Mendime
Simon Shkreli: Monumentet në rrezik zhdukje
E marte, 29.10.2013, 09:00 PM
Monumentet e trashëgimisë tonë kulturore e historike në Mal të Zi në rrezik zhdukje
Nga Simon Shkreli
“Thonë se
gurët e mëdhenj atje poshtë në “Shën Mëri”, janë burrat që janë kthyer dhe kanë
vdekur në vend.
-M’u
kujtua Petro Marko me romanin e tij “ Retë dhe gurët” I botuar pas vdekjes së tij
nga bashkëshortja dhe e bija për të nisur këtë shkrim me të cilin kërkoj të kthej
vëmendjen ndaj vlerave dhe trashëgimisë tonë që e kemi në rrezik zhdukje.
Shpesh
herë më rastis të flas me persona të ndryshëm rreth Malit të Zi, vlerave që ka
ai vend dhe bukurive të rradha që posedon. Popullin e tij mikpritës, por edhe për
jetën e qejfit që bëhet në Budva gjatë verës por edhe dimrit. E ndërsa në bisedë
e sipër kthej vëmendjen në zonën rreth kufirit, për shumë arsye: njohja me këto
zona është shumë e pakët, e njohin vetëm si zonë përgjatë gjithë vijes kufitare
jetojnë shqiptarë. Kaq mjafton dhe çdo gjë është e kryer! Nga ata të cilët kanë
qenë më kuriozët për këto zona, nga ata që janë të njohur me restorantet e
peshkut në grykëderdhje të lumit Buna në zonën e Ulqinit, apo edhe për
Virpazarin. Ndërsa ngatërresa më e madhe ndodh kur Kullen e Oso Kukës e ngatërrojnë
me kështjellen “Lesendro” që ndodhët buzë rrugës Podgoricë-Tivar. Ndërsa
atraksioni më I madh gjatë dimrit është Kollashini, një qëndër turistike dimërore
mjaft atraktive dhe e mirë. Por më çudit fakti se sa shumë janë të interesuar
shqiptarët për të parë Manastrin e Cetinjës, apo të Ostrogut epa lënë menjanë edhe
Pallatin Mbretror të Knjazit, dhe sallonet e dinastisë së Petroviqëve. Ky nuk është
faj I malazezëve, pasi “shkëncëtarët” tanë
të cilët kanë marrëdhënie shumë të mira me homologët e tyre malazezë janë kënaqur
duke bërë seminare dhe trajnime për të “shpëtuar” liqenin e Shkodrës dhe lumin
Buna nga ndotja! Duke shkruar referate alla “copy-paste” me një shpërblim 100
euro për copë, kaq ka vlerë edhe grada shkencore që mbajnë. Ndërsa në zbulimin
e hulumtimin e vlerave kulturore dhe historike shqiptare në këto zona as që janë
lodhur ndonjë herë.
Nga grykëderdhja
e lumit Buna e përgjatë gjithë kufirit dhe zonës ku jetojnë shqiptarët në Mal të
Zi, ndodhesh përballë vlerave të trashëgimisë tonë historike dhe kulturore. Për
ironi të fatit edhe pse në bazë të ligjit egzistues të shtetit malazez për
vlerat historike dhe kulturore të gjitha këto I plotësojnë kushtet për të qenë në
listen e monumenteve të mbrojtura, ato nuk janë!
Të kërkosh
në faqen zyrtare të Ministrisë së Kulturës në Mal të Zi rreth monumenteve
kulturore dhe historike në territorin Shqiptar ose në rajonet ku jetojnë shqiptarët
në këtë shtet, nuk gjen asgjë, madje as Kalanë e Ulqinit një kështjellë e cila
ka rrezatuar ndër shekuj me historinë e saj sa të lavdishme aq edhe kundërthënese.
Por ky është fati I shqiptarëve në Mal të Zi që ato të mira të veta që I kanë të
mos kenë mundësi as ti mbrojnë.
Një vit më
parë në qytetin e lashtë të Shasit, në këtë vend ku ndodhen 365 kisha aq ditë sa
ka mot-moti, nisi një ekspeditë arkeologjike, një bashkëpunim mes Institutit
arekologjik të Beogradit dhe të Malit të Zi. Pasi gërmuan për ditë të tëra dhe
në asnjë moment nuk gjetën gjurmë qoftë edhe Bizantine, vendosën që të braktisin
këtë ekspeditë nën pretekstin e mungesës së fondeve. Ndërkohë që këto Kisha,
ose gërmadhat e këtyre Kishave janë totalisht të pa mbrojtura. Kur ato u
dhunuan nga Shesheli dhe Peshkopi Amfillohije Radoviq u mbrojten nga një plak 80
vjeçar I cili edhe pse I fesë islame u tha agresorëve se këto Kisha janë Shqiptare.
Ndërsa sot me ose pa pahir disa të vetëquajtur studjues nga këto zona
Katedralen e Shën Gjonit e quajnë “Kalaja e Shasit”.
Mungesa e
një ndërmarrje rajonale të evidentimit të monumenteve historike dhe kulturore në
territorin shqiptar, çon në deformime të tilla të cilat rrezikojnë zhdukjen e
tyre. Por një pyetje që duhet bërë për të gjithë ne: “Sa kemi bërë që këto
vlera të promovohen?” Përgjigja do ishte: Aspak!
Kjo vjen
se askush nuk gjen “leverdi” ekonomike! Takimet e pushtetarëve shqiptare me
homologët e tyre malazezë kanë qenë më shumë takime biznesi, e asnjëherë deri më
tani këto takime nuk kanë paraqitur një plan konkret në lidhje me evidentimin e
këtyre vlerave që janë pjesë e identitetit tonë. Por nga ana tjetër as vetë pushteti
lokal, apo edhe përfaqësuesit e shqiptarëve në Mal të Zi asnjëherë deri më tani
nuk kanë ngritur zërin në evidentimin, futjen e tyre në listën e monumenteve të
mbrojtura, por kanë rendur secili më shpejt se tjetri të fitojnë simpatinë e
qeverisë malazeze. Nga ana tjetër qeveria në Tiranë këto 20 vite as që është merzitur
për asnjë cështje të shqiptarëve në Mal të Zi!
Duke mos
dashur të bezdis askënd po evidentoj vetëm pak nga ato momumente të cilat janë egzistuese,
por fatkeqësisht të lëna në mëshirë të fatit.
Në Salç të
Ulqinit, një fshat piktoresk rrëzë malit të Mozhurit I cili është I mbushur me
ullinj dhe burime uji, ndodhen gërmadhat e një kishe katolike e cila në pllakën
që ende egziston shkruan qartë se është e ndërtuar në vitin 1850 nga famullitari
Dom Angelo Hotti, ndërsa është rikonstruktuar në vitin 1885 nga famullitari Dom
Antonio Mjeda. Rruga që të shpie tek kjo kishë është e asfaltuar, dhe vetë lashtësia
e saj tregon se është një vlerë e shtuar në mozaikun e vlerave tona historike,
pasi këta gurë dhe mbishkrimet që kanë ardhur të ruajtura deri në ditët e sotme
rrezikojnë zhdukjen. Kjo edhe për arsyen se shqiptarët në këto vise nga dita në
ditë po tkurren në numër.
Në gjithë
këtë hapsirë ecën nëpër gurë të cilët hiri I lashtësisë I ka mbuluar e së bashku
me të edhe mungesa e një kujdesi të veçantë. Ka qenë vetëm vullneti I vetë banorëve
të këtyre zonave të cilët më ato të ardhura që kanë, jane mnduar t’I mbajnë e t’I
ruajnë këto relike të jashtëzakonshme, që kanë qëndruar si mburojë kundër
stuhisë së madhe asimiluese me të cilën kjo pjesë e kombit është përballur dhe
vazhdon të përballet.
Rrugës për
në zonen e Krajës, një zonë mjaft fisnike e cila në mes mungesës së infrastrukturës
dhe kujdesit më minimal në kushtet më të vogla për jetesë, është kujdesur që për
1000 vite t’a mbajë funksionale Ublen (pusin) e Krajes, I cili ndodhet në fshatin
Ostrog. Gërmadhat e Kishës së vjetër Shën
Marisë ose (Sh’Mrisë) e Krajës paraqesin një monument historik të rëndësishëm për
Krajën dhe banorët e saj. Ky tempull i lashtë ka një histori të bujshme, të gjatë
dhe mjaft interesant. I ndërtuar në shekullin e X nga murgu Pjetër, kjo
Kishë ka qenë vazhdimisht pre’ e debatit mes banorëve të Krajës që janë shqiptarë
dhe Mitropolisë Ortodokse serbe të Malit të Zi. Kjo kishë e cila sot është gërmadhë,
në vitin 1446 ka qenë një Ipeshkvi’ Katolike e rëndësishme, e si e tillë është shqiptare.
Por gjëndja e saj është e mjerueshme, ajo qëndron e braktisur nën hijen e kohës
mes shkurresh dhe ferrash.
Studjues
të shumtë kanë ardhur në përfundim se “Meshari” I Gjon Buzukut është shkruar në
territorin rreth liqenit të Shkodrës. Kjo për faktin se edhe e folura e Krajës
dhe Shestanit është e ngjashme me atë që përdor Buzuku në vepren e tij e cila pa’ driten e botimit në vitin
1555. Por ajo që ka mbetur përvec “Mesharit”, të cilin patëm fatin ta shohim me
rastin e 100 vjetorit të pavarësisë, janë gurët dhe gërmadhat e shtëpive të këtyre
zonave që kanë ruajtur vlerat e veta arkitekturore. Kisha e “Shën Mitrit” e
cila ndodhet në fshatin Brisk Poshtë të Shestanit. Një tempull I vogël me një kapacitet
që mban brenda rreth 30 persona. Sipas shumë studjuesve mes të cilëve edhe
studiuesit At’ Vinçenc Malaj dhe Dom Nikë Ukgjini ky objekt ka qenë famullia e
Gjon Buzukut, murgut katolik që për të parën herë shkroi në “G’luhen e s’dashtunes
amë”, lutjen “"Gjithë popullsinë e krishtenë ndër Arbanit ata n'mortajet
largo, ty të lusmë. O Zot. Te Arbëria, pra aty i rreh zemra Buzukut.". Pyes
vetën, a thua e meriton të mbrohet, të ruhet dhe të shpallet monument historik?
Për fat të mirë kanë qenë vetë banorët e zonës të besimit musliman me ndihmen
edhe të shestanasve të tjerë katolik që kanë bërë me të ardhurat e tyren
rikonstruksionin e kësaj kishe.
12 Ublat (
puset) e Ljares të cilat askush nuk di saktë të tregojë se sa të vjetër janë pasi
I kalojnë 700 vjetët, janë edhe sot e kësaj dite funksionale, të sistemuara në një
diameter rreth 22 dynym tokë. Aty ku banorët e mençur të këtij fshati kanë gjetur
damarët e burimeve nëntokësore dhe kanë furnizuar
me ujë gjithë atë zonë. Por vlera më e madhe është ruajtja e tyre. Ajo që të bie
në sy teksa udhëton drejt këtij fshati, është mungesa e një tabele me mbishkrim
shqip për toponimin, edhe ai ekzistues është I përkthyer në gjuhën sllave. Njëlloj
si Kisha e “Shën Gjon Pagzuesit” në Kllezën ku për turpin e shqiptarëve është e shkruar në tabele Kisha e “Shën Ivan
Pagzorit” një shenjti malazez. E për më tepër kjo tabelë qëndron mbi urën
shekullore të Klleznës e cila është kthyer më shumë në një vend grumbullimi
mbeturinash, kur dihet se pas kongresit të Berlinit kjo urë shërbente si pikë doganore
mes Portës së Lartë dhe Malit të Zi.
Edhe mua
më duhet të pyes ku ndodhet fshati Vuksanlekaj në Malësi të Madhe, në pjesën e
territorit të Malit të Zi, në afërsi të Tuzit. Sikurse në çdo vendbanim që ta
kuptosh se sa I vjetër duhet të kërkosh varrezat. Në këtë zonë edhe sot
egzistojnë varret më karakterstike të Ballkanit, me simbolikat ndër më të veçantat.
Një përzierje e paganizmit dhe krishtërizmit, tipike për veriun tonë. E ndërkohë
që këto varre dergjen në llumin e harresës së pa dëshiruar, së bashku me
eshtrat e trupave të varrosur 300 vite më parë, sot ata kërkojnë që të mbahën
si relike të çmuara. Vlera e këtyre varreve është shumë e lartë, simbolika e
tyre e veçantë të çon shumë shekuj mbrapa. Të çon tek rrënjët, kur fiset u
bashkuan dhe krijuan këtë komb.
Lënia në harresë
e këtyre monumenteve, është krim ndaj identitetit tonë. Këto janë vetëm një pjesë
e vogël e tyre, ndërsa sa më shumë ecën nëpër atë pjesë të vendit njihesh me
historinë e një populli të lashtë e
fisnik. Ndërsa ne heshtim edhe kur mbi Malin Rumi’ dhe mbi kokat tona krekosët
Kisha prej llamarine e Peshkopit Amfillohije e vendosur me ndihmën e helikopterëve të ushtrisë 10 vite më parë. Paçka
se ka një vendim gjykate për ta larguar atë objekt ai vazhdon të qëndrojë, e ndërkohë
që Maja e Rumisë ka qenë vend pelegrinazhi për Krajanët dhe Shestanasit shumë shekuj
më parë.
Harresa është
vrasje e dytë. E ndërsa muret e këtyre objekteve çdo ditë po shkatërrohen, ne
vetëm I sodisim ato. Një ditë do kërkojmë nëpër literaturat e kohës të mund të gjejmë
qoftë edhe një gur të vogël I cili do jetë aty në pritje që dikush të kthejë sytë
nga ai.
“ Mbaj
mend këtu do jem sa kohë më mban në kujtesë”.
Por sa vlen
kjo për këtë gur?!