Kulturë
Zejnepe Alili – Rexhepi: Përmes artit atdhedashuria
E premte, 27.09.2013, 07:00 PM
PËRMES ARTIT, PËRCILLET QARTË MESAZHI I ATDHEDASHURISË…
(Për librin “ Nimfa e një zemre të lënduar”, me autor Asllan Qyqallën)
Nga Prof. Dr. Zejnepe Alili – Rexhepi
Vizioni ndaj botës krijuese,
imagjinatës dhe përjetimit, të mbledhura tok në nënqiellin, ku bashkëvepron
autori i librit: “Nimfa e një zemre të lënduar”(tregime e skica),
Asllan Qyqalla të lë përshtypjen se frymëzohet prej emocionesh, të cilat
mjeshtërisht e formësojnë strukturën kompozicionale të tregimit.
Teksa
e mora dorëshkrimin e Asllan Qyqallës, sikur një parandjenjë më orientonte në
personalitetin e autorit, me faktin që bën jetë artistike. Dhe, vërtet, në
brendinë e prozave pikasa aftësinë krijuese të tij, si një ndërlidhje e
pashkëputur me atë, që njihet “vetëdije e personazhit”, përmes të cilës
kornizohet vetë jeta, që nga formimi intelektual e moral dhe, gjithashtu,
formimi i vetëdijes kombëtare.
I
ndarë në dy pjesë, pra tregime dhe skica, libri ofron gërshetim të bukur
tematik, me shumë fraza të krijuara me shije artistike, përmes të cilave
ngërthehet tharmi i jetës. Madje, vetë procesi i thyerjes së njësive tematike,
kur nga tema erotike kalohet në atë sociale, meditative, pastaj në atë të
atdhedashurisë. Sidoqoftë, në të fashiten vizione për një perspektivë të
përgjithshme, në suaza të artit të shkruar.
Në
disa nga tregimet, si bie fjala, ai që hap siparin e këtij libri të bukur, me
titullin intrigues “Nimfa e një zemre të
lënduar”, e pasuar nga “Nën pushtetin
e stinës” dhe skica “Bukurinë ua
vodhe luleve”, janë frymëzim i asaj ndjenje përndezëse, që gjithësecilit i
bëhet flakadan moshe, që i ndrit ëndrrat rinore. Këto proza, janë ndësrthurur
si një simfoni e bukur, melodia e të silës u ngjiz nga ëndje të pafundme të
kopshtit edenik. Pra, në epiqendër vihet erotizmi, si një stoli delikate, siç
është vetë femra. Poashtu, narracioni i dendur dhe dinamizmi i frazave në to,
të lënë përshtypjen se brenda tyre ka një dell ftillimi prozash poetike.
Vijnë
bukur, në këto proza, edhe disa shkëputje imagjinative, nganjëherë në formë
kujtimesh dhe përcillen me dialog. Kjo gjë, zakonisht, përçon entusiazëm,
ndonëse mund të jenë dialogje të paktë. Por ato arrijnë të të tërheqin në
labirintin e leximit, që më pas të të joshin me stilin rrëfimor. Edhe këtu,
herë-herë, ndodh alternimi i dialogut, teksa i lë vendin narratorit të
nënkuptuar.
Libri
“Nimfa e një zemre të lënduar”, pra,
karakterizohet edhe me dukurinë e narratorit, i cili dukshëm është i përfshirë
për lidhjet detajore, herë pas here, duke ia lëshuar vendin dialogut,iI cili e
rritë intensitetin e veprimit dhe përqëndrimin e personazheve, që së bashku
bëjnë pjesën e pandashme të ngjarjeve. Personazhet, gjegjësisht kryeheronjtë,
megjithëse janë të paktë, ata e fosforizojnë veprën, për të mos krijuar imazhin
se çdo gjë është e blertë, optimizëm me çdo kusht, do thoja, por përkundrazi, e
ndjerë e reale, si sajesa, që logjikshëm e pleksin shtjellimin. Kështu, prozat:
“Kalvar rrugësh” dhe “Në grafikën e shpirtit të një azilanti”,
e reflektojnë shkathtësinë artistike, për të përçuar po emocione të veçanta
përjetimesh edhe te lexuesi.
Tregimi
“Një natë e acartë” dhe skica “Në grafikën e shpirtit …”, pasqyron
sagën kosovare, mjaft tronditëse për botën e civilizuar dhe, mbi të gjitha, për
bijtë e saj, brenda dhe jashtë atdheut. Në këto dy proza, sakrifica e
shqiptarëve përshkruhet përmes një dhimbjeje të thellë, por të matur, veçmas në
tregimin e cituar. Ajo, pothuajse, i
përngjet përshkrimit tronditës të Janis Ricos, te vepra “E largëta”, ku
kufomat e shpërndara gjithandej, flasin si statuja të heshtur. Pra, dhe tregimi
i Qyqallës shpreh dhimbjen, ashtu të matur, ku megjithatë, të duket sikur
mbizotëron pavarësia e heshtjes. Sepse, fundja, arti ka subtilitetin e vet, që
nganj herë ngulmon të mbetet në konturat e ëndrrës dhe së bukurës.
Tëhuajësimi
e dhimbja e individit, e përshkruar nga autori në tregimin “Një natë e acartë”,
përafron mjaft me artin migjenian, në veçanti me një tregim të së njëjtës
tematikë, “Bukuria që vret”, një konceptim i hollë për socialen, si gjendje
reale e atdheut. Po, vallë, a mund të zhbëhen sot pamjet tronditëse të
përshkrimit migjenian? Thjesht, është e pamundur, ato vazhdojnë të mbeten
relikte të çdo kohe!
Proza
“Në grafikën e shpirtit …”, e vë lexuesin para kulminacionit të konfliktit, aty
ku do të duhej të gjendet zgjidhja e atyre njerëzve, që në ëndrrat e tyre e
kishin sajuar parajsë, me një trajektore si: vendlindje – Igelheim. Ndërsa atje,
ku i kishte shpënë udhëtimi pa kahje të sigurtë, ata gjetën vetëm lodhjen,
përbuzjen dhe trishtimin për të nesërmen edhe më të pasigurtë. Kjo, në të
vërtetë, ishte trajektorja e brengëdhimbjes së shqiptarit azilant.
Përgjithësisht, prozat e Asllan Qyqallës i kanë të dyja pamjet, pikërisht, si
vetë trishtimin dhe lumturinë e jetës, sfidat e të sotmes, për rimëkëmbjen e të
nesërmes.
Po
me një shpresë të fuqishme për jetën, për të ardhmen më të bukur, janë
kompozuar skicat: “Se mos nga ti do marrë
dikush mësime”, “Të kisha një vajzë
si Mira”, “Vesa” dhe “Bija ime, na gëzo”.
Gjithashtu, këtij sfondi tematik, mendoj se i përket edhe skica “Sikur të fitoja”. Në këto proza,
heroina bartëse të ngjarjeve dalin kryesisht femra entuziaste, të cilat e
luftojnë patriarkalizmin e mbetur në fshatrat e largëta të malësisë. Pavarësisht
sfidave, ato nuk dorëzohen përpara barrierave të shumta. Prandaj secila prej
tyre, qoftë Mira, Hava ose Vesa, dinë si ta ndryshojnë jetën në të mirë të tyre.
E, me këtë, janë të vetëdijshme se do ta ndryshojnë mbarë shoqërinë shqiptare.
Prandaj, me të drejtë, edhe autori i librit, si mbështetës i optimizmit të
tyre, i koncepton ato si rreze dielli, që vijnë pas një dimri të acartë, sepse
shpresa e tyre, dikur e largët, e paarritshme, ndonëse e vënë përballë
pengesash të shumta, sa vjen e bëhet realitet.
Të
gjitha këto shqetësime të autorit, A. Qyqalla, në parim, vijnë nga bota e
çiltër e një krijuesi, i cili përmes artit përcjell mesazhin kuptimplotë e të
qartë të atdhedashurisë, si shqetësim parësor i gjendjes, në të cilën ndodhet
atdheu i tij. Dhe, realisht, ky është mozaiku i harkuar i një shpirti të ndjeshëm
ndaj mallit për vendlindjen, nënën, lulet e zogjtë, ato që shumëkujt i japin
lumturinë e pafundme. Prozat në libër ndërthuren prej mjaft metaforash, si
figura më të spikatura, po shpesh edhe pyetja retorike e eksklamacioni, janë
përdorur me sens, në disa skica.
E
tërë vepra vjen si një grafikë, ku shpirti që bredh me kohën, ka ruajtur me
shumë dashuri, frymëzimet e një moshe, përjetimet e veçanta të jetës, ku
pasioni nuk ndrydhet nga bota shpërfillëse. Ky frymëzim shpërthyes, në veprën e
Asllan Qyqallës, është i pritshëm, apo…? Mendoj se s’kishte si të ndodhë ndryshe, sepse shpërthimin
ideo-emocional, që e sjell një frymëzim i fortë, një mall i patretur strukur
skutave të shpirtit, nuk e ndrydh dot as përgjumja, madje as …ëndrra! Ai
frymëzim, një ditë, mjeshtërisht jetësohet në prozë. Urojmë që po këto gjurmë,
të prijnë në shpirtin e lexuesve, me botë artistike brenda tyre!
(Shënim: Autori i këtij libri është
kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve “Naim Frashëri”, në Fushë-Kosovë. Recensent
i tij është dhe Xheladin Mjeku)
Shtator, 2013