E shtune, 20.04.2024, 01:48 PM (GMT+1)

Mendime » Çeliku

Kalosh Çeliku: ''Patriotët'' dhe spiunët

E enjte, 31.10.2013, 09:58 PM


“PATRIOTËT” DHE SPIUNËT

NGA KALOSH ÇELIKU

Mend dhe ide kanë plot shqiptarët, me thasë. Zoti u ka dhënë edhe tri-katër fe si popull me traditë patriotike. Edhe kishë e xhami. Shtëpi të Zotit. Tjetër punë është se, edhe në shekullin e XXI ende nuk kanë me të gjitha “nishanet” Shtet Shqiptar. Italjanët moti kanë thënë për ne shqiptarët: Tuto albanezi, tuto komandanti. Thënje antologjike për popullin shqiptar nga “çlirimtarët” e djeshëm dhe këta të sotshmit, që çdo katër vjet dalin në zgjedhje lokale e parlamentare për t’ua dhënë votën e “lirë demokratike” me pare e pa pare politikanëve të arratisur në mes të Lëmës. Realitet historik, që na u përsëritë edhe në Luftën e fundit (2001), ne shqiptarëve të IRJ të Maqedonisë që zbritëm nga malet.

Gomarit, e kam thënë moti: vite me radhë i hip Nastradini me 60 kg. dhe i zbret kur t’i teket popullit shqiptar nga samari, t’i hipë Nastradineca me 120 kg. në shpinë. “Vaj Vatani e mjerë mileti”, do ta ngriste zërin edhe sot si Dje po të ishte gjallë Noli i Madh. E them këtë se, e kam gjithë jetën samarin arnë përmbi arnë shqiptar mbi shpinë. Nuk e di, a e ka Kryministri shqiptar, Edi Rama i zgjedhur me “votën e lirë demokratike”?! Nuk e pyes në këtë shkrim Hashim Thaçin e as Ali Ahmetin në Qeveri. Pavetëdije, kur emërojnë këshilltar kulturor nga Kosova dhe IRJ e Maqedonisë, emëra publik me afat për një përdorim, që i njeh mirë populli shqiptar anembanë Atdheut, kur në Shtëpinë e tyre zyrtare bredhin e heqin valle minjtë me dajre.

Jo, them me vete mes këtyre rreshtave, që nateditë më rrinë mbi kokë! Përderisa, ky politikan “ashik” shqiptar nuk e pastron Oborrin e vet përpara Shtëpisë, e bënë “luftë” për Oborrin e kojshisë, matanë avlisë pa tjegulla, që përditë e mbulojnë ferrat. Pavetëdije, kërkon jerm rregulla drejtëshkrimi të gjuhës shqipe në Qeverinë Shqiptare, kur ne ato rregulla drejtëshkrimi të gjuhës shqipe ende nuk i kemi sot në Institucionet arsimore e kulturore të Shtetit Shqiptar. Emëron partizanë të partive politike si këshilltarë “kulturor” Qeverie, në Kosovë e IRJ të Maqedonisë. Fatkeqësi kombëtare për një Qeveri Shqiptare në pushtet, që nuk mundet me vite të arrijë nivelet e Shtetit Shiptar të “diktatorit” Enver Hoxha. Shtetit Shqiptar, që gjithë jetën investoi me të gjitha forcat politike e arsimore në arsim, kulturë dhe emancipimin e femrës shqiptare. Duartrokitje historike, jo pse e kam dashur ndonjëherë marrëzisht dhe e dua, po nga zemra e plasur sot për xhaxhin Enver. Ose, siç thotë populli: më ka djegur tambëli, tashti i fryej edhe kosit.

Mirë, po çka janë duke bërë këta nxënësit e tij të përkëdhelur në prehërin e nëneve dhe baballarëve të tyre komunistë të rritur e ushqyer në prehrërin e Enver Hoxhës?! Asgjë. Përmëtepër, e di se do të më përgjigjeni: edhe këta kanë bërë vepra historike, si nuk kanë bërë “vapra pariotike”. E shkatrruan arsimin dhe kulturën shqiptare me themele. Lidhjen e Shkrimtarëve Shqiptarë me shtëpi në kohën e Enver Hoxhës, e lanë pa çati në rrugë. Manifestimet kulturore në mëshirën e individëve pa punë e mjete materiale. Shkrimtarët shqiptar të vdesin rrugëve në heshtje edhe pa bukën e gojës. Përçudi, seç ma kujtojnë mikun tim të penës Frederik Reshpen, kur erdhi ne fillim të viteve ’90 –ta në Shkup me makinë “Mercedes” vetë i treti me “djemtë” e tij dhe një poete, sot të arratisur në Amerikë. Kohë kjo, kur intelektualët shqiptar në Shqipëri nuk kishin para as për kafe. Frederiku, në atë kohë ishte i “pasur”: vetë e pagoi hotelin më të shtrenjtë në Shkup, kafen edhe drekën mbretërore. Edhe, më tha në Teatrin e Pakicave në Shkup: Enver Hoxhën kurrë s’e kam dashur si politikan, ama veprën e tij në arsimin, kulturën dhe emancipimin e femrës shqiptare, nuk mund t’ia mohoj kurrë. Unë, kam qenë ai, që kur ka dalë Ai në televizor e kam thyer edhe televizorin, më ka rrasur edhe në burg. Vetëmse, kur e shajnë këta shërbetorët e tij besnik servilë për pushtet, unë e dua marrëzisht!

Vetmevete, thashë: I falen Frederikut të gjitha, për aq vite (17) që i ka bërë burg në kohën e Enverit. Pak vetë dalin nga burgu me mend në kokë. Burgu nuk është Univeristet Shqiptar, por vend përmisimi dhe edukimi në shoqëri. Ndonjëri delë i çmendur, tjetri homoseksual, shumica spiunë e pak veta me mendtë në rradake. Si është e mundur të duhet kaq shumë “armiku”, që të ka rrasur edhe në burg, e pyes vehten me kokën dhe trutë mbi tavolinë. Edhe pse, përmes valëve të Radio Tiranës i përcillja me vëmëndje të gjitha ngjarjet politike, arsimore e kultorore në Shqipëri. Fatmirësisht, kur isha edhe student i Prishtinës, isha në kontakt me ngjarjet politike të asaj kohe, arsimore e kultrurore të Tiranës. Kohë qorre ajo, kur në këtë anë të Atdheut për moskujdesin shkoje si qeni në rrush. Vite, kur nga ana e spiunëve të UTBA -as jugosllave të jepeshte romani “Tradhtaia” i Kapllan Resulit, e pasmesnate paprtimas të trokiste policia ne derë duke të akuzuar si “nacionalistë dhe irredentisë”, armik i shtetit jugosllav?!

Inati më erdhi atë ditë, kur Frederiku më hipi në makinën e tij personale të  cilën e shalonte njëri nga “djemtë” e tij me të katra si Gjokun e Gjergj Elez Alisë përmes Shkupit dhe më dërgoi në Tetovë, që ta vizitojmë edhe shkrimtarin e mirënjohur Murat Isaku. Nuk ia prisha qejfin poetit rebel dhe të madh shqiptar, me të cilin isha njohur përmes poezive në Prishtinë në vitet e ’70 – ta, kur një libër i tij me poezi: Enise, enise (përzgjedhje) më ra në dorë si botim i Rilindjes (1975). Dikur, arritëm në Tetovë. Në derë na priti e shoqja e Murat Isakut dhe na ftoi sipas traditës në shtëpi për kafe. Hë për hë, Frederiku e refuzoi kafen. Jo, iu përgjigjë gruas së shkrimtarit, do ta pimë në kafene përballë shtëpisë. Vetëmse, i thuaj Muratit që do ta presim poshtë në lokal.

Pas pak kohe zbriti Murat Isaku dhe pasi u përshëndet dhe u përqafua me ne, u ulë në tavolinë. Frederiku iu sulë rrufeshëm me fjalë. Unë, gjatë gjithë kohës vetëm heshta. Muratit i shkonin djerëstë rrëke ballit e fytyrës. Tek tashti, e kuptova qëllimin e vizitës së Frederik Reshpes në shtëpinë e Murat Isakut, në të cilën nuk donte të pijë as kafe. Herë pas here, vëtëm ndërhynte Murati me fjalë për të dalë nga rrethimi: unë e kam mik Kaloshin. Kokës sa mundesha vetmevete i bija me grushta: si është e mundur Frederiku t’i dijë më mirë se unë veprimet politike, arsimore dhe kulturore në IRJ të Maqedonisë?! Në fund, Murat Isaku u përpoq t’i paguaj kafet, nuk e la Frederiku i pagoi të gjitha duke i lënë një “bakshish” të majmë edhe kamarierit.

Falë Zotit Madh dhe përkudesjes sime (porosisë së Babait), romanin “Tradhtia” nuk e lexova në Kosovë. Vite më vonë e huazova në Bibliotekën Universitare në Shkup (1980), bashkë me “Ushtimën e Korabit” dhe “Gjarpërin”. Vetëmse, kësaj radhe nuk ma jepnin bashkëpunëtorët e sigurimit jugosllav, po punëtorët e Bibliotekës Universitare, në Shkup.  E dija edhe këtë se, përsëri hynim me emra e mbimemra në evidencë policore, në listat e tyre “nacionaliste dhe irredentiste”, po kjo shumë pak kishte rëndësi dhe pasoja politike për ta shpëtuar kokën. Dyshim, për t’i bërë vetvetes pyetje: Si është e mundur që “veprat e ndalura”, për të cilat ne shkonim në burg më së paku pesë vjet, t’i lexosh pa frikë dhe në mënyrë ilegale në institucionet e shtetit jugosllav, në mes të Shkupit?!

Vitet (’80 –ta), kur unë u ktheva në Shkup dhe ndiqesha si i dëguar nga Kosova që të veproj në këto anë shqiptare. Dhe, çështjen shqiptare sipas tyre doja ta zgjidhë me luftë. Përmëtepër, unë kisha qenë ai kryesori “komandanti”, i cili kisha pasur disa takime të fshehta në Bullgari dhe i kisha dërguar Partisë Socialiste në Shqipëri me dhjetëra mijëra marka?! Në aktakuzë, me emra e mbiemra figuronin edhe njëzetë nënshkrime si “armik i shtetit”. A do t’i shohësh, më pyeti inspektori? Jo, i thashë: I di dhe i marr me mend se kush janë këta rrufjanë.

Biseda informative në atë kohë, ma përkujtoi edhe rrëfimin personal kokë më kokë me poetin e ndjerë Adem Gajtani (mikun “besnik” të Kapllan Resulit, i cili në atë kohë ia rrëmbeu edhe gruan). Vite, kur unë plot vështirësi botoja librin e parë me poezi për fëmijë: Zogu erdhi me një këngë (1982). Libër, që pa ndihmën e Mehmadali Hoxhës dhe Abdylazis Islamit, nuk do ta shihte kurrë dritën. Ndoshta, edhe unë sot nuk do të isha shkrimtar, po do të përfundoja në burg ose si i çmendur rrugëve. Ademi, pasi shikoi anësh mos jetë dikush në zyrë, me tha me zë të ulët të mos dëgjojnë muret: Këtu në “Flakën e Vëllazërimit” gati të gjithë mendojnë dhe propagandojnë se unë jam spiun. E, në realitet këto në mesin e tyre kanë spiunë me qerre. Fatkeqësisht, “patriotët” më të mëdhenj të popullit shqiptar janë shpërblyer dhe shpërblehen me poste partiake në redaksi. Çmime letrare e shtetërore. Vetëmse, koha një ditë do ta thotë realitetin.

Nuk shkoi shumë kohë, dhe Kapllan Resuli ra në burg si spiun jugosllav. Vite më vonë doli me libër edhe kundër Ismail Kadaresë. Poashtu me shkrime kundër Ismail Kadaresë në kohën e sistemit komunist jugosllav, dolën edhe dy-tre shkrimtarë në Shkup e Prishtinë. Teki Dervishi, që nuk e hëngër grepin e politikës ditore, nuk iu kundërvu me shkrime të porositura teknefese në vazhdime Ismail Kadaresë, e përzunë nga Flaka e vëllazërimit, në Shkup. Shkrimtarë Oborri, të cilët sot nderohen me çmime shtetërore për “merita të pakapërcyera” të “vëllazërim-bashkimit” për Ditën e djeshme, edhe pse të emëruar me data historike e të personaliteteve të “vëllezërve” të Njerkës. Çmime shtetërore, që nuk i morën për së gjalli personalitetet e dëshmuar të kulturës dhe letërisë shqiptare: Sadudin Gjura, Mehmedali Hoxha, Abdylazis Islami dhe Murat Isaku.

Prodhimi serik  i gazetarëve të Flakës së vëllazërimit, përçudi gjatë ndryshime “demokratike” në Kuvend e Qeveri “shiti” mend në politikën shqiptare dhe në mjetet e informacionit?! Fatkeqësisht, sot të vjen inati që shqiptarët nuk patën një Sartër që e ktheu prapë, nuk e pranoi edhe Çmimin Nobël. Artistëve shqiptarë këto çmime në nivel shtetëror do t’u kishin hije, sikur Shteti i “pëbashkët” në gjirin e vet t’i kishte edhe dy-tre çmime me emërime të datave historike dhe personaliteve shqiptare. Spiunë në Ditën e sotshme po na dalin edhe shumë politikanë, gazetarë e “patriotë” shkrimtarë shqiptar të strukur nëpër redaksi e institucione të shtetit komunist jugosllav. Frikë kam se, sot po na harxhohen eksponentët e “vëllazërim – bashkimit”! Nesër, ne shqiptarët nuk do të kemi kandidatë të këtij soji për këto çmime letrare shtetërore t’i mbushim birucat e “flijimeve artistike” të partive politike. Shkaku se, dita-ditës po na paksohet bagazhi “artistik - kulturor” i “vëllazërim-bashkimit”.

Zoti u ndihmoftë “martirëve” të politikës, gazetarisë dhe letërsisë shqiptare?!... Hë për hë, mua nuk më duhen si kuadër “deficitar”, prodhim serik me shumicë e pakicë i partive politike “demokratike”. Popullit shqiptar, nëse i duhen, ja ku i ka në disponim me të gjitha titujt shkencor e diplomat univrsitare dhe zotësitë personale profesionale, jua paftë hajrin përgjithmonë në këtë jetë e në atë jetë! Unë, si shkrimtar them: Koha është, ta thyejnë qafën në përrua… Vërtetë, ishin viça të palëpi me shumicë e pakicë të koperativave  bujqësore me diploma të livadheve…



(Vota: 104 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora