Kulturë » Vataj
Albert Vataj: Faleminderit Elhaida Dani!
E premte, 31.05.2013, 06:00 PM
Faleminderit
Elhaida Dani!
Nga Albert Vataj
Ka ndodhur.
Përmendu, nuk je në ëndërr. E pagjasa, ajo shkallmoi mure të trasha ku ne
gjendeshim të rrethuar, dhe u bë reale. Është një 20-vjeçare që guxon dhe
fiton. Është ajo, për të cilën ti ke të drejtë të krenohesh. Është ajo, talenti
dhe zëri i së cilës u bënë apologji e krenarisë tënd të nëpërkëmbur. Për të
flasin të gjithë. Ajo, tashmë është në Olimpin e vëmëndjes dhe kureshtisë.
Multimedia shqipshkruese dhe shqipfolëse, dhe jo vetëm, është e përfshirë e gjitha në këtë pasion të çmendur fitoreje.
Është ajo, Elhaida Dani, e cila që 6 vjeç nisi shtegtimin në rrugën e muzikës
dhe që tash arrin të magjeps me zërin dhe interpretimin e saj, krejkënd që e
dëgjon. Elhaida Dani, 20-vjeçarja nga Shkodra triumfon në spektaklin “The Voice
of Italy
Faleminderit
me tan zemër, bija e Shkodrës, troku i mbram i djepit të kulturës, amaneti i
gjeneratave, filizi i këtij trulli me humus historish krenie dhe triumfi. Na
bekove me fitoren tënde.
Sa shumë
kishim nevojë për një prekje të tillë magjike. Sa shumë dhe sa gjatë na
mungonte një dorë e ngrohtë dhe një zë i magjishëm, për të na ngritur në këtë
rrëzim të pafajshëm. Kishim kaq shumë dyzime në vetvete. E pamundura na
përndiqte, si një hije përgjatë gjithë përpjekjeve tona. Pa kuptuar pamë se sa
poshtë kishim rënë. Sa kishim nevojë të ngriheshim, të rinisnim rrugën për tu
ngjitur. Iknim nga vetja dhe shumëçka që mëtonte atë. Dhimbja e anatemës na
kishte dërmuar mish e shpirtë. E gjithë kjo gjendje e amullt e sendërtuar
rrumujshëm në boshin tonë të dalldisur prej të shkaures dhe politikës,
parakaloi brenda atyre çasteve kur pritej verdikti, kur emri Elhaida Dani të
mbushte jo vetëm sallën e spektaklit të madh të RAI-t, por zemrat gjëmuese të
të gjithë shqiptarëve që numronin rrahjet e zemrave dhe minutat e triumfit, si
momentet e kësaj prekje magjike. Ishte një natë e gjatë. Një spektakël madhështor
në RAI, në atë dritare të kahershme, prej ku shqiptarët u panë spariherë me
perëndimin, me pjesën tjetër të botës që gjallonte përtej kësaj Shqipërie që
mëkonte parajsën e rrejshme. Nata e 30 majit, ishte një përballje, një
ballafaqim, një kurajo për të thyer tabu, për të shkallmuar mite. Është
shkodranja 20-vjeçare, Elhaida Dani, ajo e cila mban mbi vete, jo vetëm
densitetin e përgjegjësisë, ankthit dhe sfidës, por dhe barrën e rëndë të
përfaqësimit. Miljona shqiptarë dhe jo vetëm, kanë përcjellë të enjtet e
makthshme të garës në “The Voice of Italy”. Sot ata janë krenar, pa atë të
shkuar ngjethëse, larg pëshpëritjeve dashakeqe, tej gishtave tregues që
gozhdonin fatin e keq të shqiptarëve për çdo mëkat ekstrakomunitar, apo edhe
Italian. Italia, ky vend fqinj, italianët ky popull që bashkon dhe ndan me
shqiptarët shumçka nga e shkuara dhe e tashmja, mbëmjen e 30, duke hyrë 31
maji, durtrokitën, votuan dhe besuan si zëri i tyre, uraganin vocal të
shkodranes 20-vjeçare.
Elhaida
Dani është tashmë fituesja e “The Voice of Italy
Faleminderit Elhaida.