E shtune, 27.04.2024, 02:03 AM (GMT+1)

Kulturë

Përparim Hysi: Gjyqi i kolegut dhe i Aqifit

E premte, 27.09.2013, 07:11 PM


Gjyqi i kolegut dhe i Aqifit

Tregim

Nga Përparim Hysi

Qe koha e fletërrufeve, kur çdo "shfaqje e huaj" varej si një pllakatë mbi mur dhe, mandej, për  këto bëhej o gjyq demaskues në blok, lagje apo  në fshat. Syrit vigjelent të partisë e "popullit" nuk i shpëtonte asgjë. Dhe vërtet kështu ndodhte.  Varja në mur qe bërë si një rit dhe kushdo, para se të shkonte në punë, do  hidhte nga një sy atje, tek vendi apo siç e kish marrë emrin "Këndi i fletërrufeve". Këto (fletërrufetë) nuk ishin shpikje jona. Qenë "huazuar" nga larg: nga Kina e Mao  Ce  Dunit. Në Kinë quheshin "dacibao" dhe këtu "fletërrufe". Pagëzimin fletërrrufeve ua kish bërë Enver Hoxha që dhe kish lëshuar kushtrimin: " Të  ngrihen të gjithë dhe me gërma të mëdha të shkruajnë se ç'mendojnë ata për punën dhe njerëzit". Në se këtë slogan të asaj kohe nuk e kam sjellë pikë për pikë ashtu, besoj se nuk është ndonjë dëm i madh. Rëndësi ka që këto, fletërrufetë, u kthyen vërtet në rrufe që të vrisnin moralisht dhe, ndonjëherë, edhe ca më keq:  ndonjë sedërli dhe i ndershëm tej mase, bënte vetgjyqësi duke i dhënë fund jetës.  Demaskimi me fletë-rrufe ishte vetëm hapi i parë, pas këtij demaskimi, vinte gyqi. I lakuari në fletërrufe vihej,si të thuash, në kandar: në se qe anëtar partie, gjykohej atje së pari. Në se jo, në kolektiv blok apo lagje. Por dhe gjyqi i asaj kohe, shpesh,  e jepte drejtësinë jo sipas shkallës së fajit, por, para së gjithash, nga faktorë të tjerë ku, mbi të gjitha, shikohej biografia. Biografia qe "koraca" që shërbente si "salvaxhedja" në det për atë që gjykohej. Dhe qe me të vërtetë tronditëse kur, për të njëjtin faj, masa e "dhënies drejtësi"( nënkupto: dënimin!)  ishte e ndryshme. Mos kujtoni se jam i shpejtuar dhe i obsesuar vetëm nga e keqja. Flas dhe shkruaj për çka kam parë e jetuar.

*    *    *

Më kujtohet mirë. Këndi i fletërrufeve në qytetin tonë ( në Fier ) qe  mu përballë komitetit ekzekutiv, ngjitur me bibliotekën. Për ironi të fatit, qoft biblioteka dhe qoft ndërtesa ekomitetit ekzekutiv qenë pronë e dy familjeve nga më fsiniket në Shqipëri: ekzekutivi, pronë e Abaz Këlcyrës dhe biblioteka e Vrionëve. Sot ndërtesa e vjetër e komitetit ekzekutiv nuk ka as nam dhe  as nishan, kurse ish-biblioteka është blerë nga ca privatë që e kanë kthyer në klub. Qe mëngjes dhe në këtë hapsirë që ndante këto dy ndërtesa,  shihje grupe njerëzish që, tek nxitonin për punë, me këmbë apo me bicikleta, ndalonin me sytë nga muri. Këtë radhë kish ndodhur "hataja!". Tek këndi i fletërrufeve qenë "varur" katër persona, të njohur në qytet. Ata lakoheshin me emër e mbiemër; u kishin bërë nga një karikaturë ku secili qe kthyer o në dhelpër, o gjarpër, o ujk. Për çdo "skërbim" që u kishin bërë, dukej koka (kjo qe foto e bërë me detyrim) dhe, mandej, për secilin kishte vargje humoristike që i gozhdonte të gjallë atje, tek këndi. Natyrisht, si befasi e madhe qe. E madhe dhe e turpshme. Pllakatet veç demaskimit, bënin dhe apel. Qëllimi: të demaskoheshin masivisht. Dhe, pasi u lakuan dhe u stërlakuan, që të katër iu dhanë gjyqit. Të katër i kishin zënë duke lozur kumar dhe, sipas kodit penal, duhet të dënoheshin me burg. E keqja qe,se tre nga katërshja e "famshme", qenë mësues. Domethënë,qenë kolegë me mua. Po unë njërin po e veçoj. Dhe jo pa arsye.

*    *     *

Gjyqi i katërshes u bë dhe secili u penalizua. Ndonja ca muaj burg dhe për mësuesët: mos ushtronin profesionin. NJëri nga mësuesët (sikur të qe i "vogël" dhe e morën në qafë?!!!), e pati dënimin më të lehtë. Arsyeja: shpatullat i kish të ngrohta. Sidoqoftë, në arsim  ende nuk e kishin marrë. Aq lehtë e kish kaluar "kolegu" këtë tufan,sa e quante veten "të palagur" nga shiu i gjyqit.

- Nuk u dënova si të tjerët,-pretendonte,- ndaj dua të kthehem në arsim. Mirëpo në instancat e pushtetit ku kish shkuar, nuk kish arritur të fillonte në arsim dhe u drejtua për në komitetin e partisë.

Ditën kur "kolegu" kish ardhur për t'ua ankuar në komitetin e partisë, qëlloi që dhe unë të kisha shkuar për një hall tjetër. Kam qenë dëshmitar okular, ndaj dhe po e shkruaj.

Priste sekretari i komitetit të partisë, Lamçe Sheme, që kishte ardhur në Fier nga Përmeti. Lamçe Sheme ishte nga sekti i jevgjëve të Përmetit, por jo vetëm në gjykimin tim, por kushdo që e ka njohur, ka qenë një kuadër jashtëzakonisht i ndershëm dhe i gjendshëm për hallet e njerëzve.

Si sot më kujtohet ajo ditë. Hallexhinjtë në një sallë dhe ai,Lamçe Sheme, një burrë i gjatë me flokë të zeza dhe me syze, pasi na përshëndeti, fillloi të na pyes kokë për kokë. Instruktori shoqërues mbante shënime dhe ne, duke pritur radhën, dëgjonim dhe "hallet" dhe ankesat e të tjerëve.

Kolegu me "shpatulla të ngrohta" ( kam arsye që ta quaj kështu) qe në listë i pari.

-Çfarë halli ke? - pyeti sekretari.

Kolegu shpjegoi "hallin" duke u munduar që,sadopak, të "zbuste" fajin e tij. Si foli e foli, për të ndikuar ca më shumë tek sekretari, tha në fund:

- Shoku sekretar po unë "fitova" ( kot nuk po e shkruaj në thonjëza) gjyqin dhe ata të arsimit nuk po më marrin.

Dhe Lamçe Sheme tek dëgjoi me pak durim këtë "shpatullngrohtë", tha:

-Fitove gjyqin, ë ! Po moral e nder a ke? Po ty ta nxorën kokën si gjarpër atje, tek këndi i fletërrufeve, ke guxim që t'u dalësh nxënësve përpara. Dhe,duke e ngritur  zërin ca oktavë më lart, tha:

-A nuk do qeshin nxënësit kur t'i thonë njëri-tjetrit:ai kokëgjarpëri ! Dëgjo, për mua si Lamçe Sheme, ti kurrë nuk duhet të punosh në arsim. Ah,sa ka përmbi mua,dhe mund të të kthejnë në arsim dhe ti nesër mund të më xnjerrësh gjuhën, kjo është punë tjetër.

Kolegu, me "shpatulla të ngrohta", iku si pulë  lagur.

*     *     *

Aqifi ka qenë bashkëfshatar imi nga sekti arixhi. Unë jam rritur me arixhinjtë dhe kam të drejtën të deklaroj: njerëz më të ndershëm e më fisnikë se ata nuk ka. Shikojnë punën e tyre dhe kurrë nuk ka ndodhur që,qoft dhe një prej tyre, të jetë lakuar për moral apo për nder. Kurrë ndonjë për hajdut dhe kurrë ndonjë për spiun. Po trazove qoft dhe një prej këtij komuniteti, nuk ke bërë gjë tjetër po ke trazuar folenë e grerazve. Kanë një solidaritet mes tyre që është për t'u patur zili.

Aqifi qe martuar dhe me fëmijë. Kishte nuse të bukur dhe një ditë prej ditësh e sheh që me dikë puthej. Mund dhe ta rrihte  apo ca më keq: ta vriste apo ta dhunonte në trup apo fytyrë. Asgjë nuk bëri nga këto, por si një urtak që di të ruajë qetësinë dhe në çaste tronditëse, e dëboi nga shtëpia dhe kërkoi ndarjen ligjore.

Kur erdhi dita  e gjyqit, Aqifi u paraqit para gjykatësit. Mes gjykatësit dhe Aqifit qenë zhvilluar këto replika:

- Përse do ta ndash gruan?

- Se  e pashë që po puthej me X...

Gjykatësi, pak fodull, duke e parë Aqifin si "qytetar të dorës së dytë, i thotë:

-Punë e madhe se po puthej me një tjetër. Nuk përbën shkak prë ndarje.

Aqifi ca nga e keqja dërmuese që e kish gjetur dhe, ca nga fodullëku i gjyqtarit, ia priti tërë mllef:

-S'qenka gjë e madhe të shohësh gruan duke u puthur me një tjetër, atëherë, shpërtheu Aqifi, nëma gruan tënde që ta puth...

Gjyqtari, si ta kish kafshuar gjarpëri, erdh e t'u bë si kungull i pjekur dhe lëshoi piskamën:

- 6 muaj  burg për ofendim të trupi gjykues !

Mos po zmadhoj ? Jo. Aspak. Aqifi është gjallë dhe burgun e vuajti kokërr për kokërr.

Në i solla këto dy ngjarje të jetuara, ( nga salla e gjaqit) e bëra se,edhe sot, në demokraci, shpesh, alarmohen nga "dhënia e drejtësisë".



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora