Kulturë » Vataj
Albert Vataj: Valbona, kjo ngasëse “mëkatare” e alpeve
E enjte, 26.09.2013, 08:10 PM
Valbona, kjo ngasëse “mëkatare” e alpeve
Nga Albert Vataj
Prej qyshkuri dhe pajada, jemi kredhur nëpër udhëpërshkrues të ndryshëm dhe qëmtues symprehtë . Nëpër gojtar më namë është çapit mbamëndja e alpeve, këtij Babel të natyrës shqiptare. Tash kur vullnesa për zotërim është një sfidë kandashumë e sekujt, e kur mundësitë zënë e binden yshtjes plot amë dëshiruese, kurrgja nuk mbetet përjashtë. Kurrqysh nuk druhet, përkushtimi për me pas atë që dëshiron, prej asnjë kufizimi a ndalesave të çfarëdoshme që të brof befas e ta drithëron kurmin. Në këtë mërmërimë dhe ofsham nuk mundet me u struk gjithherë dëshira. Tuj i dhan krahë dhe turr, qiellin duke i'a lëshu me pash dhe pafundësinë duke e hapërda horizonteve, vullnesa të gufon e ty s'të mbetet tjetër zgjidhje, vetëm bindja. Nesër do të ikim në Valbonë, e lëshova këtë togfjalësh si dorashkën për dyluftim, në tavolinën mbramsore. U tha, u ba!
Turravrap në kaplimin bjeshkator
Shkodrën e
kishim trampolin në përpushjen e hovshme përnga lartësitë e alpeve. Lamë këtë
zojë të randë në kapitjen e trokut të mbramë të natës dhe u turrëm me vërtik.
Kur ende s'kishte shkuar ora 06 e mëngjesit dhe një lëpe drite nderej mbi
heshtjen dhe pamjen, si penelat e drojshme, "Peugeot 308", jo më
shumë bujë motorrike, me të cilin po udhëtonim, la pas qytetin për t'u drejtuar
nga lindja, shtegu nga do të kaplonim lartësitë dhe për të sosur në Valbonën e
ftohtë dhe të kthjellët.
Kafen e asaj
nadje, turravrap e gjerbëm në Pukë, qytet i cili ndodhet 835 metra mbi nivelin
e detit, përndryshe 32 km nga Shkodra, 80 km nga kryeqyteti, Tirana. Pozita
gjeografike e saj kumton atë në pjesën qendrore të Shqipërisë veriore, me
territor që shtrihet përgjatë krahut të majtë të Drinit, që nga Ura e Vezirit e
Fusha e Dukagjinit, në lindje dhe deri në afërsi të grykëderdhjes së Gomsiqes,
në perëndim. Nga jugu e ndajnë me Mirditën kreshtat malore; Maja e Runës,
Thirra, Maja e Roshit, Bjeshkët e Tërbunit.
Jeta në këtë
qytet të vogël rreshqiste tinzare përmes të rrallave ngute njerëzish që pikasëm
përgjatë të vetmes rrugë që përlan këtë qendër të kakohëshme banimi. Në vazhdim
u lëshuam gjarpërimit të rrugës mes pishave për të mbërritur në Fushë Arrës,
një qytesë që ka lindur nga shfrytëzimi i nëntokës dhe pasurisë pyjore. Ai
zotëron jo më shumë se 31.06 km2 territor dhe mban nofkën "qyteti i
sharrtarëve", anipse në të mund të hasësh edhe ndonjë druprerës të
ligjshëm. E përshkuam pa ndalim duke e lanë pas atë, për të fuguar për më në
zemër të maleve, në shoqërinë e pandashme të një peisazh sa magjepsës, aq dhe
të ashpër, sa joshës aq dhe të frikshëm.
Gjithnjë në anë të rrugës tatpjetat të thukshme thelloheshin, sa më shumë i ngjiteshim Qafës së Malit, sa më ngultaz përpjeteshim kaplueshëm mëtimeve të gjithfarësojshme natyrore, duke mënjanuar shtegun për Kukës e vijuar përlart.
Memuare dhe ndjellakeqe dhe muranë
Përgjatë
rrugëtimit përpjetës, memuare dhe muranë kishtin kohë që penetronin përmes
mrazit të një relieve që kërciste dhe thyhej përnën vërshimin përpara të
makinës dhe ekzaltimit të këtij spektakli vegjetues. Anëve, porsi gurë
kilometrikë ngriheshim një pas një përkujtimoret e atyre që kishin humbur
jetën, kryesisht nga aksidentet. "Qafa e Malit", kishte marrë në qafë
dhjetra fatkeq, dhe kujtimoret e tyre vendoseshin si piketat në një
vendngjarje, dhe ashtu qëndronin ndjellakeqe më shumë sesa ndërmendës për kalimtarët
e rallë mbi rrezikun që kanos.
Ky detaj nuk përbënte rëndësi në këtë tur malngjitës, por Ilirin, i cili ngiste makinën sdytiherë në këtë shteg, po e shqetësonte vijimsisht ky trokth ngjethës që fanitej dhe behte rishtaz. Një lloj ndjenje keqardhje dhe paniku mbrunte me përzimllek këto mermere dhe muranë të ngritura si përkujtimore. Kjo shfaqje që tkurrej prej panoramës, zgjatej si një kujë dhe sëmbonte qetësinë e ngaresit të makinës duke i prishur atij ekuilibrin emocional, gjë të cilën nuk e fshehu. Gjithsesi ai nuk ishte kundër, por as ndonjë dakordësi nuk la të nënkuptohej për këtë amfiteatër tragjik, që kishte lëshuar rrënjë në këtë ngjitje rrugëtuese shumë të rrezikshme. U dakordësova me të, me bindjen se këto mbamëndje tragjike janë ndjellakeqe, për ato pak vetë që e përdorin ende këtë mundësi, që pas ndërtimit të "Rrugës së Kombit", e cila e ka nxjerrë jashtë loje "Qafën e Malit" dhe jashtë pjesëmarrjes në rrezik, ata që ishin të detyruar të përshkonin këtë gjarpërim mes pishash, shkrepash, honesh dhe zgafellash përpirëse.
Në teposhtë e përpjetën joshëse
Udhëtimi përnga
"Qafa e Malit", padyshim është një kahje për ta përshkuar mes përmes
Veriun e Shqipërisë. Ndoshta krejt pak, një rrugëtim i përshtatshëm, por
gjithpoaq një mundësi për të depërtuar brenda kësaj magjie që shfaqet e
bollshme dhe krahëhapur, e cila sa vjen e të përpin brenda vetes, si në një
joshje dehëse, duke të davaritur çdo ndjenjë frike që ndjellin tatpjetat që
gërmushëshin dhe të hakërrejnë pajada'. Ndërsa e përshkon këtë zvarranik mitik,
që si një kapilar ushqen me jetë krejkah ku shkel, të ndërmendet histori dhe
dëgjesa të pafundme, gojdhëna e rrëfenja burrash shtatlartë si trungje lisi.
Shtojzovallet e Zanat e Malit, Orët dhe Kulçedrat, të bamet e t'thanmet e
vizatojnë pëdhëmbë për pëdh¬ëmbë këtë horizont zemërak dhe larushitës. Çdo
shkëmb, gëmush apo krua, çdo shpat, krep apo livadh, çdo luginë, majëmalit apo
pemë vetmitare, krejt asajanë munden me kumtu, me tregu e më dëshmu, për çka
kanë pa e ndigju. Shembëllen e kungon bukuri dhe hutim. Copëza të hallkatura
deri lart në re lëshojnë një energji tërheqëse. Një pishë vetmitare e qëlluar
nga rrufeja bën më shumë përshtypje sesa një rrokaqiell në mes të qyteti të
bujshëm.
I përfshir në këtë amfiteatër natyror dhe eposi, s'ka gjas me mbetun përjashtë një rrëmbese ndjesore të allasojtë, një batërdie e përzishme dhe një kaosi përfytyrimesh dhe ngjarjesh, të cilat duke t'u rikthy në kujtesë, si trokitje në portat e rijetimit, të pushtojnë, të kanë tjetërsu në një copë e këtij mozaiku të parrëfyeshëm.
Sosim në Dushaj
Pasi ke
përshkuar një zgjatim disaorësh të rrugës, duke lënë pas fshatra të tëra të
rrethit të Pukës, zdirgjesh përposhtë nëpër një lakore që sheh gjithnjë nga
Drini, vërshimin e të cilit e ka vënë nën fre diga e Hidrocentralit të Fierzës,
që sa më shumë i avitemi më të unshme e ka shfaqjen. Mbi ne fluturojnë ngarkuar
mbi shtylla të hekurta telat e tensionit të lartë, përçuesit e gjithkahshëm të
dritës. Zbresim përkadalë tuj mbajtë frymën e turrin mbi urën që të çon në
Dushaj, një qendër e cila popullohet nga rreth 150 banorë të ndarë në afro 30
familje.
Dushaji shtrihet
pranë Liqenit të Fierzës në trevën e Krasniqes. Jo larg kësaj qendre banimi
gjendet vendi i quajtur Maja e Krasniqes, zanafilla e emrit pararë¬ndës që
gëzon sot. Dëshmimet e hulumtuesve tregojnë se atypari janë ende rrënojat e një
kishe të shek të XVII, me një numër të madhe varrezash që e përqarkojnë, kishë
për të cilën Frang Bardhi në vitin 1638 kishte shkruar se ishte kisha e
Shëngjergjit.
Nga e djathta e Dushajt, rruga të drejton nga Bajram Curri, e krejtkëtij horizonti të krekosur mes maleve të larta e pafundësisë që të ngas. Nga tjetra anë, rruga e ripunuar dhe e pasuruar me bankina hekuri dhe elemente të tjerë, degëzohet në kah që ndjek vërshimin e urtë të Drinit për të bëhur saora në Markaj dhe Lekbibaj. Në brinjë të lartësisë që sa vjen e thadrohet, qëndron emblematike Zona B, e cila në kohën e miqësisë shqiptaro-kinezë, asohere kur zuni fill e famshmja sentencë "Enver Hoxha-Mao Ce Duni janë si buka e një brumi", shqiptarët nën dirigjimin e specialistëve dhe inxhinierëve kinezë, ngritën veprën më të madhe hidroenergjetike shqiptare, të cilën e quajtën "Drita e Partisë".
Fierza, mali i dritës dhe djersës
Duke qëndruar
mbi urë përlahemi nga një soditje frigane e këtij përbindëshi hekuri, betoni,
zhavori, djerse dhe mundit të mijëra vullnetarëve, të cilët i'u përgjigjur
"thirrjes së partisë", përveshën mëngët duke lënë bretkun në
përpjekjen e tyre të mundimshme dhe kufizimet rras¬kapitëse.
Kjo digë, nën
këmbët e së cilës po ndjej nënshtrimin dhe llahtarinë e kësaj prite njerëzore,
ndërsa të mbërthen me vështrim, shqun shtatin që ngërthehet në 167 metra
lartësi dhe një kurorë 400 metra, që i rri si kreshtë. Kurrkund më shumë se
këtu, vetmohimi njerëzorë nuk është murosur kësisoj në një një volum të
përgjithshëm materialesh ndërtimi prej 8 milionë metër kub. Porsi kapilarë
përshkojnë shtatin e këtij gjigandi energjetik plot 5500 metra tunele. Në
prehrin e vet, ky kaplim vullnetesh dhe force, struk një vëllim prej 2.7
miliardë mëtër kub ujë, e cila shtriq krahët e saj të kaltër në një sipërfaqe
72.6 kilometër katror, e që mbahet si rezervati i Liqenit të Fierzës, uji i të
cilit kafshohet nga turbinat e shndërrimit në energji elektrike dhe përposhtet
për të dalë në shtegtimin e vet drinues, përmes malesh që e fillërojnë e një
tjetër ndalese që e pret në Koman. Ndërsa e përlan me andje dhe një lloj
ndjesie mposhtjeje më ndërmenden ato 6 vite rraska¬pitëse, nëntor 1971, kohë
kur nisi puna në këtë hidrocentral, dhe
viti 1978 kur u vu në shfrytëzim ky përbindësh hidroenergjetik. Për kujtesë,
Fierza ka një kapacitet prej 500 megavat dhe një prodhim vjetor 1.8 miliardë
kilovat/orë energji elektrike, ndër më të mëdhenjtë në Ballkan, pas HEC-it të
Danubit në Serbi.
Duke i kthyer shpinën kësaj krekosjeje të tjetërllojtë nga ajo e maleve e trandjes retheqark, vazhdojmë duke marrë me vete dehje përmasash dhe përjetimesh.
Drejt Valbonës
Na kishte ngasur
keqas kjo "vashë" me gjak blu e gërshetat që zgjatojnë duke rrënjëzu
në gjarpërimin e kahershëm për¬mes gurësh mitologjik. Krye¬këput nuk u qas kjo
gajle me e marrë Qafën e Malit, me përshku kilometra dhe orë të tëra me sos në
krahët e sajë, si në një histori romaneske dashurie, por gjithsesi ajo kishte
gjas me ken, joshja më e epërme dhe përjetimi më i thellë i krejkëtij kaplimi
malor. Lugina e Valbonës dhe ajo që pritej të na shfaqej me padurim shtrihet në
qendër të Alpeve Shqiptare, në rrethin e Tropojës, me kast si një qëndresë e
patëdytë e hireve dhe bukurisë natyrore. Kjo kredhje e kandshme e magjiplotë që
shtatohet në një siperfaqe prej 8.000 hektarësh duke turfullu senga freski dhe
joshje gëzon statusin e Parkut Nacional që në janat të vitit 1996. Atë e mrujnë toka të murrme pyjore mes
lartësive 500-1200 metra, për të vijuar gëlimet e kadifenjta që shtrihen në
shpatin e majtë të kësaj lugine nga Mbaskollata dhe deri në Shoshan në
lartësinë 400-900 metra.
Pasi lamë Bajram
Currin e fuguam përpara, dredhuam pak nga shtegu, po me ndihmën e një vendaliu
u rifutëm rishtaz nëpër një rrugë, ndërtimi i së cilës nuk kishte përfunduar
ende. Kur trajtat lojcake të shtegut që morëm, na përmendën duke na rikthy në
dëgjesë fjalët e udhëtreguesit: "Deri në Dragobi, do ta keni të vështirë, pasi
është në ndërtim e sipër rruga, pastaj është e asfaltuar"
Makina vazhdonte përpara duke lënë nga pas një re pluhuri që nuk na u hoq qafe për minuta të tëra. Gjithnjë në të majtë gjarpëronte një vërshim gurgullues, turri dhe garrameti i së cilës urtohej ndërsa përshkonte horizontalen e vërshimit. Pershkuam turraz, Fierzë-Bujan-Bajram Curri-Margegaj-Shoshan , e behëm maspak në log të piskamës malrrethuese të Dragobisë.
Nëpër Dragobi
Në të dy anët e rrugëtimit, male të larta zgjatonin hijerëndë mbi kokat tona. Qielli herë dukej e herë zhdukej mes reve lojcake të gushtit dhe krekosjes së maleve që turreshi përmbi porsi një kushtrim i motmotshëm. Bisedat tona i kishin lënë vendin heshtjes soditëse, e cila mbase kishte një argument më bindës për të mposhtur sfidën tonë turistike. Peisazhi çelej dhe kyçej si një sipar skene, ku luhej një epos natyror. Dielli shkelqente pajada. Majëmalet që e "qëllonin" me krenari e fiknin dritimin e tij duke e zhyt luginën drejt Valbonës në një ngjyresë të murrme. Pas ndonjë një ore, curulitjesh dhe gërrvimash mbi çakull dhe gurë të ngrënë në tabanin e rrugës, sosëm në asfalt. Shpëtuam, shqiptoi me ofshamë Iliri, ngarësi i makinës që mbante mbi vete vizitorët sefte të kësaj mrekullie të natyrës. Ecnim përpara duke përthith taft të freskët dhe magji që zbriste deri poshte në shtegun që shtriqej. Sakaq shfaqeshin dhe zhdukeshin pas nesh pamje dhe shëmbëllime të turlillojshme. Trumba reshë të bardha, si tufë zogjsh shtegtar shpuplonin pendët nën shndr¬itjen e diellit dhe ëndjes tonë.
Në Valbonë, prehrin lojcak
Kur ende
s'kishte të sosur kjo lojë virtuoze e natyrës, shpër¬then para nesh një pamje
në trajtën e një hinke të papërmasshme, në të cilën u derdhëm me vërtik.
Valbona trullosëse lëshonte dashtazi para nesh kurmin e saj joshës. Portat e
Parajsës, të mbetura vetëm në shëmbëllime poetësh dhe piktorësh, sakaq hapeshin
katërkanatësh. Ecnim si në ëndërr duke lëshuar vështrimin tonë të drojshëm
rrethekrah, krejtkund kjo hijeshi shfaqej.
Valbona është
një fshat afro 26 km larg nga Bajram Curri. Dëftues statistikor rrëfejnë se
këtë qendër 400-vjeçare banimi e përbëjnë rreth 47 shtëpi me vetëm 300 banorë.
Fshati i ngulur si një shënjim 810 metra mbi nivelin e detit në një grykë
gjysmë të thepisur, buzë lumit Valbona mes maleve të të Kollatës, me Jezercën
që hargaliset me 2,694 metër lart e Pecmarën ballas, që naltohen bajagi. Në
zanafillën e vet, Valbona, kjo bujtinë natyrore e kërshërisë së sekujt, ka
shërbyer për stanet verore dhe ndalesën e përkohëshme blegtorale të banorëve. Në fillim të luginës shtriqet liqeni
akullnajor i Xhemës që vërshon nazelik përmes majave të Alis që lartësohet me
2471 metra, Poplukas me 2569 metra në jug-perëndim të bllokut malor të Jezercës
dhe që përfundon në fshatin Rrogam.
Duke lëshuar një
piskamë që e rrok shikimi ynë në këtë kandje të pashoqe, prekim me krenari
kulmet duke nis nga Maja Roshit 2522 metra, i cili është i njohur si Jezerca,
përveç kulmit. Ajo kufizohet me majat e tjera, të tilla si Popluka dhe maja e
Ali, në perëndim, Rrogamit me 2478 metra lartësi, në lindje, Maja Kolajt, 2498
metra, Maja e Malësores, 2490 metra, Maja Bojës, 2461 metra, në veriperëndim, e
Maja e Kokërrhanës, 2508 metra dhe ajo e Etheve, 2393 metra, në veri. Krejtkjo
është një Babel natyror, që ngërthehet përnga lartësitë e strukin poshtë tyre
Valbonën këtë ngasëse "mëkatare" të alpeve shqiptare.
Më përtej drejt luginës, aty ku bashkohen lumi i Valbonës me përroin e Çeremit, lugina bëhet më e cekët me aspekte të shumta të ngushtimeve dhe zgjerimeve, të ndara nga vendkalime dhe shtigje. Ekspertët janë të mendimit se kjo zonë është karbonatike dhe formohet nga detashmentet akullnajore dhe tektonike. Në këtë pjesë të Valbonës përfundon dhe degëzimi i përroit të Kukajt. Lugina e saj është tipike akullnajore e formuar midis maleve të Jezercës dhe Kollatas. Valbona vijon të mbetet joshëse dhe ngasëse për mijëra vizitorë që hidhen përvit në krahët e saj, epshëm e dëng me dëshira për ta përjetuar pajada. Lumi Valbona, namëmadh e zashumë, mbetet mbreslënës, burimet e sajë në pjerrësinë lindore të Qafës së Valbonës, te ujvara, zhduken nën zallishtet gëlqerore të luginës, siç zhduket çdo feksje e magj¬ishme, çdo ëndje dalldisëse, çdo bukurane lajkatare.
Flora dhe fauna e kësaj gostie natyrore
Veç ujit të kristaltë, dhe përposhtjes nazike mes gurësh të stërmëdhenj, Valbona shquhet dhe për një faun dhe florë shumë të larmishme dhe bujare, karakteristike e vendeve të Evropës Qëndrore. Në lartësitë 600-1200 metra, të zonës së Valbonës dhe Rrogamit, gjenden pyje ahu dhe toka është e shkrifët. Atypari hedhin shtat pyje madhështorë me hormoq (Piceaabies). Gjithashtu rriten duke e mbushur me jetë dhe prekje magjike jetë¬dhënëse dhe hartina, bredhi i bardhë dhe pisha e zezë. Në Valbonë gjen¬den njiheraz, si për ta përplotësuar me të gjithë elementet këtë shastisje, specie të rralla. Nga peshqit që i gjejmë në lumin e ftohtë Valbonës, është trofta. Për të vijuar me shpe¬ndët, i rralli gjeli i egër dhe nga familja e gjitarëve, ariu murmë, macja e egër, ujku, dhija e egër, dreri, dhe lundra, që e hasim përgjatë rrjedhës së Valbonës.
Ikim më kokën pas
Jo çdo ndarje është kaq e trishtë, e jo çdokën Valbona e përcjell me pahir, as atëherë kur bora zbret, era fryn me tërsëllimë, lumi gulçon përmes shkëmbinjsh, dorzan të këtij kushtrimi të ujët malesh. E kunduam gjatë dhe papra krejt këtë bukuri. U çapitëm me të në këtë gosti kundrimi të pashoq. Unshëm na u desht me u ngrit prej kësaj sofre me tana t'mirat që Zoti i ka dhanë pakursim dhe robi e ka nda me shojishojn si bukën e verën në "Darkën e Fundit". Mbushëm krejtçfarë mbetun kishte ndër ne zbrazët prej këtij kaplimi alpin dhe ikëm, turravrap me kokën pas.