Kulturë » Vataj
Albert Vataj: Thethi, kjo kërshëri bjeshkatore
E hene, 23.09.2013, 05:11 PM
Thethi, kjo kërshëri bjeshkatore
Nga Albert Vataj
Liri dhe
nënshtrim, zbrazje e thellë dhe përcikje e epërme zotërimi, kjo është sinteza e
tokësores që mëton në kumt dhe joshje turistike, Thethi, kjo grackë e
mrekullive të natyrës. Frymëmarrja në këtë thellësi që ther qiellin, i ngjan
një shpendi mitik, fluturimi i të cilit është një shigjetim etern që depërton
që prej Ujvarës dhe Kanionit të Grunasit, Vaskave të gurta të Ndërlysës, Syrit
të Kaltër të Kaprrës, kapluar prej rrokaqiejve natyror të Radohimës, Arapit,
Paplukas, e gjithçkasë që ka gdhendur me pasion këtë manifestim festiv bukurie
natyrore.
Nga Tirana në
zemër të mistikës së alpeve, Thethit, janë 128.3 km rrugë, dhe pafund ëndje për
ta lënë pas këtë distance, e për tu kredhur trup e shpirtë në krahët e një
përjetimit të patëdytë.
Deri në Bogë rruga
është e asfaltuar. Sandejmi e në Qafë Thore, me një fond prej 5 milionë euro,
FSHZH e ka sjellë deri në fazën përfundimtare këtë kapilar që ushqen me adhurim
këtë përkujdes namuzqar të natyrës. Qafë Thore deri në Theth i përket një faze
tjetër të zhvillimit rural dhe një shprese vullnetmirë për ta kapluar zemrën e
bjeshkëve me rrugë. Saora kemi sosur në Theth, ballaz këtij hutimi dhe
shastisjeje i’a beh përmendje delikate e të zotëve të shtëpisë, në ballin e të
cilëve përthyhet dritimi i kësaj inkandeshence që zbret si kushtrim deri në
truallin e mirëseardhjes, kësaj gostie që kurrkund tjetër nuk mundesh me gjet
të shtrume me kaq thjeshtësi dhe gajle. “Bujrum, mirë se erdhët”, i gërmëzon me
një grykore të thellë dhe me pak dramacitet, ky portret burri, i tipizuar
prejqyshkuri nga mbretëresha e pakurorëzuar e Shqipërisë dhe shqiptarëve, Edith
Durham, për nder të së cilës është ngritur edhe një obelisk kujtese,
këndejpari.
Ai më të cilin
do të shterngojmë duart, si akti sublim i bujarisë dhe besës, është Prek
Harusha. Pas një “bujrum”, “Mirë se u ka pru Zoti”, ai e hullit vërshimin tonë
turistik përnga bujtina (hoteli) në qendër të Thethit, me të cilën ai ka lidhur
të tashmen dhe të ardhmen e familjes. Françesku, djali i dytë i Prekës dhe
bashkëshortja, kanë ngritur me shpresë dhe djersë këtë “perandori” bjeshkatore,
ku presin e përcjellin ardhës të shumtë, shqiptarë dhe të huaj. Turizmi dhe kjo
strehëz mikritjeje është gjithçka që ata kanë, dhe krejtkënd tjetër që jeton
kësaj ane. Ky shans i ka dhënë tançka ka, këtyre banorëve dhe kësaj familjeje.
Prej tyre ka përvetësu krejtçka pa kursim, duke mos lënë mënjanë dhe mundësinë
e komunikimit shumëgjuhësh. Françesku, djali i dytë e Prekës, veç anglishtes,
flet gjermanisht dhe çekisht. Bashkëshorten e Prekës as vitet nuk e kanë
zmbrapsur të jetë krahpërkrah në ecjen e biznesit të tyre, megjithëse 55 vjeç
ajo ka përvetësuar anglisht, gjuhë të cilën e kanë përqaf thethianët si gjuhë
të dytë të amës.
Gjallnimi dhe turri i jetës këndejpari ka kap një dimension të tjetërllojtë, ngase e ka jetu kjo luginë, kjo sofër e bujarisë alpine. Dita-ditës Thethi sa vjen e popullohet. Vera lëshohet turraz, në ngulmet e tankujt që ka rranjë e degë, fis e farë kësaj ane. Nuk është mënjanë kësaj lakmie as Gjetoja, 73-vjeçari, i cili bubrron me blegtori e turizëm familjar për të vënë edhe ai gjurmën në një krep thethian.
Në thellësinë njerëzore të bjeshkatorëve
Relieve të
alltysta, thadruar në thellësi nga era dhe cerga, bora dhe akulli, kushtrimet
dhe kujat, qasen të gërmojnë në vullnesën tonë për ta shijuar, duke na joshur
në këtë depërtim trup e shpirtë, në vorbullën e kohës, në përjetësinë e
pakthyeshme të ndodhive dhe gjënezës, të cilat e kishin pagëzuar këtë krahinë
dhe banorët e saj më shumë si personazhe legjendash, sesa njerëz që jetojnë të
përditshmen e tyre të zorshme, mbushur përplot me derte dhe mundësi.
Njerëzit e kësaj
ane krejtçfarë kumtojnë është e tjetërllojtë ngase të mbërthen përreth frikshëm
dhe sundues, mrrylët dhe prepotent. S’paku ata munden me fsheh masmirit dhunën
spartane të kungimit të jetës mes këtyre krepave dhe hekave. E kanë shfaq
anatominë e malësorit në thellësinë e kohës, gjithsesi kjartë. Gojtarë e
shkrues nuk janë kursy së sejdisuri dhe mylmyeri bujarisht, si vetë zemra e
tyre, përshkrimin që kanë fosilizu në të shkumen, e që meunesh me e ndesh dhe
me u përball me të hap pas hap.
Gjithsesi, ashpërsia e relievit, mrazi i dimrave të gjatë, varrët e gjakut e zakoneve, kanë gdhend me daltën prej rrufeje shumëçka në formëzimin e karakteristikave, personalitetit dhe bujarisë. Anipse sërish ata kumtojnë tjetësi, janë më të ngrohtë se bora e veri që u than fytyrën e u mardh durt. Janë më modest dhe më të tolerant sesa kapardisja dhe prepotenca e maleve që u gërmushen përsipër si Shpatë Demokleu. Gjithçka që malet kanë shkruar në kodin e tyre gjenetik, është krenaria, besa, virtyti dhe zemërbardhësia.
Duke rrëmuar gjënezën
Ndërsa ndjen
veten tëksa çapitet në shkumëzimin e Niagarës së alpeve, e flladi të ledhaton,
siç di ta bëjë kjo bukuri vetanake, më ndërmendet krejtçfarë është sejdisur
prej qëmtuesish dhe hulumtuesish të kakohshëm.
Fillesa e
Thethit dhe e Shalës gjehet e lidhur me fisin ilir të Labeatëve. Duke mbamendur
shfletuesit dhe shkruesit e historisë, pikasim se Thethi është vendbanim shumë
i hershëm, kryekëput e vërtetuar kjo nga arkeologët. Sipas tyre, kësaj ane kanë
banuar Oksetët, Bythdosët, Berbati, Vladët, Kelmendas, e ndoshta edhe grupe të
tjera popullsie të panjohura. Në shekullin e VIII-të, kjo zonë ishte pjesë e
Pultit, i cili ndahej në Pultin e Sipërm dhe Pultin e Poshtëm. Thethi për herë
të parë shfaqet i dokumentuar në Defterin e regjistrimit të Sanxhakut të
Shkodrës dhe daton në vitin 1485, me emrin Fusha, asokohere përbëhej vetëm nga
7 shtëpi të mëdha.
Në shekullin e
XVI–të, turqit e izoluan këtë zonë nga Shkodra dhe Malësia e Madhe, duke e
bashkuar administrativisht me Sanxhakun e Dukagjinit me qendër në Pejë. Kësisoj
Thethi konsiderohet pjesë e Dukagjinit. Edhe sot, të tri zonat të njësuara,
Shala, Shoshi dhe Pulti janë pjesë e Dukagjinit. Në vazhdën e gërimimit arrijmë
në shtresime të tjera historike duke hasur saora në faktin se, fisi i Ahcajve
nga Thethi arriti të trupzohej me Bushatlinjtë e Shkodrës. Me gjas kjo ka bërë
vaki në fillim të shekullit të XIX-të. Në kqyrjet e pastajme thënëse
ngërthehemi pas gojtarëve dhe shkruesve, tëk të cilët mbamendim se Thethi
spariherë është cituar në përpilimin nga Coronelli të hartën e vitit 1688.
Përgjatë moteve 1916-1917 shkon në Theth, At Shtjefën Gjeçovi, i cili shkruan
për të dhe e bën me dije botës. Viti 1921 e gjen Thethin me shkollë të ndërtuar
nga Kryqi i Kuq Amerikan. Rruga automobilistike e mbërrin Thethin diku nga viti
1936. Një vit më pas, hapja e një agjencie turistike do të bëhej shëlbyesi e
këtij atraksioni dhe nistor i një epoke pelegrinazhi të turlillojshëm.
Duhet të vinte viti 1976 që Thethi të merrte statusin e “Parkut Kombëtar”. Transformimet e ‘90–tës u lëshuan turraz, si solidaritet ndryshimi, absurd i cili e stopoi vërshimin gjallnues, lëndoi shtatin bjeshkator dhe zbehu hiret rrezatuese që natyra u kishte dhan pa hesap këty banorëve. Do të shkonin vite në këtë heqje zvarrë, derikur Thethit ti ktheheshin nderet dhe lëvdatat, ti hapeshin dyert e t’i çelej qielli, e kjo fal të huajve, të cilët si ranë hasha që prej ditës që e zbuluan atë, e s’mbrami prej vendalive që duke u rikthye u yshtën masshumti nga epshi për ta shfrytëzuar atë sesa për ta ripopulluar si qëmoti. Tash, e shkuara ështe vetëm një memuar, një mbamendje larushitëse, me hope dhe hove që dëshmojnë se ajo ka jetuar gjithherë të tashmen e vet.
Thethi, zanafilla e emrit
Hamendjet dhe
hipotezat, përngjasimet dhe përthithjet gojore, jo rrallë kanë bërë që
toponimet e vendeve të ndryshme të zanafillohen pikënisur prej trajtesave që
ngjizeshin në kryeherë prej pozitave gjeografike. Edhe Thethi nuk bën
përjashtim prej kësaj, anipse kurrkush nuk e ka vërtetu kryekëput se nga erdhi
ky emër. Mbështetur në të dhënat hulumtuese të grumbulluar, në toponimet që
gjenden në këtë fshat dhe të dhënat gojore të banorëve, origjinën e këtij emri
mund ta kërkojmë sparihërë tek fjala “thep".
Pozitat
gjeografike e vendoin Thethin midis malesh të larta dhe të thepisura. Në
përditshmërinë e mbijetesës banorët e kësaj ane dhe këndejpari duke punuar,
kullotur bagëtinë, gjuajtur e të tjera bubrrime, shpreheshin: “Në ata thepa
kullota bagëtinë”, “Po shkoj në ata thepa për të gjuajtur”, “...në thepa...”,
“...thepa...” e të tjera. Është e pamohueshme se në Teth ka jo pak vende që
pagëzimet e tyre që vërtiten rreth fjalës “thep-a, -i, -at”, kujtojmë; “Thepi i
Krysë”, “Thepi i Rrgadhës”, “Thepi i Kodrës Botës” e të tjera. Për tu qasur në
përafri të tjetërllojta hasim te sinonimi “kuj” (kunj), e pamëdyshtë përafria e
saj me fjalën “thep”. Toponime me fjalën “kuj” ka jo pak, kësisoj gjenden,
“Kuji i Dhive”, “Kuji i Lopëve”, “Kuji i Shqypes”, “Kuji i Zhareve”, ‘Kuji i
Nenave”, “Kuji i Rupës”, “Kuji i Praçes”, “Kuji i Pulave” etj.
Krahas këtyre,
malet e larta dhe të mprehta si “thika” që njerëzit në mënyrë të zakonshme e
përdorin shprehjen “...në thika të majave...”, “...në thika...”, “...prapa
atyre thikave që duken...”, e te tjera, mund të shkojnë në favor të prejardhjes
së emrit Theth nga fjala “thep”, i cili ka përparësi me emrat “kunj” dhe
“thika” në kuptimin e vendit që emërtojnë.
Duke zhvilluar
një bujqësi ekstensive, duke prerë e djegur pyjet, banorët mbillnin thekër, dhe
jo vetëm. Atëherë nga përdorimi i shprehjes “në thekën”, në të folurën
krahinore, “...po shkoj në thekën”, “...isha në thekën...”, “...thekën”,
“Thekna”, rrugës deri në fiksimin e emrit, evoluoi dhe na erdhi “Theth”.
Toponime me emrin “thekën” ka disa në Theth si “Theknat” disa : “Thekna e
Hasës”, “Zhari i Theknës” e të tjera.
Thethi është gjithashtu një gropë e thellë, në krahasim me malet që e rrethojnë atë. Edhe si luginë është bajagi e thellë në drejtim të burimit të lumit të Shalës, saqë edhe banorët më të afërt janë mbi një orë larg. Gjatë përditshmërisë së tyre, banorët dhe bujtësit mund të kenë përdorur shprehjet : “...isha atje thellë...”, “...në thellësi...”, “...thellë...” e kështu me kalimin e kohës u formua emri “Theth”. gjithpoaq, sot Thethi është i tillë, duke mbetur jo tjetërçka edhe në enciklopedi, rrëfyes të bollshëm e sendërtues mediatik shumëgjuhësh.
Kurora mes
maleve
Thethi, kjo
thirrje që gufon mes kreshtash, rrethohet nga male të larta dhe qafa mahnitëse,
duke filluar nga Qafa e Thanës, Shtegu i Dhenve, Radohima, Sheniku, Papluku,
Maja e Alisë, Qafa e Pejës, Gropa e Bukur, Qafa e Jezercës, Maja e Zezë, Maja e
Zorgjit, që strukin në brendësinë e tyre, natyrën me gjithë finesën dhe
fantazinë shprehëse dhe kumtuese, me të cilat ballafaqohen alpinistë,
speleologë, botanistë, gjeografë dhe më s’shumti adhurues të alpeve. Fshatrat e
kësaj zone shtrihen në të dy anët e lumit nga Okoli deri në Grunas, ku spikasin
shtëpitë karakteristike dhe bujtina pritanake të turizmit familjar, të mbetura
dhe këto nën juridiksionin krahinor të tendencës. Krejtkjo mbështillet nga një
panoramë jehuese, e ashpër dhe joshëse. Ky amfiteatër natyror ngërthen gjithkah
me një hir të vrazhdë dhe të frikshëm bukurie, krejkah vështrimi jonë shkapetet
si zogu i turitun në kafaz. Nën këmbët e këtyre maleve epike, përnën peshën e
gojdhanave dhe legjendave, prania jonë shtryllet si ulliri për me nxjerr më të
mirën tonë adhuruese, përjetimin. Çdo kapriço e egos sunduese, përkundrull
këtij zotërimi të pakapshëm, është një kotele e tulatur nën sofër.
Sos në këtë tërheqje, jepem kësaj dorzanie vullnetlirë për të qenë veçse rob i një tiranie mrekullimi natyror. Kurrçka nuk ka mundur me e nënshtru gjinjen e kësaj anë, as lufta e as gjaku, as harrimi e as hasmi, as dimri e as skamja. Ata e kanë rrënjëzu jetën në këtë vend të gjerë e të egër, e kullat i kanë shtatu mbi shkëmbinjë vetanakë që kanë mbirë andejpari.
Shëtitimi në gjallimin e kësaj magjie
Kjo ashpërsi e gatuar në havanin e thellë të kohës do të kishte ta përkohëshme nusërimin e saj natyror nëse nuk do të kungonte në gjirin e vet një pasuri gjalluese. Bujaria e kësaj gostie të shtruar mes malesh, pasurohet me llojshmërinë e kafshëve, si ariu, dhia e egër, derri i egër, kaprolli, dhelpra, ujku, lepuri, rrëqebulli, zardafini e iriqi. Krejtkjo ngas kësaj ane gjuetinë, për të cilën zotnitë e Shkodrës din me folë fort mirë, një nga pasionet që e ka renditur Thethin e rrethqark si një mundësi e pashoqe. Jo vetëm kaq, edhe pyjet dhe kreshtat e kësaj ane lëshojnë qiell pa hesap për zotërit e lirisë, shpendët, listë të cilen e nis shqiponja, për të vazhduar me skifterin, thëllën, pëllumbin e egër, gjelin e egër dhe pulat e egra, e fluturakë të tjerë të rrallë. Kurrqysh nuk mund të ishte e plotë ky panoramim i florës dhe faunës së Thethit, pa futur në të edhe rrëshqanorët dhe peshqit. Këto të fundit na sejdisen nga vërshimi kristalor i Lumit të Shalës, që piknis rrugëtimin e vet nga burimet e Okolit, dhe Lumi i Kaprës. Në to, karakteristikë e ujrave të ftohta, gjendet trofta pikaloshe e kryemadhe. Për ta përplotësuar mozaikun, hedhim sytë nga liqeni i akullt i Tërthores, ku gjendet peshku triton alpin dhe shumë lloje të tjera.
Thethi ky kushtrim i thellë për ëndje
Mes maleve të
egra dhe të mrekullushme, këtij eteri tokësor që mrrylet prej gërmushjes së
motit dhe shendet prej gjelbërimit dhe kthjellimit të qiellit, e stërpikin
krejtkah horizontin me vendstrehëza alpine, siç bën me yjësimin, nata pa hënë.
Nga Thethi ju
qaset një gajle me kundru të gjitha qafat e maleve dhe majat, kurora më të e
hijshme që ka mbretëru alpet e Europës.
Thethin i
tejkaplon fiksionin e zhdërvjellët të natyrës, trillane deri në thelb dhe
depërtuese. Kjo soditje e formëzimit të javashtë dhe të potershëm, kjo dhunë e
rrëmbimit të vëmëndjes dhe përjetimit, kjo pamje e shpenguar dhe ngrehaluce,
vetanake e lë atë në gjerdanin e alpeve. Këtë dëshmi e gjejmë të shkrirë në
shtatin që përpjetet në majat si ajo e Radohimës, e cila naltësohet me 2570 m,
e Arapit, 2217 m, duke përshku në vazhdë Paplukën, që përhidhet drejt qiellit
me 2569 m, e majën e Alisë që kulmon jo më pak se 2471 m, etj. Përkundrull
kësaj kapardisje ojnake, shakadahet përposhtë Thethi, kjo sofër e shtruar në lartësitë
750- 800 metër.
Tiparet e kësaj
jehone nisin me një reliev, pjerrësia e të cilit nis me këndin16º-35º, duke u
thadruar e bërë më ulëritëse në 45º-60º e deri në 90º, të pakalueshme të
shumtën e herëve, por përpirëse prej joshjes dhe piskamës që e vesh. Krejtkjo
një ngadhnjim akullnajor dhe eroziv, gjurmë të cilat shkruajnë moshën dhe
urtinë. Kjo larmi vijon me Lumin e Shalës, vërshimi i të cilit ka gatuar
tarracime shkëmbore dhe zallishte ku përzihen gjurmë dhe kujtime.
Paraqitja e
Thethit nuk mund të mëtonte vetveten përtej mrazit dhe zemëratës klimatike, e
cila nuk mund të kapardiset për kreun, por gjithqysh ajo është karakteristike e
këtyre thellësive që ngërthehen përhava. Në parkun e Thethit mantel i bardhë që
i hidhet përsipër nis me 1.5 m trashësi deri në 3 m vende-vende e kohë
mbaskohe. Gjithashtu mund të flitet edhe për mesatare të reshjeve të shiut që
varjojnë 2900-3000 mm në vit. Temperaturat luhaten nga 20ºC-26ºC në qeshor për
të kulmuar në dimër me -14ºC deri -20ºC.
Duke hedhur një
vështrim veçorive hidrografike kumtojmë se Lumi i Thethit buron në lagjen Okol
dhe përshkon të gjithë parkun, në harbimin e të cilit fusin turrin edhe përrenj
dhe burime që këndej pari janë pa hesap. Në Ndërlysë trupëzohet me përroin e
Kapërres duke ngjisur Shalën, i cili derdhet në Drin. Lumi i Thethit është i
kthjellët e i shkumëzuar. Prurjet e tij varjojnë 1000-1300 l/sek dhe
temperatura mesatare e ujit është 7ºC. Përrenjt, këto vërshues që i harbon
rrëmeti, janë ai i Dhenve, i Gurrës, i Shkafit, i Borës, i Ashtit, i Ukashit,
etj.
Në këtë shëtitje
soditëse dhe magjepsëse na shuajnë etjen dhe na njomin ëndjen burimet e Okolit
dhe Nikgjonajt. Kësaj mrekullie i lajkatohet si një vashëz ojnake, Ujëvara e
Grunasit që rrëzon gërshetin e saj shkumëzues prej një lartësie mbi 30 m, dhe
ajo e Gjeçajve, të cilën e ledhatojnë shkëmbinjt përgjatë 24 metrave të
kredhjes joshëse përposhtë.
Kanioni i
Grunasit i shtohet kësaj gostie, ai zgjaton për më shumë se 2 km dhe thepon 60
metra tatpjetë. Shpella e Harapit dhe Bira e Rrathëve, ku gurgullojnë liqene
nëntokësore, galeri dhe sifone gjigante, e mylmejnë gjithnjë e më shumë hejëne
e kësaj urije për kandë. Thethi ka gjithashtu edhe 12 mullinjë të vegjël, e pse
jo dhe një hidrocentral dritlëshues.
Syri i kaltër i
Kaprrës kqyr ngulmues me blunë e allasojtë, prej Kaprrës së poshtme, e cili
është dalldisja më e shpenguar e hireve që kumton shtati i alpeve. Për të behur
nën këtë vështrim që të rrëmben duhet të shtegtosh nga Kanioni i Grunasit.
Nëse shkon në
Theth, kurrqysh nuk mundet të ikësh pa i hedh një sy Kullës së Ngujimit, e cila
ka të murosur në gurthemelin e saj krejt shtatin e mrrylët e të ftohtë, histori
ngjethëse gjaku dhe ngadhnjime faljeje.
Në mbamendjen e
vet kjo kullë që hedh shtat 400-vjeçar mbi një gurë të stërmadh që ka mbire si
truall, janë pajtuar mbi 300 gjaqe, nga krejt bajraku i Shalës. Ajo shërbente
si strehëz për kohëzgjatjen 15-ditore, periudhë gjatë së cilës vrasësi duhet të
gjente mbrojtësit dhe të sqaronte plëqësisë mbi rrethanat e ngjarjes. Ndryshe
nga ajo e Mirditës dhe tjetërkund nëpër malësi që ngujoheshin prej gjakut,
Kulla shërbeu për gjyqësi dhe kuvende gjakfalejeje. Në të Kanuni i Lek
Dukagjinit, ishte referencë e kodit zakonor të drejtësisë dhe e krejt
parashtrimeve që parashihen për konsiderimin e rrethanave, je kryekëput fajsi
dhe ndëshkim.
Kjo Kullë është simbol i Thethit anipse ajo është e Zef Kol Koçekut, ruhet dhe mbrohet tashembas nga nipi i tij, Sokol Koçeku. Kisha gjithpoaq përbën një piketë të ngasjes së vizitorëve të pafund. E ndërtuar që më 1892, ajo mishëron jo dhe aq përkatësinë e kahershme katolike të thethianëve, sesa rolin në këtë famullari të At’ Shtjefen Gjeçovi, i cili më 1917 hapi mësonjtoren e parë shqipe, traditë të cilën e vazhduan edhe priftërinjë e tjerë të kësaj kishe. Hitorikun e kësaj kësaj ngrehine shërbestarie dhe dije e pasurojne emrat dhe kontributi i At’Marjan Prela, At’ Daniel Gjeçaj, etj. Vorret në truallin e saj janë edhe tash, ashtu siç i përshkruante Edith Durham më 1905, kohë kur ajo vizitoi Thethin, dhe shkroi për traditat dhe historinë e tyre.
I rrëmbyer prej dimesioneve
Shpëjtësija me
të cilën ikën koha është triumfi i efektit mbi shkakun, mbi ndjelljen dhe
kredhjen, si pre e kësaj gjuetije mahnitjesh shokuese dhe kësaj thirrje
kushtruese për kërshërim. Triumfi i sekujt në këtë aventurë alpine është i
atypëratyshëm, depërtues dhe mishërues. I tillë është mbi kohën që rrek të
mbetet në vend dhe thellësisë që harbon. Ashtu siç ka gërryer durmishumë gurët,
uji, akulli e tufani me të njëjten kandje rrëmon ndër ne kjo bukuri, për të
mbetur e pashoqe në llojin e vet, për të mbushur me zbraztësi eterne boshin dhe
etjen që ndjen se të ka përfundur, vetëm këtu në Theth, këtu në këtë hon të
krenarisë së bjeshkëve.




















