Mendime
Andrea Stefani: Kosova nuk ka qenë kurrë Turqi
E diele, 03.11.2013, 04:50 PM
KOSOVA NUK KA QENË KURRË TURQI
Nga
Andrea Stefani
“Mos harroni, Turqia është Kosovë dhe Kosova është Turqi”! Kjo deklaratë
e Kryeministrit turk Erdogan ka ngjallur reagime të shumta kundërshtuese në Kosovë
dhe Shqipëri. Dhe jo pa të drejtë. Sepse deklarata është absurde jo vetëm për
stadin e sotëm kur kombet janë përkufizuar qartë, madje ashpër, por ajo nuk i qëndron
dot edhe sfondit historik nga përpiqen ta huazojnë. Ndërkaq, si pjesë e një diplomacie
neo-otomane, deklarata nuk mund ta fshehë dot themelin e një solidariteti pan-islamik
që nuk mund të mos gërricet me orientimin e Kosovës, Shqipërisë, madje edhe të Turqisë
vetë, drejt integrimit me BE-në që është një proces politik laik, domethënë indiferent
ndaj dallimeve fetare.
***
Historikisht
Kosova nuk ka qenë Turqi edhe gjatë shekujve të sundimit të Perandorisë Otomane,
për faktin e thjeshtë se atëherë Turqia vetë nuk ishte Turqi. Sikundër ka
argumentuar Bernard Ljuis në librin e tij “Lindja e Turqisë moderne”, kemi
pasur një proces të largimit të Perandorisë Otomane nga identiteti turk dhe
kalimin drejt një identiteti islamik. Sipas tij, “Në shkrimet otomane, deri në fund
të shekullit XIX dhe në shumë prej tyre edhe më vonë, fjala “Turqi” nuk përdoret”.
Fjala e përdorur për të treguar atdheun ishte “Vatan”, ndërsa ajo që tregonte
kombin “Millet”, por larg kuptimit që ato morën më vonë dhe që e ruajnë edhe
sot. “Vatan” përdorej më shumë për vendlindjen, fshatin, qytetin, krahinën. Ndërsa
termi “Millet” do të përdorej për të treguar bashkësitë fetare të organizuara
dhe ligjërisht të njohura. “Në Perandori kishte një Millet mysliman, por jo
Millete turke, arabe, apo kurde; ekzistonte Milleti grek, armen dhe çifut, por
si bashkësi fetare dhe jo si kombe etnike… Do të pritej një datë relativisht e
vonë, për të hasur idenë e njësive kombëtare, të cilat i kapërcenin dallimet
fetare”. Lindja e vetëdijes kombëtare të turqve korrespondon thuajse me rënien
e Perandorisë Otomane. Prandaj as Turqia nuk mund të qe Kosovë dhe as Kosova,
Turqi. Sa qe Perandoria nuk kishte Turqi. Kur lindi Turqia, edhe Kosova doli përballë
saj si Shqipëri. E vetmja mundësi për të ndërtuar një identitet Turqi-Kosovë duke
revokuar traditën otomane, është interpretimi i termave Vatan dhe Millet si
bashkësi e të gjithë nënshtetasve otomanë, pavarësisht nga feja, sipas kuptimit
që ato morën në Dekretin e Kopshtit të Trëndafilave në vitin 1839. Por, në këtë
rast, Erdogan mund të pretendonte që jo vetëm Kosova, por edhe
***
Kosova është
Shqipëri ashtu sikundër Turqia është Turqi! Asnjë përkufizim modern, qoftë i
kombit, qoftë i popullit dhe sovranitetit, nuk përligj deklaratën e Erdogan. Njëherazi,
ajo nuk sjell asnjë të mirë në rajonin e Ballkanit. Sinjali u dha me deklaratën
e Daçiç, që nxitoi të kundërdeklaronte se Kosova është Serbi! Ndërkaq nuk mund
të mos polemizosh edhe me pretendime që duan ta përligjin deklaratën e
Kryeministrit turk me nevojën që paska Kosova, Shqipëria dhe shqiptarët në rajon,
për mburojën e Turqisë nga rreziku sllav apo grek. Është evidente se në politikën
serbe, si dhe në atë greke, ka korrente ende të fuqishme shovene kundrejt Kosovës
dhe Shqipërisë. Por është qesharake të mendosh se kërcënime të tilla (tashmë edhe
ato vetë një farsë) duhen shmangur duke u vëllazëruar me një diplomaci turke me
axhendë islamike. Do të qe një si rikthim tek i ashtuquajturi rrezik sllav për
shuarjen e kombit shqiptar që Ismail Kadare, shkrimtari më i shquar i shqiptarëve,
e ka denoncuar si një përrallë, si “një shpikje osmanistësh dhe neoosmanistësh,
shqiptarë dhe turq bashkë, e cila, nga njëra anë përligjte sundimin osman, e
nga tjetra ledhatonte krekosjen sllave për kinse fuqinë tërheqëse të sllavizmit”.
Por edhe nëse vërtet e ardhmja do të ofronte një rrezik të tillë, shqiptarët,
myslimanë e të krishterë, e kanë mburojën e tyre dhe nuk kanë nevojë për mburojë
tjetër dhe aq më pak atë otomane. Do e gjejnë pikërisht tek ajo që luftoi duke
sfiduar solidaritetin fetar të krishterë (shtete me popullata në shumicë të krishtera
bombarduan një shtet tjetër të tillë si