së në Kosovë. Kryediplomati, që njihet edhe si hartuesi i një
doktrine të riotomanizimit të Ballkanit, ka patur të njëjtin shqetësim; madje,
duke përmendur në mënyrë kritike dhe ndërtimin e katedrales, “e cila nuk do të
mbushet dot nga besimtarët”.
Këtë fokusim në
çështje të fesë në marrëdhëniet me shqiptarët e kanë demonstruar edhe grekët.
Këta të fundit kanë dhënë herë pas here plot shenja se janë shumë të interesuar
mbi mbarëvajtjen e kishës ortodokse shqiptare, e cila asëll-asëll është
autoqefale; dhe ‘autoqefale’ mund të përkthehet, pa bërë ndonjë gabim, edhe
‘sovrane’. Zyrtarët e lartë të Athinës nuk lënë rast pa veshur togën e
patriarkut ekumenik të Stambollit e pa marrë në mbrojtje besimtarët ortodoksë.
Tani, Turqia dhe
Greqia janë për shqiptarët partnerë strategjikë. Janë të tillë tillë me hir, me
pahir, prej dispozicioneve të përbashkëta historike e gjeografike. Do të jenë
të tillë edhe në të ardhshmen. Është për turpin e zyrtarëve turkë e grekë që i
ndotin fare pa të keq funksionet e tyre laike me “kokëçarje” kësodore të
natyrës mesjetare (janë të vetmit zyrtarë europianë që e bëjnë këtë), mirëpo
atyre duhet t’u vihet kufiri te thana nga zyrtarët tanë, në Shqipëri e në
Kosovë, kur vjen puna që demonstrojnë një interes morboz mbi punë te feve.