Kulturë
Vangjush Saro: Librat…
E merkure, 25.09.2013, 10:01 PM
Librat…
Nga Vangjush Saro
Nuk mbaj mend
kur më ka rënë për herë të parë në dorë një libër. Nuk ndërmend dot cili ka
qenë ai i pari. Por ata me të cilët jemi rritur, tashmë letërsi klasike, i
kujtoj shumë mirë: “Zemra” (De Amiçiz) “Djemtë e rrugës Pal” (F. Molnar)
Aventurat e Tom Sojerit (M. Tuen) “Pinoku” (K. Kolodi) “Mumu” (Turgeniev)
“Kashtanka” (A. Çehov); nuk do ta vijoj listën. Janë shumë dhe mund të ngjall
nostalgjira pa vend…Por mund të kujtoj
gjithashtu, sa herë që në shkollë i thoshin fjalë të mira për mua - dhe
zakonisht kështu ishte - nëna ime, ndjesë pastë, më merrte për dore dhe më
çonte në dy dyqane të dashura. I pari ishte libraria kryesore e qytetit, që
ndodhej përfund ovales së pasticerisë “Agimi”; këtu ajo më blinte një libër. I
dyti, ishte pikërisht një pasticeri, ku më takonte një ëmbëlsirë. Këtyre, mbaj
mend, iu vinin ca emra të çuditshëm: Marshall. Piramidë. Por unë mezi sa prinja
të kthehesha te libri…
Në Bibliotekën e
Fëmijëve në Korçë, shkoja shpesh me Kostaq Dukën. Njëra nga punonjëset ishte
Kostaqja, e shkurtër dhe pedante; por korrekte. Tjetra ishte Klara, e gjatë dhe
e bukur. Shkruante dhe përkthente. Ato nuk gëzoheshin dot që ne lexonim dhe
kërkonim pareshtur libra…Dini të më thoni, a ka ndonjë bibliotekë për fëmijët
në Tiranë (që të mos hidhem më tej)…Edhe Qendra Kombëtare Kulturore e Fëmijëve,
që ca kohë u strehua në papafingon e Piramidës, dhe ku, në vitin 2007, pata
nderin të më promovoheshin disa nga librat e mi më të njohur për fëmijë, nuk
di, është a s’është më…Ku vate, mor aman, se po shkon 1 milion banorë
kryeqyteti...(Good luck!)
Disa pamje, ne i
kemi shqyer me dashje e falë kërleshjeve ideologjike, tamam si prolektkultas.
(Këta ishin “trimat” e Revolucionit të Tetorit në Rusi, që donin të shkatëronin
gjithë sa qe trashëguar nga më parë, sepse ishte…borgjeze.) Sigurisht, tani ka
botime pa fund, klasike, bashkëkohore, amtare, me gjithfarë lojërash e
ngjyrash; por megjithatë, të vegjëlit luajnë më shumë me stampa, me celularë,
iphone, iPod, iPad, tablets...Nuk kam asgjë me prurjet elektronike dhe mjetet e
komunikimit të kohës, që edhe vetë i përdor; por në mjegullën dhe në valët e
tyre - që po e mbështjellin botën si një rrjetë merimangash - ndonjëherë humbet
njeriu…Teprimi bëhet me bri. Dhe kjo më trishton.