Kulturë
Kostaq Duka: Zërat e natës
E premte, 27.09.2013, 08:00 PM
Zërat e natës
Tregim
Nga Kostaq Duka
Nata ka zërat e
saj. Ato janë të shumëllojshme, mbështjellë me mister, gati të padeshifrueshëm
sidomos në çastet kur të duket se mbretëron qetësia.
Meditoja rreth
zërave të natës teksa qëndroja në sportelin e hotelit 12 katësh me emrin “Më i
miri në perëndim”. Holli i madh ishte tejet i zbrazët. Diku në qoshe mbështetur
në kolltuk dremiste i dehuri që mbriti në hotel aty nga ora një.Kishte dy netë
që flinte në hotelin tonë.E sollën me një benz disa miq dhe ai me t’u
përshëndetur me ta, me të ngritura të shrregullta të duarve, u plas në kolltuk.
Nuk e trazova me mendimin se ai nga çasti në çast do të çohej. Por me sa dukej
do ta kalonte natën aty edhe pse e kishte të paguar dhomën.
Si shkrihej e
trazohej e gërhitura e lehtë e tij me zhurmat e zërat e tjera të natës?! A
thua gjithçka është një orkestër e jashtëzakonshme edhe pse dirigjenti virtuoz është i padukshëm?!
Befas meditimi im për natyrën e deshifrimin e zërave të saj u ndërpre. Në dera
e madhe e hyrjes së hotelit u shfaq një vajzë me flokë të gjata e të lëshuara,
e hollëz dhe shtatlartë, me një fytyrë të dylltë, të trishtuar e disi të
shpërqëndruar. U afrua me një lëvizje të trembur, jo fort të ekuilibruar.
Prisja të kërkonte dhomë. Edhe pse verë në hotel kishte mjaft dhoma të lira.
-Urdhëroni!- i
thashë, duke u përgatitur për porosinë e saj.
Ajo e ndjeu këtë
ndaj edhe reagoi shpejt: “Jo, jo unë nuk dua të fle këtu!”
U shtanga nga
thënia e saj.
-Por
ç’dëshironi? Këtu është hotel. Besoj e dini emrin e hotelit “Më i miri në
perëndim”
-Po e di që
është hotel. Ndaj erdha këtu të më ndihmoni të marr një taksi. Mund të më jepni
një adresë?- tha me një zë të lodhur kur sytë s’di pse i rrutulloheshin
pavetëdijë thua detyruar nga një forcë e brendëshme.
-Sigurisht – i
thashë – duke i dhënë një kartë biznesi të kompanisë “Udhëtoni me ne” me të
cilën është lidhur hoteli ynë.
Ndërsa vajza me
ngut po përpiqej të formonte numërat e telefonit të kompanisë së taksisë në
celular unë po mendoja për mbritjen e saj tani pas orës tre të natës me kërkesën
për taksi. Hoteli ynë vendndodhet diku në një kryqëzim rrugësh, larg qëndrave
të banuara. Në mbi dymbëdhjetë vite pune në sportel gjatë turneve të ditës dhe
të natës sigurisht kisha ndihmuar shumë
klientë të hotelit për t’u lidhur me shërbimet e taksive por kurrë nuk më
kishte ndodhur që dikush të vinte nga jashtë e të porosiste taksi. Dhe ishte
kuptueshme këmbësorë shëtitës të rastit s’mund të gjëndeshin kurrësesi në një
kryqëzim rrugësh të rëndësishme me trafik të dëndur makinash.
E pra, ku u
gjend kjo këmbësore e vetmuar, kjo krijesë femër, e hollëz, e gjatë, fytyrë
dylltë, me këtë fustan të gjatë e të zhubrosur, deri në fund të këmbëve, me
flokë të shpupurisur,vështrim të trëmbur e të hutuar dhe me llërët e dy krahëve
mbushur me tatuazhe gjarpërinjsh e fluturash?! Ndoshta e ka lënë makina e saj
në rrugë?! Apo ndoshta është viktimë e shqetësuar, e mbetur gjallë, fillikat, pas një aksidenti?! Oh, jo!
Kundërshtova veten. Në këto raste vijnë mënjëherë në ndihmë forcat e policisë,
të afërmit etj, etj…
Dukej që vajza
nuk po mundëte të kontaktonte agjensinë e kompanisë së taksive”Udhëtoni me ne”.
Dha e mori me
celularin me një fytyrë që herë, herë, bënte shënja të dukëshme nervozizmi e mërzitjeje. Pastaj u çua. Trupi i holle, i
gjatë, të dukej si një degës e pasigurt që tundej nga një erë e padukëshme. Nga
kolltuku përballë ku ishte ulur u nis drejt sportelit. Dukej sikur këmbët e saj
nuk shkelnin në një tokë të fortë por mbi një rrjedhë rëre që rrëshqiste në
mënyrë të çuditëshme.
U afrua në
sportel. Mbështeti llërët me tatuazhe mbi banakun e sportelit .
-Më ndihmoni ju!
Unë nuk munda të lidhem me kompaninë e taksive – tha me një zë lutës ku
përzihej dhe një zë ankues për vonesën e pamundësinë e sigurimit vetë të
taksisë.
-Dakord- i
thashë-dhe ngrita receptorin e telefonit për të komunikuar me dispeçerinë e
taksive.
Menjëherë u
dëgjua zëri i agjentes: “Urdhëroni!” Pasi i tregova agjentes adresën e hotelit
“Më i miri në perëndim” i dhashë vajzës receptorin për të përcjellë të
dhënat e tjera personale të nevojshme.
Ajo i tregoi emrin agjentes më ngjan Lorena si dhe adresën ku do të shkonte.
Agjentja u
përgjigj me mirësjellje: “Çdo gjë në rregull.”
Vajza më dha
receptorin. Për herë të parë fytyra e dylltë dhe e trazuar e saj u çel disi.
Madje dhe sytë blu tepër të akullt e pashprehje, sikur e ndërprenë rrutullimin
e paprerë e shkëlqyen disi me nje dritëz të vecantë.
Pasi vendosa
receptorin e telefonit e pyeta nëse do të udhëtonte gjatë.
-Njëzet minuta-
u përgjigj shkurt dhe u ul përsëri në kolltukun përballë, e vendosur për të mos
dhënë sqarime të tjera. Por edhe unë nuk doja ta shtyja më tej
kuriozitetin.Është e drejta dhe liria e saj të shkojë ku të dojë e të lëvizë si
të dojë. Në ato çaste mendova se vallë ka lekë të mjaftueshme për të paguar
taksinë. Kjo ide m’u përforcua nga fakti se ajo nuk porositi dhomë në hotel gjë
që do të ishte mëse e natyrshme. Për më tepër që ishte fundjavë. Po ku i dihet,
kundërshtova vetveten, mbase e djela për të do të ishte ditë pune.
Vajza u qetësua
pas përgjigjes së agjentes së taksive, e zhyti trupin më në brendësi të
kolltukut dhe papritur ra në gjumë.
Nënqesha me
vete, duke kthyer kokën nga klienti i dehur.
Tani u bënë dy vetë të rrëmbyer nga krahët e gjumit, një burrë e një
vajzë. Por kur unë arrita të formuloj në kokë këtë mendim, i dehuri u shkund
njëherë, dy dhe u ngrit papritur, duke iu afruar sportelit.
-Për natën e sotme do të m’i kthesh lekët- më tha- unë
që nga mëngjesi nuk kam hyrë në dhomë.
-Punë për ty- i
thashë qetë- mund të hysh tani.
-Tani?! Tani dua
të pi një kafe- shtoi ai dhe i ktheu sytë nga vajza.
-Po kjo
vogëlushe ç’pati?
-Po pret taksi.
-Taksi?! Çfarë
taksie! Le të shkojë të flerë në dhomën time. Krevati është i patrazuar. Jam
burrë kavalier unë, di të bëj ndere.
Vajza nga zëri i
lartë i të dehurit hapi sytë e trembur. U çua në këmbë e pyeti:” Erdhi taksia?”
-Jo- i thashë
Por mos u shqetëso me siguri është në rrugë duke ardhur nga çasti në çast.
-Lëre taksinë!
Eja të të çoj në dhomën time në katin e dhjetë, është dhomë e mirë- tha i
dehuri duke e parë me sy të lëngëzuar vajzën nga poshtë lart.
Ajo nuk foli.
Drejtoi ndaj burrit të dehur një shikim tmerrësisht të egër e kërcënues
gati për t’ju sulur, me nje urrejtje që ngjante krejt e papritur.
U bëra shpejt i
vetëdijshëm për një situatë aspak të këndëshme që mund të shpërthente me zhurmë
e të bërtitura ofenduese nga të dy krahët.
Dola nga
sporteli në holl e zura burrin “kavalier” për krahu dhe i’u luta me zë të ulët
të shkonte në dhomën e tij.
-Mos u bëj merak
për vajzën. Taksia është duke ardhur.
-Dakord, dakord!
Thjesht një ftesë mirësjelljeje, tha burri i dehur i vetëdijshëm se unë s’e
kisha zor që me një telefonatë ta sillja në moment policinë duke e vënë atë në
telash.
Ndërkohë para
hyrjes së hotelit u shfaq një taksi e bardhë.
Vajza, pa thënë
mirupafshim, hapi derën.
Ndërsa ajo
dilte, në pjesën e sipërme, nga supet dhe deri tek beli vura re si të qepura me
gjilpërë gjethe të thata, të vogla, të mëdha e të copëzuara, formëprishur.
Pyetja enigmë u rigjallërua në kokën time: Pse erdhi kjo vajzë pas mesnate e vetme në hotelin tone “Më i miri në perëndim ?!”